2010–2019
Përse Martesa, Përse Familja
Prill 2015


Përse Martesa, Përse Familja

Një familje, e ngritur mbi martesën e një burri dhe të një gruaje, siguron vendosjen më të mirë që plani i Perëndisë të jetë plot gjallëri.

Mbi Portën e Madhe Perëndimore të Abacisë të famshme Uestminster në Londër të Anglisë qëndrojnë statujat e 10 martirëve të krishterë të shekullit të 20-të. Përfshirë mes tyre është Ditrih Bonhëferi, një teolog i shkëlqyer gjerman, i lindur në vitin 1906.1 Bonhëferi u bë një kritikues i hapur i diktaturës naziste dhe i trajtimit prej saj të judenjve dhe njerëzve të tjerë. Ai u burgos për kundërshtimin e tij aktiv dhe më së fundi u ekzekutua në një kamp përqendrimi. Bonhëferi ishte një shkrimtar prodhimtar dhe disa prej pjesëve të tij më të njohura janë letra të cilat rojet që e simpatizonin, e ndihmuan t’i nxirrte jashtë burgut, që më vonë u botuan si “Letters and Papers from Prison” [“Letra dhe Shkrime nga Burgu”].

Një prej atyre letrave ishte për mbesën e tij përpara martesës së saj. Ajo përfshiu këto ide domethënëse: “Martesa është më shumë sesa dashuria juaj për njëri-tjetrin. … Në dashurinë tuaj, ju shihni vetëm dy qeniet tuaja në botë, por në martesë ju jeni një hallkë në zinxhirin e brezave, të cilën Perëndia e shkakton të vijë e të largohet sipas lavdisë së tij dhe e thërret në mbretërinë e tij. Në dashurinë tuaj, ju shihni vetëm qiellin e vetë lumturisë suaj, por në martesë ju vendoseni në një pozitë përgjegjësie kundrejt botës dhe njerëzimit. Dashuria juaj është vetë zotërimi juaj privat, por martesa është më shumë sesa diçka vetjake – ajo është një gjendje, një detyrë. Ashtu sikurse është kurora, dhe jo thjesht vullneti për të sunduar, që e bën mbretin, po ashtu është martesa, dhe jo thjesht dashuria juaj për njëri-tjetrin, që ju bashkon së bashku në sytë e Perëndisë dhe të njeriut. … Prandaj dashuria vjen nga ju, por martesa nga lart, nga Perëndia.”2

Në çfarë mënyre martesa midis një burri dhe një gruaje e tejkalon dashurinë e tyre për njëri-tjetrin dhe vetë lumturinë e tyre që të bëhet “një pozitë përgjegjësie kundrejt botës dhe njerëzimit”? Në çfarë kuptimi vjen ajo “nga lart, nga Perëndia”? Që ta kuptojmë, ne duhet të kthehemi te fillimi.

Profetët kanë zbuluar se fillimisht ne ekzistuam si inteligjenca dhe që na u dha formë, ose na u dhanë trupa shpirtërorë, nga Perëndia, duke u bërë kështu fëmijët e Tij shpirtërorë – bijtë dhe bijat e prindërve qiellorë.3 Erdhi një kohë në këtë ekzistencë paratokësore të shpirtrave kur, në çuarjen më tej të dëshirës së Tij që ne të “mund të kish[im] privilegjin që të përparon[im] si ai vetë”4, Ati ynë Qiellor përgatiti një plan që ta mundësonte këtë gjë. Në shkrimet e shenjta atij i jepen emra të ndryshëm, duke përfshirë “plani i shpëtimit”5, “plani [i] madh [i] lumturisë”6 dhe “plan[i i] shëlbimi[t]”7. Dy qëllimet kryesore të planit iu shpjeguan Abrahamit në këto fjalë:

“Dhe atje qëndroi një mes tyre, që ishte sikurse Perëndia, dhe ai u tha atyre që ishin me të: Ne do të zbresim, sepse ka hapësirë atje, dhe do të marrim prej këtyre materialeve [dhe] ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta [shpirtra] të mund të banojnë;

Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë;

Dhe ata që e ruajnë gjendjen e parë, atyre do t’u shtohet; … dhe ata që e ruajnë gjendjen e tyre të dytë, do të kenë lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë.”8

Falë Atit tonë Qiellor, ne ishim bërë tashmë qenie shpirtërore. Tani Ai po na ofronte një shteg që ta plotësonim ose përsosnim atë qenie. Shtimi i elementit fizik është thelbësor ndaj plotësisë së qenies dhe lavdisë që gëzon Perëndia Vetë. Nëse, ndërkohë që ishim me Perëndinë në botën shpirtërore paratokësore, ne do të binim dakord të merrnim pjesë në planin e Tij – ose me fjalë të tjera të “rua[nim] gjendjen [tonë të] parë” – neve do të “na shtohe[j]” me një trup fizik kur të vinim të banonim në tokën që Ai e krijoi për ne.

Nëse, atëherë, në udhën e ekzistencës sonë tokësore, ne zgjidhnim të “bë[nim] të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do [të na] urdhëro[nte]”, ne do ta kishim ruajtur “gjendjen [tonë] të dytë”. Kjo do të thotë që, nëpërmjet zgjedhjeve tona, ne do t’i tregonim Perëndisë (dhe vetes sonë) zotimin dhe aftësinë tonë për ta jetuar ligjin e Tij çelestial, ndërkohë që ishim jashtë pranisë së Tij dhe në një trup fizik me të gjitha fuqitë, orekset dhe pasionet e tij. A mund ta frenonim mishin me qëllim që të bëhej një mjet, në vend që të bëhej zotëruesi i shpirtit? A mund të na mirëbesoheshin, si në kohë ashtu edhe në përjetësi, fuqitë e perëndishme, përfshirë fuqinë e krijimit të jetës? A do ta mposhtnim ne si individë ligësinë? Ata që e bënin, do të “k[ishin] lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë” – një aspekt shumë i rëndësishëm i asaj lavdie do të ishte një trup fizik i ringjallur, i pavdekshëm dhe i përlëvduar.9 S’është çudi që ne “lësh[uam] britma gëzimi” për këto mundësi dhe premtime të mrekullueshme.10

Nevojiten të paktën katër gjëra për suksesin e këtij plani hyjnor:

Së pari, ishte Krijimi i tokës si vendi ynë i banimit. Cilatdo qofshin hollësitë e procesit të krijimit, ne e dimë se nuk ishte i rastësishëm, por që u drejtua nga Perëndia, Ati, dhe u vu në zbatim nga Jezu Krishti – “të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë”11.

Së dyti, është gjendja e vdekshmërisë. Adami dhe Eva vepruan për të gjithë ata që kishin zgjedhur të merrnin pjesë në planin e madhërishëm të Atit për lumturinë.12 Rënia e tyre krijoi kushtet e nevojshme për lindjen tonë fizike dhe për një përvojë dhe të mësuar në vdekshmëri jashtë pranisë së Perëndisë. Me Rënien erdhi një ndërgjegjësim për të mirën e të ligën dhe fuqia e dhënë nga Perëndia për të zgjedhur.13 Më së fundi, Rënia solli në dritë vdekjen fizike që nevojitej për ta bërë kohën tonë në vdekshmëri të përkohshme, me qëllim që ne të mos jetonim përgjithmonë në mëkatet tona.14

Së treti, është shëlbimi nga Rënia. Ne e kuptojmë rolin e vdekjes në planin e Atit tonë Qiellor, por ai plan do të anulohej pa njëfarë mënyre për ta mposhtur vdekjen deri në fund, si fizike ashtu edhe shpirtërore. Kështu, një Shëlbues, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Jezu Krishti, vuajti dhe vdiq që të shlyente për shkeljen e Adamit dhe të Evës, duke siguruar në këtë mënyrë ringjallje dhe pavdekësi për të gjithë. Dhe përderisa askush prej nesh nuk do të ketë qenë përsosurisht dhe vazhdimisht i bindur ndaj ligjit të ungjillit, Shlyerja e Tij gjithashtu na shëlbon ne nga vetë mëkatet tona me kushtin e pendimit. Me hirin shlyes të Shpëtimtarit, që siguron falje për mëkatet dhe shenjtërim të shpirtit, ne mund të lindemi përsëri shpirtërisht dhe të pajtohemi me Perëndinë. Vdekja jonë shpirtërore – veçimi ynë nga Perëndia – do të marrë fund.15

Së katërti, dhe së fundi, është vendosja për lindjen tonë fizike dhe rilindjen e mëpasshme shpirtërore në mbretërinë e Perëndisë. Që vepra e Tij të ketë sukses për të na “ekzaltuar [me të]”16, Perëndia shuguroi që burrat e gratë duhej të martoheshin dhe të lindnin fëmijë, duke krijuar në këtë mënyrë, në bashkëpunim me Perëndinë, trupat fizikë që janë kyç për provën e vdekshmërisë dhe që janë thelbësorë për lavdinë e përjetshme me Të. Ai gjithashtu shuguroi që prindërit duhej të krijonin familje dhe t’i rritnin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë,17 duke i udhëhequr ata drejt një shprese në Krishtin. Ati na urdhëron:

“Mëso[juani] këto gjëra lirisht fëmijëve [tuaj], duke thënë:

Se … për aq sa ju u lindët në botë me anë të ujit dhe gjakut, dhe shpirtit, që unë e kam bërë, dhe kështu u bëtë nga pluhuri një shpirt i gjallë, po kështu ju do të lindeni përsëri në mbretërinë e qiellit, prej ujit dhe prej Shpirtit [të Shenjtë], dhe të pastroheni me anë të gjakut, madje gjakut të të Vetëmlindurit tim; që ju të mund të shenjtëroheni nga gjithë mëkati dhe të gëzoni fjalët e jetës së përjetshme në këtë botë dhe jetën e përjetshme në botën që vjen, madje lavdi të pavdekshme.”18

Duke e ditur përse u larguam nga prania e Atit tonë Qiellor dhe çfarë kërkohet të kthehemi dhe të ekzaltohemi me Të, bëhet shumë e qartë se asgjë që lidhet me kohën tonë në tokë nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa lindja fizike dhe rilindja shpirtërore, dy kushte paraprake për jetë të përjetshme. Kjo është, duke përdorur fjalët e Ditrih Bonhëferit, “detyr[a]” e martesës, “pozit[a e] përgjegjësi[së] kundrejt … njerëzimit”, që e përmbush ky institucion hyjnor “nga lart, nga Perëndia”. Është “hallk[a] në zinxhirin e brezave”, si këtu dhe pas kësaj jete – rendi i qiellit.

Një familje, e ngritur mbi martesën e një burri dhe të një gruaje, siguron vendosjen më të mirë që plani i Perëndisë të jetë plot gjallëri – vendosjen për lindjen e fëmijëve që vijnë nga Perëndia në pastërti e pafajësi dhe mjedisin për të mësuarin dhe përgatitjen që do t’iu nevojitet për një jetë të suksesshme në vdekshmëri dhe për jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Një numër minimal familjesh, të ndërtuara mbi bazën e martesave të tilla, është jetik që shoqëritë të mbijetojnë e lulëzojnë. Kjo është arsyeja përse komunitetet dhe kombet në përgjithësi e kanë nxitur e mbrojtur martesën dhe familjen si institucione të privilegjuara. Ajo nuk ka qenë asnjëherë thjesht rreth dashurisë dhe lumturisë së të rriturve.

Argumentimi i shkencës shoqërore në favor të martesës dhe familjeve që kryesohen nga një burrë e një grua të martuar, është bindës.19 Dhe kështu, “ne paralajmërojmë se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë”20. Por shpalljet tona për rolin e martesës dhe të familjes mbështeten jo mbi shkencën shoqërore, por mbi të vërtetën se ato janë krijimi i Perëndisë. Është Ai që në fillim krijoi Adamin dhe Evën sipas shëmbëlltyrës së Tij, mashkullin e femrën, dhe i bashkoi ata si bashkëshort e bashkëshorte për t’u bërë “një mish” dhe për t’u shumëzuar e për ta mbushur tokën.21 Çdo individ e mbart në vetvete shëmbëlltyrën hyjnore, por është në bashkimin martesor të mashkullit e femrës si një të vetëm, që ata ndoshta fitojnë kuptimin më të plotë të faktit që ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë – mashkull e femër. As ne, as ndonjë tjetër njeri i vdekshëm nuk mund ta ndryshojë këtë rend hyjnor të martesës. Ai nuk është një shpikje njerëzore. Një martesë e tillë është me të vërtetë “nga lart, nga Perëndia” dhe është po aq pjesë e planit të lumturisë, sa ç’është Rënia dhe Shlyerja.

Në botën paratokësore, Luciferi ngriti krye kundër Perëndisë e planit të Tij dhe kundërshtimi i tij veçse rritet në fuqishmëri. Ai lufton që ta shkurajojë martesën dhe formimin e familjeve dhe atje ku martesat e familjet formohen, ai bën gjithçka mundet për t’i prishur ato. Ai e sulmon gjithçka që është e shenjtë rreth seksualitetit njerëzor, duke e shkëputur atë prej kontekstit të martesës me një rreshtim në dukje të pafundmë të mendimeve dhe veprimeve të pamoralshme. Ai përpiqet t’i bindë burrat dhe gratë se përparësitë e martesës dhe të familjes mund të shpërfillen ose braktisen, apo të paktën të bëhen të varura ndaj karrierave, arritjeve të tjera dhe kërkesës për vetëpërmbushje dhe autonomi individuale. Sigurisht kundërshtari kënaqet kur prindërit e lënë pas dore mësimdhënien dhe ushtrimin e fëmijëve të tyre që të kenë besim te Krishti dhe të linden përsëri shpirtërisht. Vëllezër e motra, shumë gjëra janë të mira, shumë gjëra janë të rëndësishme, por vetëm disa gjëra janë thelbësore.

T’i shpallim të vërtetat themeltare që lidhen me martesën e familjen, nuk do të thotë që nuk i vlerësojmë ose i pakësojmë sakrificat dhe sukseset e atyre për të cilët gjendja ideale nuk është një realitet i tanishëm. Disave prej jush ju është mohuar bekimi i martesës për arsye që përfshijnë një mungesë të kandidatëve të suksesshëm, tërheqje fizike ndaj së njëjtës gjini, paaftësi fizike apo mendore ose thjesht një frikë ndaj dështimit që, të paktën për çastin, hedh hije mbi besimin. Ose ju mund të jeni martuar, por ajo martesë mbaroi dhe jeni lënë që t’ia dilni mbanë të vetëm asaj që dy veta së bashku mezi mund t’ia dalin. Disa prej jush që janë të martuar, nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht nga dëshirat mbisunduese dhe lutjet përgjëruese.

Edhe pse kështu, çdo njeri ka dhurata; çdo njeri ka talente; çdo njeri mund të japë ndihmesë në shpalosjen e planit hyjnor në secilin brez. Shumë prej asaj që është e mirë, shumë prej asaj që është thelbësore – madje nganjëherë gjithçka që është e nevojshme për tani – mund të arrihet edhe në rrethana më pak nga idealet. Kaq shumë prej jush po bëni gjithçka që mundeni. Dhe kur ju që mbani barrët më të rënda të vdekshmërisë, ngriheni në mbrojtje të planit të Perëndisë për ekzaltimin e fëmijëve të Tij, ne të gjithë jemi gati për të marshuar. Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij.

Një nënë e re në moshë kohët e fundit më tregoi në mirëbesim për ankthin e saj rreth të qenit e paaftë për ta plotësuar këtë thirrje nga më të mëdhatë e thirrjeve. Ndjeva se çështjet që e shqetësonin atë, ishin të vogla dhe nuk kishte nevojë të shqetësohej; ajo po e bënte gjithçka mirë. Por e dija se ajo vetëm donte ta kënaqte Perëndinë dhe ta nderonte mirëbesimin e Tij. I ofrova fjalë për ta siguruar përsëri dhe në zemrën time u luta që Perëndia, Ati i saj Qiellor, do ta mbështeste atë me dashurinë e Tij dhe me dëshmimin e miratimit të Tij, teksa ajo po e kryen punën e Tij.

Ajo është lutja ime për të gjithë ne sot. Gjetshim ne secili miratim në sytë e Tij. Lulëzofshin martesat e përparofshin familjet dhe, qoftë nëse fati ynë është një plotësi e këtyre bekimeve në vdekshmëri apo jo, sjelltë hiri i Zotit lumturi tani dhe besim në premtimet e sigurta që do të vijnë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Kevin Rudd, “Faith in Politics”, The Monthly, tetor 2006, themonthly.com.au/monthly-essays-kevin-rudd-faith-politics--300.

  2. Dietrich Bonhoeffer, Letters and Papers from Prison, bot. Eberhard Bethge (1953), f. 42–43.

  3. Shih, për shembull, Psalmeve 82:6; Veprat e Apostujve 17:29; Hebrenjve 12:9; Doktrina e Besëlidhje 93:29, 33; Moisiu 6:51; Abraham 3:22. Profeti Jozef Smith dha këtë hollësi: “Parimet e para të njeriut janë vetekzistuese me Perëndinë. Vetë Perëndia, duke konstatuar se ishte në mes të shpirtrave [ose inteligjencave] dhe të lavdisë, sepse ai ishte më inteligjent, e pa me vend të krijonte ligje sipas të cilave pjesa tjetër të mund të kishte privilegjin që të përparonte si ai vetë. … Ai ka fuqinë që të krijojë ligje për të udhëzuar inteligjencat më të dobëta, që ata të mund të ekzaltohen me atë vetë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 220).

  4. Mësimet: Jozef Smith, f. 220.

  5. Alma 24:14.

  6. Alma 42:8.

  7. Alma 12:25; shih edhe vargjet 26–33.

  8. Abraham 3:24–26.

  9. Profeti Jozef Smith ofroi këtë thënie përmbledhëse: “Projekti i Perëndisë përpara themelimit të botës ishte që ne duhet të merrnim tabernakuj [trupa], që nëpërmjet besnikërisë ne duhet të kapërcejmë dhe kështu të sigurojmë një ringjallje nga vdekja, duke siguruar në këtë mënyrë lavdi, nder, fuqi dhe sundim”. Profeti gjithashtu tha: “Ne erdhëm në këtë botë që të mund të kemi një trup dhe ta paraqesim atë të dëlirë përpara Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Parimi i madh i lumturisë qëndron në pasjen e një trupi. Djalli nuk ka trup, dhe ky është dënimi i tij. Ai kënaqet kur mund të sigurojë tabernakullin e njeriut dhe, kur u dëbua nga Shpëtimtari, ai kërkoi të shkonte në tufën e derrave, duke treguar se ai do të parapëlqente trupin e një derri se sa të mos kishte fare. Të gjitha qeniet që kanë trupa, kanë fuqi mbi ato që nuk kanë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 221–222).

  10. Jobit 38:7.

  11. Gjoni 1:3; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 76:23–24.

  12. Shih 1 Korintasve 15:21–22; 2 Nefi 2:25.

  13. Shih 2 Nefi 2:15–18; Alma 12:24; Doktrina e Besëlidhje 29:39; Moisiu 4:3. Jozef Smithi tha: “Të gjithë personat kanë të drejtën e lirisë së tyre të zgjedhjes, pasi kështu e ka shuguruar [atë] Perëndia. Ai i ka bërë njerëzit agjentë moralë dhe u ka dhënë fuqinë të zgjedhin të mirën ose të ligën; të kërkojnë atë që është e mirë, duke ndjekur shtegun e shenjtërisë në këtë jetë, që sjell paqe të mendjes dhe gëzim në Frymën e Shenjtë këtu, dhe një plotësi të gëzimit dhe lumturisë në anën e Tij të djathtë në jetën e përtejme; ose të ndjekin një drejtim të lig, duke vazhduar në mëkat dhe rebelim kundër Perëndisë, duke sjellë në këtë mënyrë dënim për shpirtrat e tyre në këtë jetë dhe një humbje të përjetshme në botën që do të vijë.” Profeti gjithashtu vuri në dukje: “Satani nuk mund të na joshë me anë të ndjelljeve të tij, veç nëse ne në zemrën tonë miratojmë dhe jepemi. Krijimi ynë është i tillë që ne mund t’i rezistojmë djallit; nëse nuk do të krijoheshim në këtë mënyrë, ne nuk do të ishim veprimtarë të lirë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 223–224.)

  14. Shih Zanafilla 3:22–24; Alma 42:2–6; Moisiu 4:28–31.

  15. Edhe ata që nuk pendohen, shëlbohen nga vdekja shpirtërore nëpërmjet Shlyerjes në kuptimin që ata vijnë përsëri në praninë e Perëndisë për Gjykimin Përfundimtar (shih Helamani 14:17; 3 Nefi 27:14–15).

  16. Mësimet: Jozef Smith, f. 220.

  17. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:36–40.

  18. Moisiu 6:58–59.

  19. Njerëzit mund të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit në marrëdhëniet jomartesore dhe fëmijët mund të linden e rriten nganjëherë në mënyrë mjaft të suksesshme, në mjedise të ndryshme nga një familje me dy prindër të martuar. Por si mesatare dhe në shumicën e rasteve, prova e përfitimeve shoqërore të martesës dhe të rezultateve krahasimisht më eprore për fëmijët në familje të drejtuara nga një burrë e një grua të martuar, është e zgjeruar. Nga ana tjetër, kostot shoqërore dhe ekonomike të asaj që një komentues e quan “largimi mbarëbotëror nga familja”, peshojnë gjithnjë e në rritje mbi shoqërinë. Nikolas Ebershtadi kategorizon rëniet mbarëbotërore të martesave dhe të lindjeve të fëmijëve dhe prirjet përsa u përket shtëpive pa etër e divorcit, dhe vëzhgon: “Ndikimi i dëmshëm mbi numrin aspak të parëndësishëm të fëmijëve të varfëruar nga largimi prej familjes është tashmë mjaft i qartë. Po ashtu është roli dëmtues i divorcit dhe i lindjes së fëmijëve jashtë martesës në përkeqësimin e pabarazive në të ardhura dhe të hendekut të pasurisë – për shoqërinë si e tërë, por veçanërisht për fëmijët. Po, fëmijët përshtaten shpejt dhe të tjera si kjo. Por largimi nga familja në mënyrën më të sigurt rëndon mbi kurrizin e të rinjve që janë të cenueshëm. I njëjti largim gjithashtu ka ndërlikime të pafalshme për të moshuarit që janë të cenueshëm.” (Shih “The Global Flight from the Family”, Wall Street Journal, 21 shkurt 2015; wsj.com/articles/nicholas-eberstadt-the-global-flight-from-the-family-1424476179.)

  20. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  21. Shih Zanafilla 1:26–28; 2:7, 18, 21–24; 3:20; Moisiu 2:26–28; 3:7–8, 18, 20–24; 4:26.