Dhiata e Re 2023
23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: “Përgatitni Udhën e Zotit”


“23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: ‘Përgatitni Udhën e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Gjon Pagëzori duke pagëzuar Jezusin

Dritare me artin e vitrazhit në Tempullin e Navusë në Ilinois, nga Tom Holdman

23–29 Janar

Mateu 3; Marku 1; Lluka 3

“Përgatitni Udhën e Zotit”

Filloni duke lexuar kapitujt te Mateu 3; Marku 1; dhe Lluka 3. Ndërsa luteni për Frymën e Shenjtë që t’ju ndihmojë t’i kuptoni këta kapituj, Ai do t’ju japë ide që janë posaçërisht për ju. Mbajini shënim këto mbresa dhe planifikoni të veproni në përputhje me to.

Shënojini Mbresat Tuaja

Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij mund t’ju ndryshojnë. Lluka citoi një profeci të lashtë të Isaias që përshkruante ndikimin që do të kishte ardhja e Shpëtimtarit: “Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen” (Lluka 3:5; shih edhe Isaia 40:4). Ky është një mesazh për të gjithë ne, përfshirë ata të cilët mendojnë se nuk mund të ndryshojnë. Nëse një gjë kaq e qëndrueshme sa mali mund të sheshohet, atëherë me siguri Zoti mund të na ndihmojë që t’i drejtojmë shtigjet tona vetjake dredha-dredha (shih Lluka 3:4–5). Kur e pranojmë ftesën e Gjon Pagëzorit për t’u penduar e për të ndryshuar, ne e përgatitim mendjen dhe zemrën tonë që ta pranojmë Jezu Krishtin në mënyrë që edhe ne të mund ta “shoh[im] shpëtimin e Perëndisë” (Lluka 3:6).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Kush ishte Marku?

Ndër autorët e Ungjijve, për Markun dimë më pak nga të gjithë. Ne dimë se ai ishte shok misionar i Palit, Pjetrit dhe disa misionarëve të tjerë. Shumë studiues të Biblës besojnë se Pjetri e porositi Markun që të mbante anale të ngjarjeve në jetën e Shpëtimtarit. Ungjilli sipas Markut ka të ngjarë të jetë shkruar përpara tre të tjerëve.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mark”.

Mateu 3:1–12; Marku 1:1–8; Lluka 3:2–18

Pendimi është një ndryshim i madh i mendjes dhe i zemrës.

Misioni i Gjon Pagëzorit ishte që t’i përgatiste zemrat e njerëzve për ta pranuar Shpëtimtarin dhe për t’u bërë më shumë si Ai. Si e bëri ai atë? Ai shpalli: “Pendohuni” (Mateu 3:2). Dhe ai përdori shëmbëlltyra të tilla si fryti dhe gruri për të dhënë mësim për pendimin (shih Lluka 3:9, 17).

Çfarë shëmbëlltyrash të tjera gjeni në rrëfimet e shërbesës së Gjon Pagëzorit? (Shih Mateu 3:1–12; Marku 1:1–8; Lluka 3:2–18.) Merrni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose të vizatoni figura të tyre. Çfarë na mësojnë këto shëmbëlltyra për doktrinën e pendimit dhe nevojën për pendim?

Pendimi i vërtetë është “një ndryshim i mendjes dhe zemrës që sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, vetes dhe jetës në përgjithësi. … [Ai nënkupton] një … kth[im të] zemrë[s] dhe vullneti[t] … te Perëndia” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”). Te Lluka 3:7–14, çfarë ndryshimesh i ftoi Gjoni njerëzit të bënin, që të përgatiteshin për ta pranuar Krishtin? Si mund të gjejë zbatim kjo këshillë për ju? Si mund ta tregoni se jeni penduar me të vërtetë? (Shih Lluka 3:8.)

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67–69; Dallin H. Ouks, “Të Pastruar nëpërmjet Pendimit”, Liahona, maj 2019, f. 91–94.

Mateu 3:7; Lluka 3:7

Kush ishin farisenjtë dhe saducenjtë?

Farisenjtë ishin anëtarë të një grupi fetar judeas të cilët e mburrnin veten për bindje rigoroze ndaj ligjit të Moisiut dhe ritualeve të tij. Saducenjtë ishin një klasë judease me besim dhe ndikim politik të madh; ata nuk besonin te doktrina e ringjalljes. Të dyja grupet ishin larguar nga qëllimi fillestar i ligjeve të Perëndisë.

Shih edhe Mateu 23:23–28; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Farisenj”, “Saducenj”.

Mateu 3:11, 13–17; Marku 1:9–11; Lluka 3:15–16, 21–22

Jezu Krishti u pagëzua për të “plotësuar të gjithë drejtësinë”.

Kur u pagëzuat, ju ndoqët shembullin e Shpëtimtarit. Krahasojeni atë çfarë mësoni nga rrëfimet e pagëzimit të Shpëtimtarit, me atë çfarë ndodhi gjatë pagëzimit tuaj.

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Pagëzimi Im

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Kush e pagëzoi Jezusin dhe çfarë autoriteti mbante ai?

Pagëzimi Im

Kush ju pagëzoi ju dhe çfarë autoriteti mbante ai?

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Ku u pagëzua Jezusi?

Pagëzimi Im

Ku u pagëzuat ju?

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Si u pagëzua Jezusi?

Pagëzimi Im

Si u pagëzuat ju?

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Përse u pagëzua Jezusi?

Pagëzimi Im

Përse u pagëzuat ju?

Pagëzimi i Shpëtimtarit

Si e tregoi Ati Qiellor se ishte i kënaqur me Jezusin?

Pagëzimi Im

Si e tregoi Ati Qiellor se ishte i kënaqur kur u pagëzuat ju? Si e ka treguar Ai miratimin e Tij që prej asaj kohe?

Shih edhe 2 Nefi 31; Mosia 18:8–11; Doktrina e Besëlidhje 20:37, 68–74; “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Mateu 3:16–17; Marku 1:9–11; Lluka 3:21–22

Anëtarët e Kreut-Perëndi janë tri qenie të ndara.

Bibla përmban prova të shumta që anëtarët e Kreut-Perëndi janë tri qenie të ndara. Rrëfimet e pagëzimit të Shpëtimtarit janë një shembull. Ndërsa i lexoni këto rrëfime, përsiatni se çfarë mësoni rreth kreut-perëndi. Përse janë të rëndësishme këto doktrina për ju?

Shih edhe Zanafilla 1:26; Mateu 17:1–5; Gjoni 17:1–3; Veprat e Apostujve 7:55–56; Doktrina e Besëlidhje 130:22.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 3.Gjon Pagëzori mbante Priftërinë Aarone. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Gjonit rreth qëllimeve të Priftërisë Aarone? Çfarë bekimesh marrim për shkak të Priftërisë Aarone? Nëse keni një të ri në familjen tuaj, ju mund të gjeni kohë për ta ndihmuar që të kuptojë se si mund ta përdorë Priftërinë Aarone për të bekuar të tjerët. (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 13:1; 20:46–60.)

Pamja
i ri duke pagëzuar një tjetër

Kur pagëzohemi, mëkatet tona pastrohen.

Mateu 3:11–17; Marku 1:9–11; Lluka 3:21–22.A kanë parë pjesëtarët e familjes suaj dikë të pagëzohet ose konfirmohet si anëtar/e i/e Kishës? Çfarë ndien pjesëtarët e familjes? Ndoshta ju mund t’u mësoni atyre rreth simbolikës së pagëzimit dhe konfirmimit. Në ç’mënyrë është pagëzimi dhe konfirmimi si një lindje e re? Përse zhytemi plotësisht në ujë kur pagëzohemi? Përse vishemi me të bardha kur pagëzohemi? Përse dhurata e Frymës së Shenjtë është përshkruar si “pagëzimi prej zjarrit”? (Doktrina e Besëlidhje 20:41; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pagëzim, Pagëzoj”, “Frymë e Shenjtë”.)

Mateu 3:17; Marku 1:11; Lluka 3:22.Kur e kemi ndier që Perëndia ka qenë i kënaqur me ne? Çfarë mund të bëjmë ne si familje për ta kënaqur Perëndinë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Pagëzimi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 54–55.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojini ndihmë Zotit. Shkrimet e shenjta u dhanë me anë të zbulesës dhe që t’i kuptojmë me të vërtetë ato, ne kemi nevojë për zbulesë personale. Zoti ka premtuar: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7).

Pamja
Gjoni duke pagëzuar Jezusin

John the Baptist Baptizing Jesus [Gjon Pagëzori Duke Pagëzuar Jezusin], nga Greg K. Olsen