Dhiata e Re 2023
26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarin Tonë Vetjak


“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
familje duke parë një album fotografish

26 Dhjetor – 1 Janar

Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarin Tonë Vetjak

Qëllimi i shkrimeve të shenjta është që t’ju ndihmojë të vini te Krishti dhe të ktheheni më thellësisht në besim tek ungjilli i Tij. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë t’i kuptoni shkrimet e shenjta dhe të gjeni në to forcën shpirtërore për të cilën ju dhe familja juaj keni nevojë. Më pas, në orët tuaja mësimore në Kishë, ju do të keni mundësi të jepni ide dhe t’i nxitni miqtë tuaj shenjtorë në përpjekjet e tyre për ta ndjekur Krishtin.

Shënojini Mbresat Tuaja

“Ç’kërkoni?” – i pyeti Jezusi dishepujt e Gjon Pagëzorit (Gjoni 1:38). Ju mund t’i bëni vetes të njëjtën pyetje, pasi ajo çfarë do të zbuloni te Dhiata e Re këtë vit do të varet së tepërmi nga ajo që kërkoni. “Kërkoni dhe do të gjeni”, është premtimi i Shpëtimtarit (Mateu 7:7). Kështu që, bëjini pyetjet që ju vijnë në mendje ndërsa studioni dhe, më pas, kërkojini me zell përgjigjet. Në Dhiatën e Re ju do të lexoni rreth përvojave të fuqishme shpirtërore të dishepujve të Jezu Krishtit. Si dishepull besnik i Shpëtimtarit, ju mund të keni përvojat tuaja vetjake të fuqishme shpirtërore kur e pranoni ftesën e Shpëtimtarit, e cila gjendet kudo nëpër këtë vëllim të shenjtë: “Eja e më ndiq” (Lluka 18:22).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Në mënyrë që të mësoj me të vërtetë prej Shpëtimtarit, unë duhet ta pranoj ftesën e Tij: “Eja e më ndiq”.

Ftesa e Shpëtimtarit: “Eja e më ndiq”, gjen zbatim për të gjithë, qoftë nëse jemi të rinj në shtegun e dishepullimit, qoftë nëse e kemi ndjekur atë shteg gjithë jetën tonë. Kjo ishte ftesa e Tij ndaj një të riu pasanik, i cili po përpiqej fort që t’i zbatonte urdhërimet (shih Mateu 19:16–22; Lluka 18:18–23). Ajo që mësoi i riu dhe ajo që të gjithë ne duhet të mësojmë, është se të qenit dishepull do të thotë t’ia japim tërë shpirtin tonë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ne përparojmë në dishepullimin tonë kur e dallojmë atë që na mungon, bëjmë ndryshime dhe përpiqemi t’i ndjekim Ata më plotësisht.

Të mësuarit prej Shpëtimtarit fillon kur përpiqemi fort ta kuptojmë atë që dha mësim Ai. Për shembull, si thellohet të kuptuarit tuaj për përulësinë kur studioni sa vijon?

Nëse dëshironi të mësoni më shumë, provojeni këtë veprimtari me një parim tjetër të ungjillit, të tillë si dashuria ose falja.

Unë jam përgjegjës për vetë të mësuarin tim.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Ne nuk duhet të presim që Kisha si organizatë të na mësojë ose të na thotë gjithçka që kemi nevojë të dimë e të bëjmë për t’u bërë dishepuj të përkushtuar dhe për të duruar trimërisht deri në fund. Përkundrazi, përgjegjësia jonë vetjake është të mësojmë atë që duhet të mësojmë, të jetojmë ashtu sikurse e dimë se duhet të jetojmë dhe të bëhemi ata që Mësuesi do të donte të bëheshim. Dhe shtëpitë tona janë mjedisi kryesor për të mësuarit, të jetuarit dhe të bërit” (“Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme”, Liahona, maj 2019, f. 102).

Çfarë do të thotë të merrni përsipër përgjegjësinë e vetë të mësuarit tuaj? Kërkojini përgjigjet e mundshme te thënia e Plakut Bednar dhe te shkrimet e shenjta në vijim: Gjoni 7:17; 1 Thesalonikasve 5:21; Jakob [Bibël] 1:5–6, 22; 2:17; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 4:15; Alma 32:27; dhe Doktrina e Besëlidhje 18:18; 58:26–28; 88:118. Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni, që të jeni më aktiv në të mësuarin e ungjillit?

Unë kam nevojë ta di të vërtetën për vete.

Ju, mbase, njihni njerëz të cilët duket se kurrë nuk e humbasin besimin e tyre, pavarësisht nga çfarë ndodh në jetën e tyre. Ata mund t’ju sjellin në mend pesë virgjëreshat e mençura në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit (shih Mateu 25:1–13). Ajo çfarë mund të mos shihni, janë përpjekjet e tyre të zellshme për ta forcuar dëshminë e tyre për të vërtetën.

Si i fitojmë dhe i ushqejmë vetë dëshmitë tona? Shkruajini mendimet tuaja teksa i përsiatni shkrimet e shenjta në vijim: Lluka 11:9–13; Gjoni 5:39; 7:14–17; Veprat e Apostujve 17:10–12; 1 Korintasve 2:9–11 dhe Alma 5:45–46. (Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Testimony” [“Dëshmia”], topics.ChurchofJesusChrist.org.)

Pamja
e re pranë një shtegu

Secili prej nesh duhet të fitojë një dëshmi për vete.

Çfarë duhet të bëj kur kam pyetje?

Kur kërkoni njohuri shpirtërore, do t’ju lindin në mendje pyetje. Parimet në vijim mund t’ju ndihmojnë t’i trajtoni pyetjet në mënyra që e ngrenë besimin dhe dëshminë:

  • Kërkoni kuptueshmëri nga Perëndia. Perëndia është burimi i gjithë së vërtetës dhe Ai e zbulon të vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë, shkrimeve të shenjta dhe profetëve e apostujve të Tij.

  • Veproni me besim. Nëse përgjigjet nuk vijnë menjëherë, kini mirëbesimin se Zoti do t’i zbulojë përgjigjet kur të jetë koha e duhur. Ndërkohë, vazhdoni të jetoni sipas të vërtetës që e dini tashmë.

  • Mbani një këndvështrim të përjetshëm. Përpiquni t’i shihni gjërat ashtu siç i sheh Zoti, jo siç i sheh bota. Këqyrini pyetjet tuaja në kontekstin e planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 13:1–23.Për ta ndihmuar familjen tuaj të përgatitet për të mësuar nga Dhiata e Re këtë vit, ju mund të lexoni shëmbëlltyrën e mbjellësit. Familja juaj mund të kënaqet duke dalë jashtë dhe duke kërkuar llojet e ndryshme të tokës të përshkruara në shëmbëlltyrë. Si mund ta bëjmë zemrën tonë si “tokë[n e] mirë” që përshkroi Jezusi? (Mateu 13:8.)

Galatasve 5:22–23; Filipianëve 4:8.Presidenti Rasëll M. Nelson ju ka ftuar “ta shndërro[ni] shtëpinë [tuaj] në një shenjtërore besimi” dhe “ta shndërr[oni] shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit”. Atyre që i bëjnë këto gjëra, ai u premtoi: “Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit dhe ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet. Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113).

Fillimi i vitit të ri është një kohë e mirë për të mbajtur një këshill familjar rreth bërjes së shtëpisë suaj “një shenjtërore besimi” dhe “një qendër të të mësuarit të ungjillit”. Çfarë idesh ju vijnë në mendje rreth mënyrës se si ta bëni këtë kur lexoni vargjet te Galatasve 5:22–23 dhe Filipianëve 4:8? Ndoshta familja juaj mund të vendosë synime vetjake dhe familjare për ta studiuar Dhiatën e Re këtë vit që po afron. Çfarë mund të bëjmë për t’ia kujtuar vetes synimet tona?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Mësom’ të Eci në Drit’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 70.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojeni doktrinën. Një doktrinë është një e vërtetë e përjetshme, e pandryshueshme. Presidenti Bojd K. Paker shpalli se “doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimet dhe sjelljen” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17). Ndërsa ju dhe familja juaj i studioni shkrimet e shenjta, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë për të jetuar më shumë si Shpëtimtari.

Pamja
Jezu Krishti

Light of the World [Drita e Botës], nga Brent Borup