Dhiata e Re 2023
16–22 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian


“16–22 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“16–22 Janar. Gjoni 1”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
grua duke folur për ungjillin në një stacion treni

16–22 Janar

Gjoni 1

Ne e Kemi Gjetur Mesian

Ndërsa e lexoni dhe e përsiatni kapitullin te Gjoni 1, shënojini mbresat që merrni. Cilat mesazhe pikasni që do të kenë më shumë vlerë për ju dhe familjen tuaj? Çfarë mund të tregoni në orët tuaja mësimore në Kishë?

Shënojini Mbresat Tuaja

A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse do ta kishit pranuar Jezusin e Nazaretit si Birin e Perëndisë po të kishit qenë gjallë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri? Izraelitët besnikë, përfshirë Andrean, Pjetrin, Filipin dhe Natanaelin e kishin pritur dhe ishin lutur me vite për ardhjen e Mesias së premtuar. Kur e takuan Atë, si e morën ata njohurinë se Ai ishte personi që ata kishin kërkuar? Në po të njëjtën mënyrë ne të gjithë arrijmë ta njohim Shpëtimtarin – duke e pranuar ftesën që të “[vijmë] e shiko[jmë]” për vete (Gjoni 1:39). Ne lexojmë rreth Tij në shkrimet e shenjta. Ne e dëgjojmë doktrinën e Tij. Ne e vërejmë mënyrën e Tij të të jetuarit. Ne e ndiejmë Shpirtin e Tij. Në udhë e sipër, ne zbulojmë, ashtu si Natanaeli, se Shpëtimtari na njeh e na do dhe dëshiron që të na përgatitë për të marrë “gjëra më të mëdha” (Gjoni 1:50).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Kush ishte Gjoni?

Gjoni ishte dishepull i Gjon Pagëzorit dhe më vonë u bë njëri prej pasuesve të parë të Jezu Krishtit dhe njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve të Tij. Ai shkroi Ungjillin sipas Gjonit, disa letra dhe librin e Zbulesës. Në Ungjillin e tij, ai iu referua vetes si dishepulli “të cilin Jezusi e donte” dhe “dishepulli tjetër” (Gjoni 13:23; 20:3). Zelli i Gjonit për predikimin e ungjillit ishte aq i fortë sa ai kërkoi që të qëndronte në tokë deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, në mënyrë që të mund të sillte shpirtra te Krishti (shih Doktrina e Besëlidhje 7:1–6).

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon, Bir i Zebedeut”.

Gjoni 1:1–5

Jezu Krishti ishte “në fillim me Perëndinë”.

Gjoni e filloi Ungjillin e tij duke përshkruar punën që bëri Krishti përpara se të lindte: “Në fillim … Fjala [Jezu Krishti] ishte pranë Perëndisë”. Çfarë mësoni nga vargjet 1–5 rreth Shpëtimtarit dhe punës së Tij? Ju mund të gjeni sqarime të dobishme te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–5 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Ndërsa filloni studimin tuaj për jetën e Shpëtimtarit, përse është e rëndësishme të dini rreth punës së Tij para lindjes?

Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Jesus Christ Chosen as Savior” [“Jezu Krishti u Zgjodh si Shpëtimtar”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Gjoni 1:1–18

Jezu Krishti është “drita e vërtetë”, Biri i Perëndisë.

Gjoni u frymëzua ta kërkonte Shpëtimtarin për shkak të dëshmisë së Gjon Pagëzorit, i cili shpalli se ai “u dërgua për të dëshmuar për … drit[ën] e vërtetë” (Gjoni 1:8–9). Gjoni vetë gjithashtu dha dëshmi të fuqishme për jetën dhe misionin e Shpëtimtarit.

Mund të jetë interesante të bëni një listë me të vërteta që Gjoni i përfshiu në dëshminë e tij hyrëse për Krishtin (vargjet 1–18; shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Si mendoni, përse e filloi Gjoni Ungjillin e tij me këto të vërteta? Merrni parasysh ta shkruani dëshminë tuaj për Jezu Krishtin – çfarë do të donit të shprehnit? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të arrini ta njihni dhe ndiqni Shpëtimtarin? Kush mund të bekohet nga dëgjimi i dëshmisë suaj?

Gjoni 1:11–13

Jezu Krishti na jep “pushtet të bëhe[mi]” bij dhe bija të Perëndisë.

Ndonëse ne jemi të gjithë bija dhe bij shpirtërorë të Perëndisë, Atit, kur mëkatojmë, ne largohemi ose veçohemi nga Ai. Jezu Krishti na ofron një rrugë kthimi nëpërmjet flijimit të Tij shlyes. Përsiatni se çfarë na mësojnë vargjet te Gjoni 1:11–13 rreth të bërit bija dhe bij të Perëndisë. Merrni parasysh gjithashtu se çfarë na mësojnë këto shkrime të shenjta rreth asaj se si e marrim ne këtë dhuratë: Romakëve 8:14–18; Mosia 5:7–9; Doktrina e Besëlidhje 25:1. Çfarë do të thotë për ju të keni “pushtet të bëhen[i]” një bijë ose bir i Perëndisë?

Gjoni 1:18

Ati jep dëshmi për Birin e Tij.

Vargu te Gjoni 1:18 thotë se askush nuk e ka parë Perëndinë. Megjithatë, Përkthimi prej Joseph Smith-it për këtë varg sqaron se “askush s’e ka parë Perëndinë ndonjëherë, veçse nëse ai ka dhënë dëshmi për Birin” (shih Gjoni 1:19). Merrni parasysh të shqyrtoni rastet e mëposhtme në të cilat Perëndia Ati u dëgjua të jepte dëshmi për Birin: Mateu 3:17; 17:5; 3 Nefi 11:6–7; Joseph Smith – Historia 1:17.

Përse është bekim që i kemi këto rrëfime? Çfarë ju mësojnë ato rreth marrëdhënies së Jezu Krishtit me Atin e Tij?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Pamja
vajzë duke lexuar shkrimet e shenjta

Ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, ne do të marrim vërtet frymëzim për jetën tonë.

Gjoni 1:4–10.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj ta parafytyrojë atë që ata lexojnë rreth dritës në këto vargje? Ju mund t’i lejoni pjesëtarët e familjes që me radhë të ndezin një dritë në një dhomë të errët dhe të tregojnë se si Shpëtimtari është Drita e jetës së tyre. Më pas, kur të lexoni vargjet te Gjoni 1:4–10, pjesëtarët e familjes mund të kenë ide të mëtejshme mbi dëshminë e Gjonit për Jezu Krishtin, Dritën e Botës.

Gjoni 1:35–36.Përse Gjoni Pagëzori mund ta ketë quajtur Jezusin “Qengji i Perëndisë”? Çfarë mësojmë për këtë titull nga mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Ja, Qengji i Perëndisë” ose mesazhi i Plakut Gerit W. Gong “Bariu i Mirë, Qengji i Perëndisë”? (Liahona, maj 2019, f. 44–46, 97–101).

Gjoni 1:35–46.Cilat ishin rrjedhojat e dëshmisë së Gjonit? Çfarë mund të mësojë familja juaj nga njerëzit që përshkruhen në këto vargje rreth mënyrës se si ta përhapin ungjillin? Shihni edhe materialin filmik “Inviting Others to ‘Come and See’” [“T’i Ftojmë të Tjerët të ‘Vijnë dhe ‘Shohin’”] (ChurchofJesusChrist.org).

Gjoni 1:45–51.Çfarë bëri Natanaeli që e ndihmoi atë të merrte një dëshmi për Shpëtimtarin? Ftojini pjesëtarët e familjes të flasin rreth mënyrës se si i kanë marrë dëshmitë e tyre.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Zoti më Ësht’ Drit’”, Himne, nr. 45.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësime me sende. Ftojini pjesëtarët e familjes të gjejnë sende që mund t’i përdorin për t’u ardhur atyre në ndihmë, që t’i kuptojnë parimet që gjenden në shkrimet e shenjta, të cilat po i lexoni si familje. Për shembull, ata mund të përdorin një qiri për të paraqitur Dritën e Krishtit (shih Gjoni 1:4).

Pamja
Jezu Krishti duke krijuar tokën

Jehovah Creates the Earth [Jehova Krijon Tokën], nga Walter Rane