Dhiata e Re 2023
26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarit Tonë Vetjak


“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarit Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarit Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
familje duke parë një album fotografish

26 Dhjetor – 1 Janar

Ne Jemi Përgjegjës për të Mësuarit Tonë Vetjak

Teksa i lexoni shkrimet e shenjta në këtë përvijim të mësimit, mbajeni shënim çfarëdo mbrese shpirtërore që merrni. Ju do të vini re se çdo përvijim i mësimit në këtë manual ka veprimtari për fëmijë më të vegjël dhe për fëmijë më të mëdhenj, por ju mund ta përshtatni cilëndo veprimtari për klasën tuaj.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Në fillim të çdo ore mësimore, jepuni mundësi fëmijëve që të tregojnë atë që po mësojnë për ungjillin. Për shembull, këtë javë ju mund t’i ftoni që të tregojnë historitë e tyre të parapëlqyera rreth Jezu Krishtit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Jezu Krishti dëshiron që unë ta ndjek Atë.

Ju dhe fëmijët do të lexoni shumë histori nga jeta e Jezu Krishtit këtë vit. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se arsyeja përse po i mësojmë këto histori është që ne të mund ta ndjekim më mirë shembullin e përsosur të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve rreth ftesës së Shpëtimtarit, “Ndiqmëni”, që gjendet te Mateu 4:18–22. Bëni një veprimtari në të cilën një fëmijë bën një veprim dhe më pas u thotë fëmijëve të tjerë: “Ndiqmëni”. Ftojini fëmijët e tjerë ta përsëritin veprimin.

  • Tregoni figura me njerëz që janë duke e ndjekur Shpëtimtarin në mënyra të ndryshme, si gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri ashtu edhe në kohën tonë. Ju mund të gjeni figura te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose te revistat e Kishës. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Light the World” [“Ndriçoje Botën”] (ChurchofJesusChrist.org). Lërini fëmijët të përcaktojnë se si njerëzit po e ndjekin Shpëtimtarin.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë rreth gjërave që po bëjnë për ta ndjekur Shpëtimtarin. Të kënduarit e këngës “Herët Zotin do Kërkoj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67) mund t’u japë atyre disa ide. Lejojini të vizatojnë figura të vetvetes duke i bërë këto gjëra.

Pamja
djalë duke lexuar shkrimet e shenjta

Fëmijët mund të marrin dëshmitë e tyre vetjake për të vërtetat e shkrimit të shenjtë.

Shkrimet e shenjta janë të vërteta.

Fëmijët mund të marrin një dëshmi se shkrimet e shenjta janë të vërteta madje përpara se të jenë në gjendje që t’i lexojnë ato. Teksa i studioni shkrimet e shenjta me fëmijët këtë vit, ju mund t’i ndihmoni ata që ta dinë për veten e tyre se shkrimet e shenjta janë të vërteta.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të tregojnë rreth dhuratave të parapëlqyera që kanë marrë për ditëlindje ose në raste të tjera. Sillni një kopje të shkrimeve të shenjta, të mbështjellë si dhuratë, lejojeni një fëmijë ta hapë dhe dëshmoni se shkrimet e shenjta janë një dhuratë për ne nga Ati Qiellor.

  • Tregojuni fëmijëve disa libra që përmbajnë histori të trilluara, dhe pyetini për historitë e tyre të parapëlqyera. Tregojuni shkrimet e shenjta dhe dëshmoni se shkrimet e shenjta përmbajnë fjalën e Perëndisë për ne. Ato flasin për njerëz që jetuan me të vërtetë dhe për ngjarje që ndodhën me të vërtetë.

  • Flisni për mesazhet që gjenden te 2 Timoteut 3:15 dhe Moroni 10:3–5, duke i ndihmuar fëmijët të përsëritin disa fraza. Ndihmojini të kuptojnë se ata mund ta dinë për veten e tyre që shkrimet e shenjta janë të vërteta.

  • Fshihni një figurë të Shpëtimtarit dhe jepuni fëmijëve të dhëna orientuese për t’i ndihmuar që ta gjejnë atë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si kërkimi në shkrimet e shenjta mund të na ndihmojë që ta njohim Jezu Krishtin. Lërini fëmijët që me radhë ta fshehin figurën dhe t’u japin të dhëna orientuese fëmijëve të tjerë.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth të mësuarit të ungjillit, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66) dhe ndihmojini fëmijët të bëjnë gjeste veprimi që përshtaten me fjalët. Tregojuni fëmijëve një apo dy nga shkrimet e shenjta të parapëlqyera nga ju dhe u thoni se si arritët ta merrnit dijeninë se shkrimet e shenjta janë të vërteta. Nëse fëmijët kanë shkrime të shenjta apo histori të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta, ftojini që t’i tregojnë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Jezu Krishti do që unë të mësoj rreth Tij dhe ta ndjek Atë.

Mendoni për mënyrën se si keni arritur ta njihni Jezu Krishtin. Çfarë mund të bëni që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë rreth Tij dhe ta ndjekin Atë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të flasin për një shok ose shoqe të ngushtë që e njohin, dhe të përshkruajnë se si ky person u bë shoku apo shoqja e tyre. Lexoni vargjet te Gjoni 5:39 dhe Gjoni 14:15 dhe diskutoni për të gjetur mënyra se si mund të ndihemi afër Jezusit. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur u ndien afër Atij.

  • Nxirreni klasën tuaj për një shëtitje nëpër shtëpinë e mbledhjeve. Ftojini fëmijët të ngrenë dorën kur shohin diçka gjatë shëtitjes që u kujton mënyrën se si mund ta ndjekin Shpëtimtarin (të tilla si vaska e pagëzimit apo një pikturë).

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth ndjekjes së Jezu Krishtit, të tillë si “Eja, Më Ndiq” (Himne, nr. 60). Ftojini fëmijët të tregojnë raste kur e kanë ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.

Unë mund t’i studioj vetë shkrimet e shenjta.

Teksa i lexoni shkrimet e shenjta me fëmijët dhe u bëni pyetje, ju mund t’ua shtoni vetëbesimin që ata mund të mësojnë nga shkrimet e shenjta dhe të gjejnë thesare të çmuara diturie.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku vargjet te Gjoni 5:39 dhe Veprat e Apostujve 17:10–11 dhe pyetini fëmijët se çfarë mësojnë rreth mënyrës se si t’i studiojnë shkrimet e shenjta.

  • Përzgjidhni disa shkrime të shenjta të thjeshta, të fuqishme nga Dhiata e Re, shkruajeni secilin në një copë letre dhe fshihni letrat. Krijoni të dhëna orientuese që do t’i udhëheqin fëmijët në “kërkim të thesarit” brenda klasës ose ndërtesës kishtare për t’i gjetur këto shkrime të shenjta. Pasi ta gjejnë secilin shkrim të shenjtë, diskutoni se çfarë kuptimi ka shkrimi i shenjtë dhe arsyen përse ai vërtet ka vlerën e një thesari.

  • Tregoni disa shkrime të shenjta që i çmoni si thesar dhe shpjegoni arsyen përse ato janë domethënëse për ju. Si klasë, mbani një listë me shkrime të shenjta të çmuara si thesar, të cilat fëmijët i gjejnë te Dhiata e Re këtë vit – në shtëpi ose gjatë Fillores.

  • Bëni një diskutim me fëmijët rreth arsyes përse ndonjëherë është e vështirë t’i lexojmë shkrimet e shenjta. Kërkojuni fëmijëve t’i japin këshillë njëri-tjetrit rreth studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni gjithashtu të flasin për ndonjë përvojë pozitive që e kanë pasur në lidhje me shkrimet e shenjta.

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë kalendarë të thjeshtë që mund t’i përdorin për t’i shenjuar sa herë i lexojnë shkrimet e shenjta. Këta kalendarë mund t’u kujtojnë atyre që t’i lexojnë shkrimet e shenjta çdo ditë.

Unë kam nevojë për vetë dëshminë time.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të kenë nevojë për dëshmitë e tyre vetjake për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Çfarë mund të bëni që t’i frymëzoni ta mësojnë të vërtetën për vete?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni historinë e dhjetë virgjëreshave (shih Mateu 25:1–13; shih edhe “Kapitulli 47: Dhjetë Virgjëreshat”, te Tregime nga Dhiata e Re, f. 118–120, ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org). Bëjuni fëmijëve pyetje si këto: Si janë dëshmitë tona të ngjashme me llambat? Përse është e rëndësishme të kemi dëshmitë tona vetjake?

  • Diskutoni rreth asaj që mund të bëjmë për t’i forcuar dëshmitë tona. Për ide, ftojini fëmijët të kërkojnë te Gjoni 7:17 dhe Moroni 10:3–5. Ftojini që të tregojnë gjëra të cilat ata e dinë se janë të vërteta.

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë që t’i emërtoni blloqet e ndërtimit me të vërteta që i formojnë dëshmitë tona (shih Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Testimony” [“Dëshmia”], topics.ChurchofJesusChrist.org). Lërini fëmijët t’i përdorin blloqet për të ndërtuar një strukturë që përfaqëson një dëshmi.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Si mund t’i nxitni fëmijët dhe prindërit e tyre që të mësojnë nga Dhiata e Re në shtëpi? Për shembull, ju mund t’i ftoni fëmijët ta mësojnë përmendsh një prej shkrimeve të shenjta për të cilin diskutuat në orën mësimore (mund të jetë e dobishme ta copëzoni shkrimin e shenjtë në fraza të shkurtra) dhe t’ia tregojnë vargun familjeve të tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përshtatini veprimtaritë në përputhje me moshën dhe aftësitë e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Fëmijët më të vegjël kanë nevojë për shpjegime të hollësishme dhe mësojnë nga një larmi metodash të mësimdhënies. Ndërsa fëmijët rriten, ata mund të përfshihen më shumë në orën mësimore dhe mund t’i shprehin më mirë mendimet e tyre. Jepuni mundësi për të treguar, dëshmuar dhe marrë pjesë. Jepuni ndihmë sipas nevojës. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)