Doktrina e Besëlidhje 2021
14–10 Janar. Joseph Smith – Historia 1:1–26: “Unë Pashë një Shtyllë Drite”


“4–10 Janar. Joseph Smith – Historia 1:1–26: ‘Unë Pashë një Shtyllë Drite’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“4–10 Janar. Joseph Smith – Historia 1:1–26”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Korija e Shenjtë

Korija e Shenjtë, nga Greg K. Olsen

4–10 Janar

Joseph Smith – Historia 1:1–26

“Unë Pashë një Shtyllë Drite”

Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:1–26, çfarë mesazhesh gjeni për jetën tuaj? Cili është me më shumë vlerë për ju dhe familjen tuaj?

Shënojini Mbresat Tuaja

Doktrina e Besëlidhje është një libër përgjigjesh ndaj lutjeve: shumë nga zbulesat e shenjta në këtë libër erdhën si përgjigje ndaj pyetjeve. Prandaj është e përshtatshme që ta filloni studimin e librit Doktrina e Besëlidhje duke marrë parasysh pyetjen që e filloi derdhjen e zbulesës së ditëve të mëvonshme – pyetjen që bëri Jozef Smithi në një korije pemësh në vitin 1820. “Luft[a e] fjalë[ve] dhe ngatërres[a e] opinione[ve]” (Joseph Smith – Historia 1:10), e kishin lënë Jozefin të pështjelluar për fenë dhe gjendjen e shpirtit të tij; ndoshta mund të gjendeni vetë atje. Ka shumë ide kontradiktore dhe zëra shtytës në kohën tonë dhe, kur duam t’i shoshitim këto mesazhe e të gjejmë të vërtetën, ne mund të bëjmë atë që bëri Jozefi. Ne mund të bëjmë pyetje, t’i studiojmë shkrimet e shenjta, të përsiatim dhe përfundimisht t’i kërkojmë Perëndisë. Si përgjigje ndaj lutjes së Jozefit, një shtyllë drite zbriti nga qielli; Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti u shfaqën dhe iu përgjigjën pyetjeve të tij. Dëshmia e Jozefit për atë përvojë të mrekullueshme, shpall me guxim se çdo njeri “të cilit i mungon urtësia, mund t’i kërkojë Perëndisë dhe të marrë” (Joseph Smith – Historia 1:26). Ne të gjithë mund të marrim, nëse jo një vegim qiellor, të paktën një vegim më të qartë, të ndriçuar nga drita qiellore.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Joseph Smith – Historia 1:1–26

Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes.

Qëllimi i historisë së Jozef Smithit ishte që të na vinte “në zotërim të fakteve”, sepse e vërteta për Jozefin shpesh është shtrembëruar (Joseph Smith – Historia 1:1). Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:1–26, çfarë e forcon dëshminë tuaj për thirrjen e tij hyjnore? Vini re provat që gjeni se Zoti e përgatiti Jozef Smithin për misionin e tij profetik. Ndërsa lexoni, ju gjithashtu mund të shënoni mendimet dhe ndjenjat tuaja për Jozef Smithin dhe dëshminë e tij.

Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:3–19.

Joseph Smith – Historia 1:5–20

Nëse kërkoj me besim, Perëndia do të përgjigjet.

A ju ka “mung[uar] urtësia” ndonjëherë ose, a u ndiet të pështjelluar për një vendim që kishit nevojë të merrnit? (Joseph Smith – Historia 1:13.) Çfarë mësoni nga përvoja e Jozef Smithit te vargjet 5–20? Mendoni për vetë nevojën tuaj për urtësi e kuptueshmëri më të madhe dhe merrni parasysh se si do ta kërkoni të vërtetën.

Shih edhe 1 Nefi 10:17–19; 15:6–11; Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 93–96.

Pamja
e re duke u lutur

Ne mund t’ia bëjmë pyetjet tona Perëndisë nëpërmjet lutjes.

Joseph Smith – Historia 1:15–20

Përse ka rrëfime të ndryshme për Vegimin e Parë?

Gjatë jetës së vet, Jozef Smithi e shënoi përvojën e tij në Korijen e Shenjtë të paktën katër herë, shpesh duke përdorur një shkrues. Përveç kësaj, disa rrëfime jo të drejtpërdrejta u shkruan nga njerëz që e dëgjuan Jozefin të fliste për vegimin e tij. Ndonëse këto rrëfime ndryshojnë në disa hollësi, në varësi nga lexuesi dhe mjedisi, në pjesën tjetër ato përputhen. Dhe çdo rrëfim shton hollësi që na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë përvojën e Jozef Smithit, ashtu si secili nga katër Ungjijtë na ndihmon ta kuptojmë më mirë shërbesën e Shpëtimtarit.

Për t’i lexuar rrëfimet e tjera të Jozefit, shih “Rrëfimet për Vegimin e Parë” (Ese mbi Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësoni nga leximi i të gjitha këtyre rrëfimeve?

Joseph Smith – Historia 1:15–20

Vegimi i Parë filloi Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit.

Jozef Smithi mirëbesoi se Perëndia do t’i përgjigjej lutjes së tij, por ai nuk mund ta kishte parashikuar se si ajo përgjigje do ta ndryshonte jetën e tij – dhe botën. Ndërsa lexoni rreth përvojës së Jozefit, përsiatni rreth mënyrës se si Vegimi i Parë e ka ndryshuar jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta plotësoni këtë fjali në mënyra të ndryshme: “Ngaqë ndodhi Vegimi i Parë, unë e di se …”. Si jeni bekuar ju për shkak të Vegimit të Parë?

Shih edhe materialin filmik “Ask of God: Joseph Smith’s First Vision” [“Pyeteni Perëndinë: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”], ChurchofJesusChrist.org; Saints [Shenjtorët], 1:14–19; Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 88–92.

Joseph Smith – Historia 1:21–26

Unë mund të qëndroj i/e vërtetë për atë që di, edhe nëse të tjerët nuk më pranojnë.

Një nga bekimet e shkrimeve të shenjta është se ato përmbajnë shembuj frymëzues të burrave dhe grave të guximshme, që i përballuan sfidat me besim te Jezu Krishti. Kur Jozef Smithi hasi kundërshtim për shkak të vegimit të tij, ai u ndie sikurse Apostulli Pal, të cilin e përndoqën gjithashtu pasi tha se kishte parë një vegim. Ndërsa lexoni rrëfimin e Jozefit, çfarë ju frymëzon që të qëndroni të vërtetë ndaj dëshmisë suaj? Çfarë shembujsh të tjerë – nga shkrimet e shenjta ose njerëz që njihni – ju japin kurajë për të qëndruar të vërtetë ndaj përvojave shpirtërore që keni pasur?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Joseph Smith – Historia 1:6.Si mund t’i trajtojmë mosmarrëveshjet pa u bërë grindavecë, ashtu si njerëzit që përshkruhen në këtë varg?

Joseph Smith – Historia 1:11–13.Leximi i këtyre vargjeve mund t’i frymëzojë pjesëtarët e familjes që të tregojnë përvoja kur një fragment i shkrimit të shenjtë i preku në zemër dhe i frymëzoi që të vepronin.

Joseph Smith – Historia 1:16–20.Ndërsa familja juaj i lexon këto vargje, merrni parasysh të tregoni figurën që e shoqëron këtë përvijim ose një figurë tjetër të Vegimit të Parë (ndoshta familjes suaj do t’i pëlqente të bënte vizatimin e vet). Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “Ask of God: Joseph Smith’s First Vision” [“Pyeteni Perëndinë: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”] (ChurchofJesusChrist.org). Secili nga ju mund të bëjë një listë të të vërtetave që mësojmë nga ky vegim, pastaj tregojani listën tuaj njëri-tjetrit. Kjo do të ishte një kohë e mrekullueshme që pjesëtarët e familjes të tregojnë se si i morën ata dëshmitë e tyre për Vegimin e Parë të Jozef Smithit.

Joseph Smith – Historia 1:17.Kur Perëndia iu shfaq Jozef Smithit, Ai e thirri Jozefin me emër. Kur e kanë ndier pjesëtarët e familjes suaj se Ati Qiellor i njeh ata personalisht?

Joseph Smith – Historia 1:21–26.Si mund të përgjigjemi kur njerëzit e vënë në dyshim dëshminë tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Lutja e Parë e Jozef Smithit”, Himne, nr. 18.

Pamja
ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Familja e Jozef Smithit

Secili prej nesh ndikohet thellësisht nga jeta jonë familjare dhe Jozef Smithi nuk ishte ndryshe. Bindjet dhe praktikat fetare të prindërve të tij mbollën fara besimi që e bënë të mundur Rivendosjen. Në ditarin e Jozefit shënohet ky dedikim: “Fjalët dhe gjuha [janë] të papërshtatshme për të shprehur mirënjohjen që i detyrohem Perëndisë që më ka dhënë prindër kaq të nderuar”1.

Citimet në vijim nga nëna e tij, Lusi Mek Smithi; vëllai i tij, Uilliam Smithi dhe vetë Profeti, na japin një vështrim të shpejtë të ndikimit fetar në shtëpinë e familjes Smith.

Pamja
familja Smith

Familja e Jozef Smithit, nga Dan Baxter

Lusi Mek Smithi

Pamja
Lusi Mek Smithi

“[Rreth vitit 1802], unë u sëmura. … I thashë vetes se nuk jam e përgatitur që të vdes sepse nuk i njoh udhët e Krishtit, dhe më dukej sikur kishte një hendek të errët dhe të vetmuar midis vetes sime dhe Krishtit, që nuk guxoj të përpiqem ta kaloj. …

Pashë në drejtim të Zotit, u përgjërova dhe iu luta Zotit që të ma kursente jetën, që të mund t’i rritja fëmijët e mi dhe ta ngushëlloja zemrën e bashkëshortit tim; me këtë në mendje qëndrova në shtrat tërë natën. … Besëlidha me Perëndinë [se] po të më linte të jetoja, do të orvatesha ta gjeja atë fe që do të më krijonte mundësinë për t’i shërbyer Atij siç duhej, qoftë nëse ishte në Bibël ose kudo që mund të gjendej, edhe nëse duhej të merrej nga qielli nëpërmjet lutjes e besimit. Më së fundi një zë më foli dhe tha: ‘Kërko dhe do të gje[sh], trokit dhe do të [të] çelet. Lëre zemrën të ngushëllohet. Beso në Perëndi; beso edhe tek unë.’ …

Nga kjo kohë e tutje mora forcë vazhdimisht. Flisja veçse pak mbi temën e fesë ndonëse ma pushtonte mendjen tërësisht dhe unë mendova se do të bëja të gjithë përpjekjet sapo të isha në gjendje të kërkoja një person të devotshëm që i njihte udhët e Perëndisë për të më drejtuar te gjërat e Qiellit.”2

Uilliam Smithi

Pamja
Uilliam Smithi

“Nëna ime, e cila ishte një grua shumë e devotshme dhe shumë e interesuar për mirëqenien e fëmijëve të saj, si këtu edhe në jetën më pas, përdori çdo mjet që dashuria e saj prindërore mund të sugjeronte, që të na përfshinte në kërkimin e shpëtimit të shpirtrave tanë ose (siç ishte termi në atë kohë) ‘në marrjen e fesë’. Ajo na bindi që të merrnim pjesë në mbledhje dhe thuajse e gjithë familja u interesua për çështjen dhe, u bëmë kërkues të së vërtetës.”3

“Gjithmonë bënim lutje familjare me aq sa mund të kujtoj. Më kujtohet mirë babai që i mbante gjyzlykët në xhepin e jelekut … dhe kur ne djemtë e shihnim që kërkonte gjyzlykët, e dinim se ishte një sinjal për t’u përgatitur për lutje dhe nëse nuk e vinim re, nëna do të thoshte: ‘Uilliam’, ose kujtdo që ishte i shkujdesuri, ‘përgatitu për lutjen’. Pas lutjes kishim një këngë që e këndonim.”4

Pamja
syze mbi shkrimet e shenjta

Jozef Plaku dhe Lusi Smithi i mësuan familjes së tyre që t’i studionin shkrimet e shenjta.

Jozef Smithi

Pamja
Jozef Smithi

“Tani unë them se [babai im] nuk bëri kurrë një veprim të ulët, që do të mund të thuhej se qe zemërngushtë në jetën e tij, me aq sa di unë. E d[oja] babanë tim dhe kujtimin e tij; dhe kujtimi i veprimeve të tij fisnike ka peshë të madhe mbi mendjen time; dhe shumë prej fjalëve të tij të sjellshme e prindërore për mua janë shkruar mbi rrasat e zemrës sime. Të shenjta për mua janë mendimet që i dua fort nga historia e jetës së tij, që janë rrokullisur në mendjen time dhe janë ngulitur atje, prej vetë vrojtimit tim, që kur linda. … Nëna ime gjithashtu është njëra prej grave më fisnike dhe më të mira nga të gjitha.”5

Shënime

  1. Journal, December 1841–December 1842, f. 180, josephsmithpapers.org.

  2. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 2, faqet 2–4, josephsmithpapers.org; germëzimi dhe shenjat e pikësimit të modernizuara.

  3. William Smith on Mormonism: A True Account of the Origin of the Book of Mormon (1883), f. 6.

  4. Në J. W. Peterson, “Another Testimony: Statement of William Smith, concerning Joseph, the Prophet”, Deseret Evening News, 20 janar 1894, f. 11; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 39.

  5. Journal, December 1841–December 1842, f. 180, josephsmithpapers.org.

Pamja
Vegimi i Parë

Vegimi i Parë i Rivendosjes, nga Michael Bedard