Instituti
2 Dëgjoje Atë


“Dëgjoje Atë”, kapitulli 2 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)

Kapitulli 2: “Dëgjoje Atë”

Kapitulli 2

Dëgjoje Atë

Pamja
Korija e Shenjtë

Jozefi u ngrit herët në një mëngjes pranvere të vitit 1820 dhe u nis drejt pyllit pranë shtëpisë së tij. Dita ishte e kthjellët dhe e bukur dhe drita e diellit depërtonte përmes degëve sipër tij. Ai dëshironte të ishte vetëm kur të lutej dhe dinte një vend të qetë në pyll ku kishte prerë pemët kohët e fundit. Atje kishte lënë sëpatën e tij, të ngulur në një trung.1

Pasi e gjeti vendin, Jozefi hodhi vështrimin përreth që të sigurohej se ishte vetëm. Ai ishte në ankth që do të lutej me zë të lartë dhe nuk donte që ta ndërpritnin.

I sigurt që ishte vetëm, Jozefi ra në gjunjë në tokën e ftohtë dhe filloi t’ia tregonte Perëndisë dëshirat e zemrës. Ai kërkoi mëshirë, falje dhe urtësi që të gjente përgjigje për pyetjet e tij. “O Zot”, u lut ai, “me cilën kishë të bashkohem?”2

Ndërkohë që lutej, gjuha dukej se po i ënjtej derisa nuk mund të fliste dot. Dëgjoi hapa nga pas, por nuk pa askënd kur u kthye të shihte. U përpoq të lutej sërish, por hapat u bënë më të zhurmshëm, sikur dikush po vinte për të. U ngrit me vrull në këmbë dhe u rrotullua, por sërish nuk pa askënd.3

Befas, një fuqi e padukshme e pushtoi. U përpoq të fliste sërish, por ende e kishte gjuhën të mbërthyer. Një errësirë e dendur iu mblodh përreth derisa nuk mund ta shihte më dritën e diellit. Dyshime dhe pamje të tmerrshme iu shkrepën në mendje, duke e pështjelluar dhe duke e shpërqendruar. Ndjeu sikur njëfarë qenieje e tmerrshme, e vërtetë dhe pafundësisht e fuqishme, dëshironte ta shkatërronte.4

Duke e ushtruar tërë forcën e vet, Jozefi iu lut edhe njëherë Perëndisë. Gjuha iu lirua dhe ai u përgjërua për çlirim. Por e ndjeu veten të zhytej në dëshpërim, i pushtuar nga errësira e padurueshme dhe gati ta braktiste veten në shkatërrim.5

Në atë çast, një shtyllë drite u shfaq mbi kokën e tij. Ajo zbriti me ngadalë dhe u duk sikur ia vuri zjarrin pyllit. Kur drita pushoi mbi të, Jozefi ndjeu që fuqia e padukshme e liroi nga shtrëngimi. Shpirti i Perëndisë ia zuri vendin, duke e mbushur me paqe dhe gëzim të patregueshëm.

Duke vështruar drejt dritës, Jozefi pa Perëndinë, Atin, duke qëndruar mbi të në ajër. Fytyra e Tij ishte më e shndritshme dhe më e lavdishme se çdo gjë që Jozefi kishte parë ndonjëherë. Perëndia e thirri në emër dhe i tregoi qenien tjetër, i cili u shfaq përkrah Tij. “Ky është Biri Im i Dashur”, tha Ai. “Dëgjoje Atë!”6

Jozefi vështroi fytyrën e Jezu Krishtit. Ishte po aq e shndritshme dhe e lavdishme sa ajo e Atit.

“Jozef”, tha Shpëtimtari, “mëkatet e tua të janë falur.”7

Me barrën e tij të hequr, Jozefi e përsëriti pyetjen e vet: “Me cilën kishë të bashkohem?”8

“Mos u bashko me asnjë prej tyre”, i tha atij Shpëtimtari. “Ato u mësojnë për doktrina urdhërimet e njerëzve, duke pasur një formë shenjtërie, por e mohojnë fuqinë e saj.”

Zoti i tha Jozefit se bota ishte e zhytur në mëkat. “Askush nuk bën të mirën”, shpjegoi Ai. “Ata janë larguar nga ungjilli dhe nuk i zbatojnë urdhërimet e mia.” Të vërteta të shenjta kishin humbur ose ishin korruptuar, por Ai premtoi t’ia zbulonte Jozefit në të ardhmen plotësinë e ungjillit të Tij.9

Teksa Shpëtimtari foli, Jozefi pa ushtri engjëjsh dhe drita përreth tyre ndriçoi më e shkëlqyeshme sesa dielli i mesditës. “Dhe vër re dhe shih, unë vij shpejt”, tha Zoti, “i mbuluar me lavdinë e Atit Tim.”10

Jozefi priti që drurët të përpiheshin nga shkëlqimi, por pemët u dogjën sikurse ferrishtja e Moisiut dhe nuk u konsumuan.11


Kur drita u fashit, Jozefi e gjeti veten të shtrirë në shpinë, duke parë drejt qiellit. Shtylla e dritës ishte larguar dhe ndjenja e fajit dhe pështjellimi i tij ishin zhdukur. Ndjenja të dashurisë hyjnore ia mbushën zemrën.12 Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti i kishin folur atij dhe ai e kishte mësuar vetë se si ta gjente të vërtetën dhe faljen.

Tepër i pafuqishëm për të lëvizur prej vegimit, Jozefi ndenji shtrirë në pyll derisa iu kthye një pjesë e forcës. Pastaj u kthye me vështirësi në shtëpi dhe u mbështet te vatra e zjarrit për t’u mbajtur. Nëna e pa dhe e pyeti se çfarë nuk shkonte.

“Gjithçka është në rregull”, e siguroi ai. “Tani jam mjaft mirë.”13

Disa ditë më vonë, ndërkohë që fliste me një predikues, Jozefi i tregoi rreth asaj që kishte parë në pyll. Predikuesi kishte qenë i përfshirë në rigjallërimet fetare të kohëve të fundit dhe Jozefi priste që ai t’ia merrte seriozisht vegimin.

Në fillim predikuesi i trajtoi si të parëndësishme fjalët e tij. Njerëzit shpallnin herë pas here se kishin vegime qiellore.14 Por më pas, ai u zemërua e u ndie i fyer dhe i tha Jozefit se historia e tij ishte nga djalli. Ditët e vegimeve dhe zbulesave kishin pushuar kohë më parë, tha ai, dhe ato nuk do të ktheheshin më kurrë.15

Jozefi u befasua dhe e pa shpejt se askush nuk do ta besonte vegimin e tij.16 Përse ta besonin? Ai ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç dhe praktikisht nuk kishte arsimim. Ai vinte nga një familje e varfër dhe priste ta kalonte pjesën e mbetur të jetës duke punuar tokën dhe duke bërë punë të rastësishme për të fituar një jetesë të varfër.

Dhe prapëseprapë, dëshmia e tij i shqetësoi disa njerëz aq sa të talleshin me të. Sa e çuditshme ishte, mendoi ai, që një djalë i thjeshtë pa pasoja për botën mund të tërhiqte kaq shumë hidhërim dhe përçmim. “Përse më përndiqni ngaqë them të vërtetën?” dëshironte të pyeste ai. “Përse bota mendon të më bëjë ta mohoj atë që kam parë me të vërtetë?”

Jozefi e vrau mendjen për këto pyetje gjithë pjesën tjetër të jetës së tij. “Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën”, tregoi ai më vonë, “edhe pse urrehesha dhe përndiqesha sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë.”

“Unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë”, dëshmoi ai, “dhe nuk mund ta mohoja.”17


Pasi Jozefi e zbuloi se tregimi i vegimit të tij vetëm sa ia kthente fqinjët kundër, ai e mbajti atë kryesisht për vete, i gëzuar nga dijenia që Perëndia i kishte dhënë.18 Më vonë, pasi u largua nga Nju-Jorku, u përpoq ta shkruante përvojën e tij të shenjtë në pyll. Ai e përshkroi dëshirën e tij të madhe për falje dhe paralajmërimin e Shpëtimtarit ndaj një bote që kishte nevojë për pendim. Ai i shkroi vetë fjalët, me një gjuhë të çalë, duke u përpjekur me zell ta përshkruante madhështinë e çastit.

Në vitet e mëtejshme, ai e ritregoi vegimin më haptas, duke u mbështetur te shkrues që mund ta ndihmonin ta përshkruante më mirë atë çka i kapërcente të gjitha përshkrimet. Ai tregoi për dëshirën e vet që ta gjente kishën e vërtetë dhe përshkroi se Perëndia, Ati, u shfaq i pari që ta paraqiste Birin. Ai shkroi më pak rreth kërkimit të tij vetjak për falje dhe më shumë rreth mesazhit të gjithësishëm të Shpëtimtarit për të vërtetën dhe nevojën për një rivendosje të ungjillit.19

Në secilën përpjekje për ta shkruar përvojën e tij, Jozefi dëshmoi se Zoti e kishte dëgjuar dhe i ishte përgjigjur lutjes së tij. Kur ishte djalosh, ai mësoi se kisha e Shpëtimtarit nuk ishte më në tokë. Por Zoti kishte premtuar të zbulonte më shumë për ungjillin e Tij në kohën e duhur. Kështu që Jozefi vendosi t’i mirëbesonte Perëndisë, të qëndronte i vërtetë ndaj urdhërimit që kishte marrë në pyll, dhe të priste me durim udhëzim të mëtejshëm.20

Shënime

  1. Joseph Smith – Historia 1:14; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:212 (boca 2); Intervistë, Joseph Smith-i nga David Nye White, 21 gusht 1843, në [David Nye White], “The Prairies, Nauvoo, Joe Smith, the Temple, the Mormons, &c.”, Pittsburgh Weekly Gazette, 15 shtator 1843, f. [3], në dispozicion te josephsmithpapers.org.

  2. Intervistë, Joseph Smith-i nga David Nye White, 21 gusht 1843, në [David Nye White], “The Prairies, Nauvoo, Joe Smith, the Temple, the Mormons, &c.”, Pittsburgh Weekly Gazette, 15 shtator 1843, f. [3], në dispozicion te josephsmithpapers.org; Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:12.

  3. Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88.

  4. Joseph Smith – Historia 1:15; Hyde, Ein Ruf aus der Wüste, f. 15–16; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:212 (boca 2).

  5. Joseph Smith – Historia 1:16; Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:212 (boca 2).

  6. Joseph Smith – Historia 1:16–17; Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:12–13; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:214 (boca 2); Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88.

  7. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:13.

  8. Intervistë, Joseph Smith-i nga David Nye White, 21 gusht 1843, në [David Nye White], “The Prairies, Nauvoo, Joe Smith, the Temple, the Mormons, &c.”, Pittsburgh Weekly Gazette, 15 shtator 1843, f. [3], në dispozicion te josephsmithpapers.org.

  9. Joseph Smith – Historia 1:5–26; Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:13; Levi Richards, Journal, 11 qershor 1843; Joseph Smith, “Church History”, Times and Seasons, 1 mars 1842, 3:706, në JSP, H1:494.

  10. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:13.

  11. Pratt, Interesting Account, f. 5, në JSP, H1:523.

  12. Joseph Smith – Historia 1:20; Intervistë, Joseph Smith-i nga David Nye White, 21 gusht 1843, në [David Nye White], “The Prairies, Nauvoo, Joe Smith, the Temple, the Mormons, &c.”, Pittsburgh Weekly Gazette, 15 shtator 1843, f. [3], në dispozicion te josephsmithpapers.org; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:214 (boca 2); Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:13.

  13. Joseph Smith – Historia 1:20; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:214 (boca 2).

  14. Shih Bushman, “Visionary World of Joseph Smith”, f. 183–204.

  15. Joseph Smith – Historia 1:21; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 3, në JSP, H1:216 (boca 2); Neibaur, Journal, 24 maj 1844, në dispozicion te josephsmithpapers.org. Tema: Christian Churches in Joseph Smith’s Day

  16. Joseph Smith – Historia 1:22, 27; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 4, në JSP, H1:216-218 (boca 2); Intervistë, Joseph Smith-i nga David Nye White, 21 gusht 1843, në [David Nye White], “The Prairies, Nauvoo, Joe Smith, the Temple, the Mormons, &c.”, Pittsburgh Weekly Gazette, 15 shtator 1843, f. [3], në dispozicion te josephsmithpapers.org.

  17. Joseph Smith – Historia 1:21–25; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 4, në JSP, H1:216–218 (boca 2).

  18. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 3, në JSP, H1:13; shih edhe Historical Introduction to Joseph Smith History, circa Summer 1832, në JSP, H1:6.

  19. Gjatë jetës së tij, Jozefi shkroi ose e mbikëqyri shkrimin e katër rrëfimeve për këtë përvojë, i pari në Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 1–3, në JSP, H1:11–13. Pesë njerëz të tjerë, të cilët e dëgjuan të fliste për përvojën, i shkruan rrëfimet e tyre. Të nënta rrëfimet mund të gjenden në “Primary Accounts of Joseph Smith’s First Vision of Deity”, këndi i internetit [me emrin] Joseph Smith Papers, josephsmithpapers.org. Për një analizë të ngjashmërive dhe ndryshimeve midis rrëfimeve, shih “Rrëfimet për Vegimin e Parë”, Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.lds.org. Tema: Rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozef Smithit

  20. Joseph Smith – Historia 1:26; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 4, në JSP, H1:218 (boca 2).