Instituti
8 Ngritja e Kishës së Krishtit


“Ngritja e Kishës së Krishtit”, kapitulli 8 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)

Kapitulli 8: Ngritja e Kishës së Krishtit

Kapitulli 8

Ngritja e Kishës së Krishtit

Pamja
Kopje të Librit të Mormonit

Nga fillimi i korrikut 1829, me dorëshkrimin në dorë, Jozefi e dinte se Zoti dëshironte që ai ta botonte Librin e Mormonit dhe ta përhapte anekënd mesazhin e tij. Por ai dhe familja e tij nuk e njihnin biznesin e botimit. Ai duhej ta mbante të sigurt dorëshkrimin, të gjente një shtypshkronjë dhe ta shpërndante librin në njëfarë mënyre në duart e njerëzve të gatshëm që ta merrnin parasysh mundësinë e një shkrimi të ri të shenjtë.

Botimi i një libri aq të madh sa Libri i Mormonit gjithashtu nuk do të ishte i lirë në kosto. Gjendja financiare e Jozefit nuk ishte përmirësuar që kur ai e nisi përkthimin dhe të gjitha paratë që fitonte, shkonin për të mbajtur familjen e tij. E njëjta gjë ishte e vërtetë për prindërit e tij, të cilët ishin ende fermerë të varfër që punonin toka të cilat nuk i zotëronin. I vetmi mik i Jozefit që mund ta financonte projektin, ishte Martin Harrisi.

Jozefi iu fut punës me shpejtësi. Përpara se ta përfundonte përkthimin, ai kishte bërë kërkesë për të drejtën e autorit të librit për ta mbrojtur tekstin nga cilido që mund ta vidhte ose t’i bënte plagjiaturë.1 Me ndihmën e Martinit, Jozefi filloi gjithashtu të kërkonte një tipograf, i cili do të binte dakord ta botonte librin.

Ata shkuan së pari tek Egbert Grandini, një tipograf në Palmira që kishte të njëjtën moshë me Jozefin. Grandini nuk e pranoi menjëherë propozimin, duke besuar se libri ishte një mashtrim. Të palëkundur, Jozefi dhe Martini vazhduan të kërkonin dhe gjetën një tipograf të gatshëm në një qytet aty pranë. Por, përpara se ta pranonin ofertën e tij, ata u kthyen në Palmira dhe e pyetën edhe një herë Grandinin nëse dëshironte ta botonte librin.2

Këtë herë, Grandini u duk më i gatshëm ta merrte përsipër projektin, por ai donte t’i paguheshin 3 000 dollarë për të shtypur dhe lidhur pesë mijë kopje, madje përpara se ta fillonte punën. Martini kishte premtuar tashmë që të ndihmonte për shtypjen por, që ta siguronte atë sasi të madhe parash, ai e kuptoi se mund t’i duhej ta hipotekonte fermën e tij. Kjo ishte një barrë e stërmadhe për Martinin, por ai e dinte se asnjë nga miqtë e tjerë të Jozefit nuk mund ta ndihmonte atë për paratë.

I shqetësuar, Martini filloi ta vinte në dyshim urtësinë e financimit të Librit të Mormonit. Ai kishte një nga fermat më të mira në zonë. Nëse do ta hipotekonte tokën e vet, ai kishte rrezik ta humbiste. Pasurinë, për të cilën kishte shpenzuar gjithë jetën që ta grumbullonte, mund ta humbte brenda një çasti nëse nuk do të siguroheshin mjaft të ardhura nga shitja e Librit të Mormonit.

Martini ia tregoi Jozefit shqetësimet e tij dhe iu lut të kërkonte një zbulesë për të. Si përgjigje, Shpëtimtari foli për sakrificën e Tij që të bënte vullnetin e Atit të Tij, pavarësisht nga kostoja. Ai përshkroi vuajtjen e Tij më të lartë ndërsa paguante çmimin për mëkatin, me qëllim që të gjithë të mund të pendohen dhe të marrin falje. Ai më pas e urdhëroi Martinin që t’i sakrifikonte vetë interesat e tij për t’u realizuar plani i Perëndisë.

“Ti s’duhet të lakmosh pronën tënde”, tha Zoti, “por ta japësh atë lirisht për shtypjen e Librit të Mormonit.” Libri përmbante fjalën e vërtetë të Perëndisë, e siguroi Zoti Martinin, dhe ai do t’i ndihmonte të tjerët ta besonin ungjillin.3

Edhe pse fqinjët nuk do t’ia kuptonin vendimin, Martini iu bind Zotit dhe e hipotekoi fermën e tij që të garantonte pagimin.4

Grandini nënshkroi një kontratë dhe filloi ta organizonte projektin e madh.5 Jozefi e kishte përkthyer tekstin e Librit të Mormonit brenda tre muajve, i ndihmuar vetëm nga një shkrues për çdo herë. Grandinit dhe një duzine burrash do t’u duheshin shtatë muaj që t’i shtypnin dhe t’i lidhnin kopjet e para të veprës 590-faqëshe.6


Pasi e pajtoi në punë tipografin, Jozefi u kthye në Harmoni në tetor 1829 që të punonte në fermën e tij dhe të qëndronte me Emën. Ndërkohë, Oliveri, Martini dhe Hajrëmi do ta mbikëqyrnin shtypjen dhe do ta mbanin rregullisht në dijeni Jozefin mbi përparimin e Grandinit.7

Duke sjellë ndër mend dëshpërimin që kishte ndier pasi i humbi faqet e para që përktheu, Jozefi i kërkoi Oliverit që ta kopjonte faqe për faqe dorëshkrimin e Librit të Mormonit, duke përgatitur një kopje të njëjtë për t’ia çuar tipografit që të mund të shtoheshin shenjat e pikësimit dhe të përgatitej boca.8

Oliveri u kënaq ndërsa kopjonte librin dhe letrat që i shkroi në atë kohë, ishin të mbushura me fjalë nga përkthimi. Duke i bërë jehonë Nefit, Jakobit dhe Amulekut nga Libri i Mormonit, Oliveri i shkroi Jozefit mbi mirënjohjen e tij për Shlyerjen e pafundme të Krishtit.

“Kur filloj të shkruaj për mëshirat e Perëndisë”, i tha ai Jozefit, “nuk di se kur të ndalem, por koha dhe letra nuk mjaftojnë.”9

Po i njëjti shpirt tërhoqi njerëz të tjerë te Libri i Mormonit teksa ai po shtypej. Tomas Marshi, një ish-stazhier tipograf, ishte përpjekur ta gjente vendin e tij në kisha të tjera, por asnjë prej tyre nuk dukej se predikonte ungjillin që ai e gjente në Bibël. Ai besonte se një kishë e re do të ngrihej së shpejti, e cila do të jepte mësim të vërtetën e rivendosur.

Atë verë, Tomasi u ndie i udhëhequr nga Shpirti që të udhëtonte qindra kilometra që nga shtëpia e tij në Boston deri në Nju-Jorkun perëndimor. Ai qëndroi në atë zonë për tre muaj përpara se të kthehej për në shtëpi, i pasigurt për arsyen pse kishte udhëtuar aq larg. Mirëpo, në një ndalesë përgjatë udhës së kthimit, bujtinarja e tij e pyeti nëse kishte dëgjuar për “librin e artë” të Jozef Smithit. Tomasi i tha gruas se nuk kishte dëgjuar dhe ndieu detyrim të mësonte më shumë.

Ajo i tha se duhej të fliste me Martin Harrisin dhe e drejtoi për në Palmirë. Tomasi shkoi menjëherë atje dhe e gjeti Martinin te shtypshkronja e Grandinit. Tipografi i dha gjashtëmbëdhjetë faqe nga Libri i Mormonit dhe Tomasi i mori ato në Boston, i etur për t’ia dhënë shijen e parë të këtij besimi të ri bashkëshortes së tij, Elizabetës.

Elizabeta i lexoi faqet dhe ajo gjithashtu besoi se ato ishin vepra e Perëndisë.10


Atë vjeshtë, teksa tipografët bënë përparim të vazhdueshëm për Librin e Mormonit, një ish-gjykatës, i quajtur Ebnër Koul, filloi të botonte një gazetë në shtypshkronjën e Grandinit. Duke punuar natën në punishte, pasi personeli i Grandinit kishte shkuar në shtëpi, Ebnëri mund t’i shihte faqet e shtypura nga Libri i Mormonit, të cilat nuk ishin lidhur ende apo nuk ishin gati për shitje.

Ebnëri shpejt filloi të tallej me “Biblën e Artë” në gazetën e tij dhe, gjatë dimrit, ai botoi fragmente nga libri bashkë me komente plot sarkazëm.11

Kur Hajrëmi dhe Oliveri e mësuan se çfarë po bënte Ebnëri, ata u përballën me të. “Çfarë të drejte keni ju që ta shtypni Librin e Mormonit në këtë mënyrë?” e pyeti Hajrëmi. “A nuk e dini se ne e kemi marrë të drejtën e autorit?”

“Nuk është aspak puna juaj”, tha Ebnëri. “E kam marrë me qira shtypshkronjën dhe do të shtyp çfarë të më pëlqejë.”

“Unë ju ndaloj të shtypni më nga ai libër në gazetën tuaj”, tha Hajrëmi.

“Nuk më bëhet vonë”, tha Ebnëri.

Të pasigurt se çfarë të bënin, Hajrëmi dhe Oliveri i dërguan lajm Jozefit në Harmoni, i cili u kthye menjëherë në Palmirë. Ai e gjeti Ebnërin në shtypshkronjë, duke lexuar herë pas here gazetën e vet.

“Dukeni shumë i zënë me punë”, tha Jozefi.

“Ç’kemi z. Smith?” iu përgjigj Ebnëri me ironi.

“Z. Koul”, tha Jozefi, “Libri i Mormonit dhe të drejtat e botimit të tij më përkasin mua dhe unë ju ndaloj që të përziheni me të.”

Ebnëri e hoqi me vrull pallton dhe përveshi mëngët. “A dëshiron të ndeshesh, zotëri?” ulëriu ai, duke i goditur grushtet e tij njëri me tjetrin. “Nëse do të ndeshesh, vetëm eja.”

Jozefi buzëqeshi. “Më mirë ta kishit mbajtur veshur pallton”, tha ai. “Është ftohtë dhe unë nuk do të ndeshem me ju.” Ai vazhdoi qetësisht: “Por ju duhet ta ndaloni shtypjen e librit tim”.

“Nëse mendon se je më i zoti”, tha Ebnëri, “thjesht hiqe pallton dhe provoje atë gjë.”

“Ka ligj”, u përgjigj Jozefi, “dhe ju do ta mësoni atë nëse nuk e dinit më parë. Por nuk do të ndeshem me ju, sepse kjo nuk do të sjellë ndonjë të mirë.”

Ebnëri e dinte se po e shkelte ligjin. Ai u qetësua dhe e ndaloi shtypjen e fragmenteve nga Libri i Mormonit në gazetën e tij.12


Salomon Çambërleni, një predikues që po udhëtonte drejt Kanadasë, dëgjoi së pari për “Biblën e Artë” nga një familje ku po qëndronte, pranë Palmirës. Ashtu si Tomas Marshi, ai kishte shkuar nga kisha në kishë gjatë gjithë jetës së tij, por ishte ndier i pakënaqur me atë që kishte parë. Disa kisha predikonin parime të ungjillit dhe besonin te dhurata shpirtërore, por nuk kishin profetë të Perëndisë apo priftërinë e Tij. Salomoni e ndiente se po vinte koha kur Zoti do ta sillte kishën e Tij.

Teksa Salomoni po i dëgjonte pjesëtarët e familjes të flisnin për Jozef Smithin dhe fletët e arta, ai u ndie i elektrizuar nga koka te këmbët dhe vendosi ta gjente familjen Smith e të mësonte më shumë për librin.

Ai u nis për në shtëpinë e Smithëve dhe e takoi Hajrëmin te dera. “Paqja qoftë në këtë shtëpi”, tha Salomoni.

“Shpresoj që do të ketë paqe”, u përgjigj Hajrëmi.

“A ka ndonjë njeri këtu”, pyeti Salomoni, “që beson te vegimet ose zbulesat?”

“Po”, tha Hajrëmi, “të gjithë në këtë shtëpi besojnë te vegimet.”

Salomoni i tregoi Hajrëmit për një vegim që e kishte parë vite më parë. Në të, një engjëll kishte thënë se Perëndia nuk kishte kishë në tokë, por së shpejti do ta ngrinte një të tillë që do të kishte fuqi ashtu si kisha e apostujve në lashtësi. Hajrëmi dhe njerëzit e tjerë në shtëpi e kuptuan se çfarë tha Salomoni dhe i thanë se kishin të njëjtin besim.

“Dëshiroj që të m’i bësh të ditura disa nga zbulimet e tua”, tha Salomoni. “Mendoj se mund t’i pranoj ato.”

Hajrëmi e ftoi të qëndronte në fermën e familjes Smith si mysafir dhe ia tregoi dorëshkrimin e Librit të Mormonit. Salomoni e studioi atë për dy ditë dhe shkoi bashkë me Hajrëmin në shtypshkronjën e Grandinit, ku një tipograf i dha gjashtëdhjetë e katër faqe të shtypura. Me faqet e palidhura në dorë, Salomoni vazhdoi udhën për në Kanada, duke predikuar përgjatë rrugës gjithçka dinte për besimin e ri.13


Deri më 26 mars 1830, kopjet e para të Librit të Mormonit ishin lidhur dhe ishin gati për shitje në katin përdhes të shtypshkronjës së Grandinit. Ato ishin lidhur fort me kapakë lëkure viçi bojëkafe dhe kishin aromë lëkure e zamke, letre dhe boje. Fjalët Libri i Mormonit shfaqeshin në shpinat e librave me germa të arta.14

Lusi Smithi e mbajti si thesar shkrimin e ri të shenjtë dhe e pa atë si shenjë që Perëndia do t’i mblidhte së shpejti fëmijët e Tij dhe do ta rivendoste besëlidhjen e Tij të lashtë. Faqja e titullit shpallte se qëllimi i librit ishte që të tregonte gjërat e mëdha që Perëndia i kishte bërë për popullin e Tij në të shkuarën, që t’ia shtrinte të njëjtat bekime popullit të Tij në të sotmen dhe ta bindte të gjithë botën se Jezu Krishti ishte Shpëtimtari i botës.15

Në pjesën e pasme të librit ishin dëshmitë e Tre Dëshmitarëve dhe të Tetë Dëshmitarëve që i tregonin botës se ata i kishin parë fletët dhe e dinin se përkthimi ishte i vërtetë.16

Megjithë këto dëshmi, Lusi e dinte se disa njerëz mendonin që libri ishte trillim. Shumë prej fqinjëve të saj besonin se Bibla ishte shkrim i shenjtë i mjaftueshëm për ta, pa e kuptuar se Perëndia kishte bekuar më shumë se një komb me fjalën e Tij. Ajo e dinte gjithashtu se disa njerëz nuk e pranuan mesazhin e tij, sepse besonin që Perëndia i kishte folur dikur botës dhe nuk do të fliste më.

Për këto arsye dhe të tjera, shumica e njerëzve në Palmirë nuk e blenë librin.17 Por disa njerëz i studiuan faqet e tij, e ndien fuqinë e mësimeve të tij dhe ranë në gjunjë [në lutje] për ta pyetur Zotin nëse ishte i vërtetë. Lusi vetë e dinte që Libri i Mormonit ishte fjala e Perëndisë dhe dëshironte t’ua shpërndante atë të tjerëve.18


Pothuajse menjëherë pasi u botua Libri i Mormonit, Jozefi dhe Oliveri u përgatitën për ta organizuar kishën e Jezu Krishtit. Disa muaj më parë, apostujt e Zotit në lashtësi, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu ishin shfaqur atyre dhe iu kishin dhënë Priftërinë Melkizedeke, ashtu siç kishte premtuar Gjon Pagëzori. Ky autoritet shtesë i lejoi Jozefin dhe Oliverin t’ua jepnin dhuratën e Frymës së Shenjtë atyre që pagëzonin. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i kishin shuguruar gjithashtu ata që të ishin apostuj të Jezu Krishtit.19

Rreth asaj kohe, teksa qëndronin në shtëpinë e familjes Uitmer, Jozefi dhe Oliveri ishin lutur për më shumë njohuri rreth këtij autoriteti. Si përgjigje, zëri i Zotit i urdhëroi që ta shuguronin njëri-tjetrin si pleq në kishë, por jo derisa besimtarët ta jepnin miratimin për t’i ndjekur ata si udhëheqës në kishën e Shpëtimtarit. Atyre iu tha gjithashtu që të shuguronin drejtues të tjerë të kishës dhe t’ua jepnin dhuratën e Frymës së Shenjtë atyre që ishin pagëzuar.20

Më 6 prill 1830, Jozefi dhe Oliveri u takuan në shtëpinë e familjes Uitmer për të zbatuar urdhërimin e Zotit dhe për ta organizuar kishën e Tij. Për të përmbushur kërkesat e ligjit, ata zgjodhën gjashtë njerëz që të ishin anëtarët e parë të kishës së re. Rreth dyzet gra e burra u grumbulluan gjithashtu brenda dhe përreth shtëpisë së vogël për ta dëshmuar ngjarjen.21

Në bindje ndaj udhëzimeve më të hershme të Zotit, Jozefi dhe Oliveri iu kërkuan pjesëmarrësve t’i mbështetnin ata si udhëheqës në mbretërinë e Perëndisë dhe të tregonin nëse besonin se ishte e drejtë për ta që të organizoheshin si kishë. Secili anëtar i bashkësisë dha pëlqimin dhe Jozefi i vuri duart mbi kokën e Oliverit dhe e shuguroi atë një plak në kishë. Pastaj ata këmbyen vendet dhe Oliveri e shuguroi Jozefin.

Më pas, ata administruan bukën dhe verën e sakramentit në kujtim të Shlyerjes së Krishtit. Pastaj, ata i vendosën duart mbi ata që kishin pagëzuar, duke i konfirmuar anëtarë të kishës dhe duke ua dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë.22 Shpirti i Zotit u derdh mbi njerëzit në mbledhje dhe disa njerëz në bashkësi filluan të profetizonin. Të tjerë lëvduan Zotin dhe të gjithë u gëzuan së bashku.

Jozefi mori gjithashtu zbulesën e parë drejtuar gjithë trupës së kishës së re. “Vini re, do të ketë një anal të mbajtur mes jush”, urdhëroi Zoti, duke ua kujtuar njerëzve të Tij se atyre u duhej ta shkruanin historinë e tyre të shenjtë, duke mbajtur një rrëfim të veprimeve të tyre dhe duke dëshmuar rolin e Jozefit si profet, shikues dhe zbulues.

“Atë e kam frymëzuar të nxisë kauzën e Sionit me fuqi të madhe për mirë”, shpalli Zoti. “Fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim. Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush.”23


Më vonë, Jozefi qëndroi pranë një rrëkeje dhe dëshmoi pagëzimet e nënës dhe babait të tij në kishë. Pas vitesh që kishin ecur në shtigje të ndryshme në kërkimin e tyre për të vërtetën, ata së fundi u bashkuan në besim. Teksa i ati po dilte nga uji, Jozefi e kapi për dore, e ndihmoi të dilte në breg dhe e përqafoi.

“Perëndia im”, thirri ai, duke e zhytur fytyrën në kraharorin e të atit, “jetova sa ta shoh atin tim të pagëzohet në kishën e vërtetë të Jezu Krishtit!”24

Atë mbrëmje, Jozefi shkoi heshtazi në pyllin aty pranë, me zemrën që po i shpërthente nga emocioni. Ai dëshironte të ishte vetëm, larg vështrimeve të miqve dhe familjarëve. Në dhjetë vitet që nga Vegimi i Parë, ai kishte parë qiejt të hapeshin, kishte ndier Shpirtin e Perëndisë dhe kishte marrë mësim nga engjëjt. Ai gjithashtu kishte mëkatuar dhe e kishte humbur dhuntinë e tij, mirëpo u pendua, mori mëshirën e Perëndisë dhe e përktheu Librin e Mormonit me fuqinë dhe hirin e Tij.

Tashmë Jezu Krishti e kishte rivendosur kishën e Tij dhe i kishte dhënë autoritet Jozefit me të njëjtën priftëri që kishin mbajtur apostujt në lashtësi kur ata ia çuan ungjillin botës.25 Lumturia që ndjeu ishte tepër e madhe që ta mbante përbrenda dhe, kur Xhozef Najti dhe Oliveri e gjetën më vonë atë natë, ai po qante.

Gëzimi i tij ishte i plotë. Vepra kishte filluar.26

Shënime

  1. Copyright for Book of Mormon, 11 qershor 1829, në JSP, D1:76–81.

  2. “Prospect of Peace with Utah”, Albany Evening Journal, 19 maj 1858, f. [2]; “From the Troy Times”, Albany Evening Journal, 21 maj 1858, f. [2]; John H. Gilbert, Memorandum, 8 shtator 1892, fotokopje, Church History Library.

  3. Doktrina e Besëlidhje 19 (Revelation, circa Summer 1829, në josephsmithpapers.org); shih edhe Historical Introduction to Revelation, circa Summer 1829 [DC 19], në JSP, D1:85–89; dhe Knight, Reminiscences, f. 6–7.

  4. McBride, “Contributions of Martin Harris”, 1–9; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 34, në JSP, H1:352 (boca 2).

  5. John H. Gilbert, Statement, 23 tetor 1887, Church History Library; Indenture, Martin Harris to Egbert B. Grandin, Wayne County, NY, 25 gusht 1829, Wayne County, NY, Mortgage Records, vëllimi 3, f. 325–326, mikrofilm 479,556, U.S. and Canada Record Collection, Family History Library; Historical Introduction to Revelation, circa Summer 1829 [DC 19], në JSP, D1:85–89.

  6. Copyright for Book of Mormon, 11 qershor 1829, në JSP, D1:76–81; John H. Gilbert, Memorandum, 8 shtator 1892, fotokopje, Church History Library; Porter, “The Book of Mormon”, f. 53–54.

  7. John H. Gilbert, Memorandum, 8 shtator 1892, fotokopje Church History Library; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 9, f. [8]; Joseph Smith to Oliver Cowdery, 22 tetor 1829, në JSP, D1:94–97.

  8. John H. Gilbert, Memorandum, 8 shtator 1892, fotokopje, Church History Library; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 9, f. [2]; “Printer’s Manuscript of the Book of Mormon”, në JSP, R3, Pjesa 1:xxvi. Tema: Printing and Publishing the Book of Mormon [Shtypja dhe Botimi i Librit të Mormonit]

  9. Oliver Cowdery to Joseph Smith, 6 nëntor 1829, në JSP, D1:100–101; Mosia 3:18–19; 5:5–7; 4 Nefi 1:17; shih edhe Oliver Cowdery to Joseph Smith, 28 dhjetor 1829, në JSP, D1:101–104.

  10. Thomas B. Marsh, “History of Thomas Baldwin Marsh”, LDS Millennial Star, 4 qershor 1864, 26:359–360; 11 qershor 1864, 26:375–376.

  11. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 9, f. [9]. Për shembuj nga fragmentet e Librit të Mormonit të botuara nga Abner Cole, shihni “The Book of Mormon”, Reflector, 16 shtator 1829, f. 10; “Selected Items”, Reflector, 23 shtator 1829, f. 14; “The First Book of Nephi”, Reflector, 2 janar 1830, f. 1; dhe “The First Book of Nephi”, Reflector, 13 janar 1830, f. 1. Tema: Critics of the Book of Mormon [Kritika për Librin e Mormonit]

  12. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 9, f. [9]–[12]; Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 166–168.

  13. Chamberlin, Autobiography, f. 4–11.

  14. Copyright for Book of Mormon, 11 qershor 1829, në JSP, D1:76–81; John H. Gilbert, Memorandum, 8 shtator 1892, fotokopje, Church History Library; “Book of Mormon”, Wayne Sentinel, 26 mars 1830, f. [3]. Disa libra i lidhën edhe me kapakë prej lëkure deleje.

  15. Faqja e Titullit të Librit të Mormonit, rreth fillimit të qershorit 1829, në JSP, D1:63–65; shih edhe Lucy Mack Smith to Solomon Mack, 6 janar 1831, Church History Library.

  16. Testimony of Three Witnesses, Late June 1829, në JSP, D1:378–382; Testimony of Eight Witnesses, Late June 1829, në JSP, D1:385–387.

  17. Tucker, Origin, Rise, and Progress of Mormonism, f. 60–61.

  18. Shih Lucy Mack Smith to Solomon Mack, 6 janar 1831, Church History Library.

  19. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 1, në JSP, H1:10; Doktrina e Besëlidhje 27:12–13 (Revelation, circa August 1830, në Doktrina e Besëlidhje 50:3, botimi i 1835-ës, në josephsmithpapers.org); Oliver Cowdery to Phineas Young, 23 mars 1846, Church History Library; “Joseph Smith Documents Dating through June 1831”, në JSP, D1:xxxvii–xxxix; shih edhe Cannon dhe të tjerë, “Priesthood Restoration Documents”, f. 163–207. Tema: Restoration of the Melchizedek Priesthood [Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke]

  20. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 27, në JSP, H1:326–328 (boca 2).

  21. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 37, në JSP, H1:364 (boca 2); Stevenson, Journal, 22 dhjetor 1877; 2 janar 1887; An Act to Provide for the Incorporation of Religious Societies (5 prill 1813), Laws of the State of New-York (1813), 2:212–219. Tema: Founding Meeting of the Church of Christ [Mbledhja e Themelimit të Kishës së Krishtit]

  22. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 37–38, në JSP, H1:364–371 (boca 2).

  23. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 37, në JSP, H1:366; Doktrina e Besëlidhje 21 (Revelation, Apr. 6, 1830, në josephsmithpapers.org); “History of Joseph Smith”, Times and Seasons, 1 tetor 1842, 3:928–929.

  24. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 9, f. [12]; Knight, Reminiscences, f. 8; shih edhe Bushman, Rough Stone Rolling, f. 110.

  25. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 38, në JSP, H1:372 (boca 2); Joseph Smith, “Latter Day Saints”, në Rupp, He Pasa Ekklesia, f. 404–405, në JSP, H1:506.

  26. Knight, Reminiscences, f. 7.