Doktrina e Besëlidhje 2021
11–17 Janar. Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65: “Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre”


“11–17 Janar. Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65: ‘Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“11–17 Janar. Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Moroni që i shfaqet Jozef Smithit

Ai më Thirri në Emër, nga Michael Malm

11–17 Janar

Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65

“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre”

Fryma e Shenjtë mund t’ju mësojë çdo herë që i lexoni shkrimet e shenjta – madje shkrime të shenjta që i keni lexuar shumë herë më parë. Kështu që jini të hapur ndaj ideve të reja dhe frymëzimit të ri.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kishin kaluar tre vjet nga koha kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në korije, por Jozefi nuk kishte marrë ndonjë zbulesë tjetër që nga ajo kohë. Ai filloi të pyeste veten për qëndrimin e tij përpara Zotit. Si të gjithë ne, ai kishte bërë gabime dhe u ndie i ndëshkuar prej tyre. Prapëseprapë, Perëndia kishte ende një punë për të që ai ta bënte. Dhe puna që Jozefi ishte thirrur të bënte lidhet me atë që Perëndia kërkon nga ne. Jozefi do të nxirrte në dritë Librin e Mormonit; çfarë na është kërkuar neve që të bëjmë me të? Jozefi do të merrte çelësat e priftërisë për t’i kthyer zemrat e fëmijëve tek etërit e tyre; si po i kthejmë ne zemrat tona te paraardhësit tanë? Jozefit iu treguan profeci që do të përmbusheshin së shpejti; cila është pjesa jonë për të ndihmuar në përmbushjen e tyre? Kur marrim pjesë në veprën e Perëndisë, ne mund të presim që të përballemi me kundërshtime dhe madje përndjekje, ashtu siç u përball Profeti. Por ne gjithashtu mund të kemi besim se Zoti do të na bëjë mjete në duart e Tij, ashtu siç bëri për Jozefin.

Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:20–48.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Joseph Smith – Historia 1:27–33

Perëndia ka një punë për mua që unë ta bëj.

Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:27–33, merrni parasysh se Perëndia ka një punë për ju që ta bëni, ashtu siç Ai kishte për Jozef Smithin. Përsiateni këtë ftesë nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Pyeteni Atin tuaj Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit, se si ndihet Ai rreth jush dhe misionit tuaj këtu në tokë. Nëse pyetni me qëllim të vërtetë, me kalimin e kohës, Shpirti do t’ju pëshpëritë të vërtetën që ju ndryshon jetën. … Unë ju premtoj se, kur të filloni të kuptoni edhe një pjesëz të mënyrës se si Ati juaj Qiellor ju shikon dhe të gjërave që Ai po mbështetet tek ju që t’i bëni për Të, jeta juaj nuk do të jetë më kurrë e njëjta!” (“Të Bërit Mijëvjeçaristë të Vërtetë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 10 janar 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

Ndonjëherë ju mund të ndiheni në të njëjtën mënyrë siç u ndie Jozefi te vargjet 28–29. Çfarë mund të mësoni nga shembulli i Jozefit rreth asaj që mund të bëni kur veprimet tuaja nuk janë në përputhje me punën që Perëndia ju ka thirrur të bëni?

Joseph Smith – Historia 1:34–65

Libri i Mormonit përmban “plotësi[në] e Ungjillit të përjetshëm”.

Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:34–65, merrni parasysh se çfarë hollësish në këto vargje mund t’ju bëjnë më shumë përshtypje po të mos kishit dëgjuar kurrë më parë rreth Librit të Mormonit. Si një besimtar/e, përse ky rrëfim është i rëndësishëm për dëshminë tuaj rreth Librit të Mormonit?

Merrni në shqyrtim se si Libri i Mormonit i përmbush profecitë tek Isaia 29:4, 11–18.

Joseph Smith – Historia 1:36–41

Rivendosja e ungjillit i përmbushi profecitë e lashta.

Moroni i citoi Jozefit disa profeci nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, të tilla si Isaia 11; Veprat e Apostujve 3:22–23 dhe Joel 2:28–32. Përse këto profeci mund të kenë qenë të rëndësishme që t’i dinte Jozefi? Përse janë të rëndësishme që ju t’i dini ato?

Doktrina e Besëlidhje 2

Çfarë rivendosi Elija?

Presidenti Henri B. Ajring tha: “Është e rëndësishme ta dimë përse Zoti premtoi të dërgonte Elijan. Elija ishte një profet i madh me fuqi të madhe, të cilën ia kishte dhënë Perëndia. Ai kishte fuqinë më të madhe që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij: ai kishte fuqinë vulosëse, fuqinë për të lidhur në tokë dhe për ta lidhur atë në qiell” (“Me Zemra të Bashkuara”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 78; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 90).

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; Dejvid A. Bednar, ““Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet për Emrin Tim”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 84–87.

Pamja
Tempulli i Palmirës, Nju-Jork në vjeshtë

Tempulli i Palmirës, Nju-Jork. Familjet vulosen në tempull me anë të fuqisë së rivendosur nëpërmjet Elijas.

Doktrina e Besëlidhje 2

Elija erdhi për ta kthyer zemrën time te paraardhësit e mi.

Çfarë ju mësojnë fjalë të tilla si “mbjellë”, “zemrat” dhe “kthehen” në këtë seksion, rreth misionit të Elijas dhe bekimeve të çelësave të priftërisë që ai rivendosi? Si e keni ndier që zemra juaj është kthyer drejt paraardhësve tuaj? Mendoni për mënyrat se si mund t’i përjetoni të tilla ndjenja më shpesh. Ndoshta ju mund t’i kërkoni një të afërmi që t’ju tregojë një histori rreth njërit prej paraardhësve tuaj – madje edhe më mirë, ju mund ta shënoni atë. Ndoshta ju mund të identifikoni një paraardhës të vdekur që nuk i mori asnjëherë ordinancat e ungjillit dhe më pas ta kryeni atë punë në tempull.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Joseph Smith – Historia 1:28–29.Si u ndie Jozef Smithi për gabimet e tij? Çfarë bëri ai për shkak të atyre ndjenjave? Çfarë mësojmë prej tij rreth asaj që duhet të bëjmë kur bëjmë gabime?

Joseph Smith – Historia 1:33–54.Ju mund t’i kërkoni një pjesëtari të familjes ta lexojë me zë të lartë katër herë një pjesë ose të gjithë mesazhin e Moronit nga Jozef Smith – Historia 1:33–42 (sepse Moroni e përsëriti këtë mesazh katër herë). Ndërmjet çdo leximi, kërkojuni pjesëtarëve të tjerë të familjes të tregojnë atë që mbajnë mend nga mesazhi i tij, pa parë te shkrimet e shenjta. Përse Zoti mund t’i përsëritë mesazhet e rëndësishme disa herë? Cilat janë disa mënyra të tjera se si Zoti na mëson nëpërmjet përsëritjes?

Doktrina e Besëlidhje 2:2.Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që t’i kuptojnë “premtimet e bëra etërve”, ju mund të lexoni së bashku tek Abraham 2:9–11 ose të shihni materialin filmik “Special Witnesses of Christ – President Russell M. Nelson” [“Dëshmitarë të Veçantë të Krishtit – Presidenti Rasëll M. Nelson”] (ChurchofJesusChrist.org). Përcaktoni premtimet që bëri Perëndia si pjesë të besëlidhjes së Tij me Abrahamin. Si i “mbjell[im]” ne këto premtime në zemrat tona?

Doktrina e Besëlidhje 2:2–3.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që t’i kthejnë zemrat e tyre tek etërit e tyre (ose paraardhësit), ju mund t’i ftoni ata të mësojnë rreth një paraardhësi dhe t’ia tregojnë atë që mësuan pjesës tjetër të familjes. Përse dëshiron Zoti që ne të mësojmë rreth pjesëtarëve tanë të familjes dhe t’i kryejmë ordinancat e tempullit për ta? Si bekohemi kur marrim pjesë në punën për historinë familjare dhe punën në tempull? (Shih Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 46–49.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Historin’ Familjare Un’ po Bëj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 100.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përdorini ndihmat për studimin e shkrimeve të shenjta. Mjetet si poshtëshënimet, Udhëzuesi Tematik, Fjalori Biblik, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe faqja ChurchofJesusChrist.org, mund t’ju ndihmojnë që t’i kuptoni më mirë njerëzit, ngjarjet dhe frazat në shkrimet e shenjta.

Pamja
Moroni duke i dhënë Jozef Smithit fletët e arta

Jozefi Merr Fletët, nga Gary E. Smith