Manualet e Fillores
Udhëzime për Kohën e Përbashkët dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit


Udhëzime për Kohën e Përbashkët dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit

Të Dashura Presidenca të Fillores dhe Udhëheqëse të Muzikës

Këtë vit ju keni mundësinë që t’u mësoni fëmijëve rëndësinë e zgjedhjes të së drejtës. Të mësuarit për të bërë zgjedhje të drejta është një pjesë e rëndësishme e planit të Atit tonë Qiellor për ne dhe do të sjellë shumë bekime. Synoni të ftoni Shpirtin e Zotit ndërsa jepni mësim plot lutje në mësimet e përfshira në këtë orientues. Ndërsa bëni kështu, fëmijët do të mësojnë që ata mund të marrin ndihmë në të bërit e zgjedhjeve duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, në të jetuarin e parimeve të ungjillit dhe në ndjekjen e nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Zgjedhja e së drejtës do t’i ndihmojë fëmijët që të qëndrojnë në udhën e kthimit për tek Ati ynë Qiellor.

Ne e vlerësojmë shërbimin tuaj besnik ndërsa i doni dhe u jepni mësim fëmijëve të çmuar të Fillores suaj. Ne lutemi për ju dhe e dimë se Zoti do t’ju bekojë ndërsa shërbeni në këtë thirrje të rëndësishme.

Presidenca e Përgjithshme e Fillores

Udhëzime për Kohën e Përbashkët

Mësimdhënie e Ungjillit

Përdoreni këtë broshurë kur përgatiteni për të zhvilluar çdo javë një mësim 15-minutësh gjatë kohës së përbashkët. Ju mund t’i plotësoni mësimet javore me materiale të tjera të miratuara nga Kisha, siç është Liahona. Udhëzimet që vijojnë do t’ju ndihmojnë që të programoni e të zhvilloni mësimet.

Duajini Ata Që Mësoni. Tregojeni dashurinë tuaj për fëmijët duke ua mësuar emrat dhe duke qenë të vetëdijshme për interesat, talentet dhe nevojat e tyre.

Mësojuani Doktrinën nëpërmjet Shpirtit. Kur përgatitni mësimet, lutuni për udhëheqje dhe përpiquni të forconi dëshminë tuaj për parimet që do t’u mësoni. Kjo gjë do t’ju ndihmojë për mësimdhënie nëpërmjet Shpirtit.

Stimuloni Nxënien e Mësimit. Kjo broshurë është hartuar që t’ju ndihmojë të dini jo vetëm se çfarë të jepni mësim, por dhe si ta jepni e të stimuloni nxënien e mësimit. Doktrinën do t’ua mësoni më me efektshmëri, kur në çdo mësim bëni tre gjërat që vijojnë:

  1. Përcaktoni doktrinën. Paraqitni qartë doktrinën që do të mësojnë fëmijët. Mbani parasysh mënyra për ta bërë këtë me fjalë dhe objekte ilustruese. (Për disa shembuj, shihni mësimet për javën e tretë të majit dhe për javën e dytë të gushtit.)

  2. Nxitni të Kuptuarit. Sigurohuni që fëmijët të fitojnë një kuptim më të thellë të doktrinës me anë të metodave të larmishme mësimore që i tërheqin ata për të mësuar, si këndimi i këngëve, interpretimi i roleve dhe leximi i shkrimeve të shenjta.

  3. Jepuni fëmijëve mundësi që ta zbatojnë doktrinën në jetën e tyre. Mbani parasysh si mund t’i shprehin ata ndjenjat apo të vendosin qëllime lidhur me doktrinën.

Kjo broshurë siguron mësime të plota për disa nga javët e këtij viti. Përmban ide, por jo mësime të plota, për javët e tjera. Plotësojini ato ide me disa ide tuajat. Mund të merrni ide nëpërmjet leximit të mësimeve të tjera të kësaj broshure. Kur ka të diela të pesta, përdoreni atë kohë për të rishikuar mësimet e mëparshme. Shpirti mund t’ju udhëheqë ndërsa programoni dhe përgatisni veprimtari për mësimet.

Punoni bashkë me udhëheqësen e muzikës kur përgatisni mësimet. Këndimi i këngëve do të ndihmojë që të përforcohen doktrinat që po mësoni. Herë-herë mund të ftoni mësuese dhe klasat e tyre që t’ju ndihmojnë në pjesët e mësimit të ungjillit.

Disa mësime sugjerojnë që në Fillore të ftohen që të marrin pjesë folës të tjerë. Ju duhet të merrni miratimin e peshkopit ose të presidentit të degës, para se t’i ftoni këta persona për të marrë pjesë.

Mësimet janë të shoqëruara me disa njohuri mësimore që do t’ju ndihmojnë ta përmirësoni aftësinë e mësimdhënies. Mësimet përmbajnë edhe fotografi, të cilat do t’ju ndihmojnë të shihni si duket një veprimtari konkretisht. Ndonëse zhvillimi i aftësive mësimdhënëse është i rëndësishëm, përgatitja jonë shpirtërore dhe dëshmia vetjake janë ato që e ftojnë Shpirtin për t’i pohuar këto doktrina në zemrën e fëmijëve.

Koha e Këndimit

Muzika në Fillore duhet të krijojë një atmosferë nderimi, të mësojë ungjillin dhe të ndihmojë që fëmijët të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe gëzimin që vjen nëpërmjet këndimit. Një hapësirë 20-minutëshe e kohës së përbashkët, duhet t’i kushtohet këndimit dhe mësimit të pjesëve muzikore. Kjo do t’ju sigurojë kohë të mjaftueshme për t’u mësuar fëmijëve këngë të reja dhe do të ndihmojë që t’u pëlqejë këndimi.

Kjo broshurë përfshin një këngë të re që fëmijët ta mësojnë këtë vit (shihni faqen 28). Ajo përfshin edhe një pjesë të titulluar “Si ta Përdorim Muzikën në Fillore” (shih faqet 26–27) dhe ide shtesë për mësimdhënien e këngëve fëmijëve (shih faqet 9, 17).

Udhëzime për Paraqitjen në Mbledhjen e Sakramentit

Nën drejtimin e peshkopit ose presidentit të degës, paraqitja e fëmijëve në mbledhjen e sakramentit zakonisht bëhet gjatë çerekut të katërt të vitit. Takohuni me këshilltarin në peshkopatë ose presidentin e degës që mbikëqyr Filloren në fillim të vitit, për të diskutuar planet paraprake. Merrni miratimin e tij kur të keni përfunduar planifikimet.

Planifikoni që fëmijët të paraqesin programin bazuar në temat mujore të kohës së përbashkët. Gjatë gjithë vitit mbani shënime mbi bisedat dhe përvojat vetjake të fëmijëve, për një përdorim të mundshëm në program. Kur të planifikoni që fëmijët të shfaqin se ç’kanë mësuar për temën e këtij viti, mendoni mënyra me të cilat ata mund ta ndihmojnë bashkësinë e pranishme të përqendrohet mbi doktrinat ungjillore që ata po u mësojnë. Një pjesëtar i peshkopatës mundet ta përfundojë mbledhjen me disa komente të shkurtra.

Kur përgatisni programin, kujtoni udhëzimet e mëposhtme:

  • Provat nuk duhet t’u marrin kohë të panevojshme klasave ose familjeve.

  • Objektet ilustruese, veshjet teatrale dhe paraqitjet audio-vizive nuk janë të përshtatshme për mbledhjen e sakramentit.

Pamja
children singing

Burime të Përdorura në Këtë Broshurë

Shkurtesat e mëposhtme përdoren shpesh në broshurë:

CSChildren’s Songbook

TNGC Teaching, No Greater Call

Shumë mësime kanë sugjerime për përdorimin e pikturave. (Figurat mund t’i gjeni tek Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, Paketa e Fotografive Artistike të Ungjillit, paketat e figurave të manualeve të Fillores si dhe tek revistat e Kishës dhe në internet tek adresa images.lds.org.