2011
Ata na Folën Neve: Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2011


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Merrni parasysh që të përdorni disa nga këto aktivitete dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo meditim vetjak, ndërsa i bëni mësimet e konferencës së përgjithshme pjesë të jetës suaj.

Ju mund t’i gjeni të gjitha bisedat e konferencës së përgjithshme në internet në faqen conference.lds.org.

Shënim: Numrat e faqeve të renditur më poshtë tregojnë faqen e parë të bisedës së përmendur.

Për Fëmijët

  • Presidenti Tomas S. Monson njoftoi se Kisha do të ndërtojë tre tempuj të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tempujve në funksionim, në ndërtim, ose të shpallur në 160. Shihni një hartë që të gjeni Meridian në Ajdaho të SHBA-së; Fort-Kolins në Kolorado të SHBA-së; Uinipeg në Manitoba të Kanadasë dhe tempullin më pranë shtëpisë suaj. Lexoni ose tregoni disa nga historitë, që tregoi Presidenti Monson, për anëtarët besnikë të cilët sakrifikuan së tepërmi për të shkuar në tempull (faqe 90). Vini si synim që të shkoni në tempull sa më shpejt që të mundeni, ose diskutoni mënyra për të mbetur të denjë për të hyrë në tempull.

  • Kur Adami dhe Eva jetuan në tokë, një nga mënyrat se si adhuruan Atin Qiellor qe duke sakrifikuar kafshë. Plaku L. Tom Peri dha mësim se Shpëtimtari ua paraqiti sakramentin dishepujve të Tij në ditën e Shabatit, si një formë të re adhurimi. Ne vazhdojmë të adhurojmë duke marrë sakramentin në Shabat. Rishihni me familjen bisedën e Plakut Peri (në faqen 6) për të mësuar mbi veshjen e përshtatshme për të dielën dhe mënyra të tjera për të nderuar sakramentin në Shabat.

  • Plaku D. Tod Kristoferson na mësoi se Jezu Krishti na udhëzoi se duhet të përpiqemi fort që të jemi si Ai dhe Ati ynë Qiellor (faqe 97). Ati ynë Qiellor nganjëherë “i ndëshkon” fëmijët e Tij për të na ndihmuar që të bëhemi më tepër si Ai. Diskutoni se çfarë do të thotë të ndëshkosh. Lexoni ose tregoni historinë e shkurres frutore të rritur me të tepërt. Diskutoni se si përjetimi i një frenimi ose dështimi në të vërtetë mund të na ndihmojë të bëhemi më të fortë dhe më të frytshëm.

  • Plaku Riçard J. Meinis dha mësim se familjet mund të jenë si litarët (faqe 37). Një litar ka shumë fije që janë të dobëta veç e veç por janë të forta kur enden së bashku. Në mënyrë të ngjashme, kur të gjithë anëtarët e një familjeje bëjnë çfarë është e drejtë për të ndihmuar njëri-tjetrin, çdo person në familje forcohet dhe mund të bëjë më shumë sesa ai apo ajo mund të bëjë vetëm. Jepini secilit pjesëtar të familjes suaj një copë spango ose fije. Flisni për mënyra se si çdo pjesëtar i familjes i shërben e i forcon pjesëtarët e tjerë të familjes. Pastaj shihni se sa të forta janë copat e spangos ose fijes kur mblidhen së bashku.

Për Rininë

  • A është e bashkuar aq shumë sa është e mundur klasa ose kuorumi juaj? Pasi të rishikoni bisedën e Presidentit Henri B. Ajring mbi unitetin (faqe 62), hartoni një listë të atyre që mund të bëni për të afruar më shumë grupin tuaj.

  • Plaku Rasëll M. Nelson foli për qasjen ndaj bindjes si “përzgjedhja e ushqimeve në një vakt tip bufe” (faqe 34). Diskutoni me familjen, klasën ose kuorumin tuaj se çfarë do të thotë kjo dhe përse nuk funksionon.

  • Plaku M. Rasëll Ballard e përshkroi dashurinë e pastër të Krishtit si një dashuri aktive (faqe 46) që tregohet në veprime të thjeshta dashamirësie dhe shërbimi. Planifikoni një mënyrë se si klasa ose kuorumi juaj mund t’i tregojë dashuri dikujt në lagjen, degën ose komunitetin tuaj dhe pastaj zbatojeni planin tuaj.

  • Plaku Kuentin L. Kuk tregoi për historinë e një çante dore të gjetur pas një vallëzimi rinie (faqe 18). Ajo çfarë gjetën udhëheqëset brenda asaj çante dore foli bollshëm mbi të renë që e zotëronte atë. Çfarë tregojnë për ju sendet që gjenden tek kuleta, çanta e dorës, ose çanta e shkollës dhe çfarë ndryshimesh mund të bëni tek sendet që i mbani pranë jush?

  • Plaku Lin G. Robins foli për të bërit më shumë si Shpëtimtari (faqe 103). Mendoni se çfarë do të thotë të jesh si Jezu Krishti në vend që thjesht të bësh atë që Ai kërkon. Pastaj mendoni se çfarë ndryshimesh mund të bëni në jetën tuaj për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari.

Për të Rriturit

  • Presidenti Diter F. Uhtdorf (faqe 58) tregoi për një burrë që jetoi poshtë nivelit të privilegjeve të tij ndërsa humbi aktivitetet e shumta dhe ushqimin e mirë që ofrohej në anijen e tij të udhëtimit turistik, sepse nuk e kuptoi se të gjitha ato gjëra përfshiheshin në çmimin e biletës së tij. Diskutoni me pjesëtarët e familjes që mbajnë priftërinë, mënyra se si ata mund të jetojnë në lartësinë e “privilegjeve [të tyre] kur është fjala për fuqinë e shenjtë, dhuratat dhe bekimet që janë mundësia dhe e drejta [e tyre] si mbajtës të priftërisë së Perëndisë”.

  • Presidenti Bojd K. Paker dha mësim mbi fuqinë e faljes (faqe 30). A ka njerëz që ka nevojë të falni, apo a ka përvoja shqetësuese nga të cilat duhet “të hiqni dorë”? Kërkoni ndihmën e Zotit për të gjetur paqe dhe fuqinë për të falur.

  • Plaku Riçard G. Skot tregoi se si ai dhe bashkëshortja e tij, Zhanina, kishin treguar dashuri duke i shkruar shënime njëri-tjetrit (faqe 94). Merrni parasysh të shkruani një shënim ku të shprehni se sa shumë e doni dhe e vlerësoni bashkëshortin/en tuaj. Vendoseni aty ku bashkëshorti/ja do ta gjejë atë.

  • Plaku Dejvid A. Bednar citoi përvojën e Presidentit Jozef F. Smith për të marrë një dëshmi (faqe 87). Rishiheni këtë histori dhe mendoni mbi ato përvoja që kanë ndikuar dëshminë tuaj.

Ljubljanë, Slloveni

Koacakoalkos, Meksikë