2011
Plaku Hozé L. Alonso
Maj 2011


Plaku Hozé L. Alonso

i Të Shtatëdhjetëve

Pamja
Elder José L. Alonso

Edhe përpara se ai të bashkohej me Kishën, Hozé Luis Alonso Treho kishte një dëshmi për fuqinë e lutjes. “Kur qeshë 11 vjeç”, thotë ai, “unë thuajse vdiqa. Mjekët kishin hequr dorë nga unë – i dëgjova të flisnin. Kështu unë iu luta dhe iu luta Zotit dhe Ai më shëroi.

Kur më vonë dëgjova historinë e Jozef Smithit dhe dëgjova se si një djalë vetëm 14-vjeçar foli me Perëndinë, unë e dija se ishte e vërtetë. Unë e dija se Perëndia mund t’u përgjigjet lutjeve tona, që Ai na njeh ne.”

Po ajo ndjenjë qetësie e udhëhoqi Plakun Alonso kur studionte Librin e Mormonit. “Në saje të lutjes dhe të këtij libri, unë e di me siguri se Jezusi është Krishti”, thotë ai.

Plaku Alonso lindi në Meksiko-Siti, në Meksikë, në nëntor 1958 nga Luis dhe Luz Alonso. Kur qe adoleshent ai shkoi në qytetin e Kuautlas, në Meksikë, ku u bashkua me Kishën. Pjesëmarrja në Aktivitetet e Përbashkëta e lidhi atë me të rinj të fortë që i bënë shoqëri dhe i siguruan një shtëpi të dytë. Ishte gjithashtu, gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet e përbashkëta kur ai takoi Rebeka Salazarin, gruan që do të bëhej më vonë bashkëshortja e tij.

Kur Plaku Alonso u bë 19 vjeç, ai shërbeu një mision kohëplotë në misionin e Hermosillos në Meksikë. Pas misionit të tij, Plaku Elonso dhe Rebeka u martuan më 24 shkurt 1981, në Tempullin e Mesas në Arizona. Ata janë prindër të dy fëmijëve.

Përveç shërbimit si drejtor instituti për Sistemin Arsimor të Kishës, Plaku Alonso ka një diplomë mjekësie për zhvillimin pediatrik dhe punoi si mjek homeopatik dhe kirurg. Karriera e tij tregon një dëshirë të ruajtur gjatë për të shërbyer dhe bekuar të tjerët – njësoj siç Zoti e bekoi atë kur qe i sëmurë si fëmijë. “Shërbimi ndaj të tjerëve ndërton unitet dhe vëllazëri”, thotë ai, “dhe fton fuqinë e Zotit në jetën tonë.”

Përpara kësaj thirrjeje për në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve, Plaku Alonso shërbeu si peshkop, president misioni kunji, president kunji, këshilltar presidenti misioni, president i Misionit të Tiohuanas në Meksikë dhe I Shtatëdhjetë Zone.