2011
75 Vite të Sistemit të Kishës për Mirëqenie.
Maj 2011


Festimi i 75 Viteve të Sistemit për Mirëqenie

Disa biseda gjatë Konferencës së 181-të të Përgjithshme Vjetore të Kishës iu kushtuan përkujtimit të programit të Kishës për Mirëqenien, duke festuar tani vitin e tij të 75-të.

Në ditën e tij të përurimit në 1936-tën, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, atëherë këshilltar në Presidencën e Parë, pohoi rrënjët e frymëzuara hyjnisht të planit të Kishës për mirëqenie: “[Programi për mirëqenie] u krijua nëpërmjet zbulesës hyjnore dhe nuk ka asgjë tjetër në të gjithë botën që mund të përkujdeset me kaq efektshmëri për anëtarët e vet.”1

Shtatëdhjetë e pesë vite kanë ardhur dhe shkuar. Cikle ekonomike kanë përshkuar rrugën e tyre dhe kanë filluar përsëri. Bota ka parë ndryshime gjigante shoqërore dhe kulturore dhe Kisha ka parë rritje monumentale.

Por fjalët e thëna për planin e Kishës për mirëqenie të frymëzuar hyjnisht në atë ditë, janë të vërteta sot aq sa ishin atëherë.

Parime për Mirëqenie

Në 1929-ën Shtetet e Bashkuara përjetuan humbje të jashtëzakonshme financiare kur bursa e aksioneve falimentoi. Në 1932-shin papunësia në Juta pati arritur në 35,8 për qind.

Edhe pse Kisha pati respektuar parime për mirëqenie, përfshirë një sistem deposh dhe programesh për të ndihmuar anëtarët që të gjenin punë, shumë anëtarë po i drejtoheshin ndihmave të qeverisë.

“Unë besoj se ka një rritje të prirjes midis njerëzve që të përpiqen të marrin diçka nga qeveria e Shteteve të Bashkuara me shpresë të pakët për ta kthyer ndonjëherë atë”, komentoi Presidenti Hiber J. Grant (1856–1945) në atë kohë.2

Udhëheqësit e Kishës dëshironin të ndihmonin anëtarët që luftonin, pa nxitur papunësinë dhe ndjesinë se i kanë borxh. Qëllimi ishte që të ndihmoheshin njerëzit për të ndihmuar veten për t’u bërë të pavarur.

Në 1933-shin Presidenca e Parë shpalli: “Anëtarët tanë të aftë fizikisht nuk duhet, përveçse si burim i fundit, të vihen në sikletin e pranimit të diçkaje për asgjë. … Zyrtarët e Kishës që administrojnë ndihmat duhet të krijojnë mënyra dhe mjete me të cilat të gjithë anëtarët fizikisht të aftë të Kishës që janë në nevojë, të bëjnë shlyerje për ndihmën që u jepet, duke dhënë një lloj shërbimi.”3

Me parimet e zbatuara dhe besimin e anëtarëve në veprim, njësi të veçanta të Kishës si dhe Kisha në tërësi, shkuan të punojnë duke organizuar klasa për qepje dhe konservime, projekte pune koordinimi, marrje fermash dhe duke theksuar të jetuarit me drejtësi, me kursim dhe në pavarësi.

Plani i Kishës për Mirëqenie

Me organizimin e Planit të Kishës për Siguri (i riemëruar Plani i Kishës për Mirëqenie në 1938-ën), njerëzve iu dha mundësia të punojnë, sipas aftësisë së tyre, për ndihmën që merrnin. Plani u mësoi njerëzve t’i drejtohen më mirë vetes për ndihmë sesa burimeve të tjera për një dhuratë.

“Qëllimi ynë parësor ishte të ndërtonim … një sistem në të cilin mallkimi i papunësisë do të hiqej qafe, të këqijat e lëmoshës të shfuqizoheshin dhe pavarësia, zelli, kursimi dhe respekti për veten të rivendoseshin edhe një herë midis njerëzve tanë”, tha Presidenti Grant gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit të 1936-ës. “Puna duhet të rivendoset në fron si parimi sundues i jetës së anëtarësisë së Kishës sonë.”4

Gjatë viteve, sistemi i Kishës për mirëqenie ka përfshirë shumë programe: Shërbime Sociale (tani Shërbimet e Familjes së SHDM), Ndihmat e SHDM, Shërbimet Humanitare dhe Përgjigjja për Emergjencë. Këto programe dhe të tjera kanë bekuar jetën e qindra mijërave si në Kishë edhe jashtë saj.

Bërja e Programit Ndërkombëtar

Edhe pasi Depresioni i Madh mbaroi me shpërthimin e Luftës II Botërore, Presidenti J. Ruben Klark i Riu, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, fatmirësisht mbrojti vazhdimin e programit për mirëqenie. Në tetor të 1945-ës, Presidenti i SHBA-ve Harri S. Truman i bëri thirrje Presidentit të Kishës Xhorxh Albert Smith (1870–1951) që të përcaktonte si dhe kur mund të dërgoheshin furnizimet në zona të Europës së shkatërruar nga lufta. Për habinë e Presidentit Truman, udhëheqësit e Kishës u përgjigjën se ushqimet dhe veshjet, dhe furnizime të tjera ndihmash ishin tashmë të grumbulluara dhe gati për dërgim.

Me kohë, Kisha i zgjeroi ndërtesat dhe programet e saj për mirëqenie për të mbuluar më shumë zona në nevojë, përfshirë më shumë zona gjeografike. Në vitet 1970, Kisha e zgjeroi programin e saj për mirëqenie dhe prodhimin në Meksikë, Angli dhe në ishujt e Paqësorit. Gjatë dekadës vijuese Argjentina, Kili, Paraguaji dhe Uruguaji u bënë vendet e para jashtë Shteteve të Bashkuara ku u hapën qendra punësimi të Kishës.

Me krijimin e Shërbimeve Humanitare të Kishës në 1985-ën, përpjekjet ndërkombëtare të Kishës për mirëqenie u rritën pamasë ndërsa veshje dhe mallra të tjera klasifikoheshin për dërgim përreth botës në përgjigje ndaj varfërisë dhe shkatërrimeve.

Sot rritja e anëtarësisë ndërkombëtare të Kishës, veçanërisht në vendet në zhvillim, nxjerr sfida të reja, që programi po i përshtat që t’u përgjigjet.

Një Plan i Frymëzuar për Sot

Parimet bazë të mirëqenies – mbështetja te vetja dhe zelli – mbeten njësoj sot si në kohën kur Zoti urdhëroi Adamin: “Do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:19).

Në ditët e mëvonshme, Zoti ka deklaruar: “Dhe shtëpia e ruajtjes duhet të mbahet nëpërmjet përkushtimeve të kishës; dhe të vejat dhe jetimët duhet të mbështeten, ashtu sikurse të varfërit” (DeB 83:6). Pastaj Ai na kujton ne: “Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime” (DeB 104:16).

Parimet e mirëqenies janë në veprim në jetët e anëtarëve anembanë botës si një parim i përditshëm në shtëpi të veçanta.

“Forca e Kishës dhe e depove të vërteta të Zotit është te shtëpitë dhe zemrat e njerëzve të tij”, ka thënë Plaku Robert D. Hejls i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.5

Kur individët e zhvillojnë mbështetjen e tyre tek vetja nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, objektivi afatgjatë i programit, siç është përkufizuar nga Presidenti Klark, vazhdon të përmbushet: “Formimi i karakterit tek anëtarët e Kishës, dhënësve dhe marrësve, shpëtimi i gjithçkaje që është më e mira thellë brenda tyre dhe lulëzimi e frytshmëria e pasurisë së fshehur të shpirtit, që në fund të fundit është misioni dhe qëllimi, dhe arsyeja e ekzistencës së kësaj Kishe.”6

Shënime

  1. David O. McKay, në Henry D. Taylor, The Church Welfare Plan, e pabotuar ms., Salt Lake City (1984), f. 26–27.

  2. Heber J. Grant, në Conference Report, tetor 1933, f. 5.

  3. Në James R. Clark, vepra e plotë, Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 volume, (1965–1975) 5:332–f. 334.

  4. Heber J. Grant, në Conference Report, tetor 1936, f. 3.

  5. Robert D. Hales, “Welfare Principles to Guide Our Lives: An Eternal Plan for the Welfare of Men’s Souls”, Ensign, maj 1986, f. 28.

  6. J. Reuben Clark Jr., në mbledhje të posaçme të presidentëve të kunjeve, 2 tetor 1936.

Presidentët Dejvid O. Mek-Kei, Hibër J. Grant dhe J. Ruben Klark i Riu (nga e majta në të djathtë) të Presidencës së Parë vizitojnë Sheshin e Mirëqenies (Welfare Square) në vitin 1940.

Qoftë duke bërë bukë (lart majtas), duke rritur rrush (lart djathtas), ose duke dhënë ndihmë me mënyra të tjera, programi i Kishës për Mirëqenie synon të zhvillojë mbështetjen tek vetja me anë të besimit në Jezu Krisht.