2011
Fondi i Qarkullueshëm Arsimor Plotëson Premtime Profetike
Maj 2011


Fondi i Qarkullueshëm Arsimor Plotëson Premtime Profetike

Dhjetë vjet më parë, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) përvijoi një problem – paaftësinë e shumë misionarëve të kthyer dhe të rinjve të tjerë të denjë në zona në zhvillim për t’i shpëtuar varfërisë – dhe dha një zgjidhje: Fondi i Qarkullueshëm Arsimor (FQA). Një fond xhirues që do të krijohej duke përdorur dhurime nga anëtarë dhe miq të Kishës, FQA [PEF] do të jepte hua për arsim për të rinj me pritshmëri që ata të përgatiteshin për punësim fitimprurës në komunitetet e tyre dhe të shlyenin huatë, kështu që të tjerë të mund të kishin mundësi të njëjta. Ai tha se Kisha do të mund të mbështetej te vullnetarë dhe te burime ekzistuese të Kishës për të pasur sukses.

Mrekullira që Ndodhën

Kur Presidenti Hinkli u ngjit te foltorja më 31 mars 2001 dhe parashtroi një vizion për Fondin e Qarkullueshëm Arsimor përpara priftërisë së Kishës, ishte e dukshme për shumë njerëz se profeti i Zotit pati marrë drejtim.

Mundësia për dështim mund të jetë dukur e zbehtë ndërsa udhëheqësit e caktuar rishtas të FQA-së u ngutën të fillojnë duke dhënë hua në vjeshtën e 2001-shit, siç pati udhëzuar Presidenti Hinkli. Jashtë përvijimit të frymëzuar të profetit nuk pati ndonjë plan biznesi, as propozim të hollësishëm. Programi u organizua duke përdorur tekstin e bisedës së Presidentit në konferencë si statut të tij. Me qindra aplikime për hua vërshuan në zyrat qendrore të Kishës madje ndërkohë që drejtorët po thirreshin dhe struktura bazë e programit ishte në krijim e sipër.

Por mrekullitë tashmë po ndodhnin. Brenda vitit të parë, miliona dollarë qenë dhuruar për programin. Disa individë, karakteristikat e të cilëve i kualifikonin ata në mënyrë të pashoqe për punën e FQA-së, qenë menjëherë të gatshëm për të shërbyer si drejtorë vullnetarë. Infrastruktura e nevojshme për të mbështetur FQA-në në shkallë globale qe vendosur tashmë në formën e programeve të institutit të Sistemit Arsimor të Kishës dhe të Qendrave të Burimeve të Punësimit të Kishës. Çfarëdo që nevojitej shkoi shpejt në vendin e vet, duke siguruar që programi, me ato që Presidenti Hinkli tha në prill të 2002-shit, të jetë një “themel i fortë”1.

Reks Alen, aktualisht duke shërbyer si drejtor vullnetar i trajnimit dhe komunikimeve për FQA, tha: “Kohë më parë, Moisiu e tërhoqi stapin e tij në Detin e Kuq dhe ujërat u ndanë. Presidenti Hinkli pasqyroi po këtë besim kur ai mbajti mantelin e tij profetik mbi detin e errët të varfërisë dhe filloi FQA-në.”

“Është një mrekulli”, pohoi sërish Presidenti Hinkli.

Pas 10 vitesh, megjithatë, mrekullitë më të mëdha mund të jenë thjesht duke filluar.

Premtime të Përmbushura

Në njoftimin e tij për FQA-nëë dhe në fjalime të tjera, Presidenti Hinkli premtoi se disa bekime do të vërshonin nga FQA-ja. Secili po përmbushet me një vrull në rritje ndërsa më shumë pjesëmarrës diplomohen nga FqA-ja dhe shlyejnë huatë e tyre.

Mundësi dhe Punësim

“[Pjesëmarrësve] do t’u mundësohet të marrin një arsimim të mirë që do t’i nxjerrë ata nga bataku i varfërisë”, tha Presidenti Hinkli.2

Nga shkurti i 2011-ës, afro 90 për qind e atyre që kanë kërkuar punë pas përfundimit të shkollimit të tyre, kanë gjetur punë. Rreth 78 për qind e atyre që tani janë të punësuar, thonë se punësimi i tyre i tanishëm është një përmirësim ndaj asaj që kishin para se të merrnin trajnim. Të ardhurat mesatare pas shkollimit për pjesëmarrësit e FQA-së janë tre deri në katër herë më të mëdha se të ardhurat pëpara shkollimit, duke paraqitur një përmirësim të madh të gjendjes ekonomike.

Familja dhe Komuniteti

“Ata do të martohen dhe do të përparojnë me aftësi që do t’i kualifikojnë ata të fitojnë mirë dhe të zënë vendin e tyre në shoqëri kudo ku ata mund të japin një kontribut thelbësor”, deklaroi Presidenti Hinkli.3 Paksa mbi një e treta e pjesëmarrësve të FQA-së tani janë të martuar.

Plaku Xhon K. Karmak, drejtor ekzekutiv i FQA-së, thotë: “Një nga rezultatet më inkurajuese të FQA-së deri tani, është se ne po shohim që njerëz të rinj fitojnë më shumë shpresë. Kjo shpresë u jep atyre kurajë që të martohen dhe të shkojnë përpara në jetën e tyre.”

Duke vepruar kështu, familjet e tyre në rritje shohin përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur.

Kisha dhe Udhëheqja

“Si anëtarë besnikë të Kishës, ata do të paguajnë të dhjetat dhe ofertat e tyre dhe Kisha do të jetë shumë më e fortë nga prania e tyre në zonat ku ata jetojnë”, tha Presidenti Hinkli.4

Në disa zona ku FQA-ja ka qenë në veprim për disa vite, deri 10-15 për qind e udhëheqjes aktuale të Kishës përbëhet nga pjesëmarrës të FQA.

“Pjesëmarrësit kanë nxitur të rinj të tjerë të përdorin huatë nga FQA-ja dhe të thyejnë varfërinë”, tha Reks Alen. “Pas 10 vitesh ne po shohim rrethin e shpresës të zgjerohet, përsa kohë ata që kanë qenë të bekuar, ndajnë bekimet me të tjerët.”

Ndikime në Jetën e Shumë Njerëzve

“[FQA] do të bëhet një bekim për të gjithë ata jetën e të cilëve prek – të rinjtë dhe të rejat, familjet e tyre të ardhshme, Kishën që do të bekohet me udhëheqjen e tyre të fortë vendore”, premtoi Presidenti Hinkli.5

Më shumë se 47.000 njerëz kanë marrë pjesë në FQA qysh nga vjeshta e 2001-shit. Kjo është pa përfshirë familjet e zgjeruara që janë mbështetur dhe frymëzuar nga anëtarët e familjeve që marrin pjesë në FQA, lagjet dhe degët që përfitojnë nga anëtarët që kanë aftësi më të madhe për të shërbyer e kontribuar, dhe ekonomitë vendase që kanë nevojë për punonjës të aftë për t’u rritur.

“Përfytyroni ndikimin kur merrni parasysh të gjithë ata që ndikohen”, tha Vëllai Allen. “Kjo u drejtohet atyre që i dhurojnë FPA – dhuruesve, familjeve të tyre, lagjeve dhe degëve të tyre – të gjithë janë bekuar nga kontributet e tyre.”

“Brenda mundësive thuajse të të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme është aftësia për të dhënë diçka rregullisht për këtë fond dhe për përpjekje të tjera të denja”, tha Plaku Karmak. “Ftesa e Presidentit Hinkli i ndihmon të gjithë ata që kontribuojnë për FQA si dhe të gjithë ata që [e përdorin atë për] të përmirësuar veten që të afrohen më shumë te Shpëtimtari ynë.”

Rritje e Vazhdueshme

Parashikimi profetik i Presidentit Hinkli për Fondin e Qarkullueshëm Arsimor është realizuar ndërsa ndikimi i këtij programi të frymëzuar vazhdon të përhapet kudo në botë dhe ai do të vazhdojë të realizohet në shifra edhe më të mëdha ndërsa dhurimet vijojnë dhe huatë shlyhen, duke lejuar një brez të ri pjesëmarrësish të përmirësojë veten dhe gjendjen e vet.

Për të mësuar më shumë rreth Fondit të Qarkullueshëm Arsimor lutemi të vizitoni pef.lds.org.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “The Church Goes Forward”, Liahona, korrik 2002, f. 4; Ensign, maj 2002, f. 6.

  2. Gordon B. Hinckley, Liahona, korrik 2002, f. 4; Ensign, maj 2002, f. 6.

  3. Gordon B. Hinckley, Liahona, korrik 2002, f. 4; Ensign, maj 2002, f. 6.

  4. Gordon B. Hinckley, “The Perpetual Education Fund”, Liahona, korrik 2001, f. 62; Ensign, maj 2001, f. 52.

  5. Gordon B. Hinckley, Liahona, korrik 2001, f. 62; Ensign, maj 2001, f. 52.

Fondi i Qarkullueshëm Arsimor, që filloi 10 vite më parë, ka ndihmuar më shumë se 47.000 pjesëmarrës.

Foto nga Brian Wilcox