2022
Ajo që Arkit i Pëlqen Shumë të Mësojë
Shtator 2022


“Ajo që Arkit i Pëlqen Shumë të Mësojë”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.

Ajo që Arkit i Pëlqen Shumë të Mësojë

Shtet i ri, kultura të reja, miq të rinj … aspak problem!

Pamja
i ri

Fotografitë nga Clayton Chan

Arkit i pëlqejnë shumë ushqimet djegëse. Ky është një zbulim relativisht i ri për të. Në Filipine, ku ai u rrit, ushqimet kishin shije shumë më pak djegëse.

Por më pas, i ati gjeti një vend pune në Malajzi.

Në atë kohë, Arki takoi miq në kishë, që ishin nga gjithfarëlloj prejardhjesh, duke përfshirë edhe disa nga India.

“Ata hanë ushqime vërtet djegëse!” Arki C., mosha 14 vjeç, tregon për miqtë e tij të rinj. “Ky ushqim është shumë më djegës nga ai që haja në vendin tim.”

Megjithatë, çfarë gallate! Arki kurrë nuk e dinte se çfarë i kishte munguar. Tani atij i pëlqen të eksplorojë tërë atë botë të re të artit të gatimit.

Sigurisht, kjo nuk është e vetmja mënyrë se si miqtë e Arkit në Kishë ia kanë ndryshuar jetën për mirë. “Isha i lumtur që u shpërngula në Malajzi, por edhe i trishtuar njëkohësisht. Ishin të gjithë miq të rinj dhe është e vështirë të flasësh me miq të rinj.”

Por rinia në degën e tij të re e ndihmoi ta kalonte këtë periudhë kalimtare. Si një vlerë e shtuar, ai tani di shumë më tepër për shumë fusha të ndryshme. “Kam mësuar për kultura të ndryshme”, – tha ai. “Ushqimi është ndryshe dhe po ashtu edhe veshjet. Rrobat e tyre janë shumëngjyrëshe dhe është shumë interesante mënyra se si i bëjnë ato!”

Pamja
të rinj duke ngrënë

Sidoqoftë, pati një grup miqsh që e shtynë të shkonte përpara më shumë se kushdo tjetër gjatë dhe pas shpërnguljes: familja e vet.

Lojëra me Miqtë

Arkit i pëlqen shumë të kalojë kohë me familjen, sidomos kur luajnë me letra. Loja Uno është veçanërisht loja e tij e parapëlqyer. Arsyeja? “Unë fitoj gjithmonë”, – thotë me të qeshur.

Atij i pëlqen shumë të luajë edhe Monopoli me prindërit dhe vëllanë e tij më të vogël, Lifin. (Motra e tij më e vogël nuk e ka ende moshën për të luajtur me ta.) Gjithsesi, qëllimi i lojërave nuk është vetëm hedhje zaresh dhe shpenzim parash të rreme. “Gjatë lojërave, prindërit më mësojnë strategji biznesi dhe parime që lidhen me paratë. Është vërtet një këshillë e dobishme për të ardhmen.”

Babai i tij është një zhvillues programesh kompjuterike dhe mamaja e tij drejtonte biznesin e vet në Filipine. Ata kanë shumë aftësi për t’ia mësuar. Sa për Arkin, ai është i etur për të mësuar gjithçka që të mundet prej tyre. Ai ka plane të mëdha për karrierën e vet.

Pamja
familja

Lëndët e tij të parapëlqyera shkollore janë bioteknologjia dhe inxhinieria. Arki dëshiron të bëhet bioteknolog. Me këtë pritshmëri të lartë, ai kap çfarëdo mundësie që i jepet për të mësuar diçka të re.

Megjithatë, mësimi nga prindërit e tij, nuk ishte gjithnjë burimi i parapëlqyer i Arkit për të mësuarit. Ashtu si dashuria e tij për ushqimin djegës, ky zbulim i një burimi të çmuar i erdhi pak më vonë në jetë.

Ndryshimi nga Kokëfortë në Student

“Kam qenë shumë kokëfortë”, – pohon Arki. “Nuk isha i interesuar për të mësuar nga prindërit e mi.”

Ai përpiqej të mësonte vetë ose të mësonte vetëm nga miqtë dhe mësuesit e shkollës. Pastaj lexoi diçka në Librin e Mormonit që solli një ndryshim të madh te mënyra se si i shihte gjërat.

Tek Alma kapitujt 36 dhe 37, Alma i jep këshillë të birit, Helamanit. Alma i mëson Helamanit për gjithçka, që nga vetë historia e jashtëzakonshme e kthimit në besim të Almës (që përfshinte tri ditë të pavetëdijshme pasi një engjëll i tha se nuk po bënte aspak zgjedhje të mira në jetë [shih Alma 36:6–10]) deri te rreziqet e lidhjeve të fshehta.

Në të gjithë këtë, i vetmi varg që ia tërhoqi vëmendjen Arkit ishte: “O mbaje mend, biri im dhe mëso urtësi në rininë tënde; po, mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë” (Alma 37:35).

Diçka i erdhi në mendje Arkit nga këto fjalë. “Prindërit e mi mund të më mësojnë mua urtësi gjithashtu”, – thotë ai. Menjëherë e kuptoi se kishte një mori informacionesh përpara tij. “Tani interesohem shumë për urtësinë e tyre. Ata më duan dhe mund të më ndihmojnë që të përgatitem për të ardhmen time.”

Dhe urtësia e tyre shkon përtej këshillave të biznesit që më tregojnë gjatë lojërave.

Urtësia e Mamit dhe e Babit

Një mësim i vlefshëm që prindërit ia kanë mësuar Arkit, është që të mos i lejojë ndikimet e këqija përreth tij që ta pengojnë. “Këtu në shkollën time, shumë të rinj duan që unë të provoj kafe, çaj, cigare e kështu me radhë.”

Kjo është një temë bashkëbisedimi e rregullt në shtëpi. “Kam bërë shumë bashkëbisedime me prindërit për këtë. Ata përsëritin shumë të njëjtat gjëra”, – thotë ai me shaka.

Prapëseprapë, e gjithë ajo përsëritje ka dhënë rezultat. Sa herë që i kërkohet të bëjë diçka kundër bindjeve të tij, Arki merr forcë nga ajo që prindërit i kanë mësuar.

Një mësim tjetër që i është ngulitur, është mënyra se si të vishet. Jo, Arki nuk kishte nevojë për këshilla mode nga prindërit e tij për t’u përshtatur më mirë në shkollë. Në fakt, po ia dilte mjaft mirë në atë fushë. “Vishesha me të gjitha llojet e rrobave tërheqëse”, – tha Arki. “Po përpiqesha t’u bëja përshtypje vajzave.”

Megjithatë, prindërit e ndihmuan të kuptonte se veshja në atë mënyrë kishte edhe disa pasoja të paqëllimshme. “Rrobat që veshim mund të ndikojnë në mënyrën se si mendojnë të tjerët për ty”, – shpjegon Arki. Teksa i kushtonte më shumë vëmendje, Arki e kuptoi se nuk i pëlqenin disa prej mënyrave se si njerëzit dukej se mendonin për të kur vishej si më parë.

Tani ai zgjedh veshje më konservatore, modeste ose siç i quan ai, veshje “tuhafësh”. Atij i pëlqen pamja e tij e re dhe ndihet më mirë shpirtërisht për mënyrën se si vishet. (Në fakt Ark, tuhafët janë të lezetshëm! Fakt i padiskutueshëm.)

Të Mësuarit gjatë Gjithë Jetës

Arkit i pëlqen shumë vendi ku jeton, ai e do shumë familjen e tij dhe mësimin që merr nga prindërit.

Atij i pëlqen shumë edhe të mësojë ungjillin.

Pamja
i ri duke lexuar

“Unë besoj se Jezu Krishti jeton”, – thotë Arki. “Besoj se profeti ynë i gjallë është Presidenti Rasëll M. Nelson dhe se nëpërmjet Jozef Smithit, Jezu Krishti rivendosi Kishën e Tij. Besoj se ungjilli mund të na ndihmojë gjatë jetës sonë dhe gjatë çfarëdo pengese ose sprove që përjetojmë.”

Pavarësisht se çfarë gjërash të jashtëzakonshme do të mësojë Arki në të ardhmen, ai tashmë ka mësuar disa nga gjërat më të rëndësishme se të gjitha. Afër kreut të asaj liste është kjo gjë: Shpenzimi i kohës me familjen i shton shumë shije jetës!