2022
Jezu Krishti na Ofron Shpresë
Shtator 2022


“Jezu Krishti na Ofron Shpresë”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.

Jezu Krishti na Ofron Shpresë

Kur u shërbejmë të tjerëve, Jezu Krishti na jep shpresë se gjërat do të zgjidhen në jetën tonë.

Pamja
të rinj duke shtyrë karrocë dore

Të rinjtë nga Kusko, Peru, punojnë së bashku për të dhënë shërbim.

Kjo jetë është plot me sfida. Ndoshta i keni përjetuar tashmë disa prej tyre. Ka shumë shkaqe të stresit dhe shqetësimit, frikës dhe ankthit. Kur i përjetojmë këto gjëra, prirja është ta kthejmë vëmendjen te vetja, të kujdesemi për veten dhe për nevojat tona mbi gjithçka tjetër. Mendojmë që nëse e shpenzojmë kohën dhe energjinë tonë duke u përpjekur që t’i “rregullojmë” gjërat, ne mund ta gjejmë mënyrën tonë për të dalë nga problemet.

Por Jezu Krishti na tregon një mënyrë më të mirë. Ai dha mësim: “Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë” (Lluka 17:33). Mënyra më e shpejtë për të gjetur shpresë në sprovat tuaja është t’ia drejtoni zemrën Shpëtimtarit dhe të ndiqni shembullin e Tij e t’u shërbeni të tjerëve.

Pamja
Jezu Krishti duke shëruar burrin në Betesda

The Healing at Bethesda [I Sëmuri në Betesda], nga Gary Smith

Jeta e Shpëtimtarit ishte shembulli i përsosur i dashurisë dhe mirëdashjes ndaj njerëzve. Ai gjithmonë e harroi veten e Tij për hir të të tjerëve. Veprimet e Tij vetëmohuese u shfaqën në gjithçka që bëri Ai çdo ditë të jetës së Tij dhe nuk u kufizuan vetëm për një periudhë të veçantë.

Ndërsa e kthejmë vëmendjen tek të tjerët ashtu siç bëri Shpëtimtari, unë mund t’ju siguroj se ne do të gjejmë mundësi të pakufishme për t’u dhënë nga vetja qetësisht e dashamirësisht njerëzve që kanë nevojë për ne.

Kjo do të na ndihmojë ta njohim më mirë Shpëtimtarin dhe të gjejmë për vete paqe në tokë madje, teksa zhvillojmë një dashuri hyjnore më të madhe kundrejt të tjerëve. Kur e “humbisni jetën tuaj” për t’u shërbyer të tjerëve, duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, Ai do t’ju ndihmojë.

Pamja
të rinj duke ngritur tulla me baltë

Engjëjt e Përditshëm

Shpesh Shpëtimtari do të drejtojë njerëz të tjerë në jetën tonë për të ndihmuar që të na sjellin paqen dhe ngushëllimin që na nevojiten në kohë sprovash. Këta njerëz të bekuar na duken si engjëj të dërguar nga qielli, sepse pa dyshim, janë të tillë.

Familja ime dhe unë në disa raste të ndryshme i përjetuam këto ndjenja të ngushëllimit e paqes që mund t’i sjellë një ushtri engjëllore e kohës sonë. Do të doja të flisja për njërin nga këto raste. Në vitin 2003, ne u shpërngulëm nga shtëpia jonë në Brazil për në Jutë në Shtetet e Bashkuara.

Atë dimër, patëm një nga stuhitë më të mëdha të borës që kishte pasur në Jutë për shumë vjet. S’kishim parë kurrë diçka të tillë në jetën tonë, ngaqë ishim rritur mes pemëve të palmave dhe plazheve me rërë. Shtëpia jonë ndodhej në cep të një kodre që kishte një trotuar shumë të gjatë.

Kur filloi bora, bashkëshortja ime filloi plot kurajë që të pastronte me një pajisje pastrimi të borës nga rrugica dhe trotuaret. Nuk isha në gjendje të ndihmoja, sepse kisha rrëshqitur në akull dhe kisha thyer kyçin e dorës disa ditë më parë. Ai aksident përfundoi me ndërhyrje kirurgjikale dhe me një copë allçi të madhe në krahun tim.

Ndërsa filloi të pastronte borën me pajisjen për herë të parë në jetën e saj, gruaja ime e dashur nuk e kishte idenë se duhej të ndryshonte drejtimin e tubit pas pastrimit të borës nga njëra anë e rrugicës. Prandaj, kur shkoi në anën tjetër për të pastruar, pikërisht atje tubi e kishte drejtuar borën. Ajo shkoi poshtë e lart, por pa dobi. Çfarë rrëmuje!

Për shkak të qëndrimit të gjatë në të ftohtë, ajo mori një infeksion në të dyja veshët dhe u shurdhua gati tërësisht për dy muaj. Në të njëjtën kohë, djali im 16‑vjeçar lëndoi kurrizin teksa rrëshqiste me sajë dhe iu desh të qëndronte në shtrat që të shërohej. Pra ja ku ishim, njëri në shtrat, tjetra e shurdhët, njëri me krahun në allçi dhe që të gjithë të ngrirë nga të ftohtët.

Jam i sigurt që ishim goxha pamje për fqinjët tanë. Në njërin nga ato mëngjese të ftohta, herët, rreth orës 5:00 të mëngjesit, u zgjova nga tingulli i një pajisjeje pastrimi të borës jashtë dritares sime. Vështrova jashtë dhe pashë fqinjin tim nga ana tjetër e rrugës, Vëllanë Blejn Uilliams. Në një moshë gati 70‑vjeçare, ai e kishte lënë shtëpinë e tij të ngrohtë e të rehatshme dhe qetësisht erdhi dhe pastroi borën në rrugicën dhe trotuaret tona, duke e ditur se nuk ishim në gjendje ta bënim vetë.

Pamja
pajisje për pastrim dëbore

Fotografia nga Getty Images

Një mik tjetër, Vëllai Daniel Almeida, u shfaq në shtëpinë tonë që të më çonte me makinë në Solt‑Lejk‑Siti për punë, pasi nuk mund ta ngisja makinën prej allçisë shumë të pamanovrueshme. Ata erdhën për mua çdo mëngjes, duke treguar dashurinë e tyre me këto veprime të thjeshta dashamirësie, derisa familja ime u shërua dhe u aftësuam sërish për t’i bërë gjërat vetë.

Gjatë atij dimri të ftohtë të vitit 2003, këta vëllezër engjëllorë u dërguan te ne. Këta dy vëllezër ndoqën shembullin e Shpëtimtarit tonë dhe menduan për nevojat tona përpara se të mendonin për nevojat e tyre.

Shpëtimtari Ofron Paqe

Shërbimi ndaj të tjerëve na jep një perspektivë më të lartë dhe më të shenjtë. Kur u shërbejmë të tjerëve, Jezu Krishti na jep shpresë se gjërat do të zgjidhen në jetën tonë.

Kthimi i vëmendjes tek të tjerët siç bëri Shpëtimtari, do të na bekojë me mundësi të pakufishme për t’u dhënë nga vetja në heshtje dhe me dashamirësi njerëzve që kanë nevojë për ne. Të jetuarit si Shpëtimtari na ndihmon gjithashtu që të zhvillojmë një dashuri më të madhe hyjnore si dashuria e Krishtit kundrejt të tjerëve. Kjo na ndihmon të gjejmë përmasa më të mëdha dashurie, paqeje, drite dhe force të përtërirë.

Pamja
motra

Shpëtimtari na fton ta kërkojmë Atë në çdo mendim dhe ta ndjekim Atë. Kjo na jep premtimin se mund të ecim në dritën e Tij dhe se udhërrëfimi i Tij e parandalon ndikimin e errësirës në jetën tonë. Kur e “humbisni” jetën tuaj në kauzën e Tij, Ai do t’ju ndihmojë të gjeni vetveten.

Pamja
djem në shkollë

Fotografia nga Getty Images

Kthehuni te Krishti, Gjithmonë

Jap dëshminë time solemne se Jezusi u ngrit së vdekuri dhe se Ai jeton. Ju dëshmoj se nëpërmjet Tij dhe Shlyerjes së Tij të pafundme, Shpëtimtari na siguroi mënyrën për ta mposhtur vdekjen, si fizikisht edhe shpirtërisht.

Ndër të tjera, Ai gjithashtu na ofron ngushëllim dhe siguri në kohë të vështira. Unë ju siguroj se ndërsa i mirëbesojmë Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij hyjnor e shëlbues, duke duruar me besim deri në fund, ne do t’i gëzojmë premtimet e Atit tonë të dashur Qiellor, i cili bën gjithçka ka fuqi për të na ndihmuar që të kthehemi në praninë e Tij një ditë.