“Mposhtja e Shtyrjes së Gjërave për më Vonë: Të Mësojmë të Shmangim Vonesat në Detyrat e Shkollës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Mposhtja e Shtyrjes së Gjërave për më Vonë: Të Mësojmë të Shmangim Vonesat në Detyrat e Shkollës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Arritja e Suksesit në Shkollë: Mësimi 195
Mposhtja e Shtyrjes së Gjërave për më Vonë
Të Mësojmë të Shmangim Vonesat në Detyrat e Shkollës
Sa shpesh e gjen veten duke mos i përfunduar punët ose detyrat e kërkuara? Megjithëse ne të gjithë kemi probleme me vonesat, mund të jetë një tundim i zakonshëm t’i shtysh për më vonë detyrat e shkollës. Kur punojmë për ta mposhtur këtë prirje, kjo është një mënyrë se si ne iu vëmë veshin paralajmërimeve të Shpëtimtarit për të shmangur shtyrjen e gjërave për më vonë (shih te Mateu 25:1–13). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë mënyrat për ta mposhtur tundimin për t’i shtyrë për më vonë detyrat e shkollës.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur me disa prej arsyeve përse adoleshentët mund t’i shtyjnë për më vonë detyrat e tyre të shkollës. Inkurajojini ata të përgatiten për ta treguar atë që kanë bërë për të kryer në kohë detyrat e tyre të shkollës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Besimi te Jezu Krishti çon në veprim
Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh të bëni një diskutim të përgjithshëm rreth tundimit për t’i shtyrë gjërat për më vonë. Mund të bëni pyetje si ato që vijojnë.
-
Cilat janë disa gjëra të zakonshme ku adoleshentët priren t’i shtyjnë gjërat për më vonë?
-
Cilat janë disa arsye që mund të japin adoleshentët për shtyrjen e këtyre gjërave për më vonë? Cilat mund të jenë pasojat?
Pas diskutimit, mund të tregoni se sot nxënësit do të kenë një mundësi për t’u përqendruar te mposhtja e tundimit për t’i shtyrë për më vonë detyrat e shkollës.
-
Cilat janë disa prej arsyeve përse mund të jetë sfiduese t’i fillosh ose t’i përfundosh punët ose detyrat?
Më pas, mund të paraqitni një figurë të izraelitëve duke mbledhur manë. Nëse nxënësit e kanë studiuar tashmë Mësimin 47: “Eksodi 16”, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që mbajnë mend. Nëse nuk e kanë studiuar këtë tregim, mund të jepni shpejt përmbledhjen vijuese.
Mbledhja e ushqimit në shkretëtirë ishte e vështirë për izraelitët. Një mëngjes, ata u zgjuan dhe zbuluan se Zoti kishte siguruar në mënyrë të mrekullueshme ushqimin e përditshëm që izraelitët do ta quanin manë.
Lexo tek Eksodi 16:4–5, 14–15, duke kërkuar udhëzimin e Zotit për mënyrën se si duhej mbledhur mana.
-
Çfarë mund të na mësojë kjo mrekulli rreth Zotit?
Lexo tek Eksodi 16:18–22, 27, duke kërkuar disa nga pasojat shtyrjes së mbledhjes së manës për më vonë ose mosmbledhjes së racionit të dyfishtë ditën përpara Shabatit.
-
Çfarë të bëri përshtypje?
Nxënësit mund të thonë se, nëse izraelitët e linin manën në tokë deri të nesërmen, ajo “prodh[onte] krimba dhe [lëshonte] një erë [të] keqe” (vargu 20). Nëse nuk e mblidhnin në mëngjes, do të shkrihej (vargu 21). Në ditën e Shabatit nuk do t’u sigurohej mana, prandaj mosmbledhja e një racioni të dyfishtë një ditë më parë nënkuptonte se do të mbeteshin pa ngrënë (vargu 27).
-
Si mund të gjejë zbatim ky tregim në tundimin e një adoleshenti për t’i shtyrë për më vonë detyrat e shkollës?
Nxënësit mund të vënë në dukje se ashtu siç mana do të prishej ose shkrihej nëse njerëzit e vononin mbledhjen e saj, shtyrja e detyrave të shkollës për më vonë mund të çojë në pasoja negative ose edhe mundësi të munguara.
-
Cilat janë disa pasoja të shtyrjes së detyrave të shkollës për më vonë që ti ose të tjerët që njeh, keni parë?
Mos e humbni kohën tuaj me përtaci
Për të na ndihmuar të kuptojmë rëndësinë e mposhtjes së tundimit për t’i shtyrë gjërat për më vonë, Plaku Randall K. Benet, i Të Shtatëdhjetëve, vërejti:
“[N]e duhet ta kundërshtojmë prirjen e njeriut të natyrshëm për [t’i shtyrë gjërat për më vonë], për të lënë mënjanë ose për të hequr dorë.
Kur përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhje[ve], ne do të bëjmë gabime, disa prej tyre shumë herë … Por besimi tek Ati Qiellor dhe te Jezu Krishti është një parim i veprimit dhe i fuqisë. Nëse jemi të gatshëm të veprojmë, ne do të bekohemi me forcën që të pendohemi dhe forcën që të ndryshojmë.
Ne dështojmë vetëm nëse nuk arrijmë të ndërmarrim një hap tjetër plot besim përpara. Ne nuk do të dështojmë, ne nuk mund të dështojmë, në qoftë se besnikërisht lidhemi së bashku me Shpëtimtarin – Atë që vetë nuk ka dështuar kurrë dhe që nuk do të na lërë ne të dështojmë kurrë!” (“Hapi Juaj Vijues”, Liahona, nëntor 2015, f. 75) (kodi kohor 7:37 deri në 8:31)
-
Si do ta përmblidhje atë që dha mësim Plaku Benet rreth kapërcimit të shtyrjes së gjërave për më vonë?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si: ndërsa veprojmë me besim tek Ai, Shpëtimtari do të na ndihmojë ta mposhtim tundimin për t’i shtyrë gjërat për më vonë. Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë të vërtetë, mund të bëni pyetjen vijuese:
-
Si mund ta ndihmojë kuptueshmëria për këtë të vërtetë dikë që po përpiqet ta mposhtë tundimin për t’i shtyrë për më vonë detyrat e shkollës?
Merre parasysh plot lutje se sa mirë ti i përfundon punët dhe detyrat në kohë. Më pas, përfundoje thënien vijuese në ditarin tënd të studimit.
Unë (gjithmonë, ndonjëherë, rrallëherë e me radhë) i shtyj detyrat e shkollës për më vonë. Një arsye përse i shtyj gjërat për më vonë, është .
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përcaktimi i arsyes përse i shtyjmë gjërat për më vonë, mund të na ndihmojë të korrigjojmë një zakon të padobishëm ose të parandalojmë formimin e tij. Mund t’i siguroni nxënësit se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë premtuar të na ndihmojnë t’u shpëtojmë tundimeve me të cilat përballemi (shihni te 1 Korintasve 10:13).
Megjithëse është e zakonshme të kemi probleme me shtyrjen e gjërave për më vonë, ne veprojmë me besimin te Shpëtimtari kur punojmë për ta mposhtur këtë tundim. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të kuptosh mënyrat se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të përforcojnë përpjekjet e tua për të mposhtur tundimin për t’i shtyrë detyrat e shkollës për më vonë.
Rrite aftësinë tënde për ta kapërcyer shtyrjen e gjërave për më vonë
-
Cilat janë disa strategji që i ke provuar për të të ndihmuar t’i bësh ballë tundimit për t’i shtyrë detyrat e shkollës për më vonë?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë një listë në tabelë. Nëse kanë nevojë për ndihmë, mund të jepni disa nga strategjitë vijuese.
-
Ndaluni disa çaste çdo mëngjes për t’iu lutur Atit Qiellor, duke kërkuar fuqinë e Tij për t’ju ndihmuar të mbani mend dhe të kryeni detyrat e shkollës.
-
Lini mënjanë një kohë të rregullt çdo ditë për detyrat e shkollës.
-
Bëni pushime të shkurtra, të rregullta për të rifreskuar mendjen dhe për t’u përqendruar sërish.
-
Përcaktoni shpërqendrimet dhe largojini ato. Kjo mund të përfshijë një telefon, kompjuter ose libër.
-
Organizoni një grup studimi me shokët e klasës që kanë të njëjtat detyra shkolle.
-
Gjeni një vend të qetë për të punuar. Ajo çka na rrethon, mund të ndikojë në aftësinë tonë për t’u përqendruar.
-
Zgjidhni dikë të cilit i mirëbesoni, që mund t’ju ndihmojë të qëndroni të përqendruar dhe të kryeni punët dhe detyrat.
-
Planifikoni një shpërblim për përmbushjen e një detyre specifike për të kremtuar suksesin tuaj dhe punën e lodhshme.
Pasi nxënësit të kenë përcaktuar disa strategji për të kapërcyer shtyrjen e gjërave për më vonë, merreni parasysh të paraqitni skenarin dhe udhëzimet vijuese. Mund të siguroni mjete për punë artistike që nxënësit t’i përdorin për afishen e tyre.
Meritoni po e shtyn për më vonë (studimin për një provim, përfundimin e një detyre ose projekti e me radhë) për shkak se .
Krijo një afishe ose grafik me informacione që mund të të ndihmojnë t’i japësh shtysë një nxënësi si Meritoni ta mposhtë tundimin për t’i shtyrë gjërat për më vonë. Përfshije sa vijon në afishen tënde.
-
Një fragment të zotërimit doktrinor ose fragment tjetër të shkrimit të shenjtë që mund ta ndihmojë Meritonin të mbështetet tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ndihmë për mposhtjen e këtij tundimi.
-
Një ose më shumë prej strategjive të cilat mendon se do të ishin të dobishme që Meritoni t’i përdorë ndërkohë që kapërcen shtyrjen e gjërave për më vonë.
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të gjetur një fragment të shkrimit të shenjtë, mund të jepni shembuj të tillë si Jozueut 24:15; Fjalët e Urta 3:5–6; Doktrina e Besëlidhje 58:26–27; 88:124. Ose ata mund të ilustrojnë një histori të shkrimeve të shenjta që mund të demonstrojë pasojat e shtyrjes së gjërave për më vonë, si historia e izraelitëve që mbledhin mana ose e Noeut që ndërton arkën (Zanafilla 7:1–10).
Ne mund të nisim sot
Jepuni grupeve kohë t’ia tregojnë afishen e tyre klasës. Mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë përvojat që kanë pasur duke punuar për të mposhtur tundimin për t’i shtyrë gjërat për më vonë.
Përsiat disa nga mënyrat se si ta mposhtësh shtyrjen e gjërave për më vonë, të cilat u dhanë sot. Përzgjidh plot lutje një strategji që mendon se do të ishte e dobishme herën tjetër që tundohesh ta shtysh për më vonë detyrën e shkollës. Shkruaje këtë strategji në ditarin e studimit ose në një pusullë ngjitëse ose dërgoja vetes me mesazh me celular.
Mund të siguroni një mundësi që nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që ndien mbresën ta provonin.
Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni nxënësve se çdo përpjekje për t’u përmirësuar, është një demonstrim i besimit të tyre te Jezu Krishti. Ndihmojini ata të pranojnë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të na ndihmojnë në përpjekjet tona, edhe kur kemi vështirësi.