“Organizimi i Detyrave dhe Përparësive: Shembulli i Shpëtimtarit Mund të na Ndihmojë të Vëmë Rregull në Jetën Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Organizimi i Detyrave dhe Përparësive: Shembulli i Shpëtimtarit Mund të na Ndihmojë të Vëmë Rregull në Jetën Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Arritja e Suksesit në Shkollë: Mësimi 194
Organizimi i Detyrave dhe Përparësive
Shembulli i Shpëtimtarit Mund të na Ndihmojë të Vëmë Rregull në Jetën Tonë
Sa mirë i organizon dhe i vendos sipas përparësisë detyrat që është e nevojshme të bëhen çdo ditë? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë të vëmë rregull në jetën tonë dhe t’i përdorim kohën dhe burimet tona në mënyrë më të efektshme. Kur nxënësit përpiqen ta vendosin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të parin, ata mund t’i kryejnë detyrat e shtëpisë më mirë sesa po ta provonin vetë atë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë mënyrat se si shembulli i Shpëtimtarit mund të ndihmojë për të sjellë rregull në detyrat e tyre të shkollës.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të detyrave të shtëpisë që do të jetë e nevojshme të plotësojnë këtë javë. Kjo mund të përfshijë detyrat e shtëpisë, provimet, projektet ose pjesët e caktuara për lexim (përfshirë seminarin).
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kthimi i kaosit në rregull
Për të filluar orën mësimore, merreni parasysh të paraqitni diçka për të cilën duhen shumë hapa që të përfundohet (të tilla si një recetë, një figurëformuese ose një projekt që mund ta bëjnë vetë). Ftojini nxënësit të tregojnë disa nga mënyrat e ndryshme se si mund t’i qaseni plotësimit të kësaj detyre. Për shembull, për të plotësuar një figurëformuese, dikush duhet t’i zbrazë të gjitha pjesët njëherazi, të ndajë pjesët e skajeve në fillim ose t’i klasifikojë pjesët sipas ngjyrës.
-
Përse mund të jetë e vështirë ta organizosh ose t’i japësh përparësi një projekti që ka shumë hapa për t’u plotësuar?
-
Si mund të jetë kjo si organizimi dhe vendosja e përparësisë te detyrat e shkollës?
Bekimet e organizimit të detyrave dhe përparësive
Mund të jetë e dobishme t’i siguroni nxënësit se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e dinë se jeta jonë është e ngarkuar dhe kërkon shumë kohë dhe vëmendje. Nëpërmjet profetëve të Tyre, Ata na kanë këshilluar rreth mënyrës se si t’u qasemi kërkesave të shumta me të cilat përballemi.
Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë duke kërkuar rëndësinë e përpjekjes për të pasur rregull në jetën tonë:
Psalmeve 37:23–24
1 Korintasve 14:40
Doktrina e Besëlidhje 28:13; 132:8
-
Çfarë na mësojnë këto fragmente rreth rregullit?
Pasi nxënësit të kenë pasur një mundësi për t’u përgjigjur, mund të jetë e dobishme të vini në dukje se Jezu Krishti është i organizuar dhe i rregullt në punën e Tij. Nëpërmjet shkrimeve të shenjta, Ai na fton të bëjmë të njëjtën gjë (shihni te 1 Korintasve 14:40; Mosia 4:27).
Nga këto vargje, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se pasja e rregullit në jetën tonë na ndihmon të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit.
Mund të bëni një ftesë të tillë si vijuesja për t’i ndihmuar nxënësit tuaj të kërkojnë zbulesë vetjake ndërsa studiojnë.
Merre parasysh me lutje sa shumë rregull dhe organizim ke kur bëhet fjalë për detyrat e shkollës dhe detyrat e tjera. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të shohësh strategjitë e organizimit dhe vendosjes së përparësisë që mund të shtojnë rregullin në jetën tënde.
Krijimi: Një model i rregullit
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të qiejve dhe tokës sonë. Nën drejtimin e Atit Qiellor, tregimi i Shpëtimtarit për krijimin e tokës mund të na mësojë strategji për t’i organizuar më mirë detyrat dhe përparësitë tona.
-
Përse ishin të rëndësishëm organizimi dhe rregulli ndërsa Jehova (Jezu Krishti) krijonte tokën?
Më pas, paraqitini udhëzimet vijuese për nxënësit. Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe më të vogla për këtë veprimtari.
Lexo tek Abraham 4:1–25; 5:2–3. Përsiati pyetjet vijuese ndërsa studion.
-
Cilat janë disa hollësi që ti i zbulon, që mund të jenë të dobishme kur i organizojmë detyrat dhe përparësitë tona?
-
Cilat janë disa gjëra që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i bënë për të vendosur rregull në procesin e Krijimit? (Për shembull: Çfarë bëjnë Ata në fillim? Si u qasen Ata detyrave të mëdha?)
-
Si mendon, përse ishte e rëndësishme që Ata të gjenin kohë për të reflektuar dhe për të ndier që puna e Tyre ishte “mirë”? (Shih tek Abraham 4:21.)
Krahasimi i Krijimit me jetën tonë
Në ditarin tënd të studimit rendit disa mënyra se si tregimi i Krijimit mund të ndihmojë dikë të organizojë detyrat e shtëpisë.
Kur i krahasojmë shkrimet e shenjta me veten, ne e studiojmë tregimin e dhënë duke kërkuar hollësi që duken të rëndësishme, duke i krahasuar ato me rrethanat tona, duke zbuluar mësime me vlerë dhe duke i zbatuar ato në jetën tonë. Nxënësit mund të shohin nga Abraham 4–5 hollësitë vijuese që mund të zbatohen në përpjekjet e tyre për të organizuar detyrat dhe përparësitë. Nëse nxënësit kanë nevojë për udhërrëfim shtesë, mund të vini në dukje vargjet dhe frazat vijuese.
“Le të ketë dritë” (shihni tek Abraham 4:1–4). Nxënësit mund të dallojnë se është e rëndësishme të kenë dritën e Krishtit në jetën e tyre.
“[D]he ishte kështu, madje siç urdhëruan ata” (Abraham 4:7). Në çdo hap të punës sonë, ne mund të përcaktojmë detyrat më të rëndësishme dhe t’i japim përparësi plotësimit të tyre para se të kalojmë te diçka tjetër.
“Le ta përgatisim tokën për të sjellë bar” (Abraham 4:11). Përgatitja e tokës për mbjellje mund të krahasohet me ndarjen e detyrave më të mëdha në hapa më të vegjël, më të kontrollueshëm.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti vunë re “se plani i tyre ishte i mirë” (Abraham 4:21). Në të njëjtën mënyrë, ne mund të vëmë re gjërat që janë “mirë” në jetën tonë (gjëra që i kemi përmbushur) dhe të gëzohemi për arritjet tona.
“[N]e do të pushojmë” (Abraham 5:2). Ne mund ta përkushtojmë Shabatin si një ditë pushimi nga punët tona.
-
Si mund të të ndihmojnë hollësitë që zbulove për ta ndjekur më mirë shembullin e Shpëtimtarit kur përpiqesh të organizosh detyrat e shkollës?
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë pikat e forta dhe dobësitë e organizimit të detyrave të tyre të shkollës, mund të paraqitni udhëzimet vijuese. Disa nga nxënësit tuaj mund të ndihen të shkurajuar ndërsa e plotësojnë këtë vetëvlerësim. Sigurojini ata që, si fëmijë të Perëndisë, Ai na do, është i duruar me rritjen tonë dhe pret me padurim të na ndihmojë të përmirësohemi.
Ndalu një çast për të vlerësuar plot lutje se sa saktë e përshkruan çdo thënie mënyrën se si i organizon aktualisht detyrat dhe përparësitë (shumë e vërtetë, disi e vërtetë, e pavërtetë).
-
Unë i jap përparësi Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në jetën time duke bërë gjëra si studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta dhe lutja vetjake, që të më ndihmojnë gjatë gjithë ditës së shkollës.
-
Unë i shënoj detyrat e shkollës dhe i dorëzoj ato në kohë.
-
Unë përgatitem paraprakisht për provimet dhe projektet e mëdha.
-
Shënimet në orën e mësimit, çanta e shkollës, librat dhe detyrat e mia të shtëpisë janë të rregullta dhe të organizuara.
-
E ndiej se mund të punoj vazhdimisht për detyra të gjata dhe nuk i shtyj gjërat deri në minutën e fundit.
-
Nuk e kam problem të flas me mësuesin tim kur kam pyetje ose më nevojitet më shumë ndihmë.
Mund të përzgjedhësh një fushë ku e pranon se ke probleme, për t’u përqendruar për veprimtarinë e radhës.
Ushtro organizmin e detyrave dhe përparësive
Ushtrimi i organizimit dhe vendosjes së përparësisë te detyrat e shkollës mund t’i ndihmojë nxënësit të shtojnë rregullin në jetën e tyre.
Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit t’i ushtrojnë këto zotësi, është t’u siguroni atyre një kopje të fletushkës “Organizimi dhe Krijimi i Përparësive me Detyrat e Mia të Shkollës”.
Ftojini nxënësit të plotësojnë disa ose të gjitha veprimtaritë në fletushkë. Kjo mund të plotësohet me një grup më të vogël ose partner. Më pas, nxënësit mund t’u tregojnë të tjerëve idetë që i kanë ndihmuar ata të jenë më të organizuar.
Pas një kohe të mjaftueshme, mund të ftoni një zëdhënës për secilin grup të tregojë disa nga gjërat që diskutoi grupi gjatë veprimtarisë së fletushkës. Ndërsa nxënësit bëjnë një plan për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit për organizimin, mund të vini në dukje se një nga mënyrat se si Ati Qiellor komunikon me ne, është duke na ndihmuar të organizojmë idetë që mund të duam t’i provojmë.
Në ditarin e studimit, shkruaj një gjë që do të doje ta provoje për t’i organizuar më mirë dhe për t’iu dhënë përparësi detyrave të shkollës.
-
Si mund t’i ftosh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të lartësojnë përpjekjet e tua?
Sigurojini nxënësit se përpjekja për t’i organizuar më mirë dhe për t’u dhënë përparësi detyrave të shkollës mund të kërkojë përpjekje të përsëritura. Mund të jepni dëshminë tuaj që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan ata dhe do të përmirësojnë përpjekjet e tyre për t’u përmirësuar.