“Hyrje te Libri Isaia: ‘Të Mëdha Janë Fjalët e Isaias’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Hyrje te Libri Isaia: ‘Të Mëdha Janë Fjalët e Isaias’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 1–12: Mësimi 113
Hyrje te Libri Isaia
“Të Mëdha Janë Fjalët e Isaias”
Profeti Isaia pati përgjegjësinë shumë të rëndësishme për të dhënë mësim rreth shëlbimit nëpërmjet Jezu Krishtit. Ky mesazh synohej për njerëzit në kohën e Isaias, si edhe për ne në kohën tonë. Ia vlen përpjekja t’i studioni me zell mësimet e Isaias rreth Jezu Krishtit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë shtysë për të mësuar rreth Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të librit të Isaias.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar një fakt të rëndësishëm rreth Isaias. Ata mund të kërkojnë fjalën Isaia tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rekomandimi i një libri
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur pohimet vijuese dhe duke i ftuar nxënësit t’i renditin ato nga më e mundshme te më pak e mundshme për t’i bindur ata të lexojnë një libër të caktuar.
-
Duket shumë interesant
-
Rekomanduar nga një pjesëtar i familjes ose shok a shoqe
-
Caktuar për një orë mësimore në shkollë
-
Ka komente shumë të mira në internet
Mund t’i ftoni disa nxënës të tregojnë se cila ishte arsyeja e tyre kryesore dhe përse.
Lexo tek 3 Nefi 23:1–3, duke kërkuar se cilin libër na ftoi Shpëtimtari që ta studiojmë.
-
Çfarë mendimesh ke rreth urdhërimit të Shpëtimtarit për t’i kërkuar fjalët e Isaias me zell?
-
Si mund të ndikojë urdhërimi i Shpëtimtarit në mënyrën se si i qasesh studimit tënd të librit të Isaias?
Mund t’u kërkoni nxënësve të demonstrojnë vetëbesimin në aftësinë e tyre për t’i studiuar fjalët e Isaias me zell. Një mënyrë për ta bërë këtë është ta emërtoni njërin mur të klasës si “shumë i sigurt” dhe murin tjetër si “jo shumë i sigurt”. Ftojini nxënësit të qëndrojnë midis mureve sipas nivelit të tyre të vetëbesimit. Nxënësit e gatshëm mund të shpjegojnë nivelin e tyre të vetëbesimit.
Thuajuni nxënësve se Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të fitojnë mirëbesimin se mësimet e Isaias mund t’i ndihmojnë të afrohen më shumë me Jezu Krishtin.
Çfarë është e dobishme të dish rreth profetit Isaia?
Për t’i ndihmuar nxënësit të fitojnë pak kuptueshmëri rreth profetit Isaia, merreni parasysh të paraqitni diagramin informativ “Mbretëritë e Izraelit dhe të Judës në një Vështrim të Shpejtë”. Ftojini nxënësit të gjejnë Isaian.
Mund t’u kërkoni nxënësve të gjejnë përgjigje për pyetjet vijuese në diagramin informativ:
-
Në cilën mbretëri jetoi Isaia? (Juda)
-
Cilët profetë të tjerë predikuan rreth të njëjtës kohë si Isaia? (Mikea, Osea, Jona)
-
Çfarë ngjarje e rëndësishme ndodhi rreth një shekulli pasi Isaia e profetizoi atë? (Juda ra në robëri nga Babilonia)
Për më shumë informacion, shihni shënimet për “Isaian” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë diçka tjetër që e mësuan rreth Isaias gjatë përgatitjes së nxënësve të tyre.
Lexojeni ose përmblidheni paragrafin vijues.
Gjatë jetës së tij, profeti Isaia i predikoi popullit që ishte larguar nga besimi te Jehova (Jezu Krishti). Mesazhi i Isaias për ta reflektohet në vetë emrin e tij që do të thotë “Zoti është shpëtim”. Mësimet e Isaias zbatohen edhe në periudha të tjera kur populli do të largohej nga Jezu Krishti – të tilla si koha e Krishtit dhe koha e tanishme, ndërsa përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.
Fjalët e Isaias mund të na ndihmojnë të besojmë më plotësisht te Jezu Krishti
Nxënësit mund të jenë të interesuar të dinë se “Jezusi [e] citoi Isaian më shpesh sesa [e] citoi ndonjë profet tjetër. Isaia gjithashtu citohet shpesh nga Pjetri, Gjoni dhe Pali në Dh[i]atën e Re. Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje përmbajnë më shumë citime nga Isaia sesa nga ndonjë profet tjetër dhe sigurojnë shumë ndihmë për ta shpjeguar Isaian” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Isaia”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Lexo te 1 Nefi 19:23, duke kërkuar arsyen përse Nefi ua lexoi fjalët e Isaias vëllezërve të tij.
-
Çfarë gjete?
Nëse nxënësit nuk e vënë në dukje, ndihmojini ata ta kuptojnë këtë të vërtetë: Studimi i fjalëve të Isaias mund të na ndihmojë të besojmë më plotësisht te Jezu Krishti.
Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për nxënësit që të reflektojnë mbi vlerën e njohjes më mirë të Jezu Krishtit nëpërmjet fjalëve të Isaias. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është t’i ftoni nxënësit ta përfundojnë fjalinë vijuese në ditarët e tyre: “Të besuarit më thellësisht te Jezu Krishti mund të ndikojë në jetën time duke …” Pasi nxënësit të kenë pasur mundësinë për të shkruar, mund të ftoni vullnetarë t’ia tregojnë atë që shkruan klasës. Mbani në mend të shprehni vlerësim për secilin nxënës që shprehet.
Përndryshe, në vend që t’i vini ata të shkruajnë në ditarë, mund t’i ftoni nxënësit të drejtohen te një partner dhe të japin mendimet e tyre.
Emrat dhe titujt e Jezu Krishtit
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se një nga mënyrat se si Isaia na çon të besojmë më plotësisht te Jezu Krishti, është duke dhënë mësim rreth titujve dhe roleve të Tij. Një mënyrë për t’i studiuar këta tituj dhe role është të përdorni një diagram. Mund ta vizatoni diagramin vijues në tabelë. Ose, organizojini nxënësit në grupe të vogla dhe ftojini ata ta vizatojnë atë në një copë letër. Shkruani “Jezu Krishti” në rrethin në qendër. Nxënësit mund të ftohen më pas t’i shkruajnë titujt dhe rolet e Jezu Krishtit që zbulojnë në rrathët e tjerë.
Lexoji vargjet vijuese dhe përcakto dhe merre parasysh t’i shenjosh titujt ose rolet e Jezu Krishtit.
-
Isaia 7:14
-
Isaia 9:6–7
-
Isaia 33:22
-
Isaia 40:28
Pasi nxënësit të kenë lexuar, mund të paraqitni disa figura të Jezu Krishtit të përzgjedhura nga biblioteka e mjeteve të informimit të Kishës. Nxënësit mund të tregojnë më pas se cilët tituj ose role i shohin të përmbushen në figurë.
Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e grupit të përzgjedhin një titull ose rol dhe të mësojnë më shumë rreth tij duke kërkuar zërin “Jezu Krisht” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Mund t’i ftoni nxënësit të shtojnë diçka në diagram duke krijuar rrathë që degëzohen nga titulli ose roli ku ata u përqendruan. Ata mund t’i renditin idetë që mësuan rreth atij titulli ose roli. (Shënim: Kjo veprimtari do të përmendet te Mësimi 133: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8”.)
Ju mund t’i ftoni ata t’ia tregojnë atë që mësuan rreth Shpëtimtarit grupit të tyre.
-
Përse është e nevojshme për ty që Shpëtimtari të përmbushë një ose më shumë prej këtyre roleve në jetën tënde?
-
Si e ke parë Shpëtimtarin të përmbushë një nga këto role në jetën tënde ose në jetën e dikujt që ti njeh?