“Eksodi 1: Të Nderosh Perëndinë Përballë Kundërshtimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 1: Të Nderosh Perëndinë Përballë Kundërshtimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 1–6: Mësimi 38
Eksodi 1
Të Nderosh Perëndinë Përballë Kundërshtimit
Faraoni i Egjiptit i skllavëroi izraelitët dhe i urdhëroi mamitë t’i vrisnin foshnjat izraelite meshkuj që në lindje. Këto mami zgjodhën të mos i bindeshin faraonit për shkak të nderimit të tyre për Perëndinë. Ashtu si këto gra besnike, ne mund të zgjedhim ta vendosim mirëbesimin tonë te Perëndia edhe në rrethana të vështira. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të dëshirojnë ta vendosin Perëndinë mbi presionet e tjera.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta pyesin një pjesëtar të familjes ose shok se si e ka parë Perëndinë ta bekojë sepse ndoqi Atë dhe jo të tjerët.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Guxim si i Krishtit
Merreni parasysh të tregoni sa vijon nga Presidenti Nelson.
Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi karakteristikat e dishepujve të Jezu Krishtit:
“Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës. Ata janë të patrembur, të përkushtuar e të guximshëm.” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40–41)
-
Përse mund të duhet guxim për të vepruar sipas mënyrës që përshkroi Presidenti Nelson?
-
Si mendon, përse është e rëndësishme ta ndjekësh këshillën e Presidentit Nelson?
Paraqiteni vetëvlerësimin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të përsiatin për mënyrën se si ndihen rreth bindjes ndaj Perëndisë në vend që t’u dorëzohen presioneve të tjera.
Lexoji thëniet vijuese dhe vlerëso se sa të vërteta janë për ty në një shkallë nga 1 (aspak e vërtetë) në 5 (shumë e vërtetë).
-
Jam i/e gatshëm/me ta vendos Zotin të parin, edhe kur ndiej presion nga të tjerët për t’i ulur standardet e mia.
-
Jam i/e pasigurt nëse Perëndia do të më bekojë për përpjekjen e fortë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
-
Jam i/e gatshëm/me të mbaj qëndrim për atë që e di se është e drejtë, edhe nëse nuk është zgjedhja e përhapur.
Inkurajojini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje mbresave nga Shpirti ndërsa studiojnë tek Eksodi 1. Shpirti mund t’i ndihmojë ata të përgatiten për të vepruar me guxim kur ndiejnë presion për të bërë gjëra që janë kundër vullnetit të Perëndisë.
Shembuj të drejtë
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth asaj që u ndodhi izraelitëve pas vdekjes së Jozefit të Egjiptit. Sipas nevojës, përdorni një pjesë ose të gjithë përmbledhjen vijuese.
Pasi vdiq Jozefi i Egjiptit, izraelitët (të quajtur edhe hebrenj) u rritën në numër në vendin e Egjiptit. I frikësuar se izraelitët mund t’i vinin për poshtë egjiptianët, faraoni i ri i skllavëroi ata (shih tek Eksodi 1:6–14).
Lexo tek Eksodi 1:15–16, duke kërkuar atë që i urdhëroi faraoni Shifrahës dhe Puahës, dy mamive hebreje, të bënin. “Mami[të]” u referohet grave që ndihmojnë në lindjen e fëmijëve. “Ndenjëse[t]” (vargu 16) u referohet vendeve të përdorura nga gratë që janë duke lindur.
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që gjetën. Gjeni mënyra për t’i ndihmuar nxënësit të gjejnë veten te presioni që mund të kenë ndier këto gra për të bërë atë që donin të tjerët dhe jo atë që donte Perëndia. Pyetja dhe veprimtaria vijuese është një mënyrë për ta bërë këtë.
-
Po të ishe Shifraha ose Puaha, çfarë mund të ta kishte bërë të vështirë ta vendosje vullnetin e Perëndisë mbi atë të faraonit?
Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe. Ftojini grupet të përcaktojnë rrethanat që kanë hasur ose mund të hasin aty ku mund të jetë e vështirë të zgjedhin vullnetin e Perëndisë për shkak të presioneve të tjera. Vërini ata të krijojnë një listë arsyesh përse dikush mund të shqetësohet për ndjekjen e Perëndisë në ato rrethana.
Lexo tek Eksodi 1:17–21, duke kërkuar arsyen përse Shifraha dhe Puaha i morën ato vendime.
-
Çfarë gjete?
-
Çfarë gjëje në këto vargje mund të jetë shtysë për dikë që mund të pyesë veten nëse duhet ta vendosë Perëndinë mbi presionet e tjera me të cilat përballet?
Ndërsa nxënësit flasin, mund të doni t’u thoni atyre se “frik[a] nga Perëndia” (shihni vargjet 17, 21) nënkupton ta nderoni ose respektoni Perëndinë. Vini në dukje frazën “Perëndia u bëri të mirë” Shifrahës dhe Puahës (vargu 20) nëse nxënësit nuk e përcaktojnë atë. Ftojini nxënësit ta shenjojnë këtë frazë. Kjo do të thotë se Perëndia e bekoi Shifrahën dhe Puahën që e vendosën Atë mbi presionet me të cilat u përballën. Një bekim që Zoti i dha Shifrahës dhe Puahës ishin pasardhësit.
-
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Shifraha dhe Puaha që mund të na ndihmojë kur përballemi me presione për të ndjekur të tjerët në vend të Perëndisë?
Duke përdorur vetë fjalët e tyre, nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë si ndërsa ia nënshtrojmë vullnetin tonë Perëndisë në vend që të përkulemi para presioneve të tjera, Ai do të na bekojë.
Megjithëse pjesa tjetër e mësimit përqendrohet te mënyra se si “Perëndia [na] bë[n] të mir[a]”, mund të merrni parasysh të shpenzoni kohë për t’u përqendruar te shembulli i Shpëtimtarit që iu nënshtrua vullnetit të Atit Qiellor. Mund të përdorni një pyetje si vijuesja për ta bërë atë. Nëse nxënësit e kanë të vështirë të krijojnë shembuj, mund t’i drejtoni ata te Gjoni 6:38 ose Lluka 22:42.
-
Çfarë ka dhënë mësim ose ka bërë Shpëtimtari që tregon se si Ai është shembulli i përsosur i kësaj të vërtete?
Mendoni për një veprimtari për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë mënyrat se si Zoti mund t’u bëjë të mirë (t’i bekojë) atyre që e nderojnë Atë duke e vendosur të parin. Ja ku janë dy ide. Zgjidhni njërën nga këto ose një tjetër sipas zgjedhjes suaj për t’i ndihmuar nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese.
-
Shfaqni për nxënësit materialin filmik “Leave the Party” [“Largohuni nga Festa”] (6:26) ose materialin filmik “Be Valiant in Courage, Strength, and Activity” [“Ji Trim me Guxim, Fuqi dhe Energji”] nga kodi kohor 1:20 deri në 5:13 (të dyja materialet filmike janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org). Ftojini nxënësit të përcaktojnë mënyrën se si e bekoi Zoti Gjonin që e vendosi Perëndinë mbi presionet e tjera.
6:2610:35-
Jepuni nxënësve disa shkrime të shenjta për t’i studiuar, që tregojnë mënyrat se si u bëri të mirë Perëndia të tjerëve që zgjodhën Atë në vend të presioneve të tjera. Ata mund të studiojnë te 2 Nefi 5:6–13; Mosia 24:11–15; 4 Nefi 1:15–18. Nxënësit gjithashtu mund të gjejnë shkrime të tjera të shenjta që ilustrojnë mënyrën se si Perëndia u bën të mirë fëmijëve të Tij kur e vendosin Atë të parin.
-
-
Si mund të duket kur “Perëndia [na] bë[n] të mirë”?
-
Si të ka bërë Perëndia të mirë ty ose dikujt që ti e njeh për nënshtrimin ndaj vullnetit të Tij në vend që t’u nënshtrohesh presioneve të tjera?
-
Përse ia vlen për ty të zgjedhësh ta vendosësh Perëndinë të parin pavarësisht nga rezultati?
Nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj Perëndisë
Merreni parasysh të paraqitni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë për atë që kanë mësuar ose ndier sot dhe se si ajo mund t’i ndihmojë kur përballen me situata të vështira.
Zgjidh njërën nga pyetjet vijuese për t’iu përgjigjur në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë ke mësuar ose ndier sot që mund të të ndihmojë të kesh siguri se Perëndia do të të bekojë kur zgjedh ta vendosësh Atë të parin?
-
Çfarë do t’i thoshe dikujt që është i pasigurt nëse ia vlen të zgjedhim Perëndinë kur përballemi me presione të tjera?
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve një mundësi për ta treguar atë që shkruan. Mund të tregoni edhe premtimin e Shpëtimtarit për njerëzit që përndiqen se zgjedhin Atë, që gjendet te Mateu 5:10–12. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për mënyrën se si Perëndia do të na bekojë kur zgjedhim ta ndjekim Atë, edhe kur është e vështirë.