“Moisiu 8: Ndjekja e Shpëtimtarit në një Botë të Ligë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Moisiu 8: Ndjekja e Shpëtimtarit në një Botë të Ligë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 6–11; Moisiu 8: Mësimi 19
Moisiu 8
Ndjekja e Shpëtimtarit në një Botë të Ligë
Zoti e thirri Noeun për të qenë profet në një kohë kur njerëzit ishin “duke bërë vazhdimisht vetëm keq” (Moisiu 8:22). Edhe në mes të kaq shumë ligësish, Noeu dhe bijtë e tij zgjodhën ta ndiqnin Jezu Krishtin. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin më mirë Shpëtimtarin pavarësisht se jetojnë në një botë të ligë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth sfidave ose vështirësive me të cilat përballen ndërsa ndjekin Jezu Krishtin në botë sot. Kërkojuni të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar se çfarë i ka ndihmuar ata ta mposhtin botën dhe ta ndjekin Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të jetuarit në botë, por jo të botës
Fillojeni orën mësimore duke u treguar nxënësve një kovë me ujë dhe një send të vogël të thatë.
-
A është e mundur që një send të qëndrojë i thatë nëse vendoset brenda një kove me ujë? Në ç’mënyrë?
Pasi nxënësit të kenë pasur mundësi për të dhënë mendimet e tyre, vendoseni sendin në një qese plastike ose në një enë mbajtëse hermetike dhe vendoseni brenda kovës me ujë.
-
Si mund të lidhet ky mësim me sende me përpjekjet tona për të qëndruar të drejtë në një botë të ligë?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta vlerësojnë aftësinë e tyre të tanishme për të jetuar me drejtësi në një botë të ligë, merreni parasysh të paraqitni pohimet vijuese. Ftojini nxënësit të përsiatin se sa i vërtetë është secili pohim për ta.
E kam të vështirë t’iu rezistoj joshjeve të botës dhe të ndjek Jezu Krishtin.
E di se ku mund të drejtohem për ndihmë që të qëndroj besnik/e në një botë të ligë.
Shpenzoj kohë çdo ditë duke kërkuar të mësoj më shumë rreth Jezu Krishtit dhe ta ndjek Atë.
Kujtojuni nxënësve se Fryma e Shenjtë do të na e tregojë atë që duhet të bëjmë (shihni te 2 Nefi 32:5). Ftojini nxënësit të kërkojnë frymëzim për të ditur atë që mund të bëjnë për të qëndruar të drejtë në një botë gjithnjë e më të ligë.
Një botë e ligë
Kur Zoti e mori Enokun dhe qytetin e tij në qiell (shih te Moisiu 7:69), djali i drejtë i Enokut, Methuselahu, mbeti në tokë (shih te Moisiu 8:2). Nipi i Methuselahut, Noeu dhe tre bijtë e Noeut “ec[ën] me Perëndinë” (Moisiu 8:27), ndërkohë që shumica e njerëzve që mbetën në tokë, zgjodhën ligësinë.
Paraqitini udhëzimet dhe tabelën vijuese në dërrasë. Ftojini nxënësit ta vizatojnë tabelën në ditarët e tyre të studimit. Nxënësit mund ta plotësojnë tabelën në grupe të vogla.
Lexo te Moisiu 8:12–22, 28–29, duke kërkuar gjendjen shpirtërore të njerëzve në kohën e Noeut.
Pastaj përcakto ngjashmëritë mes gjendjeve shpirtërore në kohën e Noeut dhe gjendjeve që shohim në kohën tonë.
|
Gjendja Shpirtërore e Shumë Njerëzve në Kohën e Noeut |
Ngjashmëritë mes Kohës së Noeut dhe Kohës Sonë |
Ftojini grupet t’ua tregojnë atë që gjetën grupeve të tjera. Inkurajojini nxënësit ta shtojnë atë që tregojnë shokët e tyre të klasës, në tabelat e veta.
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund të vini në dukje ngjashmëri si ato në vijim:
1. Ashtu si mbesat e Noeut, disa njerëz sot i humbasin bekimet që u ofron Perëndia nëpërmjet martesës së përjetshme në besëlidhje (shih vargjet 12–15).
2. Disa njerëz sot luftojnë gjithashtu kundër profetit dhe nuk e pranojnë këshillën e tij (shih vargjet 18–20).
Rishikoji vargjet te Moisiu 8:16–17 për të parë atë që Zoti i tha Noeut se do të ndodhte nëse njerëzit nuk pendoheshin.
-
Sa kohë u dha Zoti njerëzve për t’u penduar?
-
Çfarë mund të na mësojë kjo rreth natyrës së Perëndisë?
Ndjekja e Shpëtimtarit në një botë të ligë
Për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë shpresë se mund ta ndjekin Shpëtimtarin në një botë të ligë, merreni parasysh të ftoni një nxënës të lexojë thënien vijuese.
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi se si është e mundur mundja e kësaj bote të rënë:
“Për shkak se Jezu Krishti e mundi këtë botë të rënë dhe për shkak se Ai shleu për çdonjërin prej nesh, edhe ju mund ta mundni këtë botë të ngopur me mëkat, vetëdashëse dhe shpesh rraskapitëse”. (“Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96)
-
Çfarë do të përdornit nga thënia e Presidentit Nelson për ta ndihmuar dikë që ndihet i ngarkuar nga ligësia që ka përreth?
Merreni parasysh ta shkruani pohimin e papërfunduar vijues të së vërtetës në tabelë. Ftojini nxënësit të fillojnë të mendojnë rreth mënyrave të ndryshme se si mund ta plotësojnë atë.
Unë mund të zgjedh ta ndjek Shpëtimtarin në një botë të ligë duke …
Për t’i ndihmuar nxënësit të zbulojnë mënyra se si mund ta ndjekin Shpëtimtarin në një botë të ligë, jepuni atyre udhëzimet më poshtë dhe kopje të fletushkës shoqëruese. Nxënësit mund të punojnë në grupe. Ata mund t’i studiojnë burimet së bashku, ose anëtarët e grupit mund të përzgjedhin fragmente të ndryshme të shkrimeve të shenjta dhe thënie për t’i studiuar më vete dhe më pas të mblidhen bashkë për t’i diskutuar.
Duke zgjedhur nga burimet vijuese, bëj një listë në ditarin tënd të studimit me gjërat që mund të bëjmë për ta ndjekur Jezu Krishtin pavarësisht nga ligësia dhe tundimet përreth nesh.
Pasi grupet të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe për të krijuar lista, merreni parasysh ta vini çdo grup të shkruajë në tabelë një gjë që gjeti për ta plotësuar pohimin e së vërtetës. Për shembull, nga Moisiu 8:13, 23–24, nxënësit mund të gjejnë frazat: vënia e veshit ndaj Zotit dhe profetëve të Tij, të besuarit te Jezu Krishti, pendimi dhe bërja e besëlidhjeve me Perëndinë.
Disa nxënës mund të tregojnë pse gjërat që shkruan, janë domethënëse për ta.
Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Sharing Your Light” [“Shpërndarja e Dritës Suaj”] (2:56), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Në këtë material filmik, një e re e ndjek Shpëtimtarin pavarësisht nga zgjedhjet e të tjerëve që e rrethojnë.
Ndalesa dhe reflektimi për rrethanat e pashoqe të nxënësve mund të ftojë një frymë dallimi, dashurie dhe ndjeshmërie të ngjashme me të Krishtit në ndërveprimet tuaja me ta. Për shembull, nisur nga përvojat e tyre në jetë, disa nxënës mund t’u përgjigjen ndryshe pyetjeve vijuese nga si do t’iu përgjigjeshit ju. Kërkoni të kuptoni pikëpamjen e tyre, të reagoni me dashuri e ndjeshmëri dhe t’i përgëzoni përpjekjet e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin. (Për trajnim shtesë mbi rritjen e kuptueshmërisë suaj për rrethanat e pashoqe të nxënësve, shihni pjesën “Kërkoni t’i njihni ata – t’i kuptoni rrethanat, nevojat dhe pikat e tyre të forta” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)
Përsiate atë që ke bërë për të të ndihmuar ta mundësh ligësinë përreth vetes. Këto veprime mund të jenë gjërat e vogla e të thjeshta që i bën rregullisht, synime për të cilat ke punuar në programin Fëmijët dhe Rinia, ose përvoja të tjera.
-
Çfarë ke bërë që të të ndihmojë ta ndjekësh më mirë Shpëtimtarin dhe ta mundësh ligësinë përreth vetes?
-
A u përballe me ndonjë pengesë gjatë përpjekjeve të tua? Nëse po, çfarë bëre ose mund të bëje për t’i kapërcyer ato pengesa? Çfarë këshillash do të kishe për të tjerët?
Plani im për ta ndjekur Jezu Krishtin
Ndihmojini nxënësit të mendojnë për mënyra se si mund ta ndjekin Jezu Krishtin. Mund ta bëni këtë duke i ftuar të përgjigjen për pyetjet vijuese. Mund t’i inkurajoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre diku ku do t’i shohin shpesh ose t’ua tregojnë planin e tyre miqve të besuar, pjesëtarëve të familjes ose udhëheqësve të Kishës. Këto sugjerime mund t’u kujtojnë nxënësve atë që kanë mësuar dhe atë që dëshirojnë të bëjnë.
-
Çfarë je ndier i/e frymëzuar të bësh sot?
-
Si do ta rritë ndjekja e këtyre mbresave aftësinë tënde për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për ta mundur botën?
Merreni parasysh ta mbyllni me dëshmitë e nxënësve rreth asaj që kanë mësuar dhe ndier sot dhe rreth mënyrës se si ndjekja e Shpëtimtarit mund t’i ndihmojë ata ta mundin botën. Ju gjithashtu mund të jepni dëshminë tuaj.