Seminari
Moisiu 7:22–47: Vegimi i Enokut


“Moisiu 7:22–47: Vegimi i Enokut”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Moisiu 7:22–47: Vegimi i Enokut”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Moisiu 7: Mësimi 17

Moisiu 7:22–47

Vegimi i Enokut

Illustration depicting the City of Enoch being taken up.

Kur e ke ndier mëshirën e Perëndisë në jetën tënde? Zoti i tregoi Enokut një vegim për historinë e tokës nga vetë koha e tij deri në Mijëvjeçar. Enoku mësoi në një mënyrë të thellë rreth dashurisë personale të Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për përvojat dhe shkrimet e shenjta që i ndihmojnë ata të dinë se si është Ati Qiellor. Ata mund t’u kërkojnë edhe prindërve ose udhëheqësve apo shokëve të besuar t’u tregojnë përvoja ose shkrime të shenjta. Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të folur.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vështirësia për ta ndier mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë

Për t’i përgatitur nxënësit që të mësojnë më shumë rreth Perëndisë dhe karakterit të Tij, lexojini ose paraqitini skenarët vijues:

Kristi pyet veten a interesohet Perëndia vetëm për njerëzit që po bëjnë atë që është e drejtë.

Zana shqetësohet se Perëndia mund të jetë i zemëruar për zgjedhjet që po bën dikush i afërt me të. Ajo shqetësohet se Ai mund të dojë ta ndëshkojë të afërmin e saj.

Ola nuk mendon se e ka ndier ndonjëherë dashurinë e Perëndisë.

  • Përse mund të ndihen kështu këta njerëz?

Përzgjidh një nga këta skenarë për t’i përsiatur ndërsa e vazhdon këtë mësim.

Për t’i ndihmuar nxënësit të jenë pranues të ndikimit të Frymës së Shenjtë gjatë gjithë këtij mësimi, inkurajojini ata të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Çfarë di ti rreth Atit Qiellor që mund të të ndihmonte po të kishe shqetësime të ngjashme?

  • Çfarë pyetjesh ke rreth Atit Qiellor?

Kërko ndihmën e Zotit për ta ditur dhe ndier dashurinë e Tij për ty dhe për të gjithë fëmijët e Tij.

Vegimi i Enokut për ata që nuk u morën në qiell

Merreni parasysh ta përmblidhni sa vijon me vetë fjalët tuaja:

Kujto se nëpërmjet ndihmës dhe udhërrëfimit të Zotit, Enoku themeloi qytetin e Sionit. Populli i Sionit qe i bashkuar në Zotin, jetonte në drejtësi dhe njerëzit kujdeseshin për njëri‑tjetrin (shih te Moisiu 7:16–19). Në një vegim, Zoti i tregoi Enokut se Ai do ta merrte popullin e Sionit në qiell për shkak të besimit dhe drejtësisë së tij (shih te Moisiu 7:20–21). Enoku gjithashtu “pa pjesën e mbetur të popullit” (Moisiu 7:22), duke iu referuar atyre njerëzve që u lanë në tokë për shkak se nuk e ndiqnin Shpëtimtarin.

Lexo te Moisiu 7:23–26, duke kërkuar atë që pa Enoku.

  • Çfarë mëson rreth Satanit?

  • Si mendon, përse është e rëndësishme që t’i kuptojmë këto gjëra rreth Satanit?

Enoku sheh se si reagon Perëndia ndaj ligësisë

Enoku më pas pati një përvojë të dhembshur kur pa Perëndinë të vështronte nga lart popullin që kishte zgjedhur të mos i bindej.

Nëse doni, mund të shpjegoni se Enoku pa Jehovën ose Jezu Krishtin. Që nga Rënia e Adamit, Jehova është Ai që iu shfaqet profetëve dhe flet me ta. Në këto raste, Ai shpesh flet sikur Ai të ishte Ati. Uniteti i Atit dhe Birit është i tillë që ndjenjat e Shpëtimtarit përfaqësojnë edhe Atin. Prandaj, ajo që nxënësit do të studiojnë nga ky vegim mes Enokut dhe Jehovës mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë edhe rreth Atit Qiellor.

Ndërsa nxënësit i lexojnë vargjet vijuese, mund t’i inkurajoni të lexojnë ngadalë, të ndalojnë për ta përsiatur atë që lexojnë, dhe ndoshta t’i lexojnë vargjet më shumë se një herë. Leximi në këtë mënyrë mund t’i ndihmojë nxënësit ta ftojnë Shpirtin që t’u mësojë më shumë rreth Atit të tyre Qiellor.

Lexo te Moisiu 7:28–33 dhe shenjo fjalë ose fraza që të ndihmojnë ta njohësh dhe kuptosh më mirë Atin Qiellor.

  • Çfarë mëson rreth Perëndisë nga këto vargje?

Merreni parasysh të shkruani “Perëndia …” në tabelë dhe kërkojuni nxënësve ta përfundojnë këtë pohim me atë që mësuan. Inkurajoni dhënien e përgjigjeve të ndryshme. Disa përgjigje mund të përfshijnë:

  • na do thellësisht (vargjet 28–33).

  • krijoi universin dhe gjithsesi vihet në dispozicionin tonë (vargu 30).

  • është i drejtë, i mëshirshëm dhe i mirë (vargu 30).

  • na dha lirinë e zgjedhjes (vargu 32).

  • dëshiron që ne ta duam njëri‑tjetrin (vargu 33).

  • dëshiron që ne ta zgjedhim Atë (vargu 33).

Ndërsa nxënësit tregojnë atë që gjetën, merreni parasysh të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë të tilla si:

  • Pse ajo e vërtetë rreth Atit Qiellor është kuptimplotë për ju?

  • Si mund ta ndihmojë dijenia për atë të vërtetë personin në situatën që zgjodhët? Si mund t’ju ndihmojë ju?

Duke përdorur përvojën e Enokut, Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Shpëtimtari na tregon se si është Ati Qiellor dhe sa shumë na do Ai. Ai dha pikëpamjen vijuese rreth Atit Qiellor:

Official Portrait of Elder Jeffrey R. Holland.  Photographed January 2018.

“Në mes të një vegimi të madhërishëm për njerëzimin të cilin qielli ia hapi për ta parë, Enoku, duke vështruar edhe bekimet edhe sfidat e vdekshmërisë, e kthen vështrimin e tij drejt Atit dhe shtanget kur e sheh Atë duke vajtuar. Ai i thotë plot habi dhe mahnitje kësaj Qenieje, më të fuqishmes në gjithësi: ‘Si është e mundur që ti mund të vajtosh?’ …

Ajo skenë e vetme, gozhduese bën më shumë për të na mësuar natyrën e vërtetë të Perëndisë sesa mund të përçonte ndonjëherë çfarëdo traktati teologjik. …

Çfarë shëmbëlltyre e pashlyeshme e përfshirjes së Perëndisë në jetën tonë! Çfarë ankthi përjeton një prind kur fëmijët e Tij nuk e zgjedhin Atë, as ‘ungjillin e Perëndisë’ që Ai e dërgoi! [Romakëve 1:1]. Sa e lehtë ta duash dikë që na do në mënyrë kaq të pazakontë! …

Unë jap dëshmi vetjake sot për një Perëndi vetjak, të gjallë, që na i di emrat, i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve dhe na çmon përjetësisht si fëmijë të shpirtit të Tij.” (“The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 72)

Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje nga thënia e Presidentit Holland.

Merreni parasysh t’i shkruani pyetjet vijuese në tabelë. Ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet në grupe të vogla. Gjithashtu, ftojini ata të diskutojnë se si mund të gjejnë zbatim këto ide në skenarët që zgjodhën në fillim të mësimit. Ndërsa nxënësit përgjigjen, ecni nëpër klasë dhe dëgjoni disa nga përgjigjet e tyre.

  • Si mendon, pse Ati Qiellor vajton për ne kur ne nuk e duam njëri‑tjetrin?

  • Pse mund të vajtojë Ai për ne kur zgjedhim të mos e ndjekim apo ta duam Atë?

  • Cilat janë disa gënjeshtra që Satani do të donte që t’i besonim rreth ndjenjave të Perëndisë kundrejt nesh?

Pasi nxënësit t’i kenë diskutuar këto pyetje, merreni parasysh t’i pyesni për ato që dëgjuan nga një nxënës tjetër, që do të ishin të dobishme t’ia tregonin gjithë klasës. Kjo u lejon nxënësve t’i përsëritin përgjigjet ndërkohë që gjithashtu e përgëzojnë njëri‑tjetrin për përgjigjet e tyre. Mund të vini në dukje edhe ju përgjigjet e dobishme që dëgjuat.

Enoku sheh jetën dhe misionin e Shpëtimtarit

Zoti më pas i tregoi Enokut se njerëzit e mbetur në tokë, të cilët nuk do të pendoheshin, do të mbaronin nga një përmbytje (shih te Moisiu 7:34–44). Si përgjigje, Enoku vajtoi. Zoti pastaj e ngushëlloi Enokun, duke thënë: “Gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe shih” (Moisiu 7:44).

Lexo te Moisiu 7:44–47 duke kërkuar atë që Zoti i tregoi Enokut për ta ngushëlluar. Mund të jetë e dobishme të dish se “I Drejti” (vargjet 45 dhe 47) është një titull për Jezu Krishtin.

  • Si mendon, pse të parit e këtyre gjërave do ta bënte shpirtin e Enokut të gëzohej? (Vargu 47.)

  • Si e tregon dërgimi i Jezu Krishtit mëshirën dhe dashurinë e Atit?

Nëse është e dobishme, mund të diskutoni se si do t’i ndihmojë Shpëtimtari të gjithë fëmijët e Perëndisë, edhe njerëzit që qenë të ligj dhe vdiqën nga përmbytja. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se megjithëse të ligjtë mbaruan nga përmbytja dhe do t’iu duhej të vuanin për mëkatet e tyre në botën e shpirtrave, ata ende mund të pendoheshin nëpërmjet Shpëtimtarit (shih te Moisiu 7:38–39; 1 Pjetër 3:18–20).

Të ndierit e dashurisë së Perëndisë

Për ta mbyllur, ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë ndërsa bëjnë veprimtarinë vijuese. Përndryshe, nxënësit mund t’i shkruajnë dikujt në jetën e tyre që mund të ketë nevojë ta ndiejë mëshirën dhe dashurinë e Atit Qiellor.

Shkruaj një letër për ta ndihmuar personin në skenarin që zgjodhe në fillim të mësimit. Si pjesë e letrës sate, përfshi sa vijon:

  • Atë që mësove nga Moisiu 7 rreth mëshirës dhe dashurisë së Atit Qiellor. Përfshi fraza ose vargje të caktuara që ndien se do të ishin veçanërisht kuptimplota.

  • Shkrime të shenjta ose përvoja të tjera që të kanë ndihmuar të ndiesh mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë.

  • Ide të tjera që mendon se mund ta ndihmojnë këtë person ta ndiejë dashurinë e Perëndisë.

Mbylleni duke i ftuar nxënësit të tregojnë mendimet, përvojat dhe ndjenjat e tyre. Merreni parasysh të shtoni dëshminë tuaj për dashurinë e Atit.