Biblioteka
Dëlirësia


“Dëlirësia”, Tema dhe Pyetje (2023)

e re që qëndron në kodër duke parë poshtë tempullin që ndodhet larg

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Dëlirësia

Ligji i Perëndisë për pastërtinë seksuale

Dëlirësia është ligji i Perëndisë për ta ruajtur intimitetin seksual të shenjtë. Përpjekja fort për të qenë të dëlirë në mendimet, fjalët dhe veprimet tona sjell shumë bekime: shpirtërore, emocionale dhe fizike. Përpjekja jonë për të qëndruar të pastër seksualisht dhe për t’u penduar e për të kërkuar faljen e Zotit nëse kemi qenë të padëlirë, do të na sjellë paqe e gëzim në këtë jetë dhe do të na përgatitë të jetojmë me Perëndinë sërish pasi të vdesim.

Në shumë anë të botës, dëlirësia nënçmohet dhe zgjedhja për të pasur marrëdhënie seksuale përpara ose jashtë martese, është e zakonshme. Por Perëndia na e dha ligjin e dëlirësisë për të njëjtën arsye që na ka dhënë të gjitha urdhërimet: Ai na do dhe e di se të jetuarit e urdhërimeve na ndihmon të qëndrojmë të sigurt dhe na çon drejt lumturisë së vërtetë e të përhershme.

Çfarë Është Dëlirësia?

Dëlirësia është të qenit seksualisht i pastër në mendimet, fjalët dhe veprat tona. Dëlirësia përfshin të mos keni asnjë marrëdhënie seksuale para martese. Do të thotë gjithashtu të jeni plotësisht besnik/e ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes gjatë martesës, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Të qenit i dëlirë përfshin shmangien e pornografisë ose përmbajtjeve të tjera që synojnë të zgjojnë ndjenja seksuale. Dëlirësia është një urdhërim nga Perëndia dhe bindja ndaj atij ligji është e rëndësishme për të na ndihmuar që të përgatitemi për të hyrë në shtëpinë e Zotit. Në tempull, ne ftohemi të zotohemi më plotësisht me anë të besëlidhjes për të jetuar ligjin e dëlirësisë.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Dëlirësia

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Agency [Liria e Zgjedhjes], Mortal Life [Jeta në Vdekshmëri], Pornografia, Pendimi

burrë duke parë në telefon

Pjesa 1

Dëlirësia Është Pjesë Jetike e Planit të Perëndisë

Ligji i dëlirësisë është një pjesë jetike e planit të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Nëpërmjet intimitetit seksual ne mund të bëhemi bashkëkrijues me Perëndinë dhe t’i sjellim fëmijët e Tij në botë. Të qenit i dëlirë tregon respekt për fuqinë krijuese të Perëndisë, të cilën Ai na lejon ta ushtrojmë. Kjo gjithashtu tregon mirënjohje për trupin që na ka dhënë Perëndia.

Marrëdhëniet familjare që krijohen kur një burrë dhe një grua martohen dhe kur lindin fëmijët e tyre, janë përjetësisht të rëndësishme për Atin tonë Qiellor. Kjo është njëra nga arsyet pse Ai ka urdhëruar që marrëdhëniet seksuale duhet të ekzistojnë vetëm ndërmjet një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Për më tepër, bashkëpjesëmarrja midis një burri dhe një gruaje mund të ndihmojë në nxitjen e një mjedisi të shëndetshëm për rritjen e fëmijëve dhe mund të krijojë një themel të fortë për një familje të përjetshme.

Gjëra për t’i menduar

  • Mendoni përse dëlirësia është një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë për shpëtimin. Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “Fuqia për të krijuar jetë të vdekshme është fuqia më e ekzaltuar që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij”. Më pas mendoni se si mbajtja e mendimeve tuaja të pastra seksualisht në situata të ndryshme mund t’ju ndihmojë ta kontrolloni këtë fuqi dhe të qëndroni të fortë shpirtërisht. Si do të ndikonte te njerëzit e tjerë përpjekja për të qenë të dëlirë në mendimet tuaja? Si do të ndikonte në argëtimin dhe median që zgjidhni të shihni? Si mund të ndikonte ajo te marrëdhëniet tuaja familjare? Mund të zgjidhni një himn apo një këngë të parapëlqyer të Kishës ose shkrim të shenjtë që mund ta këndoni ose përsëritni në mendjen tuaj kur tundoheni nga mendime ose ndjenja të pashëndetshme seksuale. Mund të vendosni një synim për ta mësuar përmendsh atë këngë ose fragment dhe për ta rishikuar shpesh.

  • Merreni parasysh arsyen përse ligji i dëlirësisë është i rëndësishëm për ju ose përse mund të jetë i tillë. Shkruajeni fjalinë: “Zgjedh t’i bindem ligjit të dëlirësisë sepse … ”. Më pas kërkoni mënyra se si mund t’i përgjigjeni kësaj fjalie duke lexuar pjesën “Trupi Juaj Është i Shenjtë” në broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Më pas mund të mendoni se si do t’i përgjigjeshit dikujt që ju pyeti pse dëlirësia është e rëndësishme për ju.

  • Nganjëherë dëlirësia përmendet në shkrimet e shenjta si “virtyt”. Zoti tha se virtyti duhet “t’i stolisë mendimet … t[ona] pa pushim” dhe atëherë “[mund] të forcohet vetëbesimi y[në]” dhe “doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin t[onë] … [dhe] Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi [ynë] i vazhdueshëm” (Doktrina e Besëlidhje 121:45–46). Çfarë do të thotë këtu fjala stolisë? Si e keni parë që dëlirësia dhe virtyti u japin njerëzve vetëbesim dhe forcë në jetën e tyre? Si e ka rritur të jetuarit e ligjit të dëlirësisë dëshminë tuaj për ungjillin?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Rishikojeni nenin e trembëdhjetë të besimit së bashku. Ky varg thotë se ne besojmë në të qenit të dëlirë dhe na fton të rendim pas gjërave që janë të virtytshme dhe të dashura. Si mund të përcaktojmë nëse diçka është e virtytshme dhe e dashur? Pasi të keni dhënë ide, mund të flisni për gjëra në jetën tuaj që i përshtaten atij përshkrimi dhe se si ju ndihmojnë ato që të jeni të dëlirë. Më pas mund të vendosni një synim së bashku që do t’ju ndihmojë të përfshiheni vetëm në biseda, situata, media dhe argëtime që janë të virtytshme dhe të dashura. Flisni se si mund ta ndihmoni njëri-tjetrin për ta arritur synimin tuaj. Më pas, mund të diskutoni atë që keni mësuar nga përvoja.

  • Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve na mëson: “Për shkak se ndjenjat seksuale janë kaq të shenjta dhe kaq të fuqishme, Perëndia ju ka dhënë ligjin e Tij të dëlirësisë për t’ju përgatitur që t’i përdorni këto ndjenja ashtu siç e ka për qëllim Ai. … Shumë njerëz në botë e shpërfillin ose madje tallen me ligjin e Perëndisë, por Zoti na fton të jemi dishepujt e Tij dhe të jetojmë një standard më të lartë se ai i botës.” Cilat janë mesazhet që na jep Zoti rreth seksit dhe dëlirësisë? (Për ide, ju mund të kërkoni te zëri “Dëlirësi” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose te vështrimi i përgjithshëm për temën “Dëlirësia” te Tema dhe Pyetje.) Çfarë mesazhi na jep shpesh bota për këto tema? Diskutoni se çfarë mund të bëni kur ndeshni mesazhe të rreme rreth dëlirësisë apo tundime për të qenë të padëlirë.

Mësoni më shumë

çift duke ecur buzë lumit

Pjesa 2

Përpjekja Fort për të Qenë të Dëlirë Mund të Sjellë Bekime të Pabesueshme

Ne bekohemi në shumë mënyra ndërsa përpiqemi të jetojmë ligjin e dëlirësisë, duke përfshirë shmangien e pornografisë. Kur e mbajmë urdhërimin e Perëndisë për të qenë të dëlirë, ftojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe sjellim fuqi e forcë shpirtërore më të madhe në jetën tonë. Të qenit të dëlirë na ndihmon të bëhemi të shenjtë dhe të fortë shpirtërisht, ashtu si Jezu Krishti. Kjo përgatitje shpirtërore na lejon të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe të përparojmë në rrugën e kthimit për tek Ai. Të jetuarit e një jete të dëlirë na lejon gjithashtu të jemi shembuj për të tjerët dhe të qëndrojmë denjësisht përpara Zotit.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Dëlirësia dhe virtyti janë tani, kanë qenë përherë dhe do të jenë gjithnjë ‘më [të] dashur[at] dhe më [të] çmueshme[t] përmbi të gjitha gjërat’ (Moroni 9:9)”. Pjesë e asaj që e bën dëlirësinë kaq të çmuar, është paqja dhe gëzimi që mund të na sjellë si individë dhe në marrëdhëniet tona familjare. Të jetuarit e këtij ligji mund të na ndihmojë të kemi dashuri, mirëbesim dhe unitet më të madh në martesën tonë. Ne gjithashtu mund të shmangim shumë nga brengat në botë duke qenë të dëlirë përpara martesës dhe plotësisht besnikë ndaj bashkëshortit/es sonë gjatë martesës. Ne mund të shmangim shumë pasoja të tjera të mundshme shpirtërore, emocionale dhe fizike të shkeljes së ligjit të dëlirësisë ndërsa i bindemi këtij urdhërimi gjatë gjithë jetës sonë.

Mëkati seksual sjell një barrë të rëndë, por falja nga Zoti është në dispozicion për të gjithë ata që do të pendohen me çiltërsi.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexojeni rrëfimin e Jozefit dhe të gruas së Potifarit te Zanafilla 39:7–23. Çfarë mësoni rreth Jozefit nga ky rrëfim? Çfarë mësoni nga shembulli i tij i të qenit i përgatitur shpirtërisht në mënyrë që të mund të mbetej i dëlirë edhe kur u përball me tundimin? Si u bekua ai përfundimisht për shkak të vendimit të tij për t’iu bindur ligjit të dëlirësisë? (Shihni, për shembull, te Zanafilla 41:37–45; 45:1–28.) Merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojë shembulli i tij që të keni kurajën për të qëndruar të fortë kur tundoheni të bëni diçka që është e padëlirë.

  • Ju mund të lexoni rrëfimin e të riut në mesazhin e Presidentit Xhefri R. Holland “Let Virtue Garnish Thy Thoughts Unceasingly” [“Virtyti Duhet t’i Stolisë Mendimet e Tua Pa Pushim”]. Çfarë mësoi i riu nga përvoja e tij? Si e ndryshoi jetën e tij? Mendoni se çfarë mund të bëni për të pasur kurajën që të qëndroni të denjë kur tundoheni të bëni diçka të padëlirë ose jo të shenjtë. Si mund të bekoheni kur qëndroni të denjë? Shkruajini mbresat që ju vijnë.

  • Satani do që ne të besojmë se kur e kemi shkelur ligjin e dëlirësisë duke kryer një mëkat seksual ose duke parë pornografi, ne nuk jemi më të denjë për dashurinë e Perëndisë. Por kjo është thjesht e pavërtetë. Lexoni te Lluka 15:11–32 ose shihni materialin filmik “The Prodigal Son” [“Djali Plëngprishës”] (5:36). Si e ilustron ky rrëfim dashurinë që ka Perëndia për ne, madje edhe kur kryejmë mëkate të rënda? Më pas lexoni tek Isaia 43:25 dhe mendoni për shpresën që jep ky varg. Nëse keni një mëkat moral për të cilin nevojitet të pendoheni, caktoni një takim për të folur me peshkopin ose presidentin e degës suaj dhe filloni procesin e pendimit, ose lutuni që të keni dëshirën për ta bërë këtë. Pendimi dhe mbështetja te Shpëtimtari dhe fuqia e Tij shlyese do të sjellin shërim e shpresë dhe do t’ju ndihmojnë të afroheni më tepër me Të.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Rasëll M. Nelson u kujtoi anëtarëve të Kishës se bekime të mëdha vijnë kur ne zgjedhim të “mend[ojmë] çelestialisht”, përfshirë kur vjen puna që të qëndrojmë të dëlirë. Ai tha: “Të menduarit çelestialisht do t’ju ndihmojë … që t’i bindeni ligjit të dëlirësisë. Janë të pakta gjërat që do ta ndërlikojnë jetën tuaj më shpejt sesa shkelja e këtij ligji hyjnor. Për ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, pamoralshmëria është një nga mënyrat më të shpejta për ta humbur dëshminë tuaj. … Zoti ka shpallur se asnjë person jo i dëlirë nuk do ta arrijë mbretërinë çelestiale. Pra, kur të merrni vendime lidhur me moralshmërinë, ju lutem, mendoni çelestialisht.” Ju mund të flisni për mënyrën se si të menduarit çelestialisht mund t’ju ndihmojë të qëndroni të pastër moralisht dhe mënyrat se si mund të bekoheni për ta bërë këtë gjë.

  • Shikojeni materialin filmik “I Choose to Be Pure” [“Zgjedh të Jem i/e Dëlirë”] (4:19) dhe flisni përse të rinjtë e të rejat e ndryshme në materialin filmik kanë zgjedhur të mbeten seksualisht të pastër dhe bekimet që ata ndiejnë se do të vijnë si rrjedhojë e kësaj. Mund t’i tregoni njëri-tjetrit atë që bëni për t’u kujtuar që të bëni zgjedhje të cilat ju ndihmojnë të mbani ligjin e dëlirësisë. Ose secili prej jush mund të shkruajë vendimin e vet për të qëndruar seksualisht i/e pastër gjatë gjithë jetës dhe ta vendosë letrën aty ku do ta shohë shpesh.

  • Në bisedën e tij “Ji Trim me Guxim, Fuqi dhe Energji”, Plaku Geri E. Stivenson dha mësim: “‘Ajo që ju zgjidhni të mendoni dhe të bëni kur jeni vetëm dhe kur mendoni se askush nuk po ju shikon, është një masë e fortë e virtytit tuaj’ [Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 123]. Jini guximtarë! Jini të fortë! ‘Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni’ [Doktrina e Besëlidhje 87:8].” Flisni pse është e rëndësishme të jeni të dëlirë kur jeni vetëm. Më pas mund të jepni ide për “vende të shenjta” ku mund të jeni dhe gjëra të shenjta që mund të bëni, që do t’ju ndihmojnë të qëndroni të dëlirë, veçanërisht kur jeni vetëm. Cilat janë disa bekime që mund të merrni kur i kërkoni ato vende të shenjta dhe zgjidhni të jeni të dëlirë?

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Dëlirësisë

Shënime

  1. Shihni te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023), f. 83.

  2. Perëndia është Ati i shpirtrave tanë. Kur sjellim fëmijë në botë, ne e bëjmë këtë në bashkëpunim me Të, duke u mundësuar fëmijëve të Tij shpirtërorë të vijnë në tokë dhe të marrin trupa fizikë.

  3. Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 74.

  4. Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), f. 23.

  5. Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44.

  6. Jeffrey R. Holland, “Let Virtue Garnish Thy Thoughts Unceasingly”, New Era, tetor 2007, f. 4–7.

  7. Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht”, Liahona, nëntor 2023, f. 118.

  8. Geri E. Stivenson, “Ji Trim me Guxim, Fuqi dhe Energji”, Liahona, nëntor 2012, f. 52.