Doktrina e Besëlidhje 2021
26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45: “Premtimet … do të Përmbushen”


“26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45: ‘Premtimet … do të Përmbushen’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
rini jashtë tempullit

26 Prill – 2 Maj

Doktrina e Besëlidhje 45

“Premtimet … do të Përmbushen”

Si mësues, përgatitja juaj më e rëndësishme është shpirtërore. Fillojeni duke studiuar te Doktrina e Besëlidhje 45 dhe duke u lutur për udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Ky përvijim jep ide që mund të jenë të dobishme për ju. Ju mund të gjeni gjithashtu ide në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose te Liahona apo te pjesa Miku e revistës Liahona.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Pyetini fëmijët nëse do të donin të tregonin diçka që e mësuan nga shkrimet e shenjta këtë javë. Zgjidhni dikë që të tregojë dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë të ngrenë dorën nëse mësuan për diçka të ngjashme.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 45:32

Unë mund të “qëndroj në vende të shenjta”.

Te Doktrina e Besëlidhje 45:32, Zoti dha mësim se dishepujt e Tij do të gjejnë siguri në ditët e fundit duke qëndruar në vende të shenjta – vende që janë të veçanta për Zotin. Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i dallojnë vendet e shenjta në jetën e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Vendosni nëpër dhomë në vende të ndryshme figura të një shtëpie, të një godine kishe dhe të një tempulli. Jepuni të dhëna që i përshkruajnë këto vende dhe ftojini fëmijët të qëndrojnë pranë figurës që ju po përshkruani. Lexoni rreshtin e parë nga Doktrina e Besëlidhje 45:32. Dëshmoni se ne bekohemi kur kalojmë kohë në vende të shenjta si për shembull në shtëpitë tona, godinat tona të kishës dhe tempull. Kërkojuni fëmijëve që të flasin për mënyrën se si ndihen kur janë në vende të shenjta si këto.

  • Ftojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ndihmojini të shkruajnë: “Unë mund të ndihmoj që shtëpia ime të bëhet një vend i shenjtë” dhe “Doktrina e Besëlidhje 45:32” në vizatimin e tyre. Çfarë mund të bëjnë ata që të ndihmojnë që shtëpia e tyre të bëhet një vend i shenjtë?

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë se çfarë do të thotë “të [mos] lëvizen”, kërkojuni të qëndrojnë pa lëvizur për një minutë. Lexoni rreshtin e parë nga Doktrina e Besëlidhje 45:32. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se të “qëndrojnë në vende të shenjta dhe … të [mos] lëvizen” do të thotë të zgjedhin të drejtën gjatë gjithë kohës, pavarësisht nga çfarë po ndodh. Ftojini “të [mos] lëvizen” nga mendimet dhe veprimet e drejta.

Doktrina e Besëlidhje 45:44–45

Jezu Krishti do të vijë përsëri.

Kur shenjtorët në Kirtland të Ohajos, dëgjuan për zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 45, e cila flet për ditët e fundit dhe Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, ata e pranuan zbulesën me gëzim. Merrni parasysh se si do t’i ndihmoni fëmijët të përgatiten plot gëzim për Ardhjen e Dytë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrën se si ndihen ata kur e dinë se një njeri i veçantë po vjen për t’i vizituar, si një gjysh/e apo një mik/e. Si përgatiten për vizitën? Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe lexoni një pjesë ose të dy vargjet te Doktrina e Besëlidhje 45:44–45. Tregojuni fëmijëve se si ndiheni që Shpëtimtari do të vijë përsëri dhe lërini të shprehin ndjenjat e tyre.

  • Paraqitni një figurë të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që ndiejnë kur e shohin atë figurë. Jepni dëshminë tuaj se Jezu Krishti do të vijë përsëri.

  • Këndoni një këngë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46). Përdoreni këngën që të diskutoni mënyrat se si mund të përgatitemi për Jezusin që të vijë përsëri, të tilla si duke bërë vullnetin e Perëndisë ose duke e lënë dritën tonë që të shkëlqejë për të tjerët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 45:3–5

Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin.

Si do t’i ndihmoni fëmijët që ta forcojnë besimin e tyre se Jezu Krishti është Avokati i tyre? Si e keni mësuar këtë për veten tuaj?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani disa fjalë dhe fraza që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5 në fletë të veçanta letre. Jepuni fëmijëve një minutë që t’i studiojnë këto vargje në shkrimet e tyre të shenjta dhe më pas ftojini t’i mbyllin shkrimet e tyre të shenjta dhe t’i vendosin fjalët në fletë sipas rendit që ato shfaqen te vargu. Sipas këtyre vargjeve, çfarë thotë Shpëtimtari për ta mbrojtur kauzën tonë përpara Atit Qiellor?

  • Ndihmojini fëmijët të përkufizojnë fjalën avokat, ndoshta duke e parë atë në fjalor. Çfarë bëri Shpëtimtari që e bëri të mundur që Ai të ishte Avokati ynë? Shprehini ndjenjat tuaja rreth asaj që ka bërë Jezu Krishti për ne dhe lërini fëmijët të tregojnë ndjenjat e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 45:9

Ungjilli i Jezu Krishtit është një dritë për botën.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, të mendojnë për mënyra se si ungjilli e përgatit botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni figurat e një drite dhe të një flamuri ose vizatojini këto gjëra në tabelë. Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 45:9 dhe të mendojnë për mënyrat se si ungjilli është si një dritë, një flamur ose një lajmëtar. Ju mund të shpjegoni se në kohët e lashta, një flamur ishte një banderolë që merrej në betejë. Ai i ndihmonte ushtarët të dinin se ku të shkonin dhe çfarë të bënin.

    Pamja
    Kapiten Moroni duke mbajtur Titullin e Lirisë

    Titulli i Lirisë, nga Larry Conrad Winborg

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh të gjithë ose një pjesë të vargut 9 duke e shkruar atë në tabelë dhe duke i fshirë me radhë nga pak fjalë.

Doktrina e Besëlidhje 45:37–38

Jezu Krishti do të vijë përsëri.

Mund të jetë e frikshme për fëmijët që të lexojnë rreth luftërave, ligësisë dhe shkatërrimit që profetizohen se do të ndodhin përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Si mund t’i ndihmoni ata që të shohin me gëzim drejt kësaj dite të premtuar?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se si e dinë kur po afrohet një stinë e re. Cilat shenja kërkojnë ata? Shpjegoni se ashtu siç ka shenja të një stine të re, ashtu ka shenja të Ardhjes së Dytë. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 45:37–38. Çfarë tha Jezusi se do të ishin shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë? Për t’i ndihmuar fëmijët të zbulojnë shenjat të cilat duhet të kërkojmë, caktojeni secilin fëmijë (ose një grup fëmijësh) të lexojnë disa vargje nga Doktrina e Besëlidhje 45 që i përshkruajnë këto shenja. Për shembull, mund të përdoren vargjet 26–27, 31–33, 40–42. Lërini fëmijët të tregojnë atë që gjetën. Cilat nga këto shenja po përmbushen sot?

  • Në fletë të veçanta letre shkruani disa prej premtimeve lidhur me ngjarje të ardhshme që i gjetët gjatë studimit tuaj të seksionit 45. Disa shembuj të këtyre premtimeve mund të gjenden te vargjet 44–45, 51–52, 55, 58–59, 66–71. Renditini në tabelë vargjet ku gjenden premtimet. Jepuani fëmijëve fletët dhe kërkojuni t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta që të përputhin vargjet në tabelë me premtimet. Diskutoni se çfarë nënkuptojnë këto premtime dhe ftojini fëmijët të tregojnë cilat premtime i ndihmojnë të ndihen të gëzuar rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për një gjë që e mësuan gjatë orës mësimore, të cilën mund t’ua tregojnë familjeve të tyre. Ftojini disa prej tyre që t’i tregojnë klasës atë që dëshirojnë ta tregojnë në shtëpi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin. Teksa u jepni mësim fëmijëve, tregojuni atyre për raste kur e ndieni Frymën e Shenjtë. Flisni për mënyrën se si e dalloni praninë e Tij. Për shembull, ju mund të ndieni paqe ose gëzim ndërkohë që këndoni një këngë rreth Shpëtimtarit. Përcaktimi i këtyre ndjenjave do t’i ndihmojë fëmijët të vënë re kur po e ndiejnë Shpirtin.