Doktrina e Besëlidhje 2021
10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50: “Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë”


“10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50: ‘Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
liqen në agim

10–16 Maj

Doktrina e Besëlidhje 49–50

“Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 49–50, kërkoni mesazhe ose parime që ju e ndieni se do të jenë veçanërisht domethënëse për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Disa sugjerohen në këtë përvijim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Tregoni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ndihmojini fëmijët të flasin për mënyrën se si Jezu Krishti është si një bari i mirë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 49:12–14

Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata mund ta ndjekin Jezu Krishtin nëpërmjet besimit tek Ai, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së Frymës së Shenjtë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni katër gjurmë këmbësh prej letre dhe katër figura që përfaqësojnë besimin te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 49:12–14 dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë me gisht figurën e saktë kur secili përmendet në vargjet. Lejojini fëmijët t’ju ndihmojnë që t’i vendosni gjurmët në dysheme me figurat pranë tyre dhe ftojini fëmijët të ecin me radhë mbi gjurmët e këmbëve. Jepni dëshminë tuaj se kur i bëjmë gjërat në këto figura, ne po e ndjekim Jezu Krishtin.

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave që të bëni kukulla për gishtat, të cilat mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë se si mund ta ndjekin Jezu Krishtin nëpërmjet pasjes së besimit, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Doktrina e Besëlidhje 50:23–25

Drita ime shpirtërore mund të bëhet gjithnjë e më e shndritshme.

Koncepte abstrakte, të tilla si e vërteta dhe shpirti, mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga fëmijët e vegjël, por mund të ndihmojë krahasimi i tyre me dritën, siç bën Zoti te Doktrina e Besëlidhje 50:23–25.

Veprimtari të Mundshme

  • Përdorni një veprimtari që ilustron mënyrën se si drita jonë shpirtërore mund të bëhet gjithnjë e më e shndritshme. Ju mund të tregoni figura të gjërave që ju japin dritë (të tilla si një qiri, një poç llambe dhe dielli) dhe lejojini fëmijët t’i vënë në radhë sipas rritjes së shkallës së shkëlqimit. Ose ftojini fëmijët të bëjnë sikur janë drita të cilat bëhen gjithnjë e më të shndritshme, duke u përkulur deri përtokë dhe dalëngadalë duke u ngritur në këmbë dhe duke shtrirë krahët e tyre lart. Ndihmojini të mendojnë për gjëra të mira që mund t’i bëjnë për ta bërë më të shndritshme dritën e tyre shpirtërore.

  • Këndoni me fëmijët një këngë për dritën e tyre shpirtërore, të tillë si “Shkëlqe” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96). Dëshmoni për mënyrën se si Ati Qiellor ka ndihmuar që drita juaj të bëhet më e shndritshme. Tregojuni fëmijëve për dritën që shihni tek ata.

Doktrina e Besëlidhje 50:41–44

Jezu Krishti më do.

Jezu Krishti është Bariu i Mirë. Ne jemi delet e Tij dhe Ai e do secilin prej nesh. Çfarë do t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta ndiejnë dashurinë e Tij për ta?

Veprimtari të Mundshme

  • Shfaqni një figurë të Jezu Krishtit me fëmijët (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 47, 84 ose 116) dhe pyetini fëmijët se si e dinë që Jezusi i do fëmijët. Tregoni se si e dini që Jezusi ju do ju dhe secilin prej fëmijëve në klasë.

  • Bëni dele prej letre, shkruani në to emrat e fëmijëve të klasës dhe fshihini nëpër dhomë. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe lexoni te Doktrina e Besëlidhje 50:41–42. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ndihet Jezu Krishti për ta. Lejojini të gjejnë delet nëpër dhomë dhe t’i vendosin në tabelë pranë figurës së Jezusit kështu që “asnjë prej tyre … nuk do të humbasë” (vargu 42).

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 49:12–14

Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin.

Zoti ka nevojë për ne të gjithë që t’u mësojmë njerëzve të tjerë se ata mund të vijnë tek Ai nëpërmjet pasjes së besimit, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të krahasojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 49:12–14 me atë që Pjetri e dha mësim te Veprat e Apostujve 2:38 dhe me nenin e katërt të besimit. Çfarë ngjashmërish gjejnë? Përse këto të vërteta janë të rëndësishme?

  • Ftojini fëmijët të punojnë në dyshe dhe të bëjnë sikur njëri prej tyre dëshiron të dijë se si ta ndjekë Jezu Krishtin. Fëmija tjetër në dyshe mund t’i japë atij ose asaj mësim duke përdorur vargjet te Doktrina e Besëlidhje 49:12–14.

Doktrina e Besëlidhje 49:15–17

Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore për planin e Perëndisë.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të përballen me mesazhe pështjelluese rreth martesës. Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 mund t’i ndihmojë ta kuptojnë se si ndihet Zoti rreth martesës.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni që shejkërat ishin një grup që besonte se njerëzit nuk duhet të martohen (shih kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 49). Ftojini fëmijët që të gjejnë gjëra që Zoti i dha mësim rreth martesës te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17.

  • Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë do të thotë fraza “martesa shugurohet nga Perëndia”. Ftojini të punojnë në dyshe për të krahasuar vargjet te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 me tre paragrafët e parë te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”. Përse është martesa kaq e rëndësishme për Atin Qiellor?

  • Këndoni së bashku strofën e dytë të këngës “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98) ose një këngë tjetër për familjen. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të përgatiten për t’u martuar në tempull një ditë dhe të kenë një familje të përjetshme.

    Pamja
    çift jashtë tempullit

    Martesa midis një burri dhe një gruaje është shuguruar nga Perëndia.

Doktrina e Besëlidhje 50:40–46

Jezu Krishti është Bariu i Mirë.

Doktrina e Besëlidhje 50:40–46 përmban imazhe që mund t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, të kuptojnë se si ndihet Shpëtimtari për ta.

Veprimtari të Mundshme

  • Bëni një lojë me përputhje duke përdorur fraza nga Doktrina e Besëlidhje 50:40–46. Për shembull, ju mund të shkruani “Mos kini frikë, fëmijë të vegjël” në një kartë që do të përputhej me një kartë tjetër që thotë “sepse ju jeni të mitë” (vargu 41). Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 50:40–46. Më pas përziejini kartat në dysheme, mbi tavolinë ose në tabelë dhe kërkojuni fëmijëve të përputhin frazat. Çfarë na mësojnë këto fraza rreth Jezu Krishtit?

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se si Shpëtimtari është si një bari i mirë, kërkojuni të lexojnë së bashku te Doktrina e Besëlidhje 50:40–46. Pastaj paraqitni materialin filmik “Jesus Declares the Parable of the Lost Sheep” [Jezusi Shpalli Shëmbëlltyrën e Deles së Humbur] (ChurchofJesusChrist.org) dhe kërkojuni të gjejnë diçka në materialin filmik që u kujton atë që lexuan. Si na shpëton Jezusi? Si mund të jemi barinj të mirë për të tjerët?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Përgatitni një shënim për secilin fëmijë me këto fjalë: Më pyet për . Lërini fëmijët ta plotësojnë hapësirën bosh me diçka që e mësuan në orën mësimore (jepuni ndihmë nëse nevojitet) dhe kapeni shënimin me gjilpërë te rrobat e tyre që të nxitni diskutim në shtëpi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përshtatini veprimtaritë në përputhje me moshën e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Teksa fëmijët rriten, ata kanë më shumë për të kontribuar në orën mësimore. Ata kanë më shumë përvojë dhe mund të jenë më të aftë për t’i shprehur mendimet e tyre. Kur u jepni mësim fëmijëve më të vegjël, mund t’ju nevojitet të shpjegoni më shumë sesa u shpjegoni fëmijëve më të mëdhenj. Gjithmonë jepuni fëmijëve mundësinë që të marrin pjesë vetë dhe më pas ndihmojini sipas nevojës.