Doktrina e Besëlidhje 2021
26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45: “Premtimet … do të Përmbushen”


“26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45: ‘Premtimet … do të Përmbushen’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“26 Prill – 2 Maj. Doktrina e Besëlidhje 45”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
të rinj jashtë tempullit

26 Prill – 2 Maj

Doktrina e Besëlidhje 45

“Premtimet … do të Përmbushen”

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95).

Shënojini Mbresat Tuaja

Ne jetojmë në kohë të rrezikshme dhe kjo mund të jetë shqetësuese. Edhe dishepujt e Jezusit, kur e dëgjuan të profetizonte për fatkeqësitë që do të ndodhnin në kohën tonë, “u shqetësuan” (Doktrina e Besëlidhje 45:34). Shenjtorët e hershëm në Kirtland të Ohajos, u shqetësuan gjithashtu nga koha e rrezikshme në të cilën jetuan. Mes gjërave të tjera, kishte “shumë thënie të rreme … dhe histori absurde” që po e minonin mesazhin e ungjillit (Doktrina e Besëlidhje 45, kreu i seksionit). Por përgjigja e Zotit, atëherë dhe tani, është që të “mos … shqetëso[hemi]” (vargu 35). Po, ka ligësi, por ka gjithashtu prova se Perëndia po e përshpejton punën e Tij. Po, ka rreziqe të parashikuara që e paraprijnë Ardhjen e Dytë dhe ne duhet të jemi në dijeni të tyre. Por këto nuk janë vetëm paralajmërime për rrezikun; ato janë gjithashtu shenja se premtimet e Perëndisë janë gati për t’u përmbushur. Ndoshta kjo është arsyeja përse Doktrina e Besëlidhje 45 – zbulesa që i përshkruan shumë prej këtyre shenjave me hollësi – u mor “për gëzimin e Shenjtorëve” (kreu i seksionit).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 45:1–5

Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin.

A jeni ndier ndonjëherë i papërshtatshëm apo i padenjë përpara Perëndisë? Ju mund të gjeni siguri te Doktrina e Besëlidhje 45:1–5. Çfarë ju sugjerojnë fjalë të tilla si “avokat” dhe “mbron”? Si është Shpëtimtari avokat për ju apo si e mbron Ai çështjen tuaj? Çfarë domethënie ka për ju të dini se Krishti është Avokati juaj?

Fjalët e mëposhtme nga Presidenti Jozef Filding Smith mund t’ju ndihmojnë që t’i përsiatni këto vargje: “Jezusi [është] avokati ynë, duke na mbrojtur si ndërmjetësi ynë përmes shërbesës dhe punëve të tij për të na pajtuar, për të na sjellë në harmoni me Perëndinë” (në Conference Report, tetor 1953, f. 58).

Shih edhe 2 Nefi 2:8–9; Mosia 15:7–9; Moroni 7:27–28; Doktrina e Besëlidhje 29:5; 62:1.

Doktrina e Besëlidhje 45:9–10

Ungjilli është një flamur për kombet.

Në lashtësi, standardi ishte një banderolë apo flamur që sillej në betejë. Ai i grumbullonte e i bashkonte ushtarët dhe i ndihmonte ata që të dinin se ku të mblidheshin dhe çfarë të bënin. Një standard është gjithashtu një shembull ose rregull kundrejt të cilit mund të maten gjërat e tjera. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 45:9–10, përsiatni se si kanë qenë besëlidhjet e ungjillit një standard për ju. Si do të ishte ndryshe jeta juaj nëse nuk do t’i kishit këto besëlidhje?

Shih edhe Isaia 5:26; 11:10–12; Doktrina e Besëlidhje 115:5–6.

Doktrina e Besëlidhje 45:11–75

Premtimet e Zotit do të përmbushen.

Lufta, paudhësia dhe shkretimi do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Por “mos u shqetësoni”, tha Zoti, “sepse, kur gjithë këto gjëra të ndodhin, ju mund të dini se premtimet që ju janë bërë, do të përmbushen” (Doktrina e Besëlidhje 45:35).

Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 45:11–75, merreni parasysh të përqendroheni jo thjesht te ngjarjet shqetësuese që janë profetizuar, por gjithashtu te bekimet që premton Zoti (për shembull, premtimet te vargjet 54–59 rreth mbretërimit mijëvjeçar të Shpëtimtarit). Ju mund ta bëni këtë duke krijuar lista ose duke i emërtuar apo shenjuar vargjet. Çfarë gjeni që ju ndihmon të “mos … shqetëso[heni]” rreth ditëve të fundit?

Doktrina e Besëlidhje 45:31–32, 56–57

“Qëndro[ni] në vende të shenjta” dhe mos lëvizni.

Një arsye që Shpëtimtari dhe profetët e Tij na mësojnë rreth shenjave të Ardhjes së Dytë është që të na ndihmojnë të përgatitemi. Çfarë mësoni te Doktrina e Besëlidhje 45:31–32, 56–57 rreth përgatitjes për Ardhjen e Dytë të Zotit? Mund të jetë e dobishme të rishikoni shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, që gjendet te Mateu 25:1–13. Shpëtimtari e krahasoi vajin në këtë shëmbëlltyrë me të vërtetën dhe Shpirtin e Shenjtë (shih Doktrina e Besëlidhje 45:57). Çfarë idesh merrni kur e lexoni shëmbëlltyrën në këtë mënyrë?

Pamja
dhjetë virgjëreshat

Shëmbëlltyra e Dhjetë Virgjëreshave, nga Dan Burr

Doktrina e Besëlidhje 45:11–15, 66–71

Sioni është një vend i sigurt për shenjtorët e Perëndisë.

Shenjtorët në kohën e Jozef Smithit ishin të zellshëm për ta ndërtuar Sionin, Jerusalemin e Ri, siç përshkruhet në Librin e Mormonit (shih Ethëri 13:2–9) dhe në rishikimin e frymëzuar të Biblës prej Jozef Smithit (shih Moisiu 7:62–64). Çfarë mësoni rreth Sionit – si për qytetin e lashtë në kohën e Enokut dhe qytetin e ditëve të mëvonshme – nga Doktrina e Besëlidhje 45:11–15, 66–71?

Sot urdhërimi për ta ngritur Sionin i referohet ngritjes së mbretërisë së Perëndisë kudo ku jetojmë – kudo që bijtë e Perëndisë mblidhen në sigurinë e “besëlidhje[s së Tij] të përjetshme” (vargu 9). Çfarë mund të bëni për të ndihmuar në ngritjen e Sionit atje ku jeni?

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 45:3–5.Çfarë bën një avokat për ne? Bisedoni rreth arsyes përse Shpëtimtari quhet Avokati ynë.

Doktrina e Besëlidhje 45:9–10.Nëse familja juaj do të kishte një “flamur” ose banderolë, për të përfaqësuar zotimin tuaj ndaj ungjillit, si do të dukej ai? Mund të jetë argëtuese të bëni një flamur familjar së bashku dhe të diskutoni se si mund t’i ndihmoni të tjerët të ndjekin standardet e ungjillit.

Doktrina e Besëlidhje 45:32.Cilat janë “vende[t tona] të shenjta”? Çfarë do të thotë të “[mos] lëviz[im]”? Si mund ta bëjmë shtëpinë tonë një vend të shenjtë?

Doktrina e Besëlidhje 45:39–44.Si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes të kuptojnë se çfarë do të thotë të vigjilojnë për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit? Ndoshta ju mund të mendoni për një ngjarje që mezi po e prisni dhe të tregoni mënyrat se si po “vigjëlon[i]” për atë ngjarje. Ose mund të piqni diçka së bashku dhe të vigjiloni për shenjat që tregojnë se është gati për t’u ngrënë. Çfarë po bëjmë për të vigjiluar për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Doktrina e Besëlidhje 45:55.Leximi te 1 Nefi 22:26 dhe Zbulesa 20:1–3 mund ta ndihmojë familjen tuaj të kuptojë se si “do të lidhet” Satani gjatë Mijëvjeçarit. Si mund ta lidhim Satanin në jetën tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46; shih edhe “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përdorni ndihma për studimin. Përdorni poshtëshënimet dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta që të fitoni një pikëpamje tjetër për shkrimet e shenjta.

Pamja
Krishti duke zbritur

Ardhja e Krishtit, nga Jubal Aviles Saenz