Doktrina e Besëlidhje 2021
5–11 Prill Doktrina e Besëlidhje 30–36: “Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim”


“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36: ‘Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
misionarë të hershëm të Kishës

5–11 Prill

Doktrina e Besëlidhje 30–36

“Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim”

Teksa studioni plot lutje te Doktrina e Besëlidhje 30–36 duke pasur në mendje fëmijët në klasën tuaj, Shpirti mund t’ju japë ide mbi mënyrën se si t’u jepni mësim atyre. Kërkoni ide shtesë në këtë përvijim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Mbani lart një figurë misionarësh dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë për punën misionare.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 33:2–3, 6–10

Unë mund ta shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit.

Edhe fëmijët e vegjël mund ta japin dëshminë e tyre për ungjillin e Jezu Krishtit. Si mund t’i përdorni këto vargje që t’i ndihmoni ata të frymëzohen për ta bërë këtë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të përpiqen të thonë me gojën të mbyllur fraza të tilla si: “Perëndia të do”. Vini në dukje se ne nuk mund t’u japim mësim njerëzve për ungjillin nëse nuk e hapim gojën. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 33:8–10 dhe ftojini fëmijët ta hapin gojën çdo herë që dëgjojnë frazën “hapini gojët tuaja”. Përse Ati Qiellor dëshiron që ne ta hapim gojën dhe ta shpërndajmë ungjillin tek të tjerët?

  • Pëshpërituni fëmijëve diçka me zë shumë të ulët, të tillë si: “Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë” dhe kërkojuni ta përsëritin atë që thatë. Pastaj thuajeni të njëjtën frazë me zë më të lartë. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 33:2. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se “të ngr[emë] zërat t[anë]” do të thotë që të mos kemi frikë t’u tregojmë të tjerëve për Jezu Krishtin, Librin e Mormonit dhe të vërteta të tjera të ungjillit.

  • Vendosni kukulla prej letre ose figura njerëzish përreth dhomës. Ftojini fëmijët t’i gjejnë figurat dhe t’i mbledhin në pjesën e përparme të dhomës. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 33:6 dhe shpjegoni se çfarë do të thotë që Zoti do t’i “mbledh[ë] të zgjedhurit e [Tij]”. Dëshmoni se ne mund të ndihmojmë që t’i mbledhim njerëzit te Zoti teksa e shpërndajmë ungjillin.

  • Këndoni së bashku një këngë për shpërndarjen e ungjillit, të tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si mund t’i ndihmojnë njerëzit e tjerë të mendojnë për Jezu Krishtin.

Doktrina e Besëlidhje 33:12–17

Unë mund ta ndërtoj jetën time mbi ungjillin e Jezu Krishtit.

Këshilla që Zoti u dha Ezra Thajrit dhe Northrop Suitit, mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta ndërtojnë jetën mbi ungjillin e Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një figurë të themelit të një ndërtese dhe kërkojuni atyre ta përshkruajnë atë. Përse ndërtesës i nevojitet një themel i fortë, i palëkundshëm? Lexoni bashkë me fëmijët te Doktrina e Besëlidhje 33:12–13 dhe shpjegoni se Zoti dëshiron që ne ta ndërtojmë jetën tonë mbi ungjillin e Tij. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për disa mënyra se si ata mund ta ndërtojnë jetën mbi ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Jepuni fëmijëve disa sende që ata mund t’i përdorin për të ndërtuar një kullë, të tilla si blloqe ose gota plastike. Vërini si etiketë secilit send një figurë që përfaqëson gjërat që Zoti tha te Doktrina e Besëlidhje 33:14–17. Ftojini fëmijët të ndërtojnë një kullë teksa bisedoni me ta mbi mënyrën se si këto gjëra na ndihmojnë ta ndërtojmë jetën tonë mbi ungjillin e Jezu Krishtit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 30:1–2

Unë duhet të përqendrohem më shumë te gjërat e Perëndisë sesa te gjërat e tokës.

Këshilla e Zotit për Dejvid Uitmerin te seksioni 30 mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të qëndrojnë besnikë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 30:1 dhe kërkojuni fëmijëve ta përmbledhin me fjalët e tyre këshillën që Zoti i dha Dejvid Uitmerit. Në çfarë mënyrash ne nganjëherë mund të kemi “frikë nga njeriu” ose të shqetësohemi se çfarë mund të mendojnë të tjerët, në vend që të bëjmë atë që e dimë se duhet ta bëjmë?

  • Kërkojuni fëmijëve të përpiqen të bëjnë dy detyra njëherësh, të tilla si të thonë përmendsh një nen të besimit ndërkohë që shkruajnë emrat e të gjithë fëmijëve në klasë. Pyetini ata se përse ishte e vështirë të përqendroheshin te detyra e parë. Cilat janë disa nga “gjërat e tokës” (Doktrina e Besëlidhje 30:2) që mund të na shpërqendrojnë që të mos ta mbajmë mend Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij? Si mund ta mbajmë përqendrimin tonë tek Ai në vend që ta mbajmë tek gjëra më pak të rëndësishme?

Doktrina e Besëlidhje 30–34

Unë mund ta shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit.

Shumë fëmijë në Kishë presin me dëshirë që të shërbejnë një mision kohëplotë ose shërbimi. Përvojat e misionarëve të trajtuara te seksionet 30–34 mund t’i ndihmojnë ata që të përgatiten.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një anëtar të lagjes që të mësojë për një nga misionarët e thirrur te Doktrina e Besëlidhje 30–34 dhe t’u tregojë fëmijëve atë që mësoi (shih “Zëra të Rivendosjes: Dëshmitë e të Kthyerve të Hershëm në Besim” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose “The Faith and Fall of Thomas Marsh” [“Besimi dhe Rënia e Tomas Marshit]”, “Ezra Thayer: From Skeptic to Believer” [“Ezra Thajëri: Nga Skeptik në Besimtar”], “Orson Pratt’s Call to Serve” [“Thirrja e Orson Pratit për të Shërbyer”], Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 54–69).

  • Vizatoni në tabelë një gojë të madhe dhe ndihmojini fëmijët të gjejnë te Doktrina e Besëlidhje 33:8–10 premtimet e Zotit për ne kur e hapim gojën që ta shpërndajmë ungjillin. Lërini fëmijët t’i shkruajnë këto premtime në tabelë dhe ndihmojini ta kuptojnë se çfarë duan të thonë këto premtime. Kërkojini secilit fëmijë të shkruajë brenda gojës një të vërtetë të ungjillit për të cilën mund t’u flasë të tjerëve.

  • Shfaqni figurën e një borie dhe bisedoni se çfarë do të thotë ta predikoni ungjillin “si me tingullin e një borie”. Si e “ngr[emë] zërin”? (Doktrina e Besëlidhje 33:2; 34:6.)

  • Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si po përgatiten për të shërbyer në misione një ditë. Nëse ata njohin dikë (ndoshta një pjesëtar të familjes) që po shërben, ftojini të tregojnë për përvojën e tij apo të saj. Ose ftoni misionarë, një misionar të kthyer ose dikë që po përgatitet për një mision, që ta tregojë entuziazmin e tij apo të saj për punën misionare. Tregoni disa nga përvojat tuaja duke e shpërndarë ungjillin, përfshirë përvoja nga jeta juaj e përditshme.

    Pamja
    djem duke luajtur

    Unë mund ta shpërndaj ungjillin te miqtë e mi.

Doktrina e Besëlidhje 33:12–17

Unë mund ta ndërtoj jetën time mbi ungjillin e Jezu Krishtit.

Nëse fëmijët mund të mësojnë në një moshë të njomë se si ta ndërtojnë jetën e tyre mbi ungjillin e Jezu Krishtit, ka më shumë gjasë që t’i qëndrojnë besnikë Atij. Këshilla e dhënë në këto vargje mund t’i ndihmojë ata.

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni në klasë artikuj me fortësi të ndryshme, të tillë si një kafshë prej pelushi, një sfungjer, argjilë dhe një gur. Lërini fëmijët ta prekin secilin. Vërini fëmijët të kërkojnë te Doktrina e Besëlidhje 33:12–13 që të zbulojnë se si e përshkruan Zoti ungjillin e Tij. Përse fjala “shkëmb” është një fjalë e mirë për ta përshkruar ungjillin? Si mundemi ta ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmbin e ungjillit?

  • Ndihmojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 33:12–17 dhe të gjejnë gjëra që mund t’i bëjmë për ta ndërtuar jetën tonë mbi ungjillin e Jezu Krishtit. Ftojini fëmijët të vizatojnë figurën e diçkaje që gjejnë, dhe lërini ta gjejnë se çfarë portretizojnë figurat e njëri‑tjetrit.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të jenë si misionarë duke u treguar familjeve të tyre diçka që mësuan në Fillore sot.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëshmoni për bekimet e premtuara. Kur i ftoni fëmijët ta jetojnë një parim të ungjillit, tregoni premtimet që Perëndia u ka bërë atyre që e jetojnë atë parim. Për shembull, ju mund të jepni dëshmi për bekimet që Zoti u jep atyre që e hapin gojën dhe e shpërndajnë ungjillin.