Dhiata e Vjetër 2022
21–27 Nëntor. Jona; Mikea: “I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm”


“21–27 Nëntor. Jona; Mikea: ‘I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“21–27 Nëntor. Jona; Mikea”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
burrë duke u zvarritur në bregdet me balenën në oqean pas tij

Jona në Bregdet në Ninive, nga Daniel A. Lewis

21–27 Nëntor

Jona; Mikea

“I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm”

Teksa i shënoni mbresat tuaja, mendoni rreth asaj se si parimet te librat Jona dhe Mikea lidhen me atë që keni mësuar në shkrimet e shenjta.

Shënojini Mbresat Tuaja

Jona ishte në një anije që shkonte për në Tarshish. Nuk kishte asgjë të gabuar në lundrimin për në Tarshish, përveç faktit se ishte larg Ninivesë, ku Jona supozohej të shkonte për të dhënë mesazhin e Perëndisë. Kështu që kur anija u ndesh me një stuhi të madhe, Jona e dinte se ishte për shkak të mosbindjes së tij. Nga këmbëngulja e Jonas, pjesëtarët e tij të ekuipazhit e hodhën atë në thellësitë e detit që të fashitej stuhia. Dukej se ishte fundi i Jonas dhe shërbesës së tij. Por Zoti nuk kishte hequr dorë nga Jona – ashtu siç nuk kishte hequr dorë nga populli i Ninivesë dhe ashtu siç nuk heq dorë nga asnjëri prej nesh. Siç dha mësim Mikea, Zoti nuk kënaqet duke na dënuar, por Atij “i pëlqen të jetë i mëshirshëm”. Kur kthehemi tek Ai, “atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, do [t’i] hedhë në fund të detit tërë mëkatet tona” (Mikea 7:18–19).

Për një vështrim të përgjithshëm të librave Jona dhe Mikea, shih “Jona” dhe “Mikea” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Jona 1–4; Mikea 7:18–19

Zoti është i mëshirshëm ndaj të gjithë atyre që kthehen tek Ai.

Libri i Jonas tregon, midis gjërave të tjera, se sa i mëshirshëm është Zoti kur ne pendohemi. Ndërsa e lexoni librin e Jonas, kërkoni shembuj të mëshirës së Tij. Përsiatni se si e keni përjetuar atë mëshirë në jetën tuaj. Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë të bëheni më të mëshirshëm ndaj të tjerëve?

Dëshmimi i mëshirës së Zotit shpesh frymëzon ndjenja dashurie dhe mirënjohjeje. Megjithatë, Jonas “nuk i pëlqeu” dhe ai “u zemërua” (Jona 4:1) kur Zoti tregoi mëshirë ndaj popullit të Ninivesë, të cilët ishin armiq të Izraelit. Përse Jona mund të jetë ndier në këtë mënyrë? A keni pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme? Si mendoni, çfarë po përpiqej Zoti ta ndihmonte Jonan që të kuptonte te kapitulli 4?

Përsiatini mësimet te Mikea 7:18–19. Si mund ta kenë ndihmuar këto të vërteta Jonan që të ndryshonte qëndrimin e tij rreth Zotit dhe popullit të Ninivesë?

Shihni edhe Lluka 15:11–32; Jeffrey R. Holland, “The Justice and Mercy of God”, Ensign, shtator 2013, f. 16–21.

Pamja
dy njerëz duke folur pranë lumit

Ne mund ta përhapim ungjillin te fëmijët e Perëndisë.

Jona 1; 3–4

Të gjithë fëmijët e Perëndisë kanë nevojë ta dëgjojnë ungjillin.

Ninivea ishte pjesë e perandorisë asiriane, armike e Izraelit e njohur për dhunën dhe mizorinë e saj. Jonas ndoshta i dukej joreale që populli i Ninivesë të ishte gati për ta pranuar fjalën e Perëndisë dhe për t’u penduar. E megjithatë, siç dha mësim Presidenti Dallin H. Ouks: “Ne kurrë nuk duhet ta vëmë veten si gjykatës të atij që është dhe atij që nuk është gati. Zoti i njeh zemrat e të gjithë fëmijëve të Tij dhe, nëse lutemi për frymëzim, Ai do të na ndihmojë të gjejmë persona që Ai i di ‘se [janë] të përgatitur të dëgjo[jnë] fjalën’ (Alma 32:6)” (“Shpërndarja e Ungjillit të Rivendosur”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 59). Çfarë mësoni nga kapitulli te Jona 3 që ju frymëzon ta përhapni ungjillin madje edhe me ata që mund të mos duken gati për të ndryshuar?

Mund të jetë e dobishme të krahasoni qëndrimin e Jonas (shih Jona 1; 3–4) me ndjenjat e Almës dhe të bijve të Mosias (shih Mosia 28:1–5; Alma 17:23–25).

Shih edhe 3 Nefi 18:32.

Mikea 4:11–13; 5:8–15; 7:5–7

Jezu Krishti citoi shkrimet e Mikeas.

Dihet mirë se Shpëtimtari citoi librat Isaia dhe Psalmeve. A e dinit që Ai gjithashtu e citoi librin e Mikeas disa herë? Merrni parasysh shembujt në vijim dhe përsiatni përse këto fragmente mund të kenë qenë të rëndësishme për Shpëtimtarin. Përse janë të rëndësishme për ju?

Mikea 4:11–13 (shih 3 Nefi 20:18–20). Zoti e krahasoi mbledhjen në ditët e mëvonshme me një korrje të grurit (shih edhe Alma 26:5–7; Doktrina e Besëlidhje 11:3–4). Çfarë ju sugjeron ky krahasim rreth mbledhjes së Izraelit?

Mikea 5:8–15 (shih 3 Nefi 21:12–21). Çfarë ju sugjerojnë këto vargje rreth popullit të Perëndisë (“[mbetjes së] Jakobit”) në ditët e fundit?

Mikea 7:5–7 (shih Mateu 10:35–36). Sipas këtyre vargjeve, përse është e rëndësishme që fillimisht të “shikoj[më] te Zoti”? Përse është e rëndësishme kjo këshillë sot?

Mikea 6:1–8

“Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti?”

Mikea na fton të përfytyrojmë se si mund të jetë të “vij[më] përpara Zotit dhe … të përkulem[i] përpara Perëndisë së lartë” (Mikea 6:6). Çfarë ju sugjerojnë vargjet 6–8 rreth asaj se çfarë është e rëndësishme për Zotin ndërsa Ai vlerëson jetën tuaj?

Shihni edhe Mateu 7:21–23; 25:31–40; Dejll G. Renland, “Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 109–112.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Jona 1–4.Fëmijët tuaj mund të kënaqen duke bërë veprime që tregojnë historinë e Jonas, si për shembull të bëjnë sikur vrapojnë, të bëjnë tinguj si një det i stuhishëm ose të bëjnë sikur gëlltiten nga një peshk i madh (shih “Jona, Profeti” te Tregime nga Dhiata e Vjetër). Pyetini pjesëtarët e familjes se çfarë mësojnë nga përvoja e Jonas. Për një shembull të një mësimi nga Jona, shihni strofën 7 të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59).

Jona 3.Çfarë mësoi Jona rreth përhapjes së ungjillit? Kë njohim ne që e dimë se do të bekohet nga dëgjimi i mesazhit të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit?

Mikea 4:1–5.Sipas këtyre vargjeve, çfarë do t’i sjellë paqe dhe begati popullit të Zotit? Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë për ta përmbushur këtë profeci në shtëpinë tonë?

Mikea 5:2.Ju mund të paraqitni një figurë të Jezusit kur ishte fëmijë me nënën e Tij (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 33) në njërën anë të dhomës dhe një figurë të Dijetarëve në anën tjetër. Lexoni së bashku vargjet te Mikea 5:2 dhe Mateu 2:1–6. Si i ndihmoi profecia e Mikeas Dijetarët që ta gjenin Jezusin? Pjesëtarët e familjes mund ta çojnë figurën e Dijetarëve pranë figurës së Jezusit. Familja juaj mund të kënaqet gjithashtu duke parë materialin filmik “The Christ Child: A Nativity Story” [“Krishti Fëmijë: Një Histori Krishtlindjeje”] (ChurchofJesusChrist.org).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjejeni dashurinë e Perëndisë. Teksa i lexoni shkrimet e shenjta, merrni parasysh të shënoni provat e dashurisë së Perëndisë që ju bëjnë më shumë përshtypje. Për shembull, kërkoni se si Perëndia e tregoi dashurinë e Tij për fëmijët e Tij në historinë e Jonas.

Pamja
njeri që e hedhin nga barka në oqean

Ilustrimi nga Kevin Carden