Dhiata e Vjetër 2022
31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6: “Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”


“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6: ‘Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Danieli duke interpretuar ëndrrën e mbretit

Danieli Interpreton Ëndrrën e Nebukadnetsarit, nga Grant Romney Clawson

31 Tetor – 6 Nëntor

Daniel 1–6

“Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”

Plaku Riçard G. Skot shpjegoi se shënimi i frymëzimit “i tregon Perëndisë se komunikimet e Tij janë të shenjta për ne. Shënimi do ta rrisë gjithashtu aftësinë tonë për ta rikujtuar zbulesën” (“Si të Merrni Zbulesë dhe Frymëzim për Jetën Tuaj Personale”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 46).

Shënojini Mbresat Tuaja

Ka shumë të ngjarë që askush nuk do t’ju kërcënojë ndonjëherë për t’ju hedhur në një furrë me zjarr ose në gropën e luanëve për shkak të besimit tuaj te Jezu Krishti. Por asnjëri prej nesh nuk do ta kalojë këtë jetë pa një sprovë besimi. Ne të gjithë mund të përfitojmë nga shembulli i njerëzve si Danieli, Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja, të cilët kur ishin të rinj u morën robër nga perandoria e fuqishme babilonase (shih 2 Mbretërve 24:10–16). Këta të rinj ishin të rrethuar nga një kulturë e panjohur me vlera të ndryshme dhe ata u përballën me tundime të mëdha për t’i braktisur bindjet e tyre dhe traditat e tyre të drejta. Megjithatë ata qëndruan të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre. Ashtu si Jozefi në Egjipt dhe Esteri në Persi, Danieli dhe miqtë e tij në Babiloni e ruajtën besimin e tyre në Perëndi dhe Perëndia bëri mrekulli që deri më sot ende i frymëzojnë besimtarët.

Si e gjetën ata forcën për të qëndruar besnikë? Ata bënë ato gjëra të vogla dhe të thjeshta që Perëndia na ka kërkuar të gjithëve ne që t’i bëjmë – lutjen, agjërimin, zgjedhjen e miqve të mirë, mirëbesimin te Perëndia dhe të qenit një dritë për të tjerët. Ndërsa forcohemi duke bërë po këto gjëra të vogla dhe të thjeshta, ne mund të përballemi me besim ndaj luanëve dhe furrave me zjarr në vetë jetën tonë.

Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Danielit, shih “Daniel” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Daniel 1; 3; 6

Unë mund të mirëbesoj te Zoti kur besimi im vihet në provë.

Në njëfarë mënyre, ne të gjithë jetojmë në Babiloni. Bota përreth nesh është e mbushur me shumë tundime për të bërë kompromis me standardet tona dhe për ta vënë në dyshim besimin tonë te Jezu Krishti. Ndërsa lexoni te Daniel 1, 3 dhe 6, vini re mënyrat sipas të cilave Danielit, Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos iu bë presion për të bërë gjëra që ata e dinin se ishin të gabuara. A keni ndier ndonjëherë presion për të bërë kompromis me bindjet tuaja? Çfarë mësoni nga këta djem që mund t’ju ndihmojnë të mirëbesoni te Zoti kur përballeni me kundërshtimin?

Libri i Danielit dhe shumë shkrime të tjera të shenjta shënojnë përvoja ku besimi i madh çoi në mrekulli të mëdha. Por, po sikur besimi ynë të mos na çonte te mrekullitë që kërkojmë? (Shih, për shembull, Alma 14:8–13.) Bazuar tek ajo që lexuat te Daniel 3:13–18, si mendoni se do t’i ishin përgjigjur kësaj pyetjeje Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja? Si mund të ndikojë shembulli i tyre në mënyrën se si ju iu qaseni sprovave tuaja të besimit? Për më shumë rreth këtyre vargjeve, shihni mesazhin e Plakut Denis E. Simson “But If Not…” (Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 73–75).

Libri i Danielit gjithashtu tregon se si zgjedhjet e drejta të një individi mund t’i çojnë të tjerët drejt besimit më të madh te Zoti. Çfarë shembuj të kësaj gjeni te kapitujt 1, 3 dhe 6? Përsiatni për pasojat që mund të kenë zgjedhjet tuaja tek të tjerët (shih Mateu 5:16).

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Mos Ki Frikë, Vetëm Ki Besim”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 76–79; David R. Stone, “Zion in the Midst of Babylon”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 90–93.

Pamja
katër djem në një tryezë duke refuzuar mishin e ofruar nga burri

Ilustrimi i Danielit dhe shokëve të tij duke refuzuar ushqimin e mbretit, nga Brian Call

Daniel 2

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.

Nëpërmjet zbulesës, Danieli pa se ëndrra e Nebukadnetsarit parashikoi mbretëritë e ardhshme të botës, si dhe mbretërinë e ardhshme të Perëndisë, e cila “nuk do të shkatërrohet kurrë” (Daniel 2:44). “Kisha është ajo mbretëri e profetizuar e ditëve të mëvonshme”, dha mësim Plaku D. Tod Kristoferson, “jo e krijuar nga njeriu, por e ngritur nga Perëndia i qiellit dhe që rrokulliset si guri që ‘shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut’ për të mbushur tokën” (“Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 111). Mendoni për mbretërinë e Perëndisë të ditëve të mëvonshme ndërsa lexoni përshkrimet për gurin te Daniel 2:34–35, 44–45. Çfarë ngjashmërish shihni midis gurit dhe mbretërisë? Si e shihni mbretërinë e Perëndisë të mbushë tokën sot?

Shih edhe Gordon B. Hinkli, “Guri që Shkëputet nga Mali”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 83–86; L. Uitni Klejton, “Koha Do Të Vijë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 11–13.

Daniel 3:19–28

Shpëtimtari do të më përkrahë në sprovat e mia.

Çfarë idesh ju vijnë në mendje ndërsa lexoni për figurën e katërt që u shfaq me Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon në furrën me zjarr? Si mund t’ju ndihmojë ky tregim në sprovat me të cilat përballeni? Mund të gjeni ide shtesë te librat Mosia 3:5–7; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 61:36–37; 121:5–8.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Daniel 1–2.Ndërsa lexoni së bashku te Daniel 1 dhe 2, mund të kërkoni bekimet që Danieli dhe shokët e tij morën duke hequr dorë nga ngrënia e mishit dhe verës së mbretit. (Shih materialin filmik “God Gave Them Knowledge” [“Perëndia u Dha Atyre Njohuri”], ChurchofJesusChrist.org.) Ju mund t’i krahasoni ato bekime me premtimet e Zotit për ne kur i zbatojmë urdhërimet e Tij, të tilla si Fjala e Urtësisë (shih Doktrina e Besëlidhje 89:18–21). Si na ka bekuar Zoti ne ngaqë e jetojmë Fjalën e Urtësisë?

Daniel 3.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj që të mësojë rreth historisë te Daniel 3? “Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja” te Tregime nga Dhiata e Vjetër mund t’ju ndihmojë. Çfarë na bën përshtypje rreth Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos? Me çfarë situatash përballemi që e sfidojnë besimin tonë dhe kërkojnë prej nesh që të tregojmë se i mirëbesojmë Perëndisë?

Daniel 6:1–23.Familjes suaj mund t’i pëlqejë të interpretojë me gjeste pjesë të historisë te Daniel 6:1–23 (për shembull, vargjet 10–12 ose 16–23). Çfarë mësojmë nga shembulli i Danielit? Çfarë mund të bëjmë ne për të qenë më shumë si ai?

Daniel 6:25–27.Sipas këtyre vargjeve, çfarë ndikimi pati te mbreti Dar fakti që Zoti e çliroi Danielin nga luanët? Ju gjithashtu mund të lexoni te Daniel 2:47; 3:28–29 rreth mënyrës se si mbreti Nebukadnetsar pati një ndikim të ngjashëm. Çfarë mundësish kemi për të ndikuar te të tjerët? Diskutoni për shembujt që keni parë mbi mënyrën se si besimi i njerëzve të tjerë, përfshirë pjesëtarëve të familjes, ka ndikuar për mirë tek të tjerët.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Dua t’Jetoj Ungjillin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 72.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësim doktrinën. Ungjilli i Zotit është i bukur në thjeshtësinë e tij (shih Doktrina e Besëlidhje 133:57). Veprimtaritë dhe diskutimet e thjeshta, të përqendruara te doktrina, mund ta ftojnë Frymën e Shenjtë që ta përçojë mesazhin e ungjillit te zemrat e familjes suaj.

Pamja
Danieli në gropën e luanëve

Danieli në Gropën e Luanëve, 1872. Rivière, Briton (1840–1920). Pronësia: Galeria e Arteve Uollker, Muzetë Kombëtarë të Liverpulit/Bridgeman Images