2000–2009
Por Edhe Sikur të Mos e Bënte …
Prill 2004


Por Edhe Sikur të Mos e Bënte …

Njerëzit kryejnë gjëra të mrekullueshme duke mirëbesuar te Zoti dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij – duke ushtruar besim edhe kur nuk e dinë se si Zoti po u jep trajtë atyre.

Kur isha djalosh, u ktheva në shtëpi i dëshpëruar, i zhgënjyer dhe i pështjelluar pas një turneu basketbolli në klasën e tetë. I bërtita nënës sime: “Nuk e di pse humbëm. Kisha besim se do të fitonim!”

Tani e kuptoj që në atë kohë nuk e dija se çfarë është besimi.

Besimi nuk është trimëri e rreme, nuk është thjesht një dëshirë, nuk është thjesht një shpresë. Besimi i vërtetë është besimi te Zoti Jezu Krisht – vetëbesim dhe mirëbesim te Jezu Krishti, që e shtyn një njeri ta ndjekë Atë1.

Shekuj më parë, Danieli dhe shokët e tij të rinj në moshë papritmas u morën nga siguria e shtëpive të tyre dhe u hodhën në botë – në një botë të panjohur dhe frikësuese. Kur Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja nuk pranuan të përkuleshin dhe të adhuronin një shëmbëlltyrë prej ari, të ngritur nga mbreti, Nebukadnetsari i egërsuar u tha që, në qoftë se nuk do të adhuronin siç urdhëroheshin, ata do të hidheshin menjëherë në mes të një furre të ndezur. “Dhe cila është ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?”2

Tre të rinjtë u përgjigjën me të shpejtë dhe vetëbesim: “Ja, [nëse na hedh në furrë,] Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote”. Duket si lloji i besimit tim në klasën e tetë. Por më pas ata treguan që e kuptonin plotësisht se çfarë është besimi. Ata vazhduan: “Por edhe sikur të mos e bënte, … ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur”3. Kjo është një shpallje e besimit të vërtetë.

Ata e dinin se mund të mirëbesonin te Perëndia – edhe nëse gjërat nuk do të shkonin sipas mënyrës që ata shpresonin4. Ata e dinin se besimi është më shumë se miratim mendor, më shumë se një pranim që Perëndia jeton. Besimi është mirëbesim i plotë tek Ai.

Besimi është të besojmë që, ndonëse ne nuk i kuptojmë të gjitha gjërat, Ai i kupton. Besimi është të dimë që ndonëse fuqia jonë është e kufizuar, fuqia e Tij nuk është. Besimi te Jezu Krishti përbëhet nga mbështetja e plotë tek Ai.

Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja e dinin se ata mund të mbështeteshin gjithmonë tek Ai, ngaqë e dinin planin e Tij dhe e dinin se Ai nuk ndryshon5. Ata e dinin, sikurse e dimë ne, se vdekshmëria nuk është një aksident i natyrës. Ajo është një segment i shkurtër i planit të madhërishëm6 të Atit tonë të dashur në Qiell për ta bërë të mundur për ne, bijtë dhe bijat e Tij, që të arrijmë të njëjtat bekime që Ai gëzon, nëse jemi të gatshëm.

Ata e dinin, siç e dimë ne, se në jetën para lindjes, ne u udhëzuam nga Ai lidhur me qëllimin e vdekshmërisë: “Ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta të mund të banojnë; dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”7.

Pra, ja ku thuhet – është një vënie në provë. Bota është një vend vënieje në provë për burrat dhe gratë e vdekshme. Kur e kuptojmë se është e gjitha një vënie në provë, e administruar nga Ati ynë Qiellor, i cili dëshiron që ne të mirëbesojmë tek Ai dhe ta lejojmë Atë të na ndihmojë, atëherë ne mund ta shohim gjithçka me më shumë qartësi.

Vepra e Tij dhe lavdia e Tij, na tha Ai, është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”8. Ai e ka arritur tashmë të qenit perëndi. Tani synimi i Tij i vetëm është të na ndihmojë ne – të na mundësojë të kthehemi tek Ai, të jemi si Ai dhe të jetojmë përjetësisht llojin e Tij të jetës.

Duke e ditur të gjithë këtë, nuk ishte e vështirë për ata tre hebrenj të rinj që ta merrnin vendimin e tyre. Ata do të ndiqnin Perëndinë; ata do të ushtronin besim tek Ai. Ai do t’i çlironte, por edhe sikur të mos e bënte – dhe ne e dimë pjesën tjetër të historisë.

Zoti na ka dhënë lirinë e zgjedhjes, të drejtën dhe përgjegjësinë për të marrë vendim9. Ai na vë në provë duke na lejuar që të sfidohemi. Ai na siguron se Ai nuk do të lejojë që ne të tundohemi përtej aftësisë tonë për t’i bërë ballë tundimit.10 Por ne duhet të kuptojmë se sfida të mëdha krijojnë njerëz të mëdhenj. Ne nuk e kërkojmë mundimin, por nëse përgjigjemi me besim, Zoti na forcon. Situatat por edhe sikur të mos e bënte mund të bëhen bekime mbresëlënëse.

Apostulli Pal e mësoi këtë mësim domethënës dhe, pas dekadave të punës së përkushtuar misionare, shpalli: “Mburremi … në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron.”11

Ai mori siguri nga Shpëtimtari: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”12.

Pali u përgjigj: “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. … Unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.”13 Kur Pali u përball me sfidat e tij sipas mënyrës së Zotit, besimi i tij u rrit.

Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun.”14 Abrahamit, për shkak të besimit të tij të madh, iu premtuan pasardhës më të shumtë në numër se yjet në qiej dhe që ata pasardhës do të vinin nëpërmjet Isakut. Por Abrahami veproi menjëherë në pajtim me urdhrin e Zotit. Perëndia do ta mbante premtimin e Tij, por edhe sikur të mos e bënte sipas mënyrës që e priste Abrahami, ai prapëseprapë do të mirëbesonte plotësisht tek Ai.

Njerëzit kryejnë gjëra të mrekullueshme duke mirëbesuar te Zoti dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij – duke ushtruar besim edhe kur nuk e dinë se si Zoti po u jep trajtë atyre.

Me anë të besimit Moisiu …nuk pranoi të [q]uhet i biri i së bijës së Faraonit,

duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,

duke e çmuar [qortimin nga] Krishti si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit. …

Me anë të besimit e la Egjiptin pa pasur frikë mërinë e mbretit. …

Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë. …

Me anë të besimit ranë muret e Jerikos.”15

Njerëz të tjerë “me anë të [besimit] nënshtruan mbretërira, … arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,

fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja”16.

Por në mes të gjithë atyre rezultateve të lavdishme për të cilat shpresohej dhe priteshin nga pjesëmarrësit, pati gjithmonë mendime por edhe sikur të mos e bënte:

“Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, … pranga dhe burgime.

U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, [u tunduan], u vranë nga shpata, u endën … nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar; … ”17

“Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për [ta nëpërmjet vuajtjeve të tyre], që ata të mos arrinin në përsosje.”18

Shkrimet tona të shenjta dhe historia jonë janë të mbushura me rrëfime për burra dhe gra të mrekullueshme të Perëndisë që besonin se Ai do t’i çlironte, por edhe sikur të mos e bënte, ata treguan se do të mirëbesonin dhe do të ishin të vërtetë.

Ai e ka fuqinë, por prova është e jona.

Çfarë pret Zoti nga ne për sa u përket sfidave tona? Ai pret që ne të bëjmë gjithçka mundemi. Ai bën pjesën tjetër. Nefi tha: “Pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”19.

Ne duhet të kemi të njëjtin besim si Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja.

Perëndia ynë do të na çlirojë nga përqeshja dhe përndjekja, por edhe sikur të mos e bënte …. Perëndia ynë do të na çlirojë nga sëmundja dhe lëngata, por edhe sikur të mos e bënte …. Ai do të na çlirojë nga vetmia, depresioni ose frika, por edhe sikur të mos e bënte …. Perëndia ynë do të na çlirojë nga kërcënimet, akuzat dhe pasiguria, por edhe sikur të mos e bënte …. Ai do të na çlirojë nga vdekja ose dëmtimi i njerëzve tanë të dashur, por edhe sikur të mos e bënte, … ne do të mirëbesojmë te Zoti.

Perëndia ynë do të kujdeset që ne të marrim drejtësi dhe paanësi, por edhe sikur të mos e bënte …. Ai do të sigurohet që ne të marrim dashuri dhe pranim, por edhe sikur të mos e bënte …. Do të na japë një bashkëshort/e të përsosur dhe fëmijë të drejtë e të bindur, por edhe sikur të mos e bënte, … ne do të kemi besim te Zoti Jezu Krisht, duke e ditur që, në qoftë se bëjmë gjithçka mundemi, ne, në kohën e Tij dhe në mënyrën e Tij, do të çlirohemi dhe do të marrim gjithçka që Ai ka20. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.