Dhiata e Vjetër 2022
15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86: “Unë do t’ju Tregoj atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”


“15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86: ‘Unë do t’ju Tregoj atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Jezusi duke mbajtur një fener

Duke Shpëtuar Atë që Kishte Humbur, nga Michael T. Malm

15–21 Gusht

Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86

“Unë do t’ju Tregoj atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”

Ky përvijim përcakton disa nga temat doktrinore të trajtuara në këto psalme. Ndërsa studioni, disa fjalë, figura ose ide mund t’ju bëjnë përshtypje. Çfarë mendoni se Zoti po përpiqet t’ju mësojë?

Shënojini Mbresat Tuaja

Shkrimtarët e Psalmeve treguan ndjenja thellësisht vetjake në poezinë e tyre. Ata shkruan për ndjenjën e të qenit të shkurajuar, të frikësuar e të penduar. Me raste, ata madje dukej sikur u ndien të braktisur nga Perëndia dhe disa psalme mbartin një ton zhgënjimi apo dëshpërimi. Nëse keni pasur ndonjëherë ndjenja si këto, leximi i Psalmeve mund t’ju ndihmojë të dini se nuk jeni të vetmit. Por gjithashtu do të gjeni psalme që mund t’ju inkurajojnë kur keni ndjenja të tilla, sepse psalmistët gjithashtu e lëvduan Zotin për mirësinë e Tij, u mrekulluan me fuqinë e Tij dhe u gëzuan me mëshirën e Tij. Ata e dinin se bota është e ngarkuar me ligësi e mëkat, por që Zoti është “i mirë dhe i gatshëm të falë” (Psalmeve 86:5). Ata e kuptuan se të keni besim te Zoti, nuk do të thotë që nuk do të ndesheni kurrë me ankthin, mëkatin apo frikën. Kjo do të thotë që ju e dini se Kujt t’i drejtoheni kur t’i përjetoni këto.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Psalmeve 49; 62:5–12

Shëlbimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.

Psalmi 49 ka një mesazh për “njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër” (vargu 2). Çfarë do të thoni se është ky mesazh? Çfarë mendoni se vargjet te Psalmeve 62:5–12 i shtojnë atij mesazhi?

Leximi i këtyre psalmeve mund t’ju nxitë të përsiatni për mënyrat se si disa njerëz e vënë besimin e tyre për shëlbim te diçka tjetër përveç Perëndisë (shih Psalmeve 49:6–7). Si ndikohet jeta juaj nga dëshmia juaj se “Perëndia … do ta shpengojë shpirtin t[uaj] nga pushteti i Sheolit”? (Vargu 15.)

Shih edhe Fjalët e Urta 28:6; Alma 34:8–17.

Psalmeve 51; 85–86

Për shkak të mëshirës së Shpëtimtarit, unë mund të marr falje për mëkatet e mia.

Përgjërimet për mëshirë te Psalmeve 51 i atribuohen mbretit David, i cili ishte fajtor për tradhti bashkëshortore dhe vrasje (shih 2 Samuelit 11). Edhe kur mëkatet tona janë më pak të rënda, ne mund ta gjejmë veten të lidhur me nevojën për mëshirën që shprehet në këtë psalm. Ne gjithashtu mund të mësojmë diçka rreth asaj se çfarë do të thotë të pendohesh. Për shembull, cilat fjalë ose fraza te Psalmeve 51 ju mësojnë për qëndrimin që na nevojitet për t’u penduar? Çfarë mësoni rreth efektit që Shlyerja e Shpëtimtarit mund të ketë në jetën tuaj?

Ju mund të bëni të njëjtat pyetje teksa lexoni te Psalmeve 85–86. Ju mund të kërkoni gjithashtu fraza që e përshkruajnë Zotin. Si e forcojnë këto fraza besimin tuaj se Ai do t’ju falë? (Shih, për shembull Psalmeve 86:5, 13, 15.)

Shih edhe Alma 36; Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67–69; Karol M. Stivens, “Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2016, f. 9–12.

Psalmeve 51:13–15; 66:16–17; 71:15–24

Dëshmia ime për Jezu Krishtin mund t’i ndihmojë të tjerët të vijnë tek Ai.

Përsiatni se si e fituat dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij shlyese. Më pas, teksa studioni te Psalmeve 51:13–15; 66:16–17; 71:15–24, mendoni për mënyrën se si mund t’i ftoni të tjerët të “[vijnë] dhe admiro[jnë] atë që Perëndia ka bërë” (Psalmeve 66:5). Çfarë do të thotë për ju të “fl[isni] tërë ditën për drejtësinë [e Tij]”? (Psalmeve 71:24.) Si do t’u tregoni të tjerëve “atë që ai bëri për shpirtin t[uaj]”? (Psalmeve 66:16.)

Shih edhe Mosia 28:1–4; Alma 26.

Pamja
dy të rinj duke folur me njëri-tjetrin

Ne mund t’u japim të tjerëve dëshmitë tona për atë që Zoti ka bërë për ne.

Psalmeve 63; 69; 77–78

Zoti do të më ndihmojë në kohën time të nevojës së ngutshme.

Disa psalme përshkruajnë, me gjuhë të gjallë, se si është të ndihesh i largët nga Perëndia dhe të kesh shumë nevojë për ndihmën e Tij. Ju mund të merrni parasysh të kërkoni përshkrime të tilla te Psalmeve 63:1, 8; 69:1–8, 18–21; 77:1–9. Çfarë gjeni te Psalmeve 63; 69; 77–78 që u dhanë këtyre psalmistëve siguri?

Kur jeni të dëshpëruar, si ju ndihmon kjo të “kujto[ni] veprat e Zotit” dhe “mrekullitë e [Tij] të kohëve të kaluara”? (Psalmeve 77:11.) Disa nga ato mrekulli janë përshkruar te Psalmeve 78. Ndërsa lexoni rreth tyre, përsiatni për atë që ju ndihmon të “vendos[ni] te Perëndia besimin … t[uaj]” (vargu 7). Cilat përvoja nga historia juaj familjare ju frymëzojnë?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Psalmeve 51:17.Merrni parasysh se si mund t’i mësoni familjes suaj se çfarë do të thotë të keni zemër të thyer. Për shembull, pjesëtarët e familjes mund të thyejnë me radhë diçka që ka një lëvozhgë të fortë, si për shembull një vezë ose arrë. Si janë zemrat tona ndonjëherë si ajo lëvozhgë? Si mund t’ia hapim zemrat tona Zotit? Leximi i kapitullit te Psalmeve 51 mund të japë disa ide.

Psalmeve 61:2–3.Pjesëtarët e familjes mund të kënaqen duke vizatuar figura të simboleve në këto vargje dhe duke diskutuar se si Jezu Krishti është si një “shkëmb” i lartë, “një strehë për [ne]” dhe “një kështjellë e fortifikuar”.

Psalmeve 71:17; 78:5–7.Çfarë dëshiron Zoti që ju t’ua “bë[ni] të njohura bijve t[uaj]”? (Psalmeve 78:5.) Ndoshta secili pjesëtar i familjes mund të tregojë një shembull të “mrekulli[ve]” të Zotit, të tilla si një histori nga shkrimet e shenjta, një përvojë apo dëshmi vetjake, që i ndihmon ata “të vendosin te Perëndia besimin e tyre” (Psalmeve 71:17; 78:7).

Psalmeve 72.Psalmeve 72 u shkrua nga Davidi për birin e tij, Salomonin, por shumë prej tij mund të gjejë zbatim edhe për Jezu Krishtin. Ndërsa familja juaj e lexon këtë psalm, ata mund të mbajnë lart një fotografi të Shpëtimtarit kur gjejnë vargje që u kujtojnë Jezu Krishtin. Si mund të ndihmojmë për të përmbushur dëshirën që “tërë toka [të jetë] e mbushur me lavdinë e tij”? (Psalmeve 72:19; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 65:2.)

Psalmeve 85:11.Ky varg mund të frymëzojë një diskutim rreth ngjarjeve të Rivendosjes së ungjillit – se si Libri i Mormonit është e vërteta që “[doli] nga toka” dhe se si lajmëtarë qiellorë u “dërg[uan] nga qiejt” (shih edhe Moisiu 7:62). Materiali filmik “Preparation of Joseph Smith: Tutored by Heaven” [“Përgatitja e Jozef Smithit: I Mësuar nga Qielli”] (ChurchofJesusChrist.org) përshkruan disa prej këtyre ngjarjeve.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Çdo Or’ më Duhesh Ti”, Himne, nr. 51.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni larmi mënyrash. “Kërkoni mënyra se si mund t’u shtoni larmi përpjekjeve tuaja për ta dhënë mësim ungjillin. Bërja e kësaj gjëje do t’i shtojë pasuri dhe bukuri përvojës. … Merrni parasysh se si përdorimi i muzikës, historive, figurave dhe formave të tjera të artit mund ta ftojë Shpirtin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).

Pamja
burrë duke u gjunjëzuar përpara Jezusit

Mos Dysho, Thoma, nga J. Kirk Richards