Dhiata e Re 2023
14–20 Gusht. Romakëve 7–16: “Munde të Keqen me të Mirën”


“14–20 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“14–20 Gusht. Romakëve 7–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
rrënoja të Romës së lashtë

14–20 Gusht

Romakëve 7–16

“Munde të Keqen me të Mirën”

Vetëm pak prej parimeve të ungjillit te Romakëve 7–16 mund të përfshihen në këtë përvijim të mësimit, kështu që mos e kufizoni veten [vetëm] me atë që është trajtuar këtu. Kushtojini vëmendje frymëzimit që merrni ndërsa studioni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në hyrjen e letrës së tij drejtuar romakëve, Pali i përshëndeti anëtarët e Kishës duke i quajtur “të dashur nga Perëndia”, të cilët ishin “thirrur shenjtorë”. Ai vuri në dukje që “për besimin [e tyre ishte] folur në gjithë botën” (Romakëve 1:7–8). Ndonëse Pali e përdori një pjesë të madhe të letrës së tij për të korrigjuar ide të rreme dhe sjellje të gabuara, duket që ai donte gjithashtu t’i siguronte këta të krishterë të rinj të kthyer në besim se ata me të vërtetë ishin shenjtorë, të cilët ishin të dashur për Perëndinë. Këshilla e tij e dhembshur na bekon të gjithëve ne që përpiqemi ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe që të bërit një shenjtor/e mund të duket e paarritshme. Me një ndjeshmëri të përulur, Pali pranoi që herë-herë ishte ndier si një “njeri i mjerë” (Romakëve 7:24), por ungjilli i Jezu Krishtit i kishte dhënë atij fuqi për ta mposhtur mëkatin (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Romakëve 7:22–27 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Me atë fuqi, fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit, ne mund ta “mundim të keqen” – të keqen në botë dhe të keqen brenda vetes – “me të mirë” (Romakëve 12:21).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Romakëve 7–8

Ata të cilët e ndjekin Shpirtin, mund të bëhen “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”.

Edhe pas hyrjes në “risinë e jetës” me anë të ordinancës së pagëzimit (Romakëve 6:4), ndoshta ju keni ndier një pjesë të konfliktit të brendshëm që Pali e përshkroi te Romakëve 7 – “luft[ën]” ndërmjet njeriut të natyrshëm dhe dëshirave tuaja të drejta (Romakëve 7:23). Por Pali foli edhe për shpresën te Romakëve 8:23–25. Çfarë arsyesh gjeni për këtë shpresë te kapitulli 8? Ju mund të kërkoni gjithashtu bekime që vijnë kur e keni “Frym[ën] e Perëndisë [që] banon në ju” (Romakëve 8:9). Si mund ta kërkoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë më plotësisht në jetën tuaj?

Romakëve 8:16–39

Dhurata e lavdisë së përjetshme i tejkalon së tepërmi sprovat e mia në tokë.

Vetëm pak vite pasi Pali e shkroi këtë letër, shenjtorët në Romë vuajtën përndjekje të llahtarshme. Çfarë zbuloni te Romakëve 8:16–39 që mund t’i ketë ndihmuar këta shenjtorë kur përjetuan përndjekje? Si mund të gjejnë zbatim këto fjalë për ju dhe për sprovat me të cilat përballeni aktualisht?

Kërkojini lidhjet ndërmjet këtyre vargjeve dhe kësaj këshille nga Motra Linda S. Rivs: “Unë nuk e di pse i kemi sprovat e shumta që kemi, por ndjesia ime vetjake është … që shpërblimi është kaq i madh, kaq i përhershëm dhe i përjetshëm, kaq i gëzueshëm dhe përtej kuptueshmërisë tonë saqë në ditën e shpërblimit, ne mund të ndiejmë t’i themi Atit tonë të dashur e të mëshirshëm: ‘A ishte kjo gjithçka që kërkohej?’ Unë besoj se, nëse do të mund ta kujtonim dhe dallonim çdo ditë thellësinë e dashurisë që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për ne, ne do të ishim të gatsh[ëm] të bënim gjithçka që Ata do të kërkonin që të ishim sërish në praninë e Tyre, të rrethuar përjetësisht nga dashuria e Tyre. Çfarë rëndësie do të kenë … ato që kemi vuajtur këtu, nëse, në fund, ato sprova janë pikërisht gjërat që na kualifikojnë për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë me Atin dhe Shpëtimtarin tonë?” (“Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara”, Liahona, nëntor 2015, f. 11.) Vendosni se çfarë do të bëni që ta “kujtoni dhe dalloni çdo ditë” dashurinë e Perëndisë për ju.

Romakëve 8:29–30; 9–11

Çfarë donte të thoshte Pali me “paracaktuar”, “zgjedhur” dhe “njohur që më parë”?

Pali përdori termat “paracaktuar”, “zgjedhur” dhe “njohur që më parë” për të dhënë mësim se përpara kësaj jete, Perëndia zgjodhi disa nga fëmijët e Tij të ishin pjesë e Izraelit, popullit të Tij të besëlidhjes. Kjo do të thoshte se ata do të merrnin bekime dhe përgjegjësi të veçanta që të mund t’i bekonin të gjithë njerëzit e botës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zgjedhur(i) i”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Megjithatë, Pali theksoi te Romakëve 9–11 se të gjithë fëmijët e Perëndisë mund të bëhen populli i Tij i besëlidhjes, dhe ne të gjithë do të marrim jetë të përjetshme në të njëjtën mënyrë – nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.

Shih edhe Efesianëve 1:3–4; 1 Pjetër 1:2; Alma 13:1–5; Gospel Topics [Temat e Ungjillit, “Foreordination” [“Parashugurimi”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Romakëve 12–16

Pali më fton që të bëhem shenjtor dhe pasues i vërtetë i Jezu Krishtit.

Pesë kapitujt e fundit të librit Romakëve përmbajnë dhjetëra udhëzime specifike rreth të jetuarit si shenjtorë. Një mënyrë për t’i studiuar këto udhëzime është të kërkoni tema që përsëriten. Si do ta përmblidhnit këshillën e Palit?

Ju mund të mos jeni në gjendje që ta zbatoni të gjithë këtë këshillë njëherësh, por Shpirti mund t’ju ndihmojë që të gjeni një apo dy parime me të cilat mund të filloni të punoni sot. Shprehjani dëshirat tuaja Atit tuaj Qiellor në lutje dhe kërkojeni ndihmën e Tij.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Romakëve 8:31–39.Çfarë gjeni te Romakëve 8:31–39 që ju mëson se si Ati Qiellor dhe Jezusi ndihen për ne? Kur e kemi ndier dashurinë e Perëndisë?

Për t’i ilustruar vargjet 38–39, pjesëtarët e familjes mund të gjejnë shembuj të gjërave që, si ne dhe dashuria e Perëndisë, nuk mund të ndahen.

Pamja
atë e bijë duke vallëzuar

Plaku Uilford W. Andersen dha mësim: “Muzika e ungjillit është [një] ndjenj[ë] e gëzueshme shpirtërore”.

Romakëve 9:31–32.Mesazhi i Plakut Uilford W. Andersen “Muzika e Ungjillit” (Liahona, maj 2015, f. 54–56; shih edhe materialin filmik në ChurchofJesusChrist.org) që mund të ndihmojnë për të ilustruar atë që jep mësim Pali rreth ligjit, punëve dhe besimit. Pasi ta diskutoni bisedën e tij, familja juaj mund të përpiqet të vallëzojë me ose pa muzikë. Si mund të na ndihmojë besimi të përjetojmë gëzimin e ungjillit?

Romakëve 10:17.Emërtojini disa gota uji me burime të fjalës së Perëndisë (si shkrimet e shenjta, zbulesa vetjake dhe konferenca e përgjithshme). Diskutoni se si fjala e Perëndisë e rrit besimin tonë ndërsa e derdhni secilën gotë në një enë të emërtuar “Besimi”.

Romakëve 12.Çfarë do të thotë ta bëjmë veten “fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia”? (Vargu 1.)

Romakëve 14:13–21.Familja juaj mund të ketë dobi nga studimi i këshillës së Palit rreth paragjykimit dhe debatit për parapëlqimet vetjake. Ndoshta ju mund të diskutoni për mënyra të përshtatshme për t’u përgjigjur kur njerëz të tjerë, përfshirë pjesëtarët e familjes, bëjnë zgjedhje që ndryshojnë nga tuajat. Si mund “të ndjekim … ato që ndihmojnë për paqe?” (Vargu 19.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Lërini fëmijët ta shprehin aftësinë e tyre krijuese. “Kur i ftoni fëmijët të krijojnë diçka që lidhet me një parim të ungjillit, ju i ndihmoni ta kuptojnë më mirë parimin. … Lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).

Pamja
Krishti me duart e shtrira

Abide with Me [Me Mua Rri], nga Del Parson