Dhiata e Re 2023
1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: “Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”


“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
një burrë duke përqafuar të birin

The Prodigal Son [Djali Plëngprishës], nga Liz Lemon Swindle

1–7 Maj

Lluka 12–17; Gjoni 11

“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”

Ndërsa lexoni kapitujt te Lluka 12–17 dhe Gjoni 11, kërkoni plot lutje atë që Ati Qiellor dëshiron që ju të dini dhe të bëni. Studimi i këtyre kapitujve nga ana juaj mund ta hapë zemrën tuaj ndaj mesazheve që janë posaçërisht për ju.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në shumicën e rasteve, 99 dele nga 100 do të konsideroheshin shkëlqyeshëm, por jo kur numra të tillë përfaqësojnë fëmijët e dashur të Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10). Në atë rast, edhe një shpirt i vetëm meriton një kërkim tërësor, të skajshëm “deri sa ta gjej[më atë]” (Lluka 15:4), ashtu siç dha mësim Shpëtimtari në shëmbëlltyrën e deles së humbur. Më pas mund të fillojë festimi, sepse “do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:7). Nëse kjo duket e padrejtë, është me dobi të kujtojmë që, në të vërtetë, nuk ka njeri që “nuk ka nevojë të pendohe[t]”. Të gjithë kemi nevojë të shpëtohemi. Dhe ne të gjithë mund të marrim pjesë në shpëtimin, duke u gëzuar së bashku për çdo shpirt që shpëtohet (shih Doktrina e Besëlidhje 18:15–16).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Lluka 12; 14–16

Unë bekohem kur e vë zemrën time te gjërat e përjetshme.

Përse Perëndia do t’i thoshte “i pamend” një njeriu punëtor e të suksesshëm që ka ndërtuar hambarë të mëdhenj dhe i ka mbushur me të korrat e punës së vet? (Shih Lluka 12:16–21). Në këta kapituj te Lluka, Shpëtimtari jep mësim disa shëmbëlltyra, të cilat mund të na ndihmojnë për ta ngritur vështrimin tonë përtej tokësores, drejt të përjetshmes. Disa prej këtyre shëmbëlltyrave renditen këtu. Si do ta përmblidhnit mesazhin e secilës prej tyre? Çfarë mendoni se po ju tregon Zoti?

Shih edhe Mateu 6:19–34; 2 Nefi 9:30; Doktrina e Besëlidhje 25:10.

Lluka 15

Ati Qiellor gëzohet kur gjenden ata që kanë humbur.

Ndërsa lexoni shëmbëlltyrat e dhëna mësim nga Jezusi te Lluka 15, çfarë mësoni rreth mënyrës se si ndihet Ati Qiellor për ata që kanë mëkatuar ose ndryshe kanë “humbur”? Si duhet të ndihet ndaj tyre një udhëheqës shpirtëror ose ndonjëri prej nesh? Merrni parasysh se si farisenjtë dhe skribët do t’u ishin përgjigjur këtyre pyetjeve (shih Lluka 15:1–2). Përgjigjja e Jezusit mund të gjendet në tri shëmbëlltyrat te Lluka 15. Ndërsa lexoni, mendoni rreth asaj që Jezusi po u mësonte skribëve dhe farisenjve me këto shëmbëlltyra.

Gjithashtu mund të merrni parasysh të bëni një listë të ngjashmërive dhe ndryshimeve midis shëmbëlltyrave. Për shembull, ju mund të përcaktoni se çfarë humbi te secila shëmbëlltyrë dhe përse humbi ajo gjë, si u gjet dhe se si reaguan njerëzit kur u gjet ajo. Çfarë mesazhesh kishte Jezusi për ata që kanë “humbur”, përfshirë ata që nuk mendojnë se kanë humbur? Çfarë mesazhesh kishte Ai për njerëzit që i kërkojnë ata që kanë humbur?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; Xhefri R. Holland, “The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 62–64.

Pamja
një grua duke kërkuar monedhën

The Lost Piece of Silver [Copa e Humbur e Argjendit], nga James Tissot

Lluka 16:1–12

Çfarë po jepte mësim Krishti në shëmbëlltyrën e administratorit të pabesë?

Plaku Xhejms E. Talmixh shpjegoi një mësim që mund të mësojmë nga shëmbëlltyra: “Jini të zellshëm; sepse dita kur mund t’i përdorni pasuritë tuaja tokësore do të kalojë shpejt. Merrni mësim madje edhe prej të pandershmit dhe të ligut; nëse ata janë aq të kujdesshëm sa të sigurojnë për të vetmen të ardhme që mendojnë, sa shumë duhet ju, që besoni në një të ardhme të përjetshme, të siguroni për të! Nëse nuk keni mësuar urtësi dhe kujdes në përdorimin e ‘pasuri[së së] padrejt[ë]’, si mund të mirëbesoheni me pasuri që zgjasin më tepër?” (Jesus the Christ [1916], f. 464.) Çfarë mësimesh të tjera gjeni në këtë shëmbëlltyrë?

Lluka 17:11–19

Mirënjohja për bekimet e mia do të më sjellë më pranë Perëndisë.

Nëse do të kishit qenë një nga dhjetë lebrosët, a mendoni se do të ishit kthyer për ta falënderuar Shpëtimtarin? Çfarë bekimesh të tjera mori lebrosi mirënjohës për shkak se dha falënderime?

Ju gjithashtu mund të përsiatni fjalët e Shpëtimtarit: “Besimi yt të shëroi” (vargu 19). Sipas mendimit tuaj, si lidhen mirënjohja dhe besimi? Si na ndihmojnë të dyja që të shërohemi? Materiali filmik “Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohjeje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën” (ChurchofJesusChrist.org) mund t’ju ndihmojë t’i përsiatni këto pyetje.

Shih edhe Dejll G. Renland, “Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 41–44.

Gjoni 11:1–46

Jezu Krishti është Ringjallja dhe Jeta.

Mrekullia e ringjalljes së Llazarit prej së vdekuri ishte një dëshmi e fuqishme dhe e pamohueshme se Jezusi ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe Mesia i premtuar. Cilat fjalë, fraza ose hollësi te Gjoni 11:1–46 e forcojnë besimin tuaj se Jezu Krishti është “ringjallja dhe jeta”? Çfarë do të thotë për ju që Jezusi është “ringjallja dhe jeta”?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Lluka 15:1–10.A e kuptojnë pjesëtarët e familjes suaj se si ndihesh kur të humb diçka – apo të humbësh vetë? Të folurit rreth përvojave të tyre mund të nisë një diskutim rreth shëmbëlltyrave të deles së humbur dhe të monedhës së humbur. Ose mund të luani një lojë në të cilën dikush fshihet dhe pjesëtarët e tjerë të familjes përpiqen ta gjejnë atë. Si na ndihmon kjo veprimtari për t’i kuptuar këto shëmbëlltyra?

Lluka 15:11–32.Si mund të jemi si babai në këtë histori, kur kemi njerëz të dashur që kanë humbur? Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e djalit më të madh, që mund të na ndihmojë të jemi më shumë si Krishti? Në çfarë mënyrash është babai në këtë shëmbëlltyrë si Ati ynë Qiellor?

Lluka 17:11–19.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që ta zbatojnë rrëfimin e dhjetë lebrosëve, ju mund t’i ftoni që të shkruajnë shënime private mirënjohjeje për njëri-tjetrin. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku “Numëro Bekimet” (Himne, nr. 152) dhe të numëroni bekimet që ka marrë familja juaj.

Gjoni 11:1–46.Pjesëtarët e familjes mund të shohin materialin filmik “Lazarus Is Raised from the Dead” [“Llazari Ngrihet prej së Vdekuri”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Pranë Zemrës së Bariut”, Himne, nr. 138.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni histori dhe shembuj për të dhënë mësim parime të ungjillit. Shpëtimtari shpesh dha mësim rreth parimeve të ungjillit duke përdorur histori dhe shëmbëlltyra. Mendoni për shembuj dhe histori nga vetë jeta juaj, të cilat mund t’i japin jetë një parimi të ungjillit për familjen tuaj (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).

Pamja
një burrë duke u gjunjëzuar në falënderim përpara Jezusit

Where Are the Nine [Ku Janë Nëntë të Tjerët], nga Liz Lemon Swindle