Dhiata e Re 2023
22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21: “Biri i Njeriut do të Vijë”


“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Ardhja e Dytë

The Second Coming [Ardhja e Dytë], nga Harry Anderson

22–28 Maj

Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21

“Biri i Njeriut do të Vijë”

Ndërkohë që lexoni kapitujt te Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13 dhe Lluka 21, ju mund të pyetni: “Çfarë mesazhesh kanë këta kapituj për mua, për familjen time, për thirrjen time?”

Shënojini Mbresat Tuaja

Dishepujve të Jezusit mund t’u jetë dukur befasuese profecia e Tij, tempulli i fuqishëm i Jerusalemit, qendra shpirtërore dhe kulturore e popullit judeas, do të shkatërrohej kaq tërësisht sa “nuk do të mbete[j] asnjë gur mbi gur”. Natyrisht dishepujt dëshironin të dinin më shumë. “Kur do të ndodhin këto gjëra?” – pyetën ata. “Dhe cila është shenja e ardhjes sate?” (Joseph Smith – Mateu 1:2–4.) Përgjigjet e Shpëtimtarit zbuluan se shkatërrimi i madh që do t’i vinte Jerusalemit – një profeci e përmbushur në 70 ps.K. – do të ishte relativisht i vogël po të krahasohej me shenjat e ardhjes së Tij në ditët e fundit. Gjërat që duken madje më të qëndrueshme sesa tempulli në Jerusalem, do të provohen se janë të përkohshme – dielli, hëna, yjet, kombet dhe deti. Madje “fuqitë e qiejve do të tronditen” (Joseph Smith – Mateu 1:33). Nëse jemi shpirtërisht të vetëdijshëm, kjo rrëmujë mund të na mësojë që ta vendosim besimin tonë në diçka vërtet të përhershme. Siç premtoi Jezusi: “Qielli dhe toka do të kalojnë, përsëri fjalët e mia nuk do të kalojnë. … Dhe kushdo që e mbledh fjalën time si thesar, nuk do të mashtrohet” (Joseph Smith – Mateu 1:35, 37).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Çfarë është Joseph Smith – Mateu?

Joseph Smith – Mateu, që ndodhet te Perla me Vlerë të Madhe, është Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut të fundit të kapitullit te Mateu 23 dhe të gjithë kapitullit te Mateu 24. Rishikimet e frymëzuara të Biblës prej Jozef Smithit rivendosin të vërteta të çmuara, të cilat ishin humbur. Vargjet 12–21 u drejtohen shkatërrimit të Jerusalemit në lashtësi; vargjet 21–55 përmbajnë profeci rreth ditëve të fundit.

Joseph Smith – Mateu 1:21–37; Marku 13:21–37; Lluka 21:25–38

Profecitë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të më ndihmojnë që ta përballoj të ardhmen me besim.

Mund të jetë shqetësuese të lexoni rreth ngjarjeve që do të ndodhin deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Por kur Jezusi profetizoi për këto ngjarje, Ai u tha dishepujve të Tij që të “mos shqetësohen” (Joseph Smith – Mateu 1:23). Si mund të “mos shqetësohen[i]” kur dëgjoni për tërmete, luftëra, mashtrime dhe zi buke? Mendoni për këtë pyetje teksa i lexoni këto vargje. Shenjoni ose mbani shënim çdo këshillë siguridhënëse që gjeni.

Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Second Coming of Jesus Christ” [“Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55; Mateu 25:1–13; Lluka 21:29–36

Unë duhet të jem gjithmonë gati për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Perëndia nuk e ka zbuluar “as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13). Por Ai nuk dëshiron që ajo ditë të na vijë “në befasi” (Lluka 21:34), prandaj na ka dhënë këshillë rreth mënyrës si të përgatitemi.

Teksa i lexoni këto vargje, përcaktoni shëmbëlltyrat dhe krahasime të tjera që Shpëtimtari i përdori për të na mësuar se si të jemi gjithmonë të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë. Çfarë mësoni prej tyre? Çfarë frymëzoheni të bëni?

Ju gjithashtu mund të merrni parasysh se si Shpëtimtari dëshiron që ju të ndihmoni për ta përgatitur botën për Ardhjen e Tij të Dytë. Si mendoni, çfarë do të thotë të jesh gati për ta pranuar Shpëtimtarin kur Ai të vijë? Mesazhi i Plakut D. Tod Kristoferson “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit” (Liahona, maj 2019, f. 81–84) mund t’ju ndihmojë ta përsiatni këtë.

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76.

Mateu 25:14–30

Ati Qiellor pret nga unë që t’i përdor dhuratat e Tij me urtësi.

Në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit, një “talent” u referohet të hollave. Por shëmbëlltyra e talentave mund të na nxitë të përsiatim se si po e përdorim secilin nga bekimet tona, jo vetëm të hollat. Pasi ta lexoni këtë shëmbëlltyrë, ju mund të bëni një listë të disa prej bekimeve dhe përgjegjësive që Ati Qiellor ju ka mirëbesuar. Çfarë pret Ai që ju të bëni me këto bekime? Si mund t’i përdorni këto dhunti më me urtësi?

Mateu 25:31–46

Kur u shërbej të tjerëve, unë po i shërbej Perëndisë.

Nëse e pyetni veten se si Zoti do ta gjykojë jetën tuaj, lexoni shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve. Si mendoni, përse kujdesi ndaj njerëzve nevojtarë do t’ju ndihmojë të përgatiteni për ta “trashëg[uar] mbretërinë” e Perëndisë?

Si është kjo shëmbëlltyrë e ngjashme me dy shëmbëlltyrat e tjera te Mateu 25? Çfarë mesazhesh kanë të përbashkët të tre shëmbëlltyrat?

Shih edhe Mosia 2:17; 5:13.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Joseph Smith – Mateu.Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta shqyrtojë këtë kapitull, ftojini të kërkojnë mësimet e Shpëtimtarit rreth mënyrës se si mund të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë (shih, për shembull, vargjet 22–23, 29–30, 37, 46–48). Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur këtë këshillë? Familja juaj mund të kënaqet duke kënduar “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47) dhe duke vizatuar figura për atë se si e përfytyrojnë se do të jetë Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit.

Joseph Smith – Mateu 1:22, 37.Çfarë do të thotë ta mbash fjalën e Perëndisë si thesar? Si mund ta bëjmë këtë gjë personalisht dhe si familje? Si do të na ndihmojë bërja e kësaj gjëje që ta shmangim të qenit të mashtruar?

Mateu 25:1–13.Ju mund të përdorni figurën e dhjetë virgjëreshave që e shoqëron këtë përvijim të mësimit, për të diskutuar vargjet te Mateu 25:1–13. Çfarë hollësish shohim te figura, të cilat përshkruhen në këto vargje?

Ju mund të prisni letra në formën e pikave të vajit dhe t’i fshihni ato nëpër shtëpi. Ju mund t’i ngjitni pikat te sende si shkrimet e shenjta ose një figurë e tempullit. Kur pjesëtarët e familjes t’i gjejnë pikat, ju mund të diskutoni se si këto gjëra na ndihmojnë për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë.

Marku 12:38–44; Lluka 21:1–4.Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Shpëtimtari i sheh ofertat tona? Tregojini familjes suaj se si t’i paguajë Zotit të dhjetën dhe ofertat e agjërimit. Si ndihmojnë këto oferta për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë? Cilat janë disa mënyra të tjera se si ne mund t’i ofrojmë Zotit “gjithë sa k[emi]”? (Marku 12:44.)

Pamja
grua duke vendosur monedhë në kuti

Widow’s Mite [Monedha e së Vesë], nga Sandra Rast

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përgatitni rrethinat tuaja. “Rrethinat tona mund ta ndikojnë thellësisht aftësinë tonë për ta mësuar e ndier të vërtetën” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15). Përpiquni të gjeni një vend për t’i studiuar shkrimet e shenjta që do ta ftojë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Muzika dhe figurat lartësuese gjithashtu mund ta ftojnë Shpirtin.

Pamja
gra duke mbajtur llamba

Five of Them Were Wise [Pesë prej Tyre Ishin të Mençura], nga Walter Rane