Dhiata e Re 2023
15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12: “Ja po … Vjen Mbreti Yt”


“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12: ‘Ja po … Vjen Mbreti Yt’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
burri në pemë kur afrohet Jezusi

Zacchaeus in the Sycamore Tree [Zakeu në Pemën e Fikut], nga James Tissot

15–21 Maj

Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12

“Ja po … Vjen Mbreti Yt”

Përpara leximit të ideve në këtë përvijim të mësimit, lexoni kapitujt te Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20 dhe Gjoni 12. Shënojini mbresat që mund t’i tregoni në familjen tuaj ose në orët tuaja mësimore në Kishë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Shpëtimtari ishte i uritur pas udhëtimit nga Betania për në Jerusalem dhe një pemë fiku në largësi u duk si një burim ushqimi. Por, kur Jezusi iu afrua pemës, Ai pa se ajo nuk kishte fryt (shih Mateu 21:17–20; Marku 11:12–14, 20). Në njëfarë mënyre, pema e fikut ishte si udhëheqësit hipokritë të fesë në Jerusalem: mësimet e tyre boshe dhe shfaqjet e tyre të jashtme të shenjtërisë nuk jepnin asnjë ushqim shpirtëror. Farisenjtë dhe skribët dukej se zbatonin shumë urdhërime, prapëseprapë ata nuk zbatonin dy urdhërimet më të mëdha: ta doni Perëndinë dhe ta doni të afërmin tuaj porsi vetveten (shih Mateu 22:34–40; 23:23).

Në dallim me ta, shumë njerëz kishin filluar ta dallonin frytin e mirë në mësimet e Jezusit. Kur Ai mbërriti në Jerusalem, ata e mirëpritën me degë të prera nga pemët për ta shtruar shtegun e Tij, të ngazëllyer që më së fundi, sikurse thoshte profecia e lashtë: “Mbreti yt po të vjen” (Zakaria 9:9). Ndërkohë që lexoni këtë javë, mendoni rreth fryteve të mësimeve dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit në jetën tuaj dhe rreth mënyrës se si mund të jepni “shumë fryt” (Gjoni 12:24).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Lluka 19:1–10

Zoti nuk gjykon nëpërmjet paraqitjes së jashtme, por nëpërmjet dëshirave të zemrës.

Në kohën e Jezusit, shumë njerëz hamendësuan se tagrambledhësit, ose mbledhësit e taksave, ishin të pandershëm dhe vidhnin prej njerëzve. Prandaj, ngaqë Zakeu, kryetari i tagrambledhësve, ishte i pasur, ai mund të ketë qenë edhe më i dyshuar. Por Jezusi pa zemrën e Zakeut. Çfarë na zbulon Lluka 19:1–10 rreth zemrës së Zakeut? Mund t’i mbani shënim fjalët në këto vargje që përshkruajnë atë që bëri Zakeu për të treguar përkushtimin e tij ndaj Shpëtimtarit. Cilat janë dëshirat e zemrës suaj? Çfarë po bëni për ta kërkuar Shpëtimtarin, sikurse bëri Zakeu?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 137:9.

Mateu 23; Lluka 20:45–47

Jezusi e dënon hipokrizinë.

Ndërveprimi i Shpëtimtarit me skribët e farisenjtë krijon një dallim interesant në krahasim me ndërveprimin e Tij me Zakeun. Sikurse shpjegoi Presidenti Diter F. Uhtdorf: “[Jezusi] u ngrit me zemërim të drejtë kundër hipokritëve si skribët, farisenjtë dhe saducenjtë – atyre që u përpoqën të shfaqeshin të drejtë me qëllim që të fitonin lavdërim, ndikim dhe pasuri prej botës, e gjitha kjo ndërkohë që i shtypnin njerëzit, të cilët duhej të kishin qenë duke i bekuar” (“Mbi të Qenit të Vërtetë”, Liahona, maj 2015, f. 81).

Te Mateu 23, Shpëtimtari përdori disa metafora për ta përshkruar hipokrizinë. Merreni parasysh t’i shenjoni ose renditni këto metafora dhe të mbani shënim se çfarë na mësojnë ato rreth hipokrizisë. Cili është ndryshimi midis hipokrizisë dhe dobësive njerëzore me të cilat përballemi të gjithë kur përpiqemi ta jetojmë ungjillin? Çfarë frymëzoheni të bëni ndryshe në saje të mësimeve të Shpëtimtarit?

Shih edhe Bible Dictionary, “Hypocrite”.

Mateu 21:1–11; Marku 11:1–11; Lluka 19:29–44; Gjoni 12:1–8, 12–16

Jezu Krishti është Mbreti im.

Kur Jezusi mbërriti në Jerusalem, vetëm disa ditë përpara se Ai të përmbushte Shlyerjen e Tij, ata që e njohën Atë si mbretin e Tyre e treguan përkushtimin e tyre duke e vajosur Atë, duke vendosur mantele dhe degë palme përgjatë udhës së Tij për në Jerusalem dhe duke i thurur lavde. Merrni parasysh se si burimet vijuese mund ta thellojnë kuptimin tuaj për këto ngjarje të cilat filluan javën e fundit të jetës së Shpëtimtarit.

  • Një shembull i lashtë i vajosjes së një mbreti: 2 Mbretërve 9:1–6, 13

  • Një profeci e lashtë e hyrjes ngadhënjimtare: Zakaria 9:9

  • Kuptimi i fjalës hosanna: “Hosana” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org)

  • Profecitë rreth mënyrës se si Shpëtimtari do të vijë përsëri: Zbulesa 7:9–12

Si mund ta nderoni dhe pranoni Shpëtimtarin si Zotin dhe Mbretin tuaj?

Shih edhe Gerit W. Gong, “Hosana dhe Aleluja – Jezu Krishti i Gjallë: Zemra e Rivendosjes dhe e Pashkës”, Liahona, maj 2020, f. 52–55; “The Lord’s Triumphal Entry into Jerusalem” [“Hyrja Ngadhënjimtare e Zotit në Jerusalem”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Mateu 22:34–40

Dy urdhërimet e mëdha janë ta duam Perëndinë dhe t’i duam të tjerët porsi veten.

Nëse ndiheni ndonjëherë të mbingarkuar teksa përpiqeni që ta ndiqni Jezu Krishtin, fjalët e Shpëtimtarit drejtuar mësuesit të ligjit te Mateu 22 mund t’ju ndihmojnë që t’i thjeshtëzoni gjërat dhe të përqendroheni te dishepullimi juaj. Ja një mënyrë se si ta bëni këtë: Bëni një listë të disa prej urdhërimeve të Zotit. Si lidhet çdo zë në listën tuaj me dy urdhërimet e mëdha? Si na ndihmon përqendrimi te këto dy urdhërime të mëdha që t’i zbatojmë urdhërimet e tjera?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 21:12–14.Si e tregojnë fjalët dhe veprimet e Jezusit te Mateu 21:12–14 mënyrën se si u ndje Ai për tempullin? Si e tregojmë ne se si ndihemi për tempullin? Çfarë mund të “dëbo[jmë]” (vargu 12) nga jeta jonë për ta bërë shtëpinë tonë më shumë si tempulli? Merrni parasysh të këndoni së bashku një këngë për tempullin, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99).

Mateu 21:28–32.Cilat mësime nga shëmbëlltyra e njeriut që kishte dy bij, mund ta ndihmojnë familjen tuaj? Për shembull, ju mund ta përdorni historinë që të diskutoni rëndësinë e bindjes dhe pendimit të sinqertë. Ndoshta familja juaj mund të shkruajë një skenar për të dramatizuar shëmbëlltyrën dhe ta bëni me radhë duke luajtur role të ndryshme.

Mateu 22:15–22; Lluka 20:21–26.Fëmijët mund të kënaqen duke bërë monedha të sajuara me “fytyr[ën] dhe mbishkrimi[n]” e Jezusit mbi to. Ata mund të shkruajnë në pjesët e pasme të monedhave disa nga “[gjërat] që i përk[asin] Perëndisë” (Mateu 22:21) të cilat mund t’ia japim Atij. Gjithashtu mund të flisni rreth asaj se çfarë do të thotë të kemi “fytyr[ën] dhe mbishkrimi[n]” e Shpëtimtarit mbi ne (Mateu 22:20; shih edhe Mosia 5:8; Alma 5:14).

Gjoni 12:1–8.Si e tregoi Maria dashurinë e saj për Shpëtimtarin? Në ç’mënyrë e tregojmë ne dashurinë tonë për Të?

Pamja
grua duke fshirë me flokët e saj këmbët e Jezusit

Washing Jesus’s Feet [Larja e Këmbëve të Jezusit], nga Brian Call

Gjoni 12:42–43.Cilat pasoja shoqërore nganjëherë na shkurajojnë që të mos e shprehim ose mbrojmë besimin tonë te Krishti? Për shembuj të njerëzve që nuk iu dorëzuan trysnisë shoqërore, shih Daniel 1:3–20; 3; 6; Gjoni 7:45–53; 9:1–38; dhe Mosia 17:1–4. Si mund të tregojmë respekt për të tjerët kur ata shprehin ose mbrojnë bindjet e tyre fetare?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Gëzim, Zoti Ësht’ Mbret!”, Himne, nr. 35.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni vepra artistike që t’i përfshini pjesëtarët e familjes.Libri i Figurave Artistike të Ungjillit dhe LDS Media Library [Biblioteka SHDM e Mjeteve të Informimit] te ChurchofJesusChrist.org përmbajnë shumë figura dhe video që mund t[a] ndihmojnë [familjen tuaj] të përfytyrojë koncepte ose ngjarje” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).

Pamja
hyrja ngadhënjimtare e Krishtit

Triumphal Entry [Hyrja Ngadhënjimtare], nga Walter Rane