Doktrina e Besëlidhje 2021
29 Nëntor–5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138: “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”


“29 Nëntor–5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138: ‘Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“29 Nëntor–5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
njerëz në botën e shpirtrave

Jozefi shikon babanë, nënën dhe vëllanë e tij në mbretërinë çelestiale (Vegimi i Jozef Smithit për Mbretërinë Çelestiale, Robert Barrett).

29 Nëntor–5 Dhjetor

Doktrina e Besëlidhje 137–138

“Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Unë ju ftoj ta lexoni tërësisht dhe mendueshëm këtë zbulesë [Doktrina e Besëlidhje 138]. Teksa bëni kështu, Zoti ju bekoftë që ta kuptoni dhe ta vlerësoni më plotësisht dashurinë e Perëndisë dhe planin e Tij të shpëtimit dhe lumturisë për fëmijët e Tij” (“Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 73).

Shënojini Mbresat Tuaja

Zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 137 dhe 138 veçohen prej më shumë se 80 vjet dhe 2 400 kilometra largësi. Seksioni 137 u mor nga Profeti Jozef Smith në vitin 1836 në Tempullin e papërfunduar të Kirtlandit dhe seksioni 138 u mor nga Jozef F. Smithi, Presidenti i gjashtë i Kishës, në vitin 1918 në Solt-Lejk-Siti. Por nga ana doktrinore, këto dy vegime qëndrojnë krah për krah. Të dyja seksionet u përgjigjen pyetjeve rreth fatit të fëmijëve të Perëndisë në jetën që vjen. Dhe të dyja marrin një thellësi të shtuar të kuptimit kur mbajmë parasysh përvojat jetësore të profetëve që i morën ato.

Vegimi i Jozef Smithit e ndihmoi atë ta kuptonte fatin e përjetshëm të vëllait të tij të dashur, Alvinit, i cili kishte vdekur gjashtë vjet përpara se të rivendosej autoriteti për të pagëzuar. Pyetjet rreth shpëtimit të përjetshëm të Alvinit i qenë ngulitur Jozefit që në atë kohë. Vegimi i Jozef F. Smithit zbuloi të vërteta të lavdishme rreth botës së shpirtrave – pa dyshim një zbulesë ngushëlluese për dikë që ishte pikëlluar për vdekjen e shumë pjesëtarëve të afërm të familjes. Jozef F. Smithit i vdiqën babai, Hajrëm Smithi, kur ai ishte 5 vjeç dhe nëna e tij, Meri Fillding Smithi, kur ishte 13 vjeç. Deri në kohën kur e mori vegimin në vitin 1918, ai kishte vajtuar për ndarjen nga jeta të 13 fëmijëve të vet.

Shumë pyetje që kishin njerëzit rreth jetës pas vdekjes, kanë marrë përgjigje në këto zbulesa. Seksioni 137 hedh paksa dritë fillestare mbi pyetje të tilla dhe seksioni 138 i hap perdet edhe më shumë për të sjellë dituri. Së bashku, ato dëshmojnë për “dashurinë e madhe dhe të mrekullueshme të shfaqur nga Ati dhe Biri” (Doktrina e Besëlidhje 138:3).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 137

Çdo shpirt do të ketë mundësinë që të zgjedhë lavdinë çelestiale.

Kuptueshmëria e përbashkët mes të krishterëve në vitin 1836 ishte se, në qoftë se një person vdiste pa qenë i pagëzuar – siç ndodhi me vëllanë e Jozef Smithit, Alvinin – ai person nuk mund të shkonte në qiell. Prapëseprapë, Jozefi e pa Alvinin në një vegim të mbretërisë çelestiale. Teksa lexoni seksionin 137, përsiatni atë që mësoni rreth Atit Qiellor, planit të Tij të shpëtimit dhe mbretërisë çelestiale.

Shih edhe Saints, 1:232–235.

Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30

Leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta më përgatit që të marr zbulesë.

Nganjëherë zbulesa vjen edhe pse nuk e kërkojmë atë. Por më shpesh ajo vjen për shkak se ne e kërkojmë me zell dhe përgatitemi për të. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30, vini re atë që po bënte Presidenti Jozef F. Smith kur “sytë e të kuptuarit [të tij] u hapën” për ta kuptuar më mirë misionin shëlbues të Shpëtimtarit. Pastaj merrni parasysh se si mund ta ndiqni shembullin e Presidentit Smith. Për shembull, çfarë ndryshimesh mund të bëni në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta që të lejoni më shumë “përsiat[je] për shkrimet e shenjta” dhe më shumë “reflekt[im] mbi sakrificën e madhe shlyese [të Shpëtimtarit]”? (Vargjet 1–2.)

Në mesazhin e tij “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve” (Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 71–74), Presidenti M. Rasëll Ballard sugjeroi mënyra të tjera nëpërmjet të cilave Presidenti Smith u përgatit për ta marrë këtë zbulesë. Merreni parasysh se si jeni përgatitur për përvojat që i keni ose do t’i keni në të ardhmen.

Shih edhe “Ministry of Joseph F. Smith: A Vision of the Redemption of the Dead”, material fimik ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
portret i Jozef F. Smithit

Jozef F. Smithi, nga Albert E. Salzbrenner

Doktrina e Besëlidhje 138:25–60

Vepra për shpëtimin po ndodh në të dyja anët e velit.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme” (“Punës Le t’i Vihemi”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 118–119). Përsiatni për këtë thënie teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:25–60. Mund të merrni parasysh edhe këto pyetje:

  • Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si vepra e shpëtimit po përmbushet në botën e shpirtrave? Përse është e rëndësishme që ju të dini se kjo vepër po ndodh? Si e forcojnë këto vargje besimin tuaj te Shlyerja e Shpëtimtarit?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth atyre që po marrin pjesë në veprën e shpëtimit në botën e shpirtrave? Përse është e rëndësishme që ta kuptojmë veprën e shpëtimit që po bëhet në të dyja anët e velit?

Shih edhe Dallin H. Ouks, “Ki Besim tek Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 26–29; “Susa Young Gates and the Vision of the Redemption of the Dead”, Revelations in Context, f. 315–322.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 137:1–5.Ftojeni familjen tuaj që të vizatojë atë që mendon se si mund të duket mbretëria çelestiale bazuar në këto vargje. Çfarë gjeni te këto vargje që ju ndihmojnë të prisni me padurim për të jetuar atje? Çfarë po bëjmë tani për t’u përgatitur që të jetojmë në mbretërinë çelestiale me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Doktrina e Besëlidhje 137:5–10.Për të mësuar rreth asaj se ç’vlerë kishte për Jozef Smithin që t’i shihte disa nga pjesëtarët e familjes së tij së bashku në mbretërinë çelestiale, familja juaj mund të shohë materialin filmik: “Ministry of Joseph Smith: Temples” (ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta ju mund të flisni edhe për dikë që e njihni, që ka vdekur pa e pasur mundësinë që të pagëzohej. Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 137:5–10 rreth atij personi?

Doktrina e Besëlidhje 138:12–24.Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 138:12–24 rreth njerëzve që vizitoi Shpëtimtari në botën e shpirtrave? Çfarë bekimesh morën ata? Çfarë mësojmë nga shembulli i tyre?

Doktrina e Besëlidhje 138:38–55.Këto vargje përshkruajnë ata njerëz të cilët Presidenti Jozef F. Smith i pa në botën e shpirtrave, dhe hollësi të shkurtra rreth tyre. Ndoshta familja juaj mund të bëjë një listë të paraardhësve që janë në botën e shpirtrave, bashkë me hollësi rreth jetës së tyre.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Kërko, Përsiat dhe Lutu”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66.

Përmirësimi i të Mësuarit Tonë

Përsiatja mbi shkrimet e shenjta. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei e quajti meditimin “një nga dyert … më të shenjta, përmes të cilave ne hyjmë në praninë e Zotit” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 32).

Pamja
Jezu Krishti në botën e shpirtrave

Shpirtrat që u Urdhëruan, nga Harold I. Hopkinson. Jezu Krishti i urdhëroi shpirtrat e drejtë që ta predikonin ungjillin në botën e shpirtrave.