2019
Plaku Rikardo P. Himenez
maj 2019


Plaku Rikardo P. Himenez

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Pamja
Plaku Rikardo P. Himenez

Anëtarët e Kishës në Antofagasta të Kilit, do ta mbajnë mend gjatë konferencën e përgjithshme të prillit 2019, për lajmërimin e një tempulli të ardhshëm atje dhe thirrjen e një bashkëkombasi të tyre, të Plakut Rikardo P. Himenez, si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë.

Ndërkohë që mendon për përgjegjësitë e thirrjes së tij të re, Plaku Himenez gjen besim dhe kurajë te thënia “Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon” (Thomas S. Monson, “Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 44).

“E kam dhënë mësim atë shprehje shumë herë në të kaluarën dhe tani po përpiqem ta zbatoj për veten time”, thotë ai. “Ati Qiellor ju thërret. Ai ju njeh ju. Prandaj thjesht shkoni dhe bëni atë që Ai dëshiron dhe gjithçka do të jetë mirë.”

Rikardo Patrisio Himenez Salazar lindi më 28 nëntor 1971, më i madhi nga dy fëmijët e lindur nga Rikardo Benxhamin Himenez Himeno dhe Mirto Lusia Amalia Salazar Sinjorini. Ai u bashkua me Kishën në moshën 11-vjeçare dhe u shpërngul me nënën e tij dhe motrën në Santiago të Kilit, pasi prindërit u shkurorëzuan.

Në vitin 1995, ai njohu Kethrin Ivon Karrazana Zunjigan në Santiago, kur ajo filloi të frekuentonte lagjen e tij ndërkohë që po qëndronte atje me një ungj. Ata u vulosën në Tempullin e Santiagos në Kili më 12 shtator 1997 dhe janë prindër të dy fëmijëve.

Plaku Himenez mori diplomën e tij universitare për llogaritar dhe për kontrollues financiar nga Universiteti i Santiagos në vitin 1997 dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi nga Universiteti i Kilit në vitin 2003. Ai e filloi karrierën e tij profesionale në industrinë e minierave, duke kaluar më së fundi në teknologjinë e informacionit si drejtor financash për “Computer Sciences Corporation” në Amerikën Latine. Ai iu rikthye sërish aktivitetit të minierave në vitin 2012, fillimisht me “Sierra Gorda Mining” dhe më pas me “Robinson Nevada Mining Company”.

Në kohën kur mori thirrjen e tij, Plaku Himenez po shërbente si këshilltar në një presidencë kunji. Ai ka shërbyer gjithashtu si I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën Jugore të Amerikës së Jugut, president kunji, këshilltar i lartë, peshkop, këshilltar në një peshkopatë dhe në një presidencë të Të Rinjve në lagje dhe misionar kohëplotë në Misionin e Koncepsionit në Kili.