2019
Bariu i Mirë, Qengji i Perëndisë
maj 2019


Bariu i Mirë, Qengji i Perëndisë

Jezu Krishti na thërret me zërin e Tij dhe emrin e Tij. Ai na kërkon dhe na mbledh. Ai na mëson se si të japim shërbesë me dashuri.

Të dashur vëllezër e motra, a keni pasur ndonjëherë problem që të bini në gjumë dhe jeni përpjekur të numëroni dele të përfytyruara? Teksa delet leshtore kapërcejnë gardhin, ju numëroni: 1, 2, 3, … 245, 246, … 657, 658 …1

Në rastin tim, numërimi i deleve nuk më vë në gjumë. Shqetësohem se mos nuk e numëroj ose e humbas ndonjë dhe kjo më mban zgjuar.

Me djaloshin bari që u bë mbret, ne shpallim:

“Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

Ai ma përtërin shpirtin.”2

Pamja
Bariu i Mirë në art vitrazhi

Në këtë periudhë Pashke ne kremtojmë Bariun e Mirë, i cili është edhe Qengji i Perëndisë. Nga të gjithë titujt e Tij hyjnorë, asnjë tjetër nuk është më i dhembshur ose domethënës. Ne mësojmë shumë nga referencat e Shpëtimtarit tonë për Vetveten si Bariu i Mirë dhe nga dëshmitë profetike të Tij si Qengji i Perëndisë. Këto role dhe simbole janë fuqimisht plotësuese të njëra‑tjetrës – kush mund ta ndihmojë më mirë secilin qengj të vyer sesa Bariu i Mirë dhe kush mund të jetë më mirë Bariu ynë i Mirë sesa Qengji i Perëndisë?

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” dhe Biri i Vetëmlindur i Perëndisë e dha jetën e Tij me bindjen plot dëshirë ndaj Atit të Tij.3 Jezusi dëshmoi: “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet”4. Jezusi pati fuqinë ta lërë jetën e Tij dhe fuqinë për ta marrë atë përsëri.5 I bashkuar me Atin e Tij, Shpëtimtari ynë na bekon në mënyrë të pashoqe, si Bariu ynë i Mirë ashtu edhe si Qengji i Perëndisë.

Si Bariu ynë i Mirë, Jezu Krishti na thërret me zërin e Tij dhe emrin e Tij. Ai na kërkon dhe na mbledh. Ai na mëson se si të japim shërbesë me dashuri. Le t’i marrim në shqyrtim këto tri tema, duke filluar me Atë që na thërret me zërin e Tij dhe emrin e Tij.

Së pari, Bariu ynë i Mirë “i thërret delet e tij me emër. … [Ato e] njohin zërin e tij.”6 Dhe “në emrin e tij ai ju thërret, që është emri i Krishtit”7. Kur përpiqemi me qëllim të vërtetë që ta ndjekim Jezu Krishtin, vjen frymëzimi për të bërë mirë, për ta dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer Atij.8 Kur studiojmë, përsiatim dhe lutemi; kur rregullisht i ripërtërijmë besëlidhjet e sakramentit dhe të tempullit; dhe kur i ftojmë të gjithë të vijnë tek ungjilli dhe ordinancat e Tij, ne po ia vëmë veshin zërit të Tij.

Në kohën tonë, Presidenti Rasëll M. Nelson na këshillon ta quajmë Kishën e rivendosur me emrin që Jezu Krishti zbuloi: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.9 Zoti tha: “Prandaj, çdo gjë që do të bëni, do ta bëni në emrin tim; prandaj ju do ta quani kishën në emrin tim; dhe do t’i thërrisni Atit në emrin tim, që ta bekojë kishën për hirin tim”10. Anembanë botës, në zemrat dhe shtëpitë tona, ne i lutemi Atit në emrin e Jezu Krishtit. Ne jemi mirënjohës për një bekim kaq bujar si adhurimi ynë i përqendruar te shtëpia, i përkrahur nga Kisha, studimi i ungjillit dhe veprimtaritë e shëndosha familjare.

Së dyti, Bariu ynë i Mirë na kërkon dhe na mbledh në tufën e Tij të vetme. Ai thotë: “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?”11

Shpëtimtari ynë ndihmon delen e vetme dhe të nëntëdhjetë e nëntat, shpesh në të njëjtën kohë. Kur japim shërbesë, ne i dallojmë të nëntëdhjetë e nëntat që janë të qëndrueshme dhe të patundura, madje ndërkohë që na merr malli shumë për delen e vetme që ka shkuar në udhë të gabuar. Zoti ynë kujdeset për ne dhe na çliron “nga të gjitha vendet”12, “nga të katër anët e tokës”13. Ai na mbledh me anë të besëlidhjes së shenjtë dhe gjakut të Tij shlyes.14

Shpëtimtari ynë u tha dishepujve të Tij të Dhiatës së Re: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe”15. Në kontinentin amerikan Zoti i ringjallur u dëshmoi fëmijëve besëlidhës të Lehit: “Ju jeni delet e mia”16. Dhe Jezusi tha se edhe dele të tjera do ta dëgjonin zërin e Tij.17 Çfarë bekimi është Libri i Mormonit si një dëshmi tjetër që dëshmon për zërin e Jezu Krishtit!

Jezu Krishti e fton Kishën t’i pranojë të gjithë ata që e dëgjojnë zërin e Tij18 dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij. Doktrina e Krishtit përfshin pagëzimin me ujë dhe me zjarrin e Frymën e Shenjtë.19 Nefi pyet: “Në qoftë se Qengji i Perëndisë, duke qenë i shenjtë, do të kishte nevojë të pagëzohej me ujë, për të plotësuar të gjithë drejtësinë, O atëherë, sa nevojë më të madhe kemi ne që nuk jemi të shenjtë, të pagëzohemi, po, madje me ujë!”20

Pamja
Gjoni duke pagëzuar Jezusin

Sot Shpëtimtari ynë dëshiron që ajo çfarë bëjmë dhe njeriu që po bëhemi, t’i ftojë të tjerët të vijnë dhe ta ndjekin Atë. Ejani të gjeni dashuri, shërim, lidhje dhe besëlidhje duke i përkitur Atij, duke u përfshirë në tempullin e shenjtë të Perëndisë, ku ordinancat e shenjta të shpëtimit mund t’i bekojnë të gjithë anëtarët e familjes, duke e mbledhur në këtë mënyrë Izraelin në të dyja anët e velit.21

Së treti, si “Bari[u] i Izraelit”22, Jezu Krishti jep shembullin se si barinjtë në Izrael japin shërbesë me dashuri. Kur Zoti ynë pyet a e duam Atë, sikurse e pyeti Simon Pjetrin, Shpëtimtari ynë përgjërohet: “Kulloti qengjat e mi. … Ki kujdes për delet e mia. … Kulloti delet e mia.”23 Zoti premton që, kur barinjtë e Tij i kullotin qengjat dhe delet e Tij, ata që janë në tufën e Tij “nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre”24.

Bariu ynë i Mirë këshillon që barinjtë në Izrael nuk duhet të flenë25, nuk duhet t’i shpërndajnë ose t’i bëjnë delet të shkojnë në udhë të gabuar26, as të mos ndjekin rrugën e tyre duke parë interesin e vet.27 Barinjtë e Perëndisë duhet ta forcojnë, ta shërojnë, ta fashojnë të plagosurën, ta rikthejnë në shtëpi të hutuarën, ta kërkojnë të humburën.28

Zoti gjithashtu paralajmëron për rrogëtarët, të cilët “nuk d[uan] t’ia di[n]ë për delet”29 dhe për “profetët e rremë që vijnë te ju të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq të uritur”30.

Bariu ynë i Mirë gëzohet kur ne e ushtrojmë lirinë vetjake të zgjedhjes morale me qëllim dhe besim. Ata që janë në tufën e Tij, e shohin Shpëtimtarin tonë me mirënjohje për flijimin e Tij shlyes. Ne besëlidhim ta ndjekim Atë, jo në mënyrë pasive, të verbër ose të ndrojtur, por përkundrazi duke dëshiruar me gjithë zemrën dhe mendjen tonë që t’i duam Perëndinë dhe të afërmin tonë, duke mbajtur barrët e njëri‑tjetrit dhe duke u ngazëllyer me gëzimet e njëri‑tjetrit. Ashtu si Krishti ia përkushtoi lirisht vullnetin e Tij vullnetit të Atit, edhe ne me nderim e marrim mbi vete emrin e Tij. Ne me gëzim kërkojmë t’i bashkohemi punës së Tij për mbledhjen e të gjithë fëmijëve të Perëndisë dhe për t’u dhënë shërbesë atyre.

Vëllezër e motra, Jezu Krishti është Bariu ynë i Mirë i përsosur. Ngaqë Ai e ka dhënë jetën e Tij për ne dhe është ringjallur tashmë në mënyrë të lavdishme, Jezu Krishti është edhe Qengji i përsosur i Perëndisë.31

Qengji i flijimit i Perëndisë u parashikua që nga fillimi. Një engjëll i tha Adamit se flijimi i tij “është në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit”, që na fton të “pendohe[mi] e … t’i thërras[im] Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë”32.

Ati Abraham, i cili i vendosi bekimet besëlidhëse për të gjithë kombet e tokës, e përjetoi se çfarë do të thoshte të jepte si ofertë vetë birin e tij.

“Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: ‘Ati im!’ Abrahami iu përgjegj: ‘Ja ku jam, biri im’. Dhe Isaku tha: ‘Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji …?’

Abrahami u përgjigj: ‘Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën’.”33

Apostujt dhe profetët e parashikuan dhe u gëzuan me misionin e parashuguruar të Qengjit të Perëndisë. Gjoni në Botën e Vjetër dhe Nefi në Botën e Re dëshmuan për “Qengji[n e] Perëndisë”34, “po, madje Birin e Atit të Amshuar, … Shëlbuesin e botës”35.

Abinadi dëshmoi për flijimin shlyes të Jezu Krishtit: “Ne të gjithë, si dele, kemi shkuar në udhën e gabuar; secili prej nesh ka vajtur në udhën e vet; dhe Zoti ka vënë mbi të, paudhësi[n]ë e ne të gjithëve”36. Alma e quajti flijimin e madh dhe të fundit të Birit të Perëndisë “një gjë [që] ka rëndësi më të madhe mbi të gjitha të tjerat”. Alma na nxiti: “K[i]ni besim në Qengjin e Perëndisë”; “ejani dhe mos kini frikë”37.

Një mikeshë e shtrenjtë më tregoi se si e fitoi dëshminë e saj të çmuar për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ajo u rrit duke besuar se mëkati gjithmonë sillte ndëshkim të madh, që ne e mbanim të vetëm. Ajo iu përgjërua Perëndisë që të kuptonte mundësinë e faljes hyjnore. Ajo u lut për ta kuptuar e për ta ditur se si Jezu Krishti mund t’i falë ata që pendohen, se si mëshira mund ta kënaqë drejtësinë.

Një ditë, lutja e saj mori përgjigje në një përvojë shndërruese nga ana shpirtërore. Një i ri i dëshpëruar doli me vrap nga një dyqan ushqimesh duke mbajtur dy trasta me ushqime të vjedhura. Ai vrapoi drejt një rruge plot njerëz, i ndjekur nga shitësi i dyqanit, i cili e kapi dhe filloi të bërtiste e të zihej. Në vend që ta gjykonte të riun e frikësuar si hajdut, mikesha ime u mbush papritur me dhembshuri të madhe për të. Pa frikë ose shqetësim për sigurinë e vet, ajo eci drejt dy burrave që po grindeshin. Ajo papritur tha fjalët: “Do të paguaj unë për ushqimet. Të lutem lëre të shkojë. Të lutem më lër të paguaj për ushqimet.”

E nxitur nga Fryma e Shenjtë dhe e mbushur me një dashuri që nuk e kishte ndier kurrë më parë, mikesha ime tha: “Gjithçka doja të bëja ishte ta ndihmoja dhe ta shpëtoja të riun”. Mikesha ime tha se filloi ta kuptonte Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij – mënyrën se si dhe arsyen përse me dashuri të pastër e të përsosur Jezu Krishti do të flijohej me dëshirë që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i saj dhe arsyen përse ajo e donte Atë të ishte ashtu.38

S’është çudi që ne këndojmë:

Bariu i mir’ po kërkon,

T’humburit qengja kërkon,

Kur ata sillen plot me g’zim,

Pa fund çmimi që shpëton.39

Si Qengji i Perëndisë, Shpëtimtari ynë e di kur ndihemi të vetmuar, të nënvlerësuar, të pasigurt ose të frikësuar. Në vegim Nefi pa fuqinë e Qengjit të Perëndisë që “zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit”. Edhe pse të “shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës, … ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”40.

Ky premtim shprese dhe ngushëllimi përfshin edhe kohën tonë.

A jeni anëtari i vetëm i Kishës në familjen, shkollën, punën ose komunitetin tuaj? A duket nganjëherë e vogël ose e izoluar dega juaj? A jeni shpërngulur në një vend të ri, ndoshta me një gjuhë ose zakone të panjohura? Ndoshta rrethanat e jetës suaj kanë ndryshuar dhe tani po ballafaqoheni me gjërat që kurrë nuk i mendonit të mundshme. Shpëtimtari ynë na siguron, pavarësisht nga rrethanat tona, kushdo qofshim ne, me fjalët e Isaias: “Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre”41.

Pamja
Bariu i Mirë duke mbledhur delet e Tij

Vëllezër e motra, Bariu ynë i Mirë na thërret me zërin e Tij dhe emrin e Tij. Ai kërkon, mbledh dhe vjen te populli i Tij. Nëpërmjet profetit të Tij të gjallë dhe secilit prej nesh, Ai i fton të gjithë të gjejnë paqe, qëllim, shërim dhe gëzim në plotësinë e ungjillit të Tij të rivendosur dhe në shtegun e Tij të besëlidhjeve. Nëpërmjet shembullit, Ai u mëson barinjve të Izraelit të japin shërbesë me dashurinë e Tij.

Si Qengji i Perëndisë, misioni hyjnor i Jezusit u parashugurua dhe u prit me gëzim nga apostujt e profetët. Shlyerja e Tij, e pafundme dhe e përjetshme, është thelbi i planit të lumturisë dhe qëllimi i krijimit. Ai na siguron që Ai na mban pranë zemrës së Tij.

Të dashur vëllezër e motra, dëshirofshim të jemi “pasuesit e përulur të Perëndisë dhe Qengjit”42, që ndoshta një ditë t’i kemi emrat tanë të shkruar në librin e jetës së Qengjit43, të këndojmë këngën e Qengjit44, të ftohemi në gostinë e Qengjit45.

Si Bariu dhe Qengji, Ai bën thirrje: “Ejani sërish ‘në njohurinë e vërtetë … [të] Shëlbuesit [tuaj], … bariut [tuaj] të madh dhe të vërtetë’”46. Ai premton se “me anë të hirit të tij [ne] mund të bëhe[m]i të përsosur në Krisht[in]”47.

Në këtë periudhë Pashke ne e përlëvdojmë Atë:

“I denjë është Qengji!”48

“Hosana Perëndisë dhe Qengjit!”49

Unë dëshmoj për të, Bariun tonë të Mirë të përsosur, Qengjin e përkryer të Perëndisë. Ai na thërret me emrin tonë, në emrin e Tij – madje emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit – amen.