Konferenca e Përgjithshme
A po Funksionon Plani?
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


A po Funksionon Plani?

Unë dëshmoj se plani i lumturisë funksionon. Ai u krijua nga Ati juaj Qiellor, i cili ju do.

A po funksionon plani?

Kohët e fundit pata një bashkëbisedim me një të ri në moshë madhore që shërbeu në një mision disa vjet më parë dhe tani ishte i përfshirë në punën e tij profesionale. Në njëfarë mënyre, jeta po i shkonte mirë. Por besimi po i dobësohej. Ai po fundosej në një det dyshimesh për Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij. Ai shpjegoi se nuk po i merrte bekimet që i priste nga ungjilli i rivendosur. Nuk e ndiente se plani i lumturisë po funksiononte në jetën e tij.

Mesazhi im sot është për të gjithë ata që mund të kenë ndjenja të ngjashme. U flas atyre që dikur e “ndie[n] të këndoni[n] këngën e dashurisë shëlbuese” por nuk “ndihen kështu tani”1.

Ati ynë Qiellor ka përgatitur një plan të mrekullueshëm për lumturinë tonë të përjetshme. Por kur jeta nuk shpaloset në mënyrën që shpresonim, mund të duket se plani nuk po funksionon.

Ndoshta ndihemi ashtu siç u ndien dishepujt e Jezusit kur ishin në barkë, “në mes të detit; dhe përplase[shin] nga valët sepse era … ishte [në të] kundërt”2.

Atëherë, shumë herët në mëngjes:

“Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe … filluan të bërtasin nga frika;

por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ‘Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!’

Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’.

Ai tha: ‘Eja!’ Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti …: ‘O Zot, shpëtomë!’.

Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ‘O njeri besimpak, pse dyshove?’”3

A mund t’ju tregoj tre parime që i mësoj nga Pjetri? Lutem që këto parime mund ta ndihmojnë këdo që ndien se plani i lumturisë nuk po funksionon në jetën e vet.

Së pari, veproni me besim te Jezu Krishti.

Mahnitem nga besimi i Pjetrit. Me ftesën e thjeshtë të Jezusit: “Eja!”, ai zbriti nga barka që lëkundej në stuhi. Dukej se ai e dinte që nëse Jezu Krishti e ftonte të bënte diçka, ai mundej ta bënte atë.4 Pjetri kishte mirëbesim te Shpëtimtari më shumë sesa mirëbesonte te barka e vet. Dhe ai besim i dha fuqi për të vepruar me guxim gjatë një situate stresuese dhe frikësuese.

Besimi i Pjetrit më kujton një përvojë që e dëgjova nga Plaku Hose L. Alonso. Pak kohë pasi ndërroi jetë biri i Plakut Alonso, i cili la një familje me fëmijë të vegjël, Plaku Alonso i dëgjoi fëmijët duke folur.

“Çfarë do të bëjmë?” – pyetën ata.

Një bijë nëntëvjeçare u përgjigj: “Babi është mirë. Ai po predikon ungjillin e Jezu Krishtit.”

Ashtu si Pjetri, kjo vajzë e vogël pa përtej sfidave të saj dhe mirëbesoi te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Besimi te Shpëtimtari sjell paqe dhe forcë për të shkuar përpara.

Nëse e hidhni vështrimin pas në jetën tuaj, besoj që do të shihni se keni ushtruar besim shumë herë. Bashkimi me Kishën ishte një veprim besimi. Të folurit me Atin Qiellor në lutje është një veprim besimi. Leximi i shkrimeve të shenjta është një veprim besimi. Dëgjimi i mesazhit tim në këtë konference të përgjithshme është një veprim besimi. Sikurse ka thënë edhe Presidenti Rasëll M. Nelson: “Mos e zvogëloni besimin që e keni tashmë”5.

Një mësim tjetër që e mësoj nga Pjetri, është ky:

Në kohë shqetësimi, drejtohuni te Jezu Krishti menjëherë.

Teksa eci drejt Shpëtimtarit, Pjetri u frikësua nga era dhe filloi të fundosej. Por kur Pjetri e kuptoi se çfarë po ndodhte, ai nuk u përpoq të shkelte mbi ujë vetë apo të notonte drejt barkës. Në vend që të largohej nga besimi i tij te Krishti, ai u kap edhe më fort, duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”

“Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, [dhe] e zuri.”6

Ne të gjithë përballemi me erëra të forta që mund ta tundin besimin tonë dhe të na bëjnë të fundosemi. Kur kjo ndodh, ju lutem, mbajeni mend se plani i Atit Qiellor për lumturinë ka një emër tjetër – plani i shëlbimit. Plani nuk ishte që ne të rrëshqitnim ëmbël përmes jetës, pa u penguar kurrë, pa u fundosur kurrë, gjithmonë me një buzëqeshje në fytyrë. Ati Qiellor e dinte se do të kishim nevojë për t’u shëlbuar. Kjo është arsyeja përse Ai përgatiti planin e shëlbimit.7 Kjo është arsyeja përse dërgoi një Shëlbues. Kur hasim vështirësi, për çfarëdo arsye, kjo nuk do të thotë që plani nuk po funksionon. Ajo është koha kur plani na nevojitet më së shumti!

Në ato çaste, ndiqeni shembullin e Pjetrit. Drejtohuni te Shpëtimtari menjëherë.

“Tani është koha dhe dita e shpëtimit tuaj; … Mos e shtyni ditën e pendimit tuaj.”8

Pavarësisht se ku jemi dhe ku kemi qenë, pendimi është udha që na pret. Presidenti Nelson ka dhënë mësim:

“Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. …

Qoftë nëse po lëvizni me zell përgjatë shtegut të besëlidhjeve, keni rrëshqitur apo keni dalë nga shtegu i besëlidhjeve, ose as nuk mund ta shihni shtegun nga vendi ku jeni tani, unë ju përgjërohem të pendoheni. Përjetojeni fuqinë forcuese të pendimit të përditshëm – të bërjes dhe të të qenit pak më i mirë çdo ditë.”9

Të vijmë te Krishti do të thotë më shumë sesa thjesht të mendojmë për Të, apo të flasim për Të, ose madje ta duam Atë. Do të thotë ta ndjekim Atë. Do të thotë të jetojmë sipas mënyrës që na mëson Ai të jetojmë. Dhe për ne të gjithë, ajo do të thotë të pendohemi, pa vonesë.

Njëra nga bijat e mia dikur punonte në qendrën e trajnimit të misionarëve. Më tregoi për një misionar të cilit i dha mësim, që i tha në mirëbesim se nuk ishte i sigurt që Libri i Mormonit ishte i vërtetë. Ishte lutur e lutur për një dëshmi shpirtërore, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Bija ime u lut që të dinte se çfarë duhej të bënte për ta ndihmuar këtë misionar. Mbresa që mori, ishte se shkrimet e shenjta nuk u dhanë vetëm që të mund t’i lexojmë dhe të fitojmë dëshmi; ato gjithashtu u dhanë për të na mësuar që të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Bija ime ia shprehu këtë mendim misionarit.

Më vonë, ajo e pa këtë misionar përsëri dhe ai dukej shumë më i lumtur. Ai i tha se më në fund kishte marrë dëshmi se Libri i Mormonit është i vërtetë. E dinte se kjo dëshmi erdhi ngaqë po bënte përpjekje më të madhe për të bërë atë që na mëson Libri i Mormonit.

Le ta ndjekim shembullin e Pjetrit për t’u drejtuar te Shpëtimtari gjatë kohëve të shqetësimeve. Ndiqeni Jezu Krishtin në vend që të mbështeteni tek urtësia dhe forca juaj vetjake. Pavarësisht se për sa kohë jeni përpjekur të shkelni mbi ujë pa Të, nuk është kurrë shumë vonë për të arritur tek Ai. Plani funksionon!

Një parim i tretë që e mësoj nga Pjetri dhe përvoja e tij, është ky:

Përuluni përpara Zotit dhe Ai do t’ju ngrejë drejt gjërave më të mëdha.

Pjetri kishte treguar besim, si duke ecur mbi ujë edhe duke iu drejtuar Shpëtimtarit kur kishte nevojë për ndihmë. Megjithatë, Shpëtimtari pa te Pjetri potencial për të arritur shumë më tepër. “O njeri besimpak”, – tha Ai, “pse dyshove?”10

Pjetri mund të ishte ndier i fyer nga ky qortim. Por ai e pranoi me përulësi. Ai vazhdoi të kërkonte besim më të madh te Jezu Krishti. Përmes shumë përvojave të tjera që ua ndërtuan besimin, disa prej tyre tejet të vështira, Pjetri përfundimisht u bë udhëheqësi i fortë si shkëmb që Zoti kishte nevojë që ai të ishte. Ai përmbushi gjëra të mëdha në shërbimin ndaj Zotit.

Çfarë gjërash të mëdha dëshiron Zoti që ju të përmbushni? Në Kishën dhe mbretërinë e Tij, ka shumë mundësi për të shërbyer dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari. Ai dëshiron që ju të jeni pjesë e punës së Tij të madhërishme. Kurrë nuk do të bëhet plani i lumturisë më real për ju sesa kur i ndihmoni të tjerët që ta jetojnë atë.

Gjatë ndërtimit të besimit tim, këto fjalë të Almës ma ndryshuan jetën: “Të bekuar janë ata që përulen, pa qenë të detyruar të përulen”11. Le ta vendosim veten tonë përulësisht në një gjendje ku Jezusi mund të na lartësojë, udhëheqë dhe të bëjmë më të mirën me aftësitë tona.12

Unë dëshmoj se plani i lumturisë funksionon. Ai u krijua nga Ati juaj Qiellor, i cili ju do. Ai funksionon sepse Jezu Krishti e mposhti mëkatin dhe vdekjen nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Ejani tek Ai, ndiqeni Atë dhe “plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju”13. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.