Konferenca e Përgjithshme
Material Filmik: “Ju Jeni Gratë që Ai Parashikoi”
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Material Filmik: “Ju Jeni Gratë që Ai Parashikoi”

Në vitin 1979, Presidenti Spenser W. Kimball ishte në spital dhe i kërkoi bashkëshortes së tij, Kamilës, që ta lexonte fjalimin e tij në një mbledhje të përgjithshme të grave.

Motra Kamila Kimball: “Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë për shkak se shumë prej grave të mira të botës (tek të cilat ka shpesh një ndjenjë të brendshme shpirtshmërie) do t’i afrohen Kishës të shumta në numër. Kjo do të ndodhë në masën që gratë e Kishës reflektojnë drejtësi dhe qartësi shprehjeje në jetën e tyre dhe në masën që gratë e Kishës vërehen si të veçanta e të ndryshme, në mënyra të lumtura, nga gratë e botës.”1

Presidenti Rasëll M. Nelson: “Motrat e mia të dashura, ju që jeni bashkëpunëtoret tona kryesore gjatë kësaj skene që po shpaloset, dita të cilën e parashikoi Presidenti Kimball, është sot. Ju jeni gratë që ai parashikoi! Virtyti, drita, dashuria, dituria, guximi, karakteri, besimi dhe jeta juaj e drejtë do të tërheqin gra të mira nga bota, së bashku me familjet e tyre, drejt Kishës në përmasa të pashembullta!

Ne … kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj. Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia! …

… Cilado qoftë thirrja juaj, cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ne kemi nevojë për mbresat tuaja, pikëpamjet tuaja dhe frymëzimin tuaj. Ne kemi nevojë që ju të flisni me guxim dhe haptazi në këshillat e lagjeve dhe të kunjeve. Ne kemi nevojë që çdo motër e martuar të flasë si ‘një bashkëpjesëmarrëse frytdhënëse dhe e plotë’ teksa bashkoheni me bashkëshortin tuaj në qeverisjen e familjes suaj. Të martuara ose të pamartuara, ju motra zotëroni aftësi të dallueshme dhe intuitë të veçantë që i keni marrë si dhunti nga Perëndia. Ne, vëllezërit, nuk mund ta kopjojmë ndikimin tuaj të pashoq.

Ne e dimë se veprimi kulmor i gjithë krijimit ishte krijimi i gruas! Na duhet forca juaj! …

… Ju falënderoj, motrat e mia të dashura, dhe ju bekoj që të lartësoheni në përmasën tuaj të plotë, ta përmbushni masën e krijimit tuaj, teksa ecim krah për krah në këtë punë të shenjtë. Së bashku ne do të ndihmojmë që ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.”2

Shënime

  1. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 222–223.

  2. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 96, 97.