Konferenca e Përgjithshme
Krishti Shëron Atë që Është Thyer
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Krishti Shëron Atë që Është Thyer

Ai mund të shërojë marrëdhënie të thyera me Perëndinë, marrëdhënie të thyera me të tjerët dhe pjesë të thyera të vetes sonë.

Disa vite më parë, në një bashkim familjar, nipi im Uilliami, i cili në atë kohë ishte 8 vjeç, e pyeti birin tonë më të madh, Brajtonin, nëse donte të luante me top me të. Brajtoni plot entuziazëm u përgjigj: “Po! Do të më pëlqente shumë!” Pasi kishin ca kohë që luanin, Brajtonit i shpëtoi topi dhe pa dashje theu një nga vazot antike të gjyshërve të tij.

Brajtoni u ndje tmerrësisht keq. Teksa ai filloi të mblidhte copat e thyera, Uilliami shkoi te kushëriri i tij dhe e preku në kurriz plot dashuri. Më pas ai e ngushëlloi: “Mos u shqetëso, Brajton. Një herë theva diçka te shtëpia e gjyshes dhe gjyshit, dhe gjyshja më hodhi krahun dhe tha: “Nuk ka problem, Uilliam. Ti je vetëm pesë vjeç.”

Së cilës Brajtoni iu përgjigj: “Por Uilliam, unë jam 23 vjeç!”

Ne mund të mësojmë shumë nga shkrimet e shenjta rreth mënyrës se si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, do të na ndihmojë të përballemi me sukses ndaj gjërave në jetën tonë që janë të thyera, pavarësisht nga mosha jonë. Ai mund të shërojë marrëdhënie të thyera me Perëndinë, marrëdhënie të thyera me të tjerët dhe pjesë të thyera të vetes sonë.

Marrëdhënie të Thyera me Perëndinë

Ndërkohë që Shpëtimtari po jepte mësim në tempull, një grua u soll tek Ai nga skribët dhe farisenjtë. Nuk e dimë historinë e saj të plotë, veç faktit që ishte “kapur … duke shkelur kurorën”1. Shpesh shkrimet e shenjta japin vetëm një pjesë të vogël të jetës së dikujt dhe, bazuar tek ajo pjesë, ne ndonjëherë kemi prirjen ta ekzaltojmë apo dënojmë atë. Jeta e askujt nuk mund të kuptohet nga një çast madhështor ose nga një zhgënjim publik për të ardhur keq. Qëllimi i këtyre rrëfimeve të shkrimit të shenjtë është që të na ndihmojnë të shohim se Jezu Krishti ishte përgjigjja atëherë dhe Ai është përgjigjja tani. Ai e di historinë tonë të plotë dhe e di saktësisht çfarë vuajmë ne, si dhe aftësitë dhe cenueshmërinë tonë.

Përgjigjja e Krishtit për këtë bijë të çmuar të Perëndisë ishte: “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më”2. Një mënyrë tjetër për të thënë “shko dhe mos mëkato më” mund të jetë “shko përpara dhe ndrysho”. Shpëtimtari po e ftonte atë që të pendohej: të ndryshonte sjelljen e saj, lidhjet e saj, mënyrën se si ndihej për veten, zemrën e saj.

Për shkak të Krishtit, vendimi ynë për të “shkuar përpara dhe ndryshuar” mund të na lejojë gjithashtu të “shkojmë përpara dhe të shërohemi”, sepse Ai është burimi për të shëruar gjithçka që është thyer në jetën tonë. Si Ndërmjetësi dhe Avokati i madhërishëm me Atin, Krishti i shenjtëron dhe rivendos marrëdhëniet e thyera – më e rëndësishmja, marrëdhënien tonë me Perëndinë.

Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it e bën të qartë se gruaja e ndoqi vërtet këshillën e Shpëtimtarit dhe e ndryshoi jetën e saj: “Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e tij”3. Është për të ardhur keq që ne nuk e dimë emrin e saj, apo hollësi të tjera rreth jetës së saj pas këtij çasti, sepse do të ketë kërkuar vendosmëri, përulësi dhe besim të madh te Jezu Krishti që ajo të pendohej dhe të ndryshonte. Ajo që dimë, është se ajo ishte një grua që “besoi në emrin e tij”, me kuptueshmërinë se ajo nuk ishte përtej shtrirjes së flijimit të Tij të pafundmë dhe të përjetshëm.

Marrëdhënie të Thyera me të Tjerët

Te Lluka, kapitulli 15 ne lexojmë një shëmbëlltyrë për një burrë që kishte dy bij. Biri më i ri i kërkoi babait të vet trashëgiminë e tij, mori udhën në një vend të largët dhe e shpërdoroi të gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.4

“Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

Atëherë erdhi në vete dhe tha: ‘Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu.’

U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe [pati] dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.”5

Fakti që babai vrapoi drejt të birit, besoj se është domethënës. Dhimbja vetjake që i biri i kishte shkaktuar babait të tij, ishte pa dyshim tepër e thellë. Po kështu, babai mund të ketë qenë vërtet i turpëruar nga veprimet e të birit.

Pra, pse babai nuk priti që i biri të kërkonte falje? Pse nuk priti që të bënte një ofertë dëmshpërblimi dhe pajtimi përpara se të jepte falje dhe dashuri? Kjo është diçka që e kam përsiatur shpesh.

Zoti na mëson se t’i falim të tjerët është një urdhërim universal: “Unë, Zoti, do të fal [atë që] do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit”6. Ofrimi i faljes mund të kërkojë guxim e përulësi të jashtëzakonshme. Mund të kërkojë gjithashtu kohë. Ai kërkon që ne ta vendosim besimin dhe mirëbesimin tonë te Zoti ndërsa marrim përsipër përgjegjësi për gjendjen e zemrës sonë. Këtu qëndron rëndësia dhe fuqia e lirisë sonë të zgjedhjes.

Me përshkrimin e këtij babai në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, Shpëtimtari theksoi se falja është një nga dhuratat më fisnike që mund t’i japim njëri-tjetrit dhe më në veçanti vetes sonë. Heqja e barrës nga zemra jonë nëpërmjet faljes nuk është gjithmonë e lehtë, por nëpërmjet fuqisë aftësuese të Jezu Krishtit, është e mundur.

Pjesë të Thyera të Vetes Sonë

Te Veprat e Apostujve, kapitulli 3 ne mësojmë rreth një burri që kishte lindur i çalë dhe “të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e quajtur ‘E bukura’, për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull”7.

Lypësi i çalë ishte mbi 40 vjeç8 dhe e kishte kaluar të gjithë jetën e vet në një gjendje dëshirimi dhe pritjeje që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë, sepse ai varej nga bujaria e të tjerëve.

Një ditë, ai pa se “Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, [dhe] u kërkoi lëmoshë.

Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: ‘Na shiko’.

Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.

Por Pjetri tha: ‘Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!’

Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.

Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.”9

Shpesh ne mund ta gjejmë veten, si lypësi i çalë në portën e tempullit, me durim, ose ndonjëherë me padurim, “[duke pritur për] Zotin”10. Duke pritur për t’u shëruar fizikisht ose emocionalisht. Duke pritur përgjigje që depërtojnë në pjesën më të thellë të zemrës sonë. Duke pritur për një mrekulli.

Pritja në Zotin mund të jetë një vend i shenjtëruar – një vend dëlirësimi dhe përmirësimi ku ne mund të arrijmë ta njohim Shpëtimtarin në një mënyrë thellësisht vetjake. Pritja në Zotin mund të jetë gjithashtu një vend ku e gjejmë veten duke pyetur: “O, Perëndi, ku je ti?”11 – një vend ku këmbëngulja shpirtërore na kërkon të ushtrojmë besim në Krisht duke e zgjedhur Atë qëllimisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. E njoh këtë vend dhe e kuptoj këtë lloj pritjeje.

Kalova orë të panumërta në një institucion për trajtimin e kancerit, e bashkuar në vuajtjen time me shumë njerëz të cilët ishin të etshëm të shëroheshin. Disa jetuan; të tjerë jo. Mësova në një mënyrë të thellë se çlirimi nga sprovat tona është i ndryshëm për secilin prej nesh dhe prandaj përqendrimi ynë duhet të jetë më pak te mënyra se si çlirohemi dhe më shumë te Vetë Çlirimtari. Theksi ynë duhet të jetë gjithmonë te Jezu Krishti!

Të ushtrojmë besim te Krishti do të thotë të mirëbesojmë jo vetëm në vullnetin e Perëndisë, por edhe në kohën e Tij. Sepse Ai e di saktësisht se për çfarë kemi nevojë dhe saktësisht se kur kemi nevojë për të. Kur i nënshtrohemi vullnetit të Zotit, ne përfundimisht do të marrim shumë më tepër nga ajo që kishim dëshiruar.

Miqtë e mi të dashur, ne të gjithë kemi diçka në jetën tonë që është e thyer, e cila duhet ndrequr, rregulluar ose shëruar. Ndërsa kthehemi te Shpëtimtari, ndërsa e përputhim zemrën dhe mendjen tonë me Të, ndërsa pendohemi, Ai vjen te ne “me shërimin në krahët e tij”12, na i hedh krahët me dashuri dhe thotë: “Nuk ka problem. Ti je vetëm 5 ose 16, 23, 48, 64, 91 vjeç. Mund ta rregullojmë këtë së bashku!”

Unë dëshmoj se nuk ka asgjë në jetën tuaj që është e thyer, e cila është përtej fuqisë kuruese, shëlbuese dhe aftësuese të Jezu Krishtit. Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Atij që është i fuqishëm të shërojë, Jezu Krishtit, amen.