Konferenca e Përgjithshme
Shtegu i Besëlidhjeve: Udha drejt Jetës së Përjetshme
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Shtegu i Besëlidhjeve: Udha drejt Jetës së Përjetshme

Shtegu drejt përsosurisë është shtegu i besëlidhjeve dhe Jezu Krishti është qendra e të gjitha ordinancave dhe besëlidhjeve.

Një mbret i fuqishëm dëshironte që i biri të sundonte mbi njërën nga mbretëritë e tij. Princit iu desh të mësonte dhe të bëhej më i ditur për t’u ulur në fron. Një ditë, mbreti u takua me princin dhe i tregoi planin e tij. Ata ranë dakord që princi të shkonte në një qytet tjetër dhe të fitonte përvojë. Ai do të haste vështirësi, si edhe do të gëzonte shumë gjëra të mira atje. Më pas, mbreti e dërgoi në qytet, ku pritej që princi të vërtetonte besnikërinë e tij ndaj mbretit dhe të tregonte se ishte i kualifikuar për të marrë privilegjet dhe përgjegjësitë që mbreti kishte ruajtur për të. Princit iu dha liria të zgjidhte a do t’i merrte ose jo këto privilegje dhe përgjegjësi, në varësi të dëshirave dhe besnikërisë së tij. Jam i sigurt se doni të dini se çfarë i ndodhi princit. A u kthye ai për të trashëguar mbretërinë?

Të dashur vëllezër dhe motra, secili prej nesh është një princ ose princeshë. Ne jemi dërguar në vdekshmëri nga një Atë i dashur Qiellor për të gëzuar bekimin e një trupi që do të bëhet i pavdekshëm nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Nga ne pritet të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë duke provuar se do t’i “bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do [të na] urdhërojë” (Abraham 3:25).

Për të na ndihmuar, Shpëtimtari erdhi për të na shëlbuar dhe treguar shtegun e kthimit te Perëndia. Fëmijët e Perëndisë ftohen të vijnë te Shpëtimtari dhe të përsosen në Të. Në shkrimet e shenjta, e gjejmë të përsëritur mbi 90 herë ftesën që të vijmë te Zoti dhe më shumë se gjysma e tyre janë ftesa vetjake nga Vetë Zoti. Pranimi i ftesës së Shpëtimtarit do të thotë marrja e ordinancave të Tij dhe mbajtja e besëlidhjeve tona me Të. Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6) dhe Ai na fton “të gjithë[ve] të vij[m]ë tek ai dhe të marri[m] pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33).

Të mësuarit dhe mësimdhënia e ungjillit nga ana jonë e thellojnë kthimin tonë në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ata. Ndonëse nuk janë zbuluar të gjitha gjërat në lidhje me “koh[ën] dhe mënyr[ën] e përpiktë në të cilat [do të] jepen bekimet e ekzaltimit”, prapëseprapë na është dhënë siguri për to (M. Rasëll Ballard, “Shpresë te Krishti”, Liahona, maj 2021, f. 55).

Alma, prifti i lartë, duke dhënë mësim në tokën e Zarahemlës, tregoi për ftesën e thellë nga Jezu Krishti:

“Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj.

Po, ai thotë: Ejani tek unë dhe ju do të hani nga fruti i pemës së jetës” (Alma 5:33–34).

Vetë Shpëtimtari na fton të vijmë tek Ai dhe të marrim mbi vete zgjedhën e Tij që të mund të kemi prehje në këtë botë të trazuar (shih Mateu 11:28–29). Ne vijmë te Krishti duke “ushtr[uar] besimi[n] te[k] [Ai], pendimin çdo ditë, bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë kur ne marrim ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, si dhe durimin deri në fund duke i mbajtur ato besëlidhje” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2.1, ChurchofJesusChrist.org). Shtegu drejt përsosurisë është shtegu i besëlidhjeve dhe Jezu Krishti është qendra e të gjitha ordinancave dhe besëlidhjeve.

Mbreti Beniamin na mësoi se për shkak të besëlidhjeve që bëjmë, ne bëhemi bij dhe bija të Krishtit, i cili na ka lindur shpirtërisht dhe nën kryen e Tij bëhemi të lirë, sepse “nuk ka emër tjetër nëpërmjet të cilit të vijë shpëtimi” (shih Mosia 5:7–8). Ne shpëtohemi ndërsa durojmë deri në fund duke “ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë” (2 Nefi 31:16). Nefi këshilloi se nuk bëhet gjithçka thjesht duke hyrë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar; ne “duhet të shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” (shih 2 Nefi 31:19–20).

Doktrina e Krishtit na ndihmon ta gjejmë e të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe ungjilli është rregulluar në mënyrë të atillë që bekimet e premtuara të Zotit të merren nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta. Profeti i Perëndisë, Presidenti Rasëll M. Nelson, na këshilloi në transmetimin e tij televiziv, më 16 janar 2018, që të “vazhdo[jmë] në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo. … Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në një tempull, të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme” (“Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7).

Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me asnjë prej mbajtësve besnikë të besëlidhjes apo t’ia mohojë bekimet e Tij të premtuara të jetës së përjetshme atyre. Dhe teksa i nderojmë besëlidhjet e shenjta, ne afrohemi më shumë me Shpëtimtarin. Plaku Dejvid A. Bednar na dha mësim dje se besëlidhjet dhe ordinancat e ungjillit veprojnë si një busull në jetën tonë për të na dhënë drejtim thelbësor për të ardhur te Krishti dhe për t’u bërë më shumë si Ai.

Besëlidhjet shenjojnë shtegun për t’u kthyer te Perëndia. Ordinancat e pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, shugurimit në priftëri dhe sakramentit, na udhëheqin drejt tempullit të Zotit për të marrë nga ordinancat e Tij të ekzaltimit.

Dëshiroj të përmend dy gjëra që Shpëtimtari ynë i theksoi për të na ndihmuar që t’i mbajmë me besnikëri besëlidhjet:

  1. Fryma e Shenjtë mund të na mësojë, të na kujtojë mësimet e Shpëtimtarit dhe të qëndrojë me ne përgjithmonë (shih Gjoni 14:16, 26). Ai mund të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm për të na udhërrëfyer në shtegun e besëlidhjeve. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96).

  2. Shpëtimtari vendosi ordinancën e sakramentit, që ne të mund ta kujtojmë gjithmonë Atë dhe të kemi Shpirtin e Tij me vete. Pagëzimi hap portën drejt jetës së përjetshme dhe sakramenti na ndihmon të shkojmë përpara me vendosmëri përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Ndërsa marrim sakramentin, ai do të jetë një dëshmi për Atin që ne gjithmonë e kujtojmë Birin e Tij. Dhe ndërsa e kujtojmë gjithmonë Atë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, ne do të kemi Shpirtin e Tij me vete. Bashkë me këtë premtim, Zoti e përtërin heqjen e premtuar të mëkateve ndërsa pendohemi përulësisht për to.

Për t’u qëndruar besnikë besëlidhjeve tona, ne duhet të përpiqemi ta kemi gjithmonë Shpirtin që të na përgatitë për ta marrë denjësisht sakramentin dhe, po ashtu, ta marrim rregullisht sakramentin për ta pasur gjithmonë Shpirtin me vete.

Kur vajza jonë ishte pesë vjeçe, ajo kishte një makinë lodër me bateri dhe i pëlqente shumë ta ngiste nëpër shtëpi. Një mbrëmje, ajo erdhi tek unë dhe tha: “Babi, makina ime nuk ndizet më. A mund të marr pak benzinë nga makina jote për t’ia hedhur times që ajo të ndizet prapë? Ndoshta ka nevojë për benzinë si makina jote për t’u ndezur.”

Më vonë vura re se i kishte rënë bateria, ndaj i thashë se do ta ndiznim atë pas një ore. Me shumë ngazëllim, ajo tha: “Po! Do ta çojmë në pikën e karburantit.” Thjesht e lidha baterinë me një burim elektrik për t’u mbushur dhe pas një ore ajo mundi ta ngiste makinën, e cila mori energji nga bateria e mbushur. Më pas ajo mësoi se është e rëndësishme që të rimbushet gjithmonë bateria duke e lidhur me një burim elektrik.

Ndërsa vajza jonë mësoi për lidhjen midis baterisë dhe burimit të energjisë për të ndezur makinën e saj lodër, ashtu mësojmë edhe ne për Jezu Krishtin, sakramentin dhe Shpirtin. Ne kemi nevojë për Shpirtin që të na ndihmojë të manovrojmë gjatë vdekshmërisë ndërsa mbajmë me besnikëri besëlidhjet, dhe kemi nevojë për sakramentin që t’i japë energji qenies sonë shpirtërore. Përtëritja e besëlidhjes sonë të pagëzimit dhe marrja e sakramentit nxitin besnikëri ndaj të gjitha besëlidhjeve të tjera. Një fund i lumtur na sigurohet ndërsa e studiojmë me lutje dhe e nderojmë ftesën e Shpëtimtarit dhe gëzojmë bekimet e Tij të premtuara. Ai tha: “Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në [d]itën time të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 59:9).

Unë dëshmoj se mbajtësve të besëlidhjeve u premtohet “paqe në këtë botë dhe jetë [e] përjetshme në botën që vjen” (Doktrina e Besëlidhje 59:23). Jap dëshmi se ndërsa i merrni rregullisht emblemat e Shpëtimtarit nëpërmjet sakramentit, do të keni Shpirtin e Tij që t’ju udhërrëfejë në shtegun e besëlidhjeve dhe që t’u qëndroni besnikë besëlidhjeve tuaja. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.