Konferenca e Përgjithshme
Dhembshuria Jetëgjatë e Shpëtimtarit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Dhembshuria Jetëgjatë e Shpëtimtarit

Shprehja e dhembshurisë për të tjerët është thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit.

Një nga parimet më të spikatura, të dhëna mësim nga Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij në tokë, ishte trajtimi i të tjerëve me dhembshuri. Le të mendojmë thellë për këtë parim dhe zbatimin e tij praktik, duke marrë në shqyrtim rrëfimin e vizitës së Jezusit në shtëpinë e Simon Fariseut.

Ungjilli sipas Llukës tregon që një grua, e cila konsiderohej mëkatare, hyri në shtëpinë e Simonit ndërkohë që Jezusi ishte atje. Me pendesë të përulur, gruaja iu afrua Jezusit, ia lau këmbët me lot, ia fshiu me flokët e saj dhe më pas i puthi dhe i vajosi ato me një vaj të veçantë erëkëndshëm.1 Mikpritësi krenar, i cili e konsideronte veten më të lartë moralisht se gruaja, mendoi me vete me qortim dhe arrogancë: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare”2.

Qëndrimi i Fariseut, me mendimin se ishte më i shenjtë se të tjerët, e bëri atë të gjykonte padrejtësisht si Jezusin, ashtu edhe gruan. Por në gjithëdijeninë e Tij, Shpëtimtari i dinte mendimet e Simonit dhe, me urtësi të madhe, e sfidoi qëndrimin përçmues të Simonit, si edhe e qortoi atë për mungesën e mirësjelljes lidhur me mikpritjen në shtëpinë e tij të një të ftuari të veçantë si Shpëtimtari. Në fakt, qortimi i drejtpërdrejtë për fariseun nga Jezusi shërbeu si dëshmi se Jezusi vërtet zotëronte dhuntinë e profecisë dhe se kjo grua, me një zemër të penduar dhe të përulur, ishte penduar e falur për mëkatet e saj.3

Ashtu si shumë ngjarje të tjera gjatë shërbesës tokësore të Jezusit, ky rrëfim tregon edhe një herë se Shpëtimtari veproi me dhembshuri kundrejt atyre të cilët vinin tek Ai – pa dallim – dhe më veçanërisht kundrejt atyre që kishin më shumë nevojë për ndihmën e Tij. Pendesa dhe dashuria plot nderim që gruaja tregoi ndaj Jezusit ishin provë e pendimit të saj të sinqertë dhe e dëshirës për të marrë një heqje të mëkateve të saj. Gjithsesi, kompleksi i superioritetit i Simonit, i ndërthurur me zemrën e tij të ngurtësuar4, e penguan që të shprehte dashamirësi për atë shpirt të penduar dhe ai iu drejtua madje edhe Shpëtimtarit të botës me mospërfillje dhe përbuzje. Sjellja e tij vuri në dukje se mënyra e tij e jetesës nuk ishte më shumë sesa respektimi i rreptë dhe pa qëllim të vërtetë i rregullave dhe shfaqjeve sa për t’u dukur i bindjeve të tij nëpërmjet vetëmburrjes dhe shenjtërisë së rreme.5

Dhënia e shërbesës nga Jezusi plot dhembshuri dhe e përshtatur për gruan në këtë rrëfim paraqet një model të përsosur të mënyrës se si ne duhet të ndërveprojmë me fqinjin tonë. Shkrimet e shenjta kanë shembuj të panumërt të mënyrës se si Shpëtimtari, i nxitur nga dhembshuria e Tij e thellë dhe jetëgjatë, ndërveproi me njerëzit e kohës së Tij dhe i ndihmoi ata që po vuanin dhe ata që ishin “të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari”6. Ai ua zgjati dorën e Tij të mëshirshme atyre që kishin nevojë për lehtësim nga barrët e tyre, si fizikisht edhe shpirtërisht.7

Sjellja plot dhembshuri e Jezusit është e rrënjosur në dashurinë hyjnore8, domethënë, në dashurinë e Tij të pastër dhe të përsosur, që është thelbi i flijimit të Tij shlyes. Dhembshuria është një karakteristikë themeltare e atyre që përpiqen fort për shenjtërimin dhe kjo cilësi hyjnore ndërthuret me tipare të tjera të krishtera, të tilla si vajtimi me ata që vajtojnë dhe pasja e dashamirësisë, mëshirës e mirësisë.9 Shprehja e dhembshurisë për të tjerët është, në fakt, thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit dhe një provë dalluese e afërsisë sonë shpirtërore dhe emocionale me Shpëtimtarin. Për më tepër, ajo tregon nivelin e ndikimit që Ai ka mbi mënyrën tonë të jetesës, dhe paraqet madhështinë e shpirtrave tanë.

Është domethënëse të vërejmë se veprimet plot dhembshuri të Jezusit nuk ishin shfaqje rastësore ose të detyruara, nisur nga një listë detyrash për t’u kryer, por shprehje të përditshme të realitetit të dashurisë së Tij të kulluar për Perëndinë dhe fëmijët e Tij dhe të dëshirës së Tij jetëgjatë për t’i ndihmuar ata.

Jezusi ishte në gjendje t’i dallonte nevojat e njerëzve edhe nga larg. Prandaj nuk është e habitshme, për shembull, që menjëherë pasi shëroi shërbëtorin e njëfarë centurioni10, Jezusi udhëtoi nga Kapernaumi drejt qytetit të quajtur Nain. Ishte atje që Jezusi kreu një nga mrekullitë më të dhembshura të shërbesës së Tij tokësore, kur Ai e urdhëroi një djalë të vdekur, birin e vetëm të një nëne të ve, që të ngrihej dhe të jetonte. Jezusi e ndjeu jo vetëm vuajtjen e fortë të asaj nëne të mjerë, por edhe rrethanat e vështira të jetës së saj dhe Ai u mbush nga dhembshuria e mirëfilltë për të.11

Ashtu si ajo grua mëkatare dhe si e veja e Nainit, shumë njerëz brenda rrethit tonë të ndikimit po kërkojnë ngushëllim, vëmendje, përfshirje dhe çfarëdo ndihme që mund t’u ofrojmë atyre. Ne të gjithë mund të jemi mjete në duart e Zotit dhe të veprojmë me dhembshuri kundrejt njerëzve nevojtarë, ashtu siç bëri Jezusi.

Unë njoh një vajzë të vogël që u lind me buzë të çara shumë dhe një qiellzë të ndarë. Asaj iu desh të bënte operacionin e parë të një sërë operacionesh të shumta që në ditën e dytë të jetës së saj. Të nxitur nga një dhembshuri e mirëfilltë për ata që përjetojnë po të njëjtën sfidë, kjo vajzë dhe prindërit e saj përpiqen t’u japin përkrahje, mirëkuptim dhe ndihmë emocionale të tjerëve që përballen me këtë realitet të vështirë. Ata më shkruan kohët e fundit dhe më treguan: “Gjatë sfidës së bijës sonë, ne patëm mundësinë të takonim njerëz të mrekullueshëm të cilët kishin nevojë për ngushëllim, përkrahje dhe nxitje. Ca kohë më parë, bija jonë, e cila tani është 11 vjeçe, foli me prindërit e një foshnjëje me të njëjtën sfidë. Gjatë atij bashkëbisedimi, bija jonë për një çast e hoqi maskën që po e mbante për shkak të pandemisë, me qëllim që prindërit të mund të shihnin se ka shpresë, edhe pse foshnja ende ka për të bërë një udhë të gjatë nëpër disa vite të ardhshme që të rregullohet problemi. Ne ndihemi shumë mirënjohës për mundësinë që t’ua zgjatim dashamirësinë tonë atyre që vuajnë, sikurse bën Shpëtimtari për ne. E ndiejmë se e lehtësojmë dhembjen tonë sa herë që e lehtësojmë dhembjen e dikujt tjetër.”

Miqtë e mi të dashur, teksa përpiqemi fort dhe qëllimisht për ta përfshirë një qëndrim me dhembshuri në mënyrën tonë të jetës, sikurse na u dha shembull nga Shpëtimtari, ne vërtet do të bëhemi më të ndjeshëm ndaj nevojave të njerëzve. Me atë ndjeshmëri të shtuar, ndjenjat e interesimit dhe të dashurisë së mirëfilltë do të përshkojnë çdo veprim tonin. Zoti do t’i dallojë përpjekjet tona dhe ne sigurisht që do të bekohemi me mundësi që të bëhemi mjete në duart e Tij për t’i zbutur zemrat dhe për t’u sjellë lehtësim atyre “duart [e të cilëve] varen poshtë”12.

Qortimi i Jezusit ndaj Simon Fariseut gjithashtu e bëri të qartë se ne kurrë nuk duhet të bëjmë gjykime të ashpra dhe të rënda ndaj fqinjit tonë, sepse ne të gjithë kemi nevojë për kuptueshmëri dhe mëshirë për papërsosuritë tona nga Ati ynë i dashur Qiellor. A nuk ishte pikërisht kjo që dha mësim Shpëtimtari në një rast tjetër kur Ai tha: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?”13

Na nevojitet të marrim parasysh se nuk është e lehtë t’i kuptojmë të gjitha rrethanat që luajnë rol te qëndrimi apo reagimi i dikujt. Paraqitja e jashtme mund të jetë mashtruese dhe shpesh nuk përfaqëson një mënyrë të saktë matjeje të sjelljes së dikujt. Ndryshe nga unë dhe ju, Krishti është në gjendje t’i shohë qartësisht të gjithë aspektet e një situate të dhënë.14 Edhe duke i ditur të gjitha dobësitë tona sikurse i di Ai, Shpëtimtari nuk na dënon me nxitim, por vazhdon të punojë me ne plot dhembshuri gjatë gjithë kohës, duke na ndihmuar të heqim traun nga syri ynë. Jezusi gjithmonë shikon zemrën dhe jo pamjen e jashtme.15 Vetë Ai shpalli: “Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme”16.

Tani, merreni parasysh këshillën e urtë të Shpëtimtarit dhënë dymbëdhjetë dishepujve nefitë lidhur me këtë pyetje:

“Dhe ta dini se ju do të jeni gjykatësit e këtij populli, sipas gjykimit që do t’ju jap unë, i cili do të jetë i drejtë. Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”17

“Prandaj, unë do të doja që ju të jeni të përkryer, madje, sikurse jam unë, ose të përkryer si Ati juaj që është në qiell.”18

Në këtë kontekst, Zoti e vendos gjykimin mbi ata që marrin përsipër t’i gjykojnë padrejtësisht të metat e hamendësuara të të tjerëve. Me qëllim që të cilësohemi për të bërë gjykime të drejta, ne duhet të përpiqemi fort që të bëhemi si Shpëtimtari dhe që t’i shohim papërsosuritë e individëve me dhembshuri, madje nëpërmjet syve të Tij. Duke marrë parasysh që akoma kemi për të bërë një udhë të gjatë që të arrijmë përsosjen, ndoshta do të jetë më mirë nëse ulemi te këmbët e Jezusit dhe përgjërohemi për mëshirë për vetë papërsosuritë tona, siç bëri gruaja e penduar në shtëpinë e fariseut, dhe të mos harxhojmë kaq shumë kohë dhe energji duke ndrequr papërsosuritë e hamendësuara të të tjerëve.

Miqtë e mi të dashur, unë dëshmoj se, kur përpiqemi fort që ta përfshijmë shembullin e dhembshur të Shpëtimtarit në jetën tonë, aftësia jonë për t’i përgëzuar virtytet e fqinjëve tanë do të rritet dhe instinkti ynë i natyrshëm për të gjykuar papërsosuritë e tyre do të pakësohet. Afërsia jonë me Perëndinë do të rritet dhe sigurisht jeta jonë do të bëhet më e ëmbël, ndjenjat tona më të dhembshura dhe ne do të gjejmë një burim të pashtershëm lumturie. Ne do të njihemi si paqebërës19, fjalët e të cilëve janë fisnike si vesa e një mëngjesi pranveror.

Lutem që të bëhemi më të durueshëm dhe mirëkuptues me të tjerët dhe që mëshira e Zotit, në zemërbutësi të përkryer, do ta zbutë padurimin tonë për papërsosuritë e tyre. Kjo është ftesa e Shpëtimtarit për ne. Unë dëshmoj se Ai jeton. Ai është modeli i përsosur i dishepullimit të mëshirshëm dhe të durueshëm. Unë jap dëshminë time për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit Jezu Krisht, amen.