Konferenca e Përgjithshme
Nevoja për një Kishë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Nevoja për një Kishë

Shkrimet e shenjta japin mësim qartësisht për origjinën dhe nevojën për një kishë të drejtuar nga dhe me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit.

Shumë vjet më parë, Plaku Mark E. Pitersen, anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e nisi një bisedë me këtë shembull:

“Kenethi dhe bashkëshortja e tij, Lusila, janë njerëz të mirë, të ndershëm dhe të drejtë. Sidoqoftë, ata nuk shkojnë në kishë dhe mendojnë se mund të jenë mjaft të mirë pa të. Ata u mësojnë fëmijëve të tyre ndershmërinë dhe virtytin dhe i thonë vetes se kjo është gjithçka që Kisha do të bënte për ta.

E, megjithatë, ata këmbëngulin se u nevojiten fundjavat për argëtim familjar … [dhe] vajtja në kishë do të ishte vërtet pengesë për ta.”1

Sot, mesazhi im ka të bëjë me njerëz të tillë të mirë dhe me mendje fetare, të cilët nuk i frekuentojnë më ose nuk marrin më pjesë në kishat e tyre.2 Kur them “kishat”, përfshij sinagogat, xhamitë ose organizatat e tjera fetare. Ne jemi të shqetësuar që frekuentimi në të gjitha këto është ulur ndjeshëm, në shkallë vendi.3 Nëse ndalojmë së vlerësuari kishat tona për çfarëdo arsyeje, ne kërcënojmë jetën tonë vetjake shpirtërore dhe numri i konsiderueshëm i atyre që shkëputen nga Perëndia, i pakëson bekimet e Tij për kombet tona.

Frekuentimi dhe aktivizimi në një kishë na ndihmojnë të bëhemi njerëz më të mirë dhe të jemi ndikim më i mirë në jetën e të tjerëve. Në kishë na mësohet se si t’i zbatojmë parimet fetare. Ne mësojmë nga njëri‑tjetri. Një shembull bindës është më i fuqishëm sesa një predikim. Ne forcohemi nga shoqërimi me të tjerë që mendojnë në mënyrë të ngjashme. Kur e frekuentojmë dhe marrim pjesë në kishë, zemrat tona janë, siç thotë Bibla, të “bashkuar[a] në dashuri”4.

I.

Shkrimet e shenjta që Perëndia ua ka dhënë të krishterëve në Bibël dhe në zbulesën moderne, japin mësim qartësisht për nevojën për një kishë. Të dyja tregojnë se Jezu Krishti organizoi një kishë dhe vërejti që një kishë do ta vazhdonte punën e Tij pas Atij. Ai thirri Dymbëdhjetë Apostuj dhe iu dha autoritet dhe çelësa për ta drejtuar atë. Bibla jep mësim se Krishti është “kreu i kishës”5 dhe se drejtuesit e saj u dhanë “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit”6. Me siguri Bibla është e qartë mbi origjinën e një kishe dhe nevojën për të tani.

Disa thonë se frekuentimi i mbledhjeve të kishës nuk po i ndihmon ata. Disa thonë: “Nuk mësova asgjë sot”, ose “Askush nuk ishte miqësor/e me mua”, ose “Më fyen”. Zhgënjimet vetjake nuk duhet të na mbajnë kurrë larg nga doktrina e Krishtit, i cili na mësoi të shërbejmë, jo të na shërbejnë.7 Me këtë në mendje, një anëtar tjetër e përshkroi pikën e përqendrimit të frekuentimit të tij në Kishë:

“Vite më parë, ndryshova qëndrim lidhur me vajtjen në kishë. Nuk shkoj më në kishë për interesin tim, por që të mendoj për të tjerët. Caktoj si qëllim të përshëndes njerëzit që ulen vetëm, të mirëpres vizitorët, … të dal vullnetar për një detyrë. …

Me pak fjalë, unë shkoj në kishë çdo javë me qëllim që të jem aktiv, jo pasiv dhe të sjell një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve.”8

Pamja
Mirëpritja në kishë

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se “ne nuk shkojmë në mbledhjet e Shabatit për t’u argëtuar apo edhe vetëm për t’u udhëzuar. Ne shkojmë të adhurojmë Zotin. Është një përgjegjësi individuale. … Nëse shërbesa është një dështim për ju, ju keni dështuar. Askush nuk mund të adhurojë për ju; ju duhet ta prisni vetë Zotin.”9

Frekuentimi i Kishës mund t’i hapë zemrat tona dhe t’i shenjtërojë shpirtrat tanë.

Pamja
Mbledhje e këshillit të lagjes

Në një kishë ne nuk shërbejmë thjesht vetëm ose sipas zgjedhjes sonë apo rehatisë sonë. Ne zakonisht shërbejmë si skuadër. Në shërbim ne gjejmë mundësi të dërguara nga qielli për t’u ngritur mbi individualizmin e epokës sonë. Shërbimi i drejtuar nga kisha na ndihmon të mposhtim egoizmin vetjak që mund ta vonojë rritjen tonë shpirtërore.

Ka epërsi të tjera të rëndësishme për t’u përmendur, madje edhe shkurtimisht. Në kishë ne shoqërohemi me njerëz të mrekullueshëm që përpiqen fort t’i shërbejnë Perëndisë. Kjo na kujton se ne nuk jemi vetëm në veprimtaritë tona fetare. Të gjithë kemi nevojë për shoqërime me të tjerët dhe shoqërimet në kishë janë disa nga më të mirat që mund të përjetojmë, për ne dhe bashkëshortet/ët dhe fëmijët tanë. Pa ato shoqërime, veçanërisht midis fëmijëve dhe prindërve besnikë, kërkimet tregojnë vështirësi në rritje për prindërit që t’i rritin fëmijët në besimin e tyre.10

II.

Deri më tani, kam folur për kishat në përgjithësi. Tani do të trajtoj arsyet e veçanta për anëtarësimin, frekuentimin dhe pjesëmarrjen në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut

Ne, natyrisht, pohojmë se shkrimet e shenjta, të lashta dhe moderne, japin mësim qartësisht për origjinën dhe nevojën për një kishë të drejtuar nga dhe me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Ne gjithashtu dëshmojmë se Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është vendosur për të dhënë mësim plotësinë e doktrinës së Tij dhe për të drejtuar me autoritetin e Tij të priftërisë kryerjen e ordinancave të nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.11 Anëtarët që heqin dorë nga frekuentimi i Kishës, dhe mbështeten vetëm te shpirtshmëria individuale, e shkëputin veten nga këto gjëra thelbësore të ungjillit: fuqia dhe bekimet e priftërisë, plotësia e doktrinës së rivendosur dhe shtysat e mundësitë për ta vënë në zbatim atë doktrinë. Ata e humbasin mundësinë për t’u kualifikuar për një vazhdim në përjetësi të familjes së tyre.

Një epërsi tjetër e madhe e Kishës së rivendosur është se ajo na ndihmon të rritemi shpirtërisht. Rritja nënkupton ndryshim. Në aspektin shpirtëror, kjo do të thotë të pendohemi dhe të përpiqemi t’i afrohemi më shumë Zotit. Në Kishën e rivendosur ne kemi doktrinë, procedura dhe ndihmës të frymëzuar që na ndihmojnë të pendohemi. Qëllimi i tyre, madje edhe në këshillat për anëtarësinë, nuk është ndëshkimi, ashtu si rezultati i një gjykate penale. Këshillat për anëtarësinë në Kishë përpiqen të na ndihmojnë me dashuri që të kualifikohemi për mëshirën e faljes të mundësuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Pamja
Çift misionar
Pamja
Duke ecur drejt tempullit

Shpirtshmëria individuale rrallë mund të sigurojë shtysën dhe strukturën për shërbimin vetëmohues të siguruar nga Kisha e rivendosur. Shembuj të shkëlqyer të kësaj janë të rinjtë e të rejat dhe të moshuarit që lënë mënjanë veprimtaritë e tyre shkollore ose të daljes në pension për të pranuar thirrje misionare. Ata punojnë si misionarë për të huajt në vende të panjohura, të cilat nuk i kanë zgjedhur vetë. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët besnikë që marrin pjesë në shërbimin vetëmohues që ne e quajmë “puna në tempull”. Asnjë shërbim i tillë nuk do të ishte i mundur pa Kishën që e financon, e organizon dhe e drejton atë.

Besimi fetar i anëtarëve tanë dhe shërbimi në Kishë u kanë mësuar atyre se si të punojnë në përpjekjet bashkëpunuese që të përfitojë një komunitet më i madh. Kjo lloj përvoje dhe ky lloj zhvillimi nuk ndodhin në individualizmin që është kaq mbizotërues në praktikat e shoqërisë sonë aktuale. Në organizimin gjeografik të lagjeve tona vendore, ne shoqërohemi dhe punojmë me njerëz që ndryshe mund të mos i kishim zgjedhur, njerëz që na mësojnë dhe na vënë në provë.

Përveçse na ndihmon të mësojmë cilësi shpirtërore si dashuria, dhembshuria, falja dhe durimi, kjo na jep mundësinë të mësojmë se si të punojmë me njerëz që kanë formime dhe parapëlqime shumë të ndryshme. Kjo epërsi ka ndihmuar shumë nga anëtarët tanë dhe shumë organizata janë bekuar nga pjesëmarrja e tyre. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme njihen për aftësinë e tyre që të udhëheqin dhe të bashkohen në përpjekje bashkëpunuese. Ajo traditë e ka origjinën nga pionierët tanë guximtarë, të cilët kolonizuan Intermauntën Uestin dhe krijuan traditën tonë të çmuar të bashkëpunimit vetëmohues për të mirën e përbashkët.

Pamja
projekti Duart Ndihmëtare

Shumica e përpjekjeve humanitare dhe bamirëse kanë nevojë të përmbushen duke bashkuar dhe administruar burimet individuale në një shkallë të gjerë. Kisha e rivendosur e bën këtë me përpjekjet e saj të pamasa humanitare në mbarë botën. Këto përfshijnë shpërndarjen e pajisjeve arsimore dhe mjekësore, ushqyerjen e të uriturve, kujdesin për refugjatët, ndihmën për të ndryshuar efektet e varësive dhe shumë forma të tjera ndihme. Anëtarët e Kishës sonë njihen për projektet e tyre të Duarve Ndihmëtare në fatkeqësitë natyrore. Anëtarësimi në Kishë na lejon të jemi pjesë e përpjekjeve të tilla në shkallë të gjerë. Anëtarët gjithashtu paguajnë ofertat e agjërimit për të ndihmuar të varfrit mes tyre.

Pamja
Marrja e sakramentit

Përveç ndjenjës së paqes dhe gëzimit që vjen nëpërmjet shoqërimit të Shpirtit, anëtarët tanë që e frekuentojnë Kishën, gëzojnë frytet e të jetuarit të ungjillit, të tilla si bekimet e të jetuarit të Fjalës së Urtësisë dhe mirëqenien materiale dhe shpirtërore të premtuar nga të jetuarit e ligjit të së dhjetës. Ne gjithashtu kemi bekimin e këshillës nga udhëheqës të frymëzuar.

Kurorëzimi i të gjitha këtyre janë ordinancat me autoritetin e priftërisë të nevojshme për përjetësinë, përfshirë sakramentin që marrim çdo ditë Shabati. Ordinanca kulmore në Kishën e rivendosur është besëlidhja e përhershme e martesës, e cila bën të mundur përjetësimin e marrëdhënieve të lavdishme familjare. Presidenti Rasëll M. Nelson e dha mësim këtë parim në një mënyrë për t’u mbajtur mend. Ai tha: “Ne nuk mund të shkojmë në [praninë] e Perëndisë vetëm duke e dëshiruar atë. Ne duhet t’u bindemi ligjeve mbi të cilat a[i] bekim … baz[ohet].”12

Një nga ato ligje është të adhurosh në kishë çdo ditë Shabati.13 Adhurimi dhe vënia në zbatim nga ana jonë e parimeve të përjetshme na afrojnë me Perëndinë dhe e rritin aftësinë tonë për të dashur. Parli P. Prat, një nga Apostujt fillestarë të kësaj periudhe ungjillore, përshkroi se si u ndje kur Profeti Jozef Smith i shpjegoi këto parime: “E ndjeva se Perëndia ishte me të vërtetë Ati im qiellor; se Jezusi ishte vëllai im dhe se bashkëshortja e gjirit tim ishte një shoqëruese e pavdekshme, e përjetshme; një engjëll, shërbestar plot mirësi, që më ishte dhënë si një ngushëllim, dhe një kurorë lavdie përherë e përgjithmonë. Me pak fjalë, tani mund të dashuroja me shpirt dhe me kuptueshmëri gjithashtu.”14

Në mbyllje, ju kujtoj të gjithëve se ne nuk besojmë që e mira mund të arrihet vetëm nëpërmjet një kishe. Të pavarur nga një kishë, ne shohim miliona njerëz që përkrahin dhe kryejnë vepra të mira të panumërta. Individualisht, shenjtorët e ditëve të mëvonshme marrin pjesë në shumë prej tyre. Ne i shohim këto vepra si një shfaqje të së vërtetës të përjetshme se “Shpirti i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë”15.

Pavarësisht nga veprat e mira që mund të kryhen pa një kishë, plotësia e doktrinës dhe ordinancat e saj shpëtuese dhe ekzaltuese janë në dispozicion vetëm në Kishën e rivendosur. Përveç kësaj, frekuentimi i Kishës na jep forcën dhe shtimin e besimit që vjen nga shoqërimi me besimtarë të tjerë dhe adhurimi së bashku me ata që po përpiqen fort gjithashtu të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve dhe të jenë dishepuj më të mirë të Krishtit. Lutem që të gjithë ne të jemi të palëkundur në këto përvoja të Kishës ndërsa kërkojmë jetën e përjetshme, më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mark E. Petersen, “Eternal Togetherness”, Ensign, nëntor 1974, f. 48.

  2. Shih D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108–111.

  3. Shih Jeffrey M. Jones, “U.S. Church Membership Falls below Majority for First Time”, Gallup, 29 mars 2021, news.gallup.com/poll/341963/church-membership-falls-below-majority-first-time.aspx.

  4. Kolosianëve 2:2.

  5. Shih Efesianëve 5:23–24.

  6. Efesianëve 4:12.

  7. Shih Jakob [Bibël] 1:27.

  8. Mark Skousen drejtuar Dallin H. Oaks, 15 shkurt 2009.

  9. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 173–174.

  10. Shih Elizabeth Weiss Ozotak, “Social and Cognitive Influences on the Development of Religious Beliefs and Commitment in Adolescence”, Journal for the Scientific Study of Religion, vëll. 28, nr. 4 (dhjetor 1989), f. 448–463.

  11. Shih Gjoni 3:5.

  12. Rasëll M. Nelson, “Tani Është Koha Për T’u Përgatitur”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 21.

  13. Shih Doktrina e Besëlidhje 59:9.

  14. Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 298.

  15. Doktrina e Besëlidhje 84:46; theksimi i shtuar; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 58:27–28.