Konferenca e Përgjithshme
Mbajeni Lart Dritën Tuaj
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Mbajeni Lart Dritën Tuaj

Ftesa ime sot është e thjeshtë: përhapeni ungjillin. Jini vetvetja dhe mbajeni lart dritën.

Gjatë një fluturimi për në Peru pak vjet më parë, isha ulur pranë një ateisti të vetëshpallur. Ai më pyeti se pse besoj te Perëndia. Gjatë bisedës së këndshme që pasoi, i thashë se besoja në Perëndi ngaqë Jozef Smithi e pa Atë – dhe më pas shtova se njohuria ime për Perëndinë erdhi gjithashtu nga përvoja vetjake dhe të vërteta shpirtërore. Shpreha bindjen time se “të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi”1 dhe e pyeta se si e besonte ai që u krijua toka, kjo oazë jete në zbrazëtinë e hapësirës. Ai u përgjigj me fjalët e tij se, “aksidenti” mund të kishte ndodhur gjatë periudhave të gjata kohore. Kur i shpjegova se sa shumë e pamundur do të ishte që një “aksident” të prodhonte një bukuri dhe rend të atillë, ai heshti për njëfarë kohe dhe pastaj me dashamirësi tha: “Më zure mat”. E pyeta a donte ta lexonte Librin e Mormonit. Ai tha se donte, kështu që i dërgova një kopje.

Vite më vonë, bëra një mik të ri ndërkohë që isha në një aeroport në Lagos të Nigerisë. U njohëm ndërsa më kontrollonte pasaportën. E pyeta për bindjet e tij fetare dhe ai shprehu besim të fortë te Perëndia. Shpreha gëzimin dhe ngazëllimin për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe e pyeta a do t’i pëlqente të mësonte më shumë nga misionarët. Ai tha “po”, mori mësimet dhe u pagëzua. Një ose dy vjet më vonë, ndërsa po ecja nëpër aeroportin në Liberi, dëgjova një zë që më thirri në emër. U ktheva dhe i njëjti i ri u afrua me një buzëqeshje të madhe. U përqafuam plot gëzim dhe ai më bëri të ditur se ishte aktiv në Kishë dhe po punonte me misionarët për t’i dhënë mësimet të dashurës së tij.

Tani, nuk e di nëse miku im ateist e lexoi ndonjëherë Librin e Mormonit apo u bashkua me Kishën. Miku im i dytë e bëri. Për të dy, përgjegjësia ime2, mundësia ime, ishte e njëjta: ta mbaja lart dritën e ungjillit, për ta dashur, për t’i treguar dhe për ta ftuar secilin prej tyre në një mënyrë normale e të natyrshme.3

Vëllezër dhe motra, kam përjetuar bekimet e përhapjes së ungjillit dhe ato janë të mbresëlënëse. Këtu janë disa prej tyre:

Përhapja e Ungjillit Sjell Gëzim dhe Shpresë

Pra, unë dhe ju e dimë se jetuam si fëmijë të Atit tonë Qiellor përpara se të vinim në këtë tokë4 dhe se toka u krijua me qëllim që secilit person t’i jepet mundësia të marrë një trup, të fitojë përvojë, të mësojë dhe të rritet në mënyrë që të marrë jetën e përjetshme – e cila është jeta e Perëndisë.5 Ati Qiellor e dinte që ne do të vuanim dhe do të mëkatonim në tokë, ndaj Ai dërgoi Birin e Tij, “jet[a e] pashoqe”6 dhe flijimi i pafund shlyes7 të të cilit bëjnë të mundur që ne të falemi, çlirohemi dhe shërohemi.8

Dijenia për këto të vërteta të ndryshon jetën! Kur një njeri e mëson qëllimin e lavdishëm të jetës, kur arrin të kuptojë se Krishti i fal dhe i ndihmon ata që e ndjekin Atë dhe më pas zgjedh ta ndjekë Krishtin në ujërat e pagëzimit, jeta ndryshon për mirë – madje edhe kur rrethanat e jashtme të jetës nuk ndryshojnë.

Një motër rrezatuese dhe e lumtur që e takova në Onitsha të Nigerisë, më tha se që nga koha që mësoi për ungjillin dhe u pagëzua (dhe tani po përdor fjalët e saj): “Çdo gjë më shkon mirë. “Jam e lumtur! Jam në qiellin e shtatë.”9 Përhapja e ungjillit ndez gëzim dhe shpresë në shpirtin e dhënësit dhe të marrësit. Me të vërtetë, “sa i madh do të jetë gëzimi juaj”10 teksa e përhapni ungjillin! Përhapja e ungjillit është gëzim mbi gëzimin, shpresë mbi shpresën.11

Përhapja e Ungjillit Sjell Fuqinë e Perëndisë në Jetën Tonë

Kur u pagëzuam, secili prej nesh hyri në një besëlidhje12 të përhershme me Perëndinë për “t’i shërb[yer] [A]tij dhe [për] të zbat[uar] urdhërimet e [T]ij”13, e cila përfshin “të qëndr[ojmë] si dëshmitarë të [Tij] në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”14. Ndërsa “qëndro[jmë] në” Të duke e mbajtur këtë besëlidhje, fuqia gjallëruese, mbështetëse dhe shenjtëruese e perëndishmërisë vërshon në jetën tonë nga Krishti, ashtu si një degë merr ushqim nga hardhia.15

Përhapja e Ungjillit na Mbron nga Tundimi

Zoti urdhëron:

“Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë. …

… Kam urdhëruar që … ju të vini tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni; kështu madje, do të bëni ndaj botës; dhe kushdo që e thyen këtë urdhërim lejon që të çohet në tundim.”16

Zgjedhja për të mos e mbajtur lart dritën e ungjillit na zhvendos në hije, ku jemi më të prekshëm nga tundimi. Me e rëndësishmja, e kundërta është e vërtetë: zgjedhja për ta mbajtur lart dritën e ungjillit na sjell më plotësisht në atë dritë dhe mbrojtjen që ajo siguron ndaj tundimit. Çfarë bekimi i jashtëzakonshëm në botën e sotme!

Përhapja e Ungjillit Sjell Shërim

Motra Tifani Majloni e pranoi ftesën për të përkrahur misionaret pavarësisht shumë vështirësive të rënda vetjake, përfshirë pyetjet rreth besimit të saj. Ajo së fundmi më tregoi se përkrahja ndaj misionarëve ia ka përtërirë besimin dhe ndjesinë e mirëqenies. Sipas fjalëve të saj: “Puna misionare të shëron pa masë”17.

Gëzim. Shpresë. Fuqi mbështetëse nga Perëndia. Mbrojtje nga tundimi. Shërim. Të gjitha këto – dhe më shumë (përfshirë faljen e mëkateve)18 – pikojnë mbi ne nga qielli ndërsa e përhapim ungjillin.

Tani, Kthimi te Mundësia Jonë e Madhe

Vëllezër dhe motra, “ka shumë vetë … mes të gjitha … grupimeve, [sekteve,] dhe besimeve … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”19. Nevoja për ta mbajtur lart dritën tonë nuk ka qenë kurrë më e madhe në të gjithë historinë e njerëzimit. E vërteta nuk ka qenë kurrë më e arritshme se kaq.

Xhimi Tonit, i cili u rrit si budist, i bëri përshtypje një familje e cila e tregonte jetën e vet në YouTube. Kur mësoi se ata ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ai e studioi vetë ungjillin në internet, e lexoi Librin e Mormonit duke përdorur programin për telefonat dhe u pagëzua pasi u takua me misionarët në kolegj.20 Plaku Toni tani është vetë një misionar kohëplotë.

Ai dhe shokët e tij misionarë anembanë botës janë batalioni i Zotit – sipas citimit të profetit tonë.21 Këta misionarë i kundërvihen prirjes së botës: ndërsa anketat raportojnë se Gjenerata Z po largohet nga Perëndia22, pleqtë dhe motrat tona luftëtare të reja23 po i kthejnë njerëzit te Perëndia. Një numër në rritje i anëtarëve të Kishës po bashkohen me misionarët për të përhapur ungjillin, duke ndihmuar gjithnjë e më shumë miq që të vijnë te Krishti dhe Kisha e Tij.

Shenjtorët tanë të ditëve të mëvonshme në Liberi ndihmuan 507 miq të hynin në ujërat e pagëzimit gjatë 10 muajve kur nuk kishte misionarë kohëplotë që të shërbenin në vendin e tyre. Kur një nga presidentët tanë të mrekullueshëm të kunjit atje dëgjoi se misionarët kohëplotë mund të ktheheshin, ai vërejti: “O mirë, tani ata mund të na ndihmojnë për punën tonë”.

Ai ka të drejtë: Mbledhja e Izraelit, kauza më e madhe në këtë tokë24, është përgjegjësia jonë në besëlidhje. Dhe kjo është koha jonë! Ftesa ime sot është e thjeshtë: përhapeni ungjillin. Jini vetvetja dhe mbajeni lart dritën. Lutuni për ndihmën e qiellit dhe ndiqini nxitjet shpirtërore. Shpërndajeni jetën tuaj në mediat shoqërore normalisht dhe natyrshëm dhe ftojeni një njeri tjetër të vijë dhe të shohë, të vijë dhe të ndihmojë, dhe të vijë e të përkasë.25 Më pas gëzohuni kur ju dhe ata që i doni merrni bekimet e premtuara.

E di se në Krisht këto lajme të mira u predikohen zemërbutëve; në Krisht zemrat e thyera lidhen; në Krisht çlirim u shpallet robërve; dhe në Krisht, vetëm në Krisht, atyre që vajtojnë, u jepet diademë në vend të hirit.26 Prandaj, e madhe është nevoja që këto gjëra të bëhen të njohura!27

Dëshmoj se Jezu Krishti është autori dhe plotësuesi i besimit tonë.28 Ai do të plotësojë, Ai do të përfundojë, ushtrimin tonë të besimit – sado i papërsosur – për ta mbajtur lart dritën e ungjillit. Ai do të bëjë mrekulli në jetën tonë dhe në jetën e të gjithëve që Ai mbledh, sepse Ai është një Perëndi mrekullish.29 Në emrin e mrekullueshëm të Jezu Krishtit, amen.