Konferenca e Përgjithshme
Përballja me Uraganet Tona Shpirtërore duke Besuar te Krishti
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Përballja me Uraganet Tona Shpirtërore duke Besuar te Krishti

Ne përballemi më mirë me uraganet tona shpirtërore duke besuar te Krishti dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Për gjashtë vitet e fundit, e dashura e zemrës sime, Eni, dhe unë, kemi jetuar në Teksas afër Bregdetit të Gjirit, ku disa nga uraganet më të mëdha kanë goditur Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas një shkatërrim të tmerrshëm, madje edhe humbje jete. Për fat të keq, muajt e fundit kanë qenë plot me ngjarje të tilla shkatërrimtare. Dashuria dhe lutjet tona janë për të gjithë ata që janë prekur në ndonjë mënyrë. Në vitin 2017, ne e përjetuam personalisht uraganin Harvi, i cili regjistroi një rekord prej 152 cm reshjesh shiu.

Formimin e uraganeve e qeverisin ligjet e natyrës. Temperatura e oqeanit duhet të jetë të paktën 27 gradë celsius, në një shtresë deri në 50 metra nën sipërfaqen e oqeanit. Teksa era takohet me ujin e ngrohtë të oqeanit, kjo e bën ujin që të avullojë dhe të ngrihet në atmosferë, ku ai kthehet në lëng. Më pas formohen retë dhe erërat formojnë një formë spiraleje mbi sipërfaqen e oqeanit.

Pamja
Uragan

Uraganet janë të një madhësie kolosale, duke arritur në 15 240 metra ose dhe më shumë në atmosferë, dhe duke u shtrirë në një gjerësi prej të paktën 200 kilometra. Në mënyrë interesante, ndërsa uraganet takohen me tokën, ato fillojnë të dobësohen sepse nuk janë më mbi ujin e ngrohtë, i cili nevojitet për të ushqyer forcën e tyre.1

Ju mund të mos përballeni kurrë me një uragan shkretues fizik. Sidoqoftë, secili prej nesh ka kaluar dhe do të kalojë uragane shpirtërore që do ta vënë në rrezik paqen tonë dhe do ta vënë në provë besimin tonë. Në botën e sotme, ato duket se po rriten në shpeshtësi dhe intensitet. Fatmirësisht, Zoti na ka siguruar një mënyrë të sigurt për t’i mposhtur ato me gëzim. Duke jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, ne sigurohemi se “kur re t’zeza hallesh mbi ne jan’, paqen na kërc’nojn’ me shkat’rrim, ne … shpresën jo kurr’ s’humbasim”2.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

“Shenjtorët mund të jenë të lumtur në çdo rrethanë. Ne mund të ndiejmë gëzim edhe ndërsa kalojmë një ditë të keqe, një javë të keqe apo madje një vit të keq!

… Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur përqendrimi i jetës sonë është te … Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.”3

Ashtu si ligjet e natyrës qeverisin uraganet fizike, ligjet hyjnore qeverisin mënyrën se si të ndiejmë gëzim gjatë uraganeve tona shpirtërore. Gëzimi ose mjerimi që ndiejmë teksa ndeshemi me stuhitë e jetës, është i lidhur me ligjet që ka vendosur Perëndia. Presidenti Nelson ka treguar: “Ato quhen urdhërime, por ato janë po aq të vërtetë sa ligji i ngritjes aerodinamike, ligji i rëndesës [dhe] ligji që qeveris rrahjen e zemrës”.

Presidenti Nelson vazhdoi: “Ajo bëhet një formulë mjaft e thjeshtë: Nëse doni të jenë të lumtur, zbatojini urdhërimet”4.

Dyshimi është armiku i besimit dhe gëzimit. Ashtu si uji i ngrohtë i oqeanit është terreni ushqyes për uraganet, dyshimi është terreni ushqyes për uraganet shpirtërore. Ashtu si besimi është një zgjedhje, kështu është edhe dyshimi. Kur ne zgjedhim të dyshojmë, ne zgjedhim që të veprohet mbi ne, duke ia dhënë fuqinë kundërshtarit, duke na lënë si rrjedhim të dobët dhe të cenueshëm.5

Satani kërkon të na çojë tek terreni ushqyes i dyshimit. Ai kërkon t’i ngurtësojë zemrat tona që ne të mos besojmë.6 Terreni ushqyes i dyshimit mund të shfaqet sikur na fton sepse është në dukje paqësor; ujërat e ngrohtë nuk kërkojnë që ne të “jetojmë me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”7. Në ujëra të tillë, Satani kërkon të qetësojë vigjilencën tonë shpirtërore. Ajo mungesë vëmendjeje mund të nxitë një mungesë bindjeje shpirtërore, ku ne nuk jemi “as [të] ftohtë e as [të] ngrohtë”8. Nëse nuk jemi të ankoruar te Krishti, dyshimi dhe joshjet e tij do të na çojnë larg drejt plogështisë, ku ne nuk do të gjejmë as mrekulli, as gëzim që zgjat, as “paqe për shpirtrat … t[anë]”9.

Ashtu si uraganet dobësohen mbi tokë, dyshimi zëvendësohet me besim teksa ne e ndërtojmë themelin tonë mbi Krishtin. Ne më pas jemi në gjendje t’i shohim uraganet shpirtërore në këndvështrimin e tyre të duhur dhe aftësia jonë për t’i mposhtur ato zmadhohet. Më pas, “kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, … nuk do të ketë fuqi … që t[ë na] tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin je[m]i ndërtuar, që është një bazë e sigurt”10.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim:

“Besimi te Jezu Krishti është themeli i gjithë bindjes dhe përçuesi i fuqisë hyjnore. …

Zoti nuk kërkon besimin të përsosur që ne të kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë së Tij të përsosur. Por Ai na kërkon të besojmë.”11

Prej konferencës së përgjithshme të prillit, unë dhe familja ime jemi përpjekur ta forcojmë besimin tonë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, që të na ndihmojë “t’i kthe[jmë] sfidat në mundësi dhe rritje të pashembullta”12.

Mbesa jonë, Rubi, është bekuar me një vullnet të fortë për të marrë drejtimin në çdo situatë. Kur ajo lindi, ezofagu i saj nuk ishte i lidhur me stomakun. Madje që kur ishte foshnjë, Rubi, me ndihmën e prindërve të saj, u përball me këtë sprovë me një vendosmëri të pazakontë. Rubi është tashmë pesë vjeçe. Ndonëse është ende shumë e vogël, ajo është një shembull i fuqishëm për të mos i lejuar rrethanat e saj që t’ia përcaktojnë lumturinë. Ajo është gjithmonë e lumtur.

Majin e kaluar, Rubi u përball me një uragan tjetër në jetën e saj me besim. Ajo u lind gjithashtu me një dorë jo të zhvilluar plotësisht, e cila kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale rindërtuese. Përpara këtij operacioni mjaft të ndërlikuar, ne u takuam me të dhe i dhamë asaj një vizatim që portretizon bukur dorën e një fëmije që mban plot ngrohtësi dorën e Shpëtimtarit. Kur e pyetëm nëse ishte e nervoze, ajo u përgjigj: “Jo, jam e lumtur!”

Pamja
Rubi me pikturën e dorës së Shpëtimtarit

Më pas e pyetëm: “Rubi, po si kështu?”

Rubi me vetëbesim pohoi: “Sepse e di që Jezusi do të më mbajë prej dore”.

Shërimi i Rubit ka qenë i mrekullueshëm dhe ajo vazhdon të jetë e lumtur. Pastërtia e besimit të një fëmije bie ndesh me marrëzinë e dyshimit që mund të na tundojë shpesh teksa rritemi!13 Ne të gjithë mund të bëhemi si fëmijë të vegjël dhe të zgjedhim ta vëmë mënjanë mosbesimin tonë. Është një zgjedhje e thjeshtë.

Një baba i kujdesshëm iu përgjërua Shpëtimtarit duke thënë: “Nëse mund të bësh diçka, … na ndihmo”14.

Jezusi më pas i tha atij:

“Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.

Menjëherë babai … duke bërtitur me lot, tha: ‘Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim’.”15

Ky baba i përulur zgjodhi që me mençuri t’i mirëbesonte besimit të tij te Krishti në vend që t’i mirëbesonte dyshimit të tij. Presidenti Nelson tha: “Vetëm mosbesimi juaj do ta pengojë Perëndinë nga bekimi për ju me mrekulli që të zhvendosni malet në jetën tuaj16.

Sa i mëshirshëm është Perëndia ynë që e vendosi kufirin për ne te niveli i besimit dhe jo te niveli i diturisë!

Alma jep mësim:

“I bekuar është ai që beson në fjalën e Perëndisë”17.

“[Sepse] Perëndia është i mëshirshëm me të gjithë ata që besojnë në emrin e tij; prandaj ai dëshiron pikësëpari, që ju të keni besim.”18

Po, në radhë të parë, Perëndia dëshiron që ne të besojmë tek Ai.

Ne përballemi më mirë me uraganet tona shpirtërore duke besuar te Krishti dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij. Besimi dhe bindja jonë na lidhin me fuqi përtej fuqisë sonë për të mposhtur “[çfarëdo] që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”19. Po, Perëndia “[na] bekon menjëherë” ngaqë besojmë dhe bindemi.20 Në fakt, me kalimin e kohës gjendja jonë e të qenit ndryshon në lumturi dhe “ne jemi ringjallur në Krishtin” teksa e ushtrojmë besim tonë tek Ai dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij.21

Vëllezër e motra, zgjedhshim sot të “mos dysho[jmë], por [të] j[emi] besues”22. “Udha e drejtë është që të besoni në Krisht.”23 Ne jemi “gdhendur … në pëllëmbët e duarve të [Tij]”24. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, i cili qëndron te vetë dera jonë dhe troket.25 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.