2021
Perëndia do të Luftojë në Betejat Tuaja – në Mënyrën e Tij
Shtator 2021


“Perëndia do të Luftojë në Betejat Tuaja – në Mënyrën e Tij”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2021, f. 15–17.

Eja, Më Ndiq

Perëndia do të Luftojë në Betejat Tuaja – në Mënyrën e Tij

Shenjtorët e hershëm mësuan një apo dy gjëra rreth mënyrave të Perëndisë.

Doktrina e Besëlidhje 103–105

Pamja
Kampi i Sionit në lumin Fishing

Kampi i Sionit nga Judith Mehr

Me një turmë të inatosur prej më shumë se 300 vetash që kishin premtuar t’i shkatërronin ata në mëngjes, grupi i shenjtorëve që përbënte Kampin e Sionit, po shpresonte dhe lutej për një mrekulli.

Nën udhëheqjen e Jozef Smithit, Kampi i Sionit kishte marshuar për javë të tëra nga Ohajoja për në Misuri. Këta anëtarë të Kishës po shpresonin t’i ndihmonin shenjtorët që ishin dëbuar nga Konteja Xhekson, Misuri, SHBA, për të rimarrë tokat e tyre. Por ata u përballën me kërcënime dhe kundërshtime gjatë gjithë marshimit të tyre. Dhe tani, përsëri një turmë tjetër po i kërcënonte.

Mrekullia për të cilën u lutën shenjtorët e Kampit të Sionit, shpejt do të vinte. Ajo erdhi në formën e reve të zeza të mbledhura në largësi. Një shtrëngatë e dhunshme shpërtheu nga të gjitha anët dhe hodhi breshër masiv. Stuhia e ndaloi turmën që të vazhdonte gjurmimin.

“Dukej sikur urdhri i hakmarrjes ishte dhënë nga Perëndia i betejave, për të mbrojtur shërbëtorët e Tij nga shkatërrimi prej armiqve të tyre”, shpjegohet te historia e Jozef Smithit. “Breshëri ra mbi ta, dhe jo mbi ne, dhe ne nuk pësuam asnjë lëndim përveç prishjes së disa prej çadrave tona dhe u lagëm, ndërsa armiqtë tanë kishin vrima në kapele dhe ndryshe nga ne pësuan lëndime, madje iu shkatërruan rezervat e pushkëve dhe kuajt iu ikën nga sytë këmbët.”1

Breshëri shkatërrues ishte vetëm një pjesë e stuhisë. Shiu ra aq dendur saqë lumit Fishing, lumit që ndante të dyja grupet, iu rrit niveli me thuajse 12 metra. Në mëngjes thellësia kishte qenë vetëm deri te kyçi i këmbës.

Zoti u premtoi anëtarëve të Kampit të Sionit: “Unë do t’i luftoj betejat tuaja” (Doktrina e Besëlidhje 105:14). Kur të ndodhë kjo, nuk ka asnjë dyshim se cila palë do të fitojë.

Mrekullitë e Ditëve të Sotme

Ndonjëherë kur lexoni tregime si ky, mund të pyetni veten se përse mrekulli të tilla dramatike nuk duket se ju ndodhin juve në vështirësitë tuaja.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kohët e fundit dha disa pikëpamje që mund të ndihmojnë. Ai tha: “Ju lutem kuptojeni se Ai që as nuk fle as nuk dremit kurrë, kujdeset për lumturinë dhe ekzaltimin përfundimtar të fëmijëve të Tij mbi gjithçka tjetër që një qenie hyjnore duhet të bëjë. Ai është dashuria e pastër, e mishëruar plot lavdi dhe Atë i Mëshirshëm është emri i Tij.

‘Po qe se ky është rasti’, mund të thoni ju, ‘a nuk duhet që dashuria dhe mëshira e Tij thjesht t’i ndajnë Detet tona të Kuqe vetjake dhe të na lejojnë që të kalojmë përmes shqetësimeve tona nëpër tokë të thatë?’”

Me fjalë të tjera, nëse Perëndia i ka luftuar të tilla beteja për fëmijët e Tij në të kaluarën, përse të mos e bëjë të njëjtën gjë tani? Përse të mos i zhdukë të gjitha sëmundjet? Përse të mos i japë fund luftës dhe urisë dhe vuajtjeve në të gjithë botën?

Ose përse të mos e ndalë të paktën atë ngacmim që nuk do t’ju lërë të qetë? Ose ta ndihmojë familjen tuaj që të shkojë më mirë?

Plaku Holland dha mësim më tej: “Përgjigjja për pyetje të tilla është: ‘Po, Perëndia mund t’i bëjë mrekullitë menjëherë, por herët a vonë, ne mësojmë se kohët dhe periudhat e udhëtimit tonë në vdekshmëri janë të Tijat dhe vetëm të Tijat për t’i drejtuar’. Është Ai që e administron atë kalendar për gjithsecilin prej nesh individualisht.”2

Kur i zbatoni urdhërimet e Perëndisë, ju keni të drejtën për ndihmën e Perëndisë. Por asnjëri prej nesh nuk mund të zgjedhë se si ose kur mbërrin ajo ndihmë.

Bekime të Papritura

Le t’i rikthehemi për pak Kampit të Sionit. Mrekullia në lumin Fishing ishte sigurisht dramatike. Dhe nuk ishte e vetmja mrekulli që anëtarët e Kampit të Sionit panë gjatë marshimit të tyre. Por sikurse do të lexoni te manuali Eja, Më Ndiq dhe do të mësoni në seminar këtë muaj, gjërat nuk shkuan sipas mënyrës që kishin planifikuar shenjtorët.

Ata menduan se i gjithë qëllimi i Kampit të Sionit ishte që të ndihmonte të rimerreshin tokat në Kontenë Xhekson që iu ishin vjedhur shenjtorëve nga turmat e inatosura.

A i rimorën shenjtorët tokat e tyre? Jo.

A vuajtën shenjtorët në marshimin thuajse 1448 km për në Misuri? Epo, po. Ndonjëherë shumë. Dhe më e keqja, një shpërthim kolere e përfshiu kampin dhe vrau 13 anëtarë.

E parë përciptas, mund të duket sikur e gjithë përpjekja ishte një dështim. Por kjo nuk ishte mënyra se si e panë këtë shumë njerëz që marshuan në kamp. Brigam Jangu tha për këtë përvojë: “Më kishin paguar mirë – më kishin paguar me interes të lartë – po, … qenia ime u mbush plot e përplot me njohurinë që e mora duke udhëtuar me Profetin [Jozef Smith]”3.

Shumë anëtarë të tjerë të Kampit të Sionit gjithashtu folën lidhur me mësimet që morën dhe vlerën e marshimit. Vetë Profeti Jozef Smith tha: “Vëllezër, disa prej jush janë të zemëruar me mua, për shkak se nuk luftuat në Misuri, por më lini t’ju them, Perëndia nuk donte që ju të luftonit. Ai nuk do të mund ta organizonte mbretërinë e Tij … nëse Ai nuk do t’i merrte [udhëheqësit e Tij] nga një grup burrash të cilët kishin ofruar jetën e tyre dhe të cilët kishin bërë një sakrificë po aq të madhe sa bëri Abrahami.”4

Pamja
Kampi i Sionit

Kampi i Sionit nga C.C.A. Christensen

Besnikëria e tyre mund të mos ketë çuar në rivendosjen në tokat e tyre. Por ata u bekuan tej mase në mënyra të tjera. Ky është një model që mund të vëreni gjithashtu në jetën tuaj. Dhe ajo që Perëndia na ndihmon të bëhemi përmes sprovave tona, shpesh është një mrekulli më e madhe sesa çlirimi nga sprovat tona prej Tij.

Fitorja e Sigurt e Perëndisë

Ndërsa e studioni jetën e shenjtorëve të hershëm, ju mund të zbuloni ndikimin e Perëndisë herë pas here. Ju lexoni për bekime të thella. Gjithashtu gjeni raste të vështirësive të mëdha. Por për ata që i mirëbesuan Perëndisë deri në fund, shpërblimi i tyre i përjetshëm ishte i sigurt.

Kur ju e ndiqni Perëndinë dhe mirëbesoni në Të, Ai do të luftojë në betejat tuaja dhe do të sigurojë mrekullitë për të cilat keni nevojë! Këto mrekulli do të vijnë në mënyrën dhe kohën e Tij, por rezultati është i sigurt. Çdo sprovë përfundimisht do të zgjidhet – në këtë jetë apo tjetrën. Po aq e rëndësishme, nëse e ndiqni Atë, ju kurrë nuk do të keni përse të ecni të vetëm. “Si rrjedhim, jini besnikë; dhe vini re, dhe shihni, unë jam me ju madje deri në fund” (Doktrina e Besëlidhje 105:41).

Shënime

  1. History, 1838–1856, vëllimi A–1 (23 dhjetor 1805 – 30 gusht 1834), f. 497, josephsmithpapers.org.

  2. Xhefri R. Holland, konferenca e përgjithshme e tetorit 2020 (Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 116).

  3. Brigham Young, “Discourse”, Deseret News, 3 dhjetor 1862, f. 177.

  4. Joseph Smith, në Joseph Young Sr., History of the Organization of the Seventies (1878), f. 14.