2020
Përdorimi i Emrit të Plotë të Kishës Ishte i Sikletshëm, por ia Vlejti
Prill 2020


Përdorimi i Emrit të Plotë të Kishës Ishte i Sikletshëm, por ia Vlejti

Ndjekja e udhëzimit të profetit dukej e lehtë, por doli se kërkonte më shumë përpjekje nga ç’e prisja.

Kur Presidenti Nelson foli rreth përdorimit të emrit të saktë të Kishës në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018, mesazhi i tij ishte shumë i qartë për mua: “Është urdhri i Zotit. …

… Ta heqësh emrin e Zotit nga Kisha e Zotit, është një fitore madhore për Satanin” (“Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87, 88).

Kuptova se duhej ta mendoja sërish mënyrën se si u qasesha bashkëbisedimeve me njerëzit që ishin përreth meje, përfshirë klientë të caktuar në punën time që ishin mësuar të më thërrisnin “mormon” dhe një anëtar i “Kishës Mormone”.

I zotuar për të përdorur emrin e plotë të Kishës, prita mundësinë vijuese që të pohoja anëtarësinë time në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pa dyshim, ajo mundësi erdhi, sërish në një mjedis pune. “Ju mormonët jeni njerëz kaq dashamirës”, më tha një klient i mundshëm. “Epo, faleminderit”, iu përgjigja. “Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne besojmë se jemi të gjithë vëllezër e motra.” Pastaj biseda vazhdoi me të dhe gjithë të tjerët që ishin atje duke folur rreth dashamirësisë së “mormonëve”.

Edhe pse e kisha bërë pjesën time duke thënë emrin e plotë të Kishës, prapë ndjeva se diçka nuk shkonte. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi ende më shihnin si pjesë e “Kishës Mormone” dhe jo domosdoshmërisht si ndjekës i Krishtit, lëre më si anëtar i Kishës së rivendosur të Krishtit.

A ia Vlente të Shqetësohesha?

Gjatë disa ndërveprimeve që vijuan rreth besimit tim, e pashë veten të shkurajuar për shkak të sikletit për të thënë emrin e plotë, të gjatë të Kishës shumë herë në të njëjtën bisedë. Të gjithë ata me të cilët fola dukej se u shprehën të çuditur. Dhe bashkëbisedimi gjithmonë u përqendrua te “mormonët”.

U përpoqa që t’i bëja ndërveprimet e mia disi më të natyrshme. Por doli që kjo ishte shumë më e vështirë nga ç’e prisja, veçanërisht me individët që nuk doja t’i fyeja. Nuk doja të isha i turpshëm ose i vetëkënaqur që e jetoja besimin tim, por gjithashtu nuk doja të shihesha si i ashpër, meqenëse shumë prej këtyre njerëzve më parë më kishin quajtur “mormon” dhe unë e kisha pranuar. Gjithashtu dëgjoja shumë anëtarë të Kishës që në mbledhje të ndryshme dhe mjedise të tjera ende i quanin veten e tyre dhe anëtarë të tjerë të Kishës “mormonë”.

E gjeta veten duke pyetur a ishte me të vërtetë aq i rëndësishëm përdorimi i emrit të plotë të Kishës në tablonë e madhe të gjërave. Marka “mormonë”, në fund të fundit, është mjaft pozitive në mendjen e shumë njerëzve – të qenit një “mormon” kishte qenë shpesh e dobishme për mua. Por kur e lexova sërish bisedën e Presidentit Nelson, më bëri përshtypje se kjo gjë është vërtet kaq e rëndësishme, edhe pse më shkaktonte njëfarë sikleti në biseda. Kështu që u zotova sërish.

Një Mundësi për të Dëshmuar për Krishtin

Herën vijuese që m’u desh të përdorja emrin e plotë të Kishës, kisha shkuar të vizitoja një mik që është në një kishë të një besimi tjetër. Dikush m’u afrua dhe me një buzëqeshje plot mirësi më pyeti nëse isha mormon. “Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po”, i thashë unë. Ai filloi duke më bërë disa pyetje, secila duke filluar me: “A beson Kisha Mormone …?” Dhe çdo herë, unë e filloja përgjigjen time me frazën: “Në Kishën e rivendosur të Krishtit, ne besojmë …”

Ky shkëmbim vazhdoi për katër ose pesë herë. Kur ai vuri re se nuk po e pranoja titullin “mormon”, ai më pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë: “A nuk je ti mormon?”

Kështu që e pyeta nëse e dinte se kush ishte Mormoni – ai nuk e dinte. I thashë se Mormoni ishte një profet, një historian, një gjeneral ushtarak dhe një figurë politike në kontinentin e lashtë amerikan. Kam nderin të krahasohem me një burrë që ishte kaq i përkushtuar në shërbimin ndaj Perëndisë dhe të tjerëve.

“Por”, vazhdova unë, “Mormoni nuk vdiq për mëkatet e mia. Mormoni nuk e derdhi gjakun e tij për mua, as nuk vuajti në Gjetseman, as nuk vdiq për mua në kryq. Mormoni nuk është Perëndia im. Jezu Krishti është Perëndia im dhe Shpëtimtari im. Ai është Shëlbuesi im. Dhe është me emrin e Tij që unë dua të njihem në ditën e fundit dhe është me emrin e Tij që unë shpresoj të njihem sot.”

Ndjeva sigurinë e Shpirtit që më mbështeti në këtë dëshmi të shkurtër që i dhashë një të njohuri të ri. Pas disa sekondash heshtjeje, ai tha: “Pra, ti je i krishterë?”

“Po, jam i krishterë”, u përgjigja, “dhe një anëtar i Kishës së rivendosur të Krishtit.”

Përpjekja për të ndjekur udhëzimin e profetit dukej e thjeshtë, por doli se kërkonte më shumë përpjekje nga ç’e prisja. Nuk jam ende i përsosur në ndjekjen e çdo gjëje që më kërkohet të bëj. Por në çdo rast, tani sigurohem që të përdor emrin e plotë të Kishës.

Jam mirënjohës për Shpirtin që ndiej kur u dëshmoj të tjerëve për Shpëtimtarin tim dhe anëtarësinë time në Kishën e Tij. Dhe tani unë kam një mënyrë të mrekullueshme për të dëshmuar natyrshëm për Të dhe Kishën e Tij të rivendosur kurdoherë që pyetem rreth të qenit “mormon”.