2020
Rivendosja e Vazhdueshme
Prill 2020


Rivendosja e Vazhdueshme

Rivendosja filloi në Korijen e Shenjtë 200 vjet më parë dhe vazhdon sot – dhe ju dhe unë mund të jemi pjesë e saj.

Pamja
Joseph Smith kneeling

Dëshirat e Zemrës Sime (Vegimi i Parë), nga Walter Rane

Kjo është një kohë e mrekullueshme dhe emocionuese për të qenë në tokë. Ne kemi bekimin e pjesëmarrjes në ngjarje të mëdha që po ndodhin në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, përgatitore për Ardhjen e Dytë të Zotit.1 Ne jo vetëm që arrijmë t’i shohim këto ngjarje të madhërishme të shpalosen, por edhe të marrim pjesë në to.2

Ne nganjëherë flasim për Rivendosjen e ungjillit si të kishte ndodhur e gjitha njëherësh. Dyqind vjet më parë, Vegimi i Parë e filloi procesin, por Rivendosja, sigurisht, nuk mbaroi atje. Puna e Zotit nëpërmjet Jozef Smithit dhe bashkëpunëtorëve të tij vazhdoi me përkthimin e Librit të Mormonit, rivendosjen e priftërisë, organizimin e Kishës, dërgimin e misionarëve, ngritjen e tempujve, organizimin e Shoqatës së Ndihmës e kështu me radhë. Këto ngjarje të Rivendosjes filluan në vitin 1820 dhe vazhduan gjatë gjithë jetës së Jozef Smithit.

Sado të mrekullueshme janë gjërat që Perëndia i zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit, Rivendosja nuk përfundoi gjatë jetës së Jozefit. Nëpërmjet profetëve pas tij, ne kemi marrë gjëra të tilla si: zhvillimi i vazhdueshëm i punës në tempull; shkrime të shenjta shtesë; përkthimi i shkrimeve të shenjta në shumë gjuhë; çuarja e ungjillit anembanë botës; organizimi i Shkollës të së Dielës, Të Rejave, Fillores dhe kuorumeve të priftërisë; dhe përshtatje të shumta për organizimin dhe procedurën e Kishës.

“Ne jemi dëshmitarë të një procesi rivendosjeje”, ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson. “Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin. Ka shumë më tepër që do të vijë. … Pritni deri vitin që vjen. Dhe më pas vitin e ardhshëm. Pini vitaminat. Çlodhuni sa duhet. Do të jetë emocionuese.”3

Në përputhje me shpalljen e Presidentit Nelson që Rivendosja është e vazhdueshme, ne kemi parë shumë përshtatje domethënëse në Kishë që kur ai u bë Presidenti i saj. Ndër to janë ristrukturimi i kuorumeve të priftërisë, dhënia e shërbesës që zëvendësoi mësimin e shtëpisë dhe vizitat mësimore, si dhe krijimi i një mënyre të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për studimin e ungjillit.4 Më shumë përshtatje kanë ndodhur që nga ajo kohë dhe më shumë do të vijnë gjithashtu.

Një Shembull në Afrikën Perëndimore

Dëshmia ime për natyrën e vazhdueshme të Rivendosjes u ndikua nga pesë vjetët që i kalova duke shërbyer në Presidencën e Zonës së Afrikës Perëndimore. Që kur isha i ri, kam pasur dëshmi për ungjillin. Por kur jetova në Afrikë, u shoqërova me disa prej anëtarëve të parë në Afrikën Perëndimore që e pranuan ungjillin. Gjithashtu e pashë Kishën të përhapej me të shpejtë përmes kontinentit, me qindra lagje e kunje që formoheshin, tempuj e shtëpi mbledhjesh që mbusheshin përtej kapacitetit me anëtarë besnikë dhe gra e burra të mirë që e përqafonin me gjithë zemër ungjillin e rivendosur. Përpara syve të mi pashë plotësimin e profecisë së Jozef Smithit se Kisha “do të mbushë botën”5.

Dy anëtarë të tillë besnikë, Xhejms Euci dhe Frederik Antui, më ndihmuan një ditë në Tempullin e Akrës në Ganë. Shumë vite përpara se misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme të arrinin në Ganë, Xhejmsi kishte qenë pjesë e një grupi prej rreth 1 000 njerëzish që e përdornin Librin e Mormonit dhe materiale të tjera të Kishës në shërbesat e tyre në kishë. Ata luteshin për ditën kur Kisha do të vinte në Ganë. Ai u bashkua me të rinj të tjerë që udhëtonin nëpër shtetin e Ganës dhe jepnin mësim ungjillin siç gjendej në materialet tona. Kur misionarët mbërritën në vitin 1978, ai u pagëzua në ditën e parë që pagëzimet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme u kryen në Ganë.

Pamja
Frederick Antwi

Fred Antui, një anëtar pionier i Kishës në Ganë

Në fillimet e anëtarësisë së Fredit, ai qe i pranishëm në shërbesën mortore të një të afërmi që ishte një kryetar fisi. Atje ai mësoi se plani i familjes ishte ta bënte atë kryetarin e ri. Duke e ditur që një pozitë e tillë do t’i shkaktonte që të bënte gjëra në kundërshtim me bindjet e tij për ungjillin, ai shpejtoi të largohej pas varrimit dhe i ktheu shpinën një pozite që do t’i kishte sjellë famë e pasuri.

Kur u përkushtua Tempulli i Akrës, si Xhejmsi ashtu edhe Fredi udhëtonin mbi katër orë vetëm vajtje, çdo javë që të mund të ishin punonjës në tempull. Teksa kryeja ordinanca me ta, unë u pushtova nga ndjenja e historisë që më rrethonte. Duke e kuptuar historinë e Kishës në Afrikë, të cilën e përfaqësonin ata të dy, u ndjeva sikur të kisha Xhon Tejlorin apo Uillford Udrafin ose anëtarë të tjerë të hershëm të Kishës që po i bënin me mua ato ordinanca.

Ajo që pashë, përjetova dhe ndjeva në Afrikën Perëndimore, ishte se isha pjesë e asaj që Zoti ia tha Enokut se do të ndodhte: “Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim … dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës” (Moisiu 7:62).

Pashë drejtësi e të vërtetë të derdhej përmes kontinentit afrikan dhe të zgjedhurit duke u mbledhur nga ajo pjesë e botës. Dëshmia ime për Rivendosjen u shtua ngaqë e pashë atë pjesë të rëndësishme të Rivendosjes të ndodhte përpara syve të mi.

Unë pashë edhe diçka tjetër rreth Rivendosjes së vazhdueshme: një besim të fortë dhe një energji shpirtërore mes anëtarëve afrikanë. E kam dëgjuar Plakun Dejvid A. Bednar, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të thotë: “Kirtlandi [ku shenjtorët e ditëve të mëvonshme jetuan në vitet 1830] nuk është thjesht në Ohajo. Ai është edhe në Afrikë.” Shumë njerëz po bashkohen me Kishën në Afrikë nisur nga përvojat e tyre të fuqishme vetjake e shpirtërore. Këta anëtarë të rinj sjellin energji shpirtërore dhe një nevojë për ta mësuar më tej ungjillin. Për ta Rivendosja po vazhdon në një kuptim vetjak. Teksa mësojnë gjithnjë e më shumë për Kishën, të vërtetat e ungjillit vazhdojnë të shpalosen përpara tyre. E njëjta gjë është e vërtetë për të gjithë ne teksa vazhdojmë ta zgjerojmë njohurinë tonë të ungjillit.

Tri Mënyra se si të Ndihmojmë në Rivendosjen e Vazhdueshme

Perëndia na ka dhënë mundësinë e madhërishme që të luajmë një rol jetik në këtë punë. Zoti ka thënë se “trupi [i Kishës] ka nevojë për çdo [anëtar]” (Doktrina e Besëlidhje 84:110). Të gjithë anëtarët e Kishës e kanë bekimin e pjesëmarrjes në këtë Rivendosje të vazhdueshme. Si e bëjmë ne këtë gjë?

Një mënyrë se si marrim pjesë është nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta. Ordinancat, përfshirë ordinancat e tempullit, nuk kanë qëllim derisa në fakt njerëzit t’i bëjnë dhe më pas t’i mbajnë besëlidhjet që lidhen me ato ordinanca. Motra Boni Parkin, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ka dhënë mësim: “Bërja e besëlidhjeve është shprehja e një zemre të gatshme; mbajtja e besëlidhjeve; shprehja e një zemre besnike”6.

Nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve, ne jo vetëm që përgatitemi vetë për jetën e përjetshme, por gjithashtu ndihmojmë për të përgatitur e forcuar atë që Zoti e quan “populli im i besëlidhjes” (Doktrina e Besëlidhje 42:36). Ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe bëhemi pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes nëpërmjet pagëzimit, konfirmimit, sakramentit, Priftërisë Melkizedeke dhe ordinancave të tempullit.

Një mënyrë e dytë se si mund të marrim pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme, është duke përmbushur thirrjet dhe detyrat që na caktohen. Kjo është mënyra se si Kisha ecën përpara. Mësues të përkushtuar ua mësojnë ungjillin fëmijëve, rinisë dhe të rriturve. Motrat dhe vëllezërit shërbestarë kujdesen për anëtarët si individë të Kishës. Presidencat dhe peshkopatat u japin udhëzime kunjeve, distrikteve, lagjeve, degëve, kuorumeve, organizatave, klasave dhe grupeve. Udhëheqësit dhe udhëheqëset e rinisë kujdesen për të rejat dhe të rinjtë. Nëpunësit dhe sekretarët shënojnë informacionin thelbësor që më pas shënohet në qiell, dhe një mori njerëzish të tjerë kryejnë role thelbësore në përgatitjen e njerëzve për jetën e përjetshme dhe Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Pamja
members in Ghana

Të rinj e të reja duke ndenjur në radhë për të hyrë në Tempullin e Akrës në Ganë

Një mënyrë e tretë se si mund të marrim pjesë në Rivendosjen është duke ndihmuar për ta mbledhur Izraelin. Që nga ditët më të hershme të Rivendosjes, kjo ka qenë një pjesë e rëndësishme e punës. Siç u dha mësim nga Presidenti Nelson, ne kemi mundësinë dhe detyrën që të ndihmojmë në mbledhjen që ndodh në të dyja anët e velit. Në mesazhin e tij të mbylljes në konferencën e parë të përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Nelson shpalli shkurtimisht: “Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme”7.

Mbledhja e Izraelit në këtë anë të velit nënkupton punën misionare. Ne të gjithë që mund të shërbejmë misione kohëplota, duhet ta marrim parasysh me kujdes atë mundësi. E shoh si një bekim të madh që isha në gjendje të shërbeja një mision në Itali në kohën kur atje Kisha ishte shumë e re. Degët tona mblidheshin në salla me qira dhe ne shpresonim që një ditë të mund të kishte kunje e lagje. Unë pashë pionierë të guximshëm të vinin në Kishë dhe të hidhnin themelin për mbledhjen e Izraelit në atë tokë të madhërishme.

Njëra prej këtyre ishte Anjeze Galdiolo. Ne të gjithë e ndiem fuqishëm Shpirtin kur asaj iu dhanë mësimet e misionarëve. Por, edhe pse e ndjeu atë Shpirt, ajo e dinte se familja e vet do ta kundërshtonte fuqishëm pagëzimin e saj. Në një pikë të caktuar, sidoqoftë, e mbushur me Shpirtin, ajo ra dakord të pagëzohej. Por e ndryshoi mendjen në mëngjesin e ditës së caktuar për pagëzimin e saj. Erdhi herët në sallën e marrë me qira ku do të pagëzohej, për të na thënë që, për shkak të trysnisë familjare, ajo nuk mund ta bënte pagëzimin.

Para se të largohej, ajo ra dakord që mund të flitnim për pak minuta. Shkuam në një klasë ku sugjeruam që të luteshim së bashku. Pasi ramë në gjunjë, i kërkuam asaj që ta thoshte lutjen. Pas lutjes, ajo u ngrit në këmbë, me lot në sy dhe tha: “Në rregull, do të pagëzohem”. Dhe pak minuta më vonë ajo u pagëzua. Vitin që pasoi, u martua me Sebastiano Karuzon dhe rritën katër fëmijë, të cilët të gjithë shërbyen misione dhe kanë vazhduar që nga ajo kohë të shërbejnë në Kishë.

Pamja
Caruso family

Plaku dhe Motra Kurtis me disa pjesëtarë të familjes Karuzo

Anjeza dhe Sebastianoja gjithashtu shërbyen në një mision, me Sebastianon si president misioni. Kur shërbeva në një mision të dytë në Itali, 25 vjet pas të parit, pata mundësinë të shihja se çfarë kishin bërë familja Karuzo dhe pionierë të tjerë për ta zgjeruar mbretërinë e Perëndisë atje. Misionarët e mi dhe unë punuam që ta ndërtonim Kishën, duke ëndërruar që një ditë një tempull të mund të ndërtohej në Itali. Përfytyroni gëzimin tim në faktin që ne tani e kemi Tempullin e Romës në Itali.

Ka pak gëzime që mund të krahasohen me gëzimin misionar. Çfarë bekimi i madh që jemi lindur në një kohë kur ne mund të marrim pjesë plot gëzim në Rivendosjen e vazhdueshme për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli!

Gëzimi misionar, sigurisht, nuk ndihet vetëm nga misionarët kohëplotë. Secili prej nesh mund të ndihmojë në kthimin në besim ose aktivizimin e motrave dhe vëllezërve tanë duke punuar krah për krah me misionarët kohëplotë. Ne kemi mundësinë që ta mbledhim Izraelin duke i ftuar të tjerët që të vijnë e të shohin dhe duke i shoqëruar ata të cilëve u japim mësim.

Pikërisht nëpërmjet tempullit dhe historisë familjare ne mund të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin në anën tjetër të velit. Për shumë vjet ka qenë përgjegjësia jonë e shenjtë që ta bëjmë këtë punë. Përpara vdekjes së Jozef Smithit, shenjtorët kryen pagëzime për të vdekurit dhe disa veta morën dhurimet [indaumentet] dhe vulosjet e tyre. Me përfundimin e Tempullit të Navusë, dhurimet për të gjallët filluan të ndodhnin më shumë. Dhurimet dhe vulosjet për paraardhësit gjithashtu filluan në tempujt në Jutë.

Eliza R. Snou, një pjesëmarrëse e rëndësishme në atë proces rivendosës, e kuptoi rëndësinë e atij roli të Rivendosjes. Ajo kaloi shumë kohë në shtëpinë e dhurimit, duke ndihmuar për ordinancat atje.8 Gjatë një vizite të Shoqatës së Ndihmës në vitin 1869, ajo u dha mësim motrave të saj: “Kam reflektuar mbi punën e madhërishme që kemi për të kryer, madje duke ndihmuar në shpëtimin e të gjallëve dhe të vdekurve. Ne duam që të jemi … shoqëruese të përshtatshme për Perënditë dhe Të Shenjtët.”9

Dhe, sigurisht, vënia në dispozicion e ordinancave të tempullit është zgjeruar jashtëzakonisht me ndërtimin e shumë tempujve nëpër botë, me shumë të tjerë që do të ndërtohen.

Me mjetet që tani i kemi në dispozicionin tonë, puna në tempull dhe puna për historinë familjare mund të jenë një pjesë e rregullt e pjesëmarrjes sonë në Rivendosjen e vazhdueshme. Kam qenë i interesuar dhe i përfshirë në punën e historisë familjare për vite, por mjetet e internetit e kanë rritur thellësisht suksesin tim në çuarjen e emrave të familjes në tempull. Unë kam kujtime të shenjta me uljen te një tavolinë në apartamentin tonë në Ganë dhe gjetjen e emrave të paraardhësve të mi europianë, që bashkëshortja ime dhe unë të mund t’i çonim në Tempullin e Akrës në Ganë. Ajo mundësi e gëzueshme na ka ndjekur në vende të tjera ku jemi dërguar.

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Perëndia filloi procesin e “kryerjes së rivendosjes së gjithë gjërave të thëna nga goja e tërë profetëve të shenjtë, që kur bota filloi” (Doktrina e Besëlidhje 27:6). Ajo rivendosje ka vazhduar deri më sot teksa Perëndia “zbulon tani” dhe “përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9). Jam thellësisht mirënjohës që ne mund të marrim pjesë në këtë Rivendosje të vazhdueshme.

Shënime

  1. Shih Efesianëve 1:10; Doktrina e Besëlidhje 27:13.

  2. Shih Daniel 2:35–45; Doktrina e Besëlidhje 65.

  3. Russell M. Nelson, në “Latter-day Saint Prophet, Wife and Apostle Share Insights of Global Ministry”, 30 tetor 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  4. Shih “Drejtim i Frymëzuar”, Liahona, maj 2019, f. 121.

  5. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 142.

  6. Bonnie D. Parkin, “With Holiness of Heart”, Liahona, nëntor 2002, f. 103.

  7. Rasëll M. Nelson, “Punës Le t’i Vihemi”, Liahona, maj 2018, f. 118–119. Duke e përsëritur atë mendim, Presidenti Nelson tha në konferencën e përgjithshme një vit më vonë: “Ia përkushtofshim dhe ripërkushtofshim jetën tonë shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij – në të dyja anët e velit” (“Fjala e Mbylljes”, Liahona, maj 2019, f. 112).

  8. Shtëpia e dhurimit u ndërtua në Sheshin e Tempullit teksa po ndërtohej Tempulli i Solt‑Lejkut. E përkushtuar në vitin 1855, shtëpia e dhurimit u përdor për ordinanca tempulli deri në vitin 1889.

  9. Eliza R. Snow, fjalim i mbajtur për Shoqatën e Ndihmës të Lagjes Lihaj, 27 tetor 1869, Relief Society Minute Book, 1868–1879, Church History Library, f. 26–27.