2020
A po ju Mban Peng e Shkuara Juaj?
Prill 2020


A po ju Mban Peng e Shkuara Juaj?

Shpëtimtari e pagoi tashmë çmimin. Kapjani dorën Atij dhe vazhdoni të shkoni përpara.

Pak kohë më parë, peshkopi im e ftoi lagjen tonë që të mendonte për ndonjë dobësi ose mëkat që ne në mënyrë figurative mund ta linim në tryezën e sakramentit që Jezu Krishti ta hiqte. Ka mëkate që i kam mbartur me vete gjatë gjithë jetës sime si i ri në moshë madhore, të cilat jam përpjekur t’i mund, por nuk kam qenë në gjendje t’i mposht nëpërmjet lutjes ose vetë vullnetit tim. Pavarësisht se jam rritur përgjatë viteve, e dija se do më duhej t’i mposhtja ato që të vazhdoja të përparoja.

Të dielën pas sfidës së peshkopit, vendosa se do të lija vetëm një nga mëkatet e mia në tryezën e sakramentit, një simbol fizik i Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes. Teksa u përgatita për të marrë sakramentin, m’u kujtua se pëlhura që e mbulonte atë, simbolizonte pëlhurën e Tij të varrimit dhe buka e uji simbolizonin trupin dhe gjakun e Tij.

Me sinqeritet dhe qëllim të plotë të zemrës, i përtëriva besëlidhjet e mia të pagëzimit dhe thashë një lutje në zemrën time, duke i kërkuar ndihmë Atit Qiellor dhe duke bërë një zotim që ta lija pas këtë mëkat. Atëherë ndodhi diçka që nuk e prisja kurrë: dëshira ime për të mëkatuar u largua plotësisht. E provova këtë gjë edhe disa herë të tjera dhe ndodhi e njëjta gjë me mëkatet e tjera. Mos ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë?

Përputhja e Vullnetit Tim me të Tijin

Javën pasuese, e dija se cilin mëkat dëshiroja të lija në tryezën e sakramentit, por nuk ndihesha gati të hiqja dorë prej tij. Kur hedh vështrimin pas, e kuptoj se zemra ime nuk ishte në vendin ku duhej të ishte. Nuk po tregohesha mjaft i sinqertë që të zotohesha për të ndryshuar. Por kuptova se sa shumë e lëndon mëkati Atin Qiellor. E dija se kisha nevojë ta përputhja vullnetin tim me vullnetin e Tij dhe ta përqendroja jetën time përreth Tij që të bëhesha i lirë. Prandaj bëra gjithçka mundesha që ta bëja atë një realitet.

Iu shmanga çdo tundimi që mund të çonte drejt këtij mëkati. Ndryshova mënyrën se si i lexoja shkrimet e mia të shenjta çdo ditë dhe përsiata vërtet e i zbatova ato në jetën time. U përqendrova tek të qenit i sinqertë në zotimin tim për të ndryshuar dhe u përpoqa çdo ditë që të kërkoja vullnetin e Zotit mbi vullnetin tim. E vendosa Atë të parin, ngaqë e dija se nuk mund ta lija pas këtë mëkat pa fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Duke vazhduar që ta vendosja Atë të parin, unë isha në gjendje ta lija këtë mëkat në tryezën e sakramentit. Më në fund isha i lirë nga diçka që më kishte mbajtur peng për kaq shumë vite.

Nëpërmjet këtij procesi, unë u afrova më shumë me Atin tim Qiellor dhe Shpëtimtarin tim. I përfytyrova Ata duke më parë nga lart gjatë gjithë këtyre vjetëve me durim e dashuri – duke e ditur, përfundimisht, se do të hiqja dorë nga mëkatet që e pengonin shpirtërisht përparimin tim. Dhe kur të isha gati për të hequr dorë prej tyre, Jezu Krishti do të ishte atje për të më ngritur – të më merrte për dore dhe të më jepte falje dhe forcë. Ai tashmë siguroi një mënyrë që unë të bëhesha i lirë nga mëkatet e mia nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Ai pagoi çmimin për dobësitë, gabimet dhe mëkatet e mia. Thjesht kisha nevojë t’i mirëbesoja Atij.

Ju Mund të Shkoni Përpara

Gjatë kësaj kohe, lexova disa fjalë nga Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që më dhanë shtytjen e lehtë e cila më nevojitej: “Nëse jeta juaj është rrëmujë dhe ju nuk ndiheni rehat dhe ndiheni të padenjë …, mos u shqetësoni. Ai tashmë e di të gjithë këtë. Ai po pret që ju të gjunjëzoheni në përulësi dhe të ndërmerrni hapat e para. Lutuni për forcë. … Lutem që dashuria e Shpëtimtarit do të derdhet në zemrën tuaj.”1

Kur kënduam “Qëndroj Plot Habi” (himni im i parapëlqyer) javën pasuese, çdo fjalë tingëlloi e vërtetë; u habita vërtet – i mahnitur se gjërat me të cilat kisha luftuar për më shumë se një dekadë, ishin hequr prej meje. I mahnitur që nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit, unë mund të shkoja përpara. Se Ai mund t’i shërojë të gjitha mëkatet e plagët dhe të mos lërë pas asnjë gjurmë të tyre. Se nuk kisha nevojë të mbahesha peng nga e kaluara ime.

Kam ende shumë për të mësuar e për të mposhtur, por jeta ime ka marrë një drejtim për lart. Po ndiej më shumë gëzim e paqe. Po shpreh më shumë mirënjohje. Jam duke u afruar më pranë Atit Qiellor e Shpëtimtarit dhe jam duke e forcuar dëshminë time për Ta. Çdo ditë që zgjedh të përpiqem sërish, unë afrohem një hap më pranë Tyre dhe personit që Ata e dinë se mund të bëhem.

Shënim

  1. Richard G. Scott, “True Friends That Lift”, Ensign, nëntor 1988, f. 77.